top of page

T'KAM PA ANDËRR TUE TË HARRUE


ESE


T'KAM PA ANDËRR TUE TË