Tahir Bezhani: ZHGËNJIM NË ËNDËRR
- Jun 19
- 2 min read

Tahir Bezhani: ZHGËNJIM NË ËNDËRR
Si të tregoj ëndrrën
Që më trazoi shpirtin
Si vetëtimë shkojnë mendimet
Të rënda ishin brenda meje përjetimet
Kur natën me shi vinte një stuhi
Lodhja dridhej mbi rrudhat e ballit
E harqet e vetullave digjeshin në flakë
Gjumi përkundej në djepin e vjetër
Trupi ishte ndarë në dy pjesë
Shpirti fluturonte në kullën e vjetër
Kishte marë arratinë nëpër kohë
Në shtratin e rrënojave thëngjij të djegur
Nënkresa e fëmijërisë cicërinte ninulla
Mbuluar me plafin e arnuar të kujtimeve ...
Sa më përgjumnin telat e çiftelisë, tingujt
Në raft të odës ndrinin si dekor kohe
Rapsodë ulur këmbëkryq në mes të odës
Këndonin të akorduar këngë majëkrahut
E unë ,flija thellë në harresën e natës së ikur....
Sa i dërmuar ngrihem në mëngjes
Shpirti ishte kthyer nga bujtinë e vjetër
Lodhja pikte ofshamë, lot
E do fjalë tjera thënë përgjumshëm...
Nuk di t’i tregoj të gjitha ankthet
Flet malli, dhimbje e dashuri një muranë
Rrugëtim i thyer eshtrash jeta
Zhgënjim, një krimb qe e ha vetveten padie...
BASTISJE E SHTËPISË
Si djaj nate të dehur rrugëve të pista
Në orët e para të mëngjesit të çartur
Vrap e vrap u futen në shtëpinë e poetit
Skaj rruge, buzë lumit matanë
E gjeten të fjetur, maste boten anë për anë
Rrinte i stepur mbështetë në kore librash
Shikonte hatanë, e ata, thyen dyer, dollapë
E do gjëra të tjera
Bastisen me radhë gjitha orenditë
Ata faqezitë e kohës zezonë
Morën çfarë gjeten, grabiten, plaçkiten
Tituj librash, shkrime e shënime me vlerë
Zbrazen dhomën e poetit, mbeti duarlidhë
Trupin ia kishin lëpirë qentë e rrugëve
Me bisht nën këmbë kishin ikur errësirës
Të gëzuar për “prenë” e tyre të ndyrë
Nuk e dinin se bota e poetit nuk zbrazet kurrë
Rilind jetën edhe në kohë më të vështirë
Nga fjalë e poetit kalben kufomat e vdekura
Bota flet e heshtë!.....
KËRKOJA GJURMËT
Atje ku nuk arrijnë këmbët
Shkon mendja si era
Dimri kur të ngrin
Shpirti do verën
Dëshirat plazhojnë zallinave
Ripërtërijnë kohën e përmallshme
Sytë nguliten syprinës pa fund
Valët gjëmojnë në një tjetër kohë
Melodi e shkrirë kujtimeve të ikura
Çapiten mes lotësh do stinë të nxehta
Në thellësinë time kërkoja gjurmë gishtash
Mbetur në shishe të verës si lule humbur
Thyer ahengjeve të nxehta
Në kulmin e krisur të haresë së lotëve
Valët gjëmonin të qeta
Imitonin shpirtin tim të harlisur
Kërkoja gjurmët e vetvetes...
QIELL I NXIRË
Me re të zeza mbuluar qielli
Nga piskamë avionësh gjuajtës
Frika fshihet në rrënjë shpirti
Qëndresë e paepur vetmia
Buzët pëshpëritin vajshëm
Lutjet e natës, shpresë e tërbuar
Qielli i nxirë n’ tym e flakë
Fushat e mbushura kufoma
Eshtnaja të shkapërderdhura
Pa emra e mbiemra
Shkrirë në flakë bombash
Në hapësirat e globit fatzi
Në këtë kohë zezonash
Nata flakadan zjarri, tymnajë
Dita e ngrirë shpresave të humbura
Pritje e gjatë për një ditë me diell...








Comments