top of page

Takat kolliten si kollë e mirë


Takat kolliten si kollë e mirë

(Fragment nga romani “Diplomaticus”)


Nga Fatmir Terziu



Ajo ishte gjëja e fundit. E fundit! E blera nga paratë e karburantit të dhënë për fushatë nga Ministria e Brendshme, i dukej ende si një blerje pa faturë. Fundja ishte një kravatë. Një kravatë pa faturë. Kishte blerë një kravatë pak kohë më parë, por i kishte ngecur në një kamardare.

- Ah, ajo kamardare? – pëshpëriti diçka më shumë me vete, por që nuk u kuptua as nga vetë ai, ndërsa ia ndërprenë atë që nuk dihej se çfarë ishte disa çafka të bëra shuk pas njëra tjetrës në një valle të mistershme ajrore. Aq më keq sytë iu ngulën në fundin që bashkonte ato kofshë çokollatë me ndarjen e thelsuar nën tanga. E pa në sy dhe nuk dalloi asgjë më shumë se një grimcë deti në sytë e saj. Eh, tashti kishte hall tjetër…kishte në mend hallin e asaj kamardareje.

Ishte kamardarja që e nxorri tek bregu i shtetit fqinj tej Adriatikut. Kamardarja që e bëri me para. Me të vërtetë nuk ishte diplomat, por ama ndihej më shumë rehat. Para bëri me thasë, dhe askush nuk e bezdiste.

Tani? Eh, tani...

- “Eh, ajo kollare, nuk vjen më”, foli ai me vete. “Ç’më duhej mua të jepja gjithë ato pare? Ç’më duhej mua kjo punë e diplomatit? Apo mos vallë kollarja që më ngeci në kamardare, ishte një shenjë e keqe? Kot! Kot, nuk thoshte gjyshja ime, kur ia shkelnim fustanin, “pështy more, se s’dua të më zërë ndonjë gjë, pështy tre herë tutje”. Si nuk pështyva xhanëm? Edhe po të pështyja, fundja, ajo pështymë me atë erë, aty në breg të Italisë, do të më kthehej në fytyrë...”

Ditën kur e bleu iu rikujtua pikërisht kamardarja. Ah, ajo kamardarja! Nuk e di pse iu ngul aq shumë në tru, e i përsëritej hera-herës. Por, nuk ishte thjesht ajo kamardare. Ishte diçka tjetër e ngjashme...

Ishte ai artikull që dëgjoi herët në mëngjes nga ekrani, kur Bashkim Hoxha lexoi titujt e gazetave në emisionin e tij të përditshëm: “Kamardarja diplomatike e opozitës për Brukselin, i shpëton pozitës fytyrën nga pafytyrësia e dhënies së një statusi, kur një vend qartazi nuk e meriton...”.


- “Si guxojnë, të shkruajnë vallë kështu? A janë xhanëm atdhetarë këta? Çfarë gazetarucësh? Pale, ky djali i këtij mikut tim, estradaxhiut të Lushnjës? Ama u bë dhe ky, de, u bë?”

Kështu u përhumb në mendime, ndërsa njërin sy e kishte nga kollarja, e tjetrit i hapte kënd andej nga gjoksi i shitëses që paloste dhe paketonte kollaren tjetër.

“Kamardarja?! Po sikur të ndeshen me një të tillë? Shihja, mor Zot, aman, shihja ç’gjoks që ka? Ec pastaj e mbaje veten? Fundja tani nuk jam më diplomat. Kjo është dita e fundit. E kjo kollare do të mbetet kujtim. Kur të varet në qafën time, do të kujtoj patjetër, edhe këtë kamardare gjoks, edhe atë të asaj m... gazete, që u bë zeher, por edhe atë kamardare që më zuri e ma bëri cop atë kollare në breg të Italisë. Ah, sikur të na e kishin dhënë statusin? Ndoshta do ta dridhja edhe unë. Pse ore fundja, diplomat jam unë. Unë dhashë para të bëhem i tillë. Politika? Në djall të vej.

A nuk thuhej kështu, kur zihej në gojë ajo batuta e Qife Kapartonit? Qife Kapartoni ishte personazhi që na rriti. Kështu ishte bërë ai përditësia jonë e fëmijërisë. Dhe ne për çdo sajesë ia ngulnim Qife Kapartonit, llafin. Edhe atëherë kur foli piktori Xhemal Lufta, dhe duhej lënë pas harresës për Qeverinë e diktaturës, në kohë të murhumit, ne ia veshëm se “Qife Kapartoni, na tha “e dimë që peshku qelbet nga koka, por ky peshk është qelbur edhe nga koka, edhe nga bishti...”. Ah, sikur ta kisha shpikur një mesele si ato të Qife Kapartonit?

Fundja çfarë ndryshimi do të kishte? Madje edhe kapartoni pa kamardaren s’do kishin kurrë kuptim. E sot do të isha akoma me kollaren e diplomatit. Dhe pastaj e shihte kjo kamardarja...”. E shihte kjo kollare, si do të vardisej e tundej lart e poshtë kësaj xhungle asfalti, ku takat kolliten në çdo stinë të vitit, si të jenë me kollën e mirë. Dhe kjo kollë e mirë në këtë ishull tashmë kishte ilaçin tjetër më vete. E shihte si atë ditë atë pasnajë të mishtë, që kurë nuk do ta bënte të trishtë. Butësia e atyre këmbëve ndoshta fliste e fliste më shumë se ajo që i strukej në thellësi, e që mbahej fort prej dhëmbëve. E shihte…


2.


