OBVL, takim përkujtimor në 100-vjetorin e lindjes së bashkëthemeluesit, me kontribut real në LANÇ e Ushtrinë Shqiptare
BASHKIA ELBASAN, “MIRËNJOHJA E QYTETIT” PËR SAMI VINÇANIN
NGA Kolonel Sotir BUDINA – Kryetar i OBVL
Kolonel Sami Vinçani, i njohur për kontributin e tij si drejtues i formacioneve partizane në Qarkun e Korçës dhe si një nga kuadrot e larta drejtuese të Ushtrisë shiptare është vlerësuar nga Bashkia e Elbasanit me Titullin “Mirënjohja e Qytetit” (pas vdekjes).
Në takimin përkujtimor që kryesia e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ organizoi në 100-vjetorin e lindjes së bashkëthemeluesit të kësaj organizate Sami Vinçani, i njohur për kontributin e tij real gjatë LANÇ, në Ushtrinë Shqiotare e në Shoqërinë Civile në Qarkun e Elbasanit, përveç veteranëve dhe pasardhësve, anëtarë të OBVL, morën pjesë dhe përshëndetën disa personalitete të letrave e publicistikës shqiptare. Njëri, prej tyre, Sekretari i Përgjithshëm i OBVL, akademik Halil Rama – Mjeshtër i Madh, që moderoi takimin, tha se “Në Korçë dhe në gjithë Shqipërinë, përfshirë Elbasanin është i njohur kontributi i Familjes “Vinçani” për çështjen kombëtare shqiptare e veçanërisht gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Por sipas tij, nëse për gjeneralin Nexhip Vinçani – Nderi i Kombit, njërin nga drejtuesit kryesorë të LANÇ është folur e shkruar shumë, vëllai i tij, Samiu ndër kontributorët e njohur si gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare edhe në Ushtrinë Shqiptare të pasluftës është lënë disi në hije.
“Samiu së bashku me gjithë familjen kontribuoi duke u përfshirë energjikisht në Lëvizjen Nacionalçlirimtare qysh në fillimet e saj. Ai u bë krahu i djathtë i vëllait të tij Gjeneralit “Nderi i Kombit” Nexhip Vinçani, udhëheqësit ushtarak kryesor, për ato kohë, të UNÇl të Qarkut të Korçës. Samiun e gjejmë qysh fillimet e vitit 1942 si zv. sekretar e më pas si sekretar të celules së 12 fshatrave te Rrëzës, celula e parë e Qarkut të Korçës. Më vonë përgjegjës për njësitet e armatosura të Rrëzës. Në vazhdim, i ngarkuar me detyra të ndryshme në formacionet luftarake deri komisar batalioni në Br. XV-të. Mbas luftës shërbeu në detyra të ndryshme në ushtri deri në drejtues brigade me gradën kolonel, si në Gjirokastër, Korçë, Durrës, Elbasan, Berat, Tiranë dhe prap Elbasan deri sa doli në pension në vitin 1982”, - vlerësoi ndër të tjera z.Halil Rama. Sekretari i Përgjithshëm i OBVL vlerësoi gjithashtu kontributin e Sami Vinçanit pas ‘’ 90-tës si mbështetës dhe promotor i proceseve demokratike në qarkun e Elbasanit. Kjo sipas tij për faktin se “Që në fillimet e tranzicionit ai mbështeti publikisht, pa rezerva dhe në mënyrë aktive proçeset e ndryshimeve demokratike. E spikatur dhe shumë domethënëse është letra e tij, e guximëshme për kohën, drejtur R. Alisë dhe KQPPSH në mars 1991, ku shprehej haptazi për zhgënjimin e anëtarëve të thjeshtë të partisë dhe të popullit nga politikat e kaluara të Partisë së Punës, sidomos me qëndrimin e gabuar të saj në procesin e ndryshimeve, duke deklaruar në fund se për të gjitha këto: “me keqardhje, po i le rradhët e partisë”. Nga viti 1991 e deri 1997 ka kryer detyrën e kryetarit të Organizatës së Ushtarakëve në Pension (OUPL) Elbasan dhe nga 1994 drejtoi me përkushtim të rallë Degën e OBVL Elbasan.
Samiu luajti një rol të rëndësishëm si pjesë e grupit nismëtar për formimin dhe organizimin e OBVL. Është zgjedhur antar i kryesisë së përgjithëshme të OBVL përkrah Dr.Ymer Dishnicës, gjeneral Rrahman Parllakut, Liri Belishovës, Edip Ohrit, Skënder Malindit dhe Kryetar i Degës së kësaj organizate në Elbasan. Qytetarët e Elbasanit edhe sot kujtojnë kontributin e tij me thirrjet drejtuar popullit për ruajtjen e rendit dhe gjakftohtësisë në situatat e trazuara të vitit ’97…
Pëkërisht për këto merita, mbështetur në propozimin e Kryesisë së OBVL, kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja e vlerësoi Sami Vinçanin në 100-vjetorin e lindjes me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, me motivacionin: “Për veprimtarinë e shquar si luftëtar i lirisë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe për kontributin e tij të veçantë në krijimin dhe konsolidimin e strukturave ushtarake shqiptare. Në vlerësim të mbrojtjes dhe mbajtjes gjallë të idealit atdhetar në drejtim të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ-it”.
Nënkryetari i Bashkisë Elbasan Z.Jetjon Gjura, gjatë fjalës së tij evidentoi faktin se figura si gjenerali Sami Vincani meritojnë të vlerësohen për kontributin e tyre
Të pamasë ishin emocionet që përjetoi familja e Z. Vincani në ceremoni. Ndërsa titulli iu dorëzua të birit Maksimit, i cili u shpreh falenderues për vemendjen e treguar karshi babait të tij, që dha shumë nga jeta e tij për cështjen kombëtare dhe demokracinë e konsolidimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
Nënkryetari i OBVL Muharrem Gjoka, duke përshëndeur në emër të Kryesisë së Organizatës të Bashkuar të Veteraneve të LANÇ i shprehu mirënjohjen më të thellë kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Z.Gledian Llatja për vlerësimin që i bëri këtij personaliteti të shquar të LANÇ, të Ushtrisë Shqiptare e të Shoqërisë Civile, duke i dhënë Titullin “Mirënjohjë e Qytetit”.
OBVL, MBROJTËSE E VLERAVE TË LIRISË
“OBVL që me krijimin e saj para 28 vitesh në korrik 1994 e në vijim, si mbrojtëse e vlerave të lirisë ka patur dhe ka si mision kryesor evidentimin, propogandimin dhe promovimin e ngjarjeve, heronjve, dëshmorëve e drejtuesve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ne vlerësojmë se Lufta partizane ishte e kristaltë, ka qenë luftë idealesh të pastra dhe është krenari për të gjithë Shqipërinë. Në Luftën e Dytë Botërore, ne shqiptarët, ashtu si edhe popujt e tjerë të Europës dhe më gjerë, me luftën heroike partizane u angazhuam në një përpjekje të madhe, luftarake dhe të përgjakshme, si aleatë në krah të koalicionit të madh antifashist botëror”,-tha Z.Gjoka. Ai vlerësoi gjithashtu krijimin e Shtabit të Përgjithshëm në Labinot si fillimin e fitores së rëndësishme të shqiptarëve të ndershëm e atdhetarë, të cilët u bënë bashkë për çlirimin e vatanit, kundër nazifashistëve okupatorë, por edhe kundër atyre esadistëve që i kishin tradhtuar interesat e vendit e që historia i shkruajti në krahun e pushtuesit, jo në krahun e Shqipërisë”. Duke vijuar në këtë lonjë nënkryetari i OBVL Gjoka tha se krahina e Shmilit, Çermenikës dhe e gjithë Elbasanit ka një vlerë shumë të madhe në këtë luftë, jo vetëm që strehuam Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, por nga ky vend u komandua e gjithë ajo luftë për çlirimin e vendit. Duke vlerësuar bashkëpunimin me OBVL-në kryetarja e Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut, Elbasan Xhuljeta Graceni, ndër të tjera tha se Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare ishte një luftë ku dhanë jetën 28 mijë djem e vajza të Shqipërisë të cilët duhen përkujtuar një për një.Shqipëria jonë e vogël pagoi një çmim të jashtëzakonshëm gjaku dhe sakrificash të panumërta njerëzore. Ajo tha se nderimi i këtyre sakrificave është nderi i çdo gjenerate shqiptarësh. Prandaj nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i çdo faqeje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, në 29 Nëntor 1944, është nderi i çdo shqiptari.
SHPENDI TOPOLLAJ : Sami Vinçan, pinjoll
i njërës prej familjeve me kontribute të shquara atdhetare
“Erdha sot në këtë tubim, ku përkujtohet jeta dhe vepra e një njeriu, partizani dhe kuadri të rrallë të ushtrisë tonë në 100 vjetorin e tij të lindjes, kolonel Sami Vinçanit, pinjollit të njërës prej familjeve me kontribute të shquara atdhetare, jo vetëm si kryetar i OBVL së të Durrësit dhe as thjeshtë si oficer që kam qenë, por edhe për të marrë pjesë në vlerësimin dhe nderimin që i bëhet bashkëluftëtarit të tim eti në Brigadën e XV - të S. heroike, që vetëm këtu në Elbasan, nga radhët e saj i dha çlirimit jetën e re të disa prej bijave e bijve të saj më të mir”,-tha ndër të tjera shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Shpendi Topollaj. Ai vlerësoi kontributin e kolonel Sami Vinçanit, i cili kudo që shërbeu, la kujtimin e komandantit të aftë e të talentuar, të drejtë e të përkushtuar, ashtu sikurse dhe Mjeshtri i Madh Halil Rama e ka përshkruar nëpër organet e shtypit, apo sikurse del te libri i vetë Samiut me bashkautor shokun e tij skënderbegas Albert Kotini. Ky i fundit, si bashkautor i librit “Vinçanët” vlerësoi rolin e Samiut në mbledhjen e të dhënave arkivore e gojore dhe talentin e tij në shkrimin real e objektiv të historisë. Sami Vinçani është autori kryesor i Historikut te Fshatit të lindjes dhe autor i Historisë së LANÇ të Rrëzës së Korçës…
Publicisti dhe shkrimtari i mirënjohur Hyqmet Zane, ndërsa foli për njohjen me vëllëzërit Nexhip e Sami Vinçani, evidentoi rolin e këtij të fundit në realizimin e librit “Vinçanët” në dy volume, (me bashkëautor z.Albert Kotinin) duke lënë trashëgim për brezat, testamentin e tij atdhetar-intelektual e duke kurorëzuar kështu veprën e tij patriotike për të cilën punoi për një kohë shumë të gjatë. “Në këtë libër duke vendosur historinë e families në kontekstin e zhvillimeve politike shoqërore që nga fillimi i shekullit XX, na jepet një tabllo me material shumë të vyer, veçanërisht të periudhës 1942-1944 në qarkun e Korçës. Materiale, dokumenta e dëshmi me vlera të mëdha, sidomos kujtimet e vëllait të tij Nexhipit, si një nga protagonistët kryesorë të LNÇl të qarkut Korçë, mund të përdoren nga studiues të interesuar për shkrimin me vërtetësi historike të Luftës NÇl në qarkun e Korçës”, tha ndë të tjera Z.Zane.
Pjesëmarrësit në takimin përkujtomor me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Sami Vinçanitë, ku merrte pjese edhe Sekretari i Këshillit të Qarkut Elbasan Z.Fatmir Vodollari, i përshëndeti edhe kryetari idegës së OBVL të qarkut Tiranë Mazllum Parllaku.
Sami Vinçani ka lindur 100 vjet me parë, më 10 tetor 1922 në fshatin Vinçan-Korçë . Ai ishte i katërti ndër pesë djemtë e Kareman Sali Dervishit. Familja e Karemanit dhe vëllezërve të tij ka qenë një familje e dëgjuar dhe me kontribute patriotike në Qarkun e Korçës. Sami Vinçani vlerësohet në Elbasan për vlerat e larta dhe qytetarinë e treguar në këtë qytet, vecanërisht gjatë vitit të vështirë 1997.
Në këtë takim, Sami Vinçani dhe Agim Dylgjeri, dy kryetarët e parë të Degës së OBVL Elbasan, u vlerësuan me Çertifikatë Mirënjohje nga Kryesia e kësaj Organizate me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në përmbushjen e misionit të OBVL-së si bashkthemelues i saj, për mbrojtjen, promovimin dhe pasqyrimin me vërtetësi të vlerave historike të luftrave për liri e pavarësi të popullit tonë dhe të personaliteteve që kontribuan në krijimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar”.
Pas këtij takimi u mbajt edhe Konferenca e 8-të e Degës së OBVL Elbasan, e cila zgjodhi kryetar Z.Maksim Vinçani.
Comentarios