top of page

TAKIM ME ILIRËT E MI



 

Se ç’ kam një mall për kohë të vjetra,

(Dhe njerëz të moçëm, natyrisht),

Për kohë hijerënda,

Për kohë të mugëta,

T’i takoj ilirët e mi,

Flokëbardhë,

Kaçurrelë,

Me ngjyrat e syve,

Të kaltra,

Të bruzëta,

Dhe të ulem bashkë me ta në lëndinë,

Dhe të ulem bashkë me ta majë malit,

Dhe të ulem përmbi një plis dheu,

Si Anteu,

Gju më gju lirisht,

Gju më gju ilirisht,

Pa i ikur kuvendit,

Pa i bërë bisht,

Pa e shikuar njëri- tjetrin shtrembër,

As pa ia bërë njëri- tjetrit me gisht,

E  pranë t’ i  kemi  bucelat me raki,

E  pranë t’ i  kemi edhe vozat me verë,

Të flasim edhe ndonjë fjalë për kohën tonë,

Shkurt e prerë:

Ku kemi qenë dhe ku jemi,

Nga po sillemi, ku po vemi,

A e di kush?

 

Pastaj të vëmë dhe pëllëmbën mbi  hartën tonë të grisur,

Copë- copë,

Dhe gropë mbi gropë,

Që nuk u gris, por për më keq u pre me sopatë,

Më vonë ndjej qetësinë përpara furtune ,n’ bunacë,

Dalëngadalë  ndjej edhe tërbimin e tyre,

Dhe klithmën e tyre sokëllimë,

Me drithërimë,

Me bërtimë,

Për t’ i lënë kupat e verës menjëherë menjanë,

Dhe në vend të tyre t’ i marrin shpatat në dorë,

Dhe bobo, e ndjej,

Se si bëhet rrëmujë kryq e tërthor,

Teksa më qortojnë si etër që janë me shamatë,

Ah, mjeri  unë, zë dhe klith,

Ç’ është kjo zemëratë,

E britmat  dhe zemërata prapë vazhdojnë,

Dhe kulmojnë,

Me vetëtimë,

Me bubullimë,

Me ulërimë,

Ku i patët duart, ku i patët sytë,

Ju harabelë a trumcakë,

Ju mburravecë shqiponjash krenare,

A s’ e shihni se tash po silleni brenda në kafaz sa një pëllëmbë,

Sa shqiponjat s' kanë ku fluturojnë,

Me mure në tokë,

Me mure në kokë,

Medet sa mure,

A s’ e shihni,

Se ju paskan hangër me dhëmbë,

E ju paskan shkelur  me këmbë,

O njerëzit e mi,

Kjo a nuk ju tremb,

Kjo a  nuk ju dhemb?

39 views0 comments

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page