Po, po e shihte. Se mos është koha e 1937-ës? Apo mos vallë është si puna e asaj gazetës “Hull Daily Mail”? Po pse kjo puna e gazetave, dreqi e mori? Pse? Ajo ishte thjesht një gazetë arkive. A nuk ishte kështu “Hull Daily Mail”? Po ishte e shtunë e 24 prillit 1937. Atëherë këta kamardare ndoshta nuk ishin kështu, por ama... Çfarë ama? Fundja jam burrë. Edhe ata ishin burra, apo...? Ndoshta ishte koha, ndoshta vendi..., ndoshta ligji tjëtërlloj? Ama gazeta shkruante se shteti e kishte nxjerrë atë ligj atëherë: “Vazhdim i Ligjit për Gratë muslimane: Të zbulohen!”. Dhe kush apo cila refuzonte, ndodhte siç ndodhi me atë lajm në atë gazetë të “Hull Daily Mail”? “Një kryetar i famshëm shqiptar e ka qëlluar për vdekje drejtuesin e një patrulle policie, i cili u përpoq të zbulojë gruan e tij, sipas një raporti nga kufiri shqiptaro-Jugosllav. Në përputhje me ligjin e lëshuar nga Këshilli i Lartë i komunitetit musliman të Shqipërisë, Qeveria ka ndaluar mbulimin për gratë, dhe oficerët e policisë janë dërguar jashtë për ta zbatuar atë.

Hajdar Shaban beu, kryetar, thuhet se ka refuzuar të lejojë që gruaja e tij të ecë e zbuluar, dhe kur një oficer i policisë i doli para dhe tentoi ta zbulonte fytyrën e saj, burri i saj është raportuar të ketë qëlluar atë duke e lënë të vdekur. Ai tani është nën arrest, së bashku me të edhe gruaja e tij, si shkaktare në incident.”

“Dhe ja ç’ndodhi? Ai u bë lajm në gazeta. Dhe lajmi qarkulloi botën, erdhi në Londër, edhe në Hull, madje edhe gjetkë. Ja u bë i Madh, ai burrë, guximtar, pa e ditur as vetë. U bë emri i tij kryefjala e burrërisë.

Kryefjala? Po sot është kohë tjetër. Lajmet? Lajmet ikin për pesë sekonda anembanë. Është kohë dixhitale kjo, nuk është si ajo kohë. Fundja edhe kjo le të mbulohej pak. Pse m’i nxjerr ato kamardare ashtu sheshit?”

Dhe ndërsa pagoi kravatën, ashtu me një kënd të lirë për syrin e djathtë, ai u përshëndet dhe doli nga banaku i pagesës. Shitësja e përshëndeti dhe e pyeti njerëzisht: “A ndjeheni mirë?”

“Oh, më falni, mirë ndjehem, kam pak hutim të brendshëm, ndërroj punë së shpejti. Ndaj, ndoshta jam disi...”.

“Po, e vërtetë është. Është kohë krize botërore. Dhe mjaft vetë humbin vendet e punës. Edhe ne këtu jemi me atë stres, bosi na ka paralajmëruar për shkurtime. Fundja kështu e ka jeta, duhet pranuar siç është shkruar fati.”

“Po, po më vika keq edhe për ju”, shtoi ai, dhe sërrish pëshpëriti me vete, ‘ah, ti kisha ato kamardare, pastaj le të më shkruhej fati i një shkurtimi, pa e ndreqja unë atë shkurtues, ah, kjo meseleja ime është ndryshe. Ato kamardare nuk janë thjesht për tek bregu, ata të shpien tutje e tutje...’.

Dhe pasi u përshëndet, la pas ato kamardare të gllabëruara nga sytë, duke lënë pas shitoren me kravatën e tij të paketuar në dorën e djathtë. Sytë i ishin kthyer në piktorë imagjinarë. Thuajse të gjitha femrat që kalonin retushiheshin nga sytë e tij. E të gjithë bëheshin si Suzi. Suzi kishte sy det. Trup të gatshëm të thyhet në mes. Këmbë të trasha me një pikëdalje vullkanike. E në sy të tij kishin mbetur të ngriturat e gjoksit, të cilat, dreqi e mori ishin një në madhësinë e kokërave të syve. E më pas ajo që nuk pikturohej dotkalonte si një lëng i brendshëm e që sekretohej diku në thellësi për të dhënë një ofshamë të strukur po aq në thellësi. E gjitha ishte një panoramë dhe një portret i gjerë e i thellë si një det. Pastaj pasi gatuhej në mendje e në brendësi i shfaqej ashtu ajo bukuri përrallore, si një pamje e largët mitie në fytyrë, e goja i pëshpëriste si refren në formë retorike të gjtha takat kolliten si kollë e mirë?

60 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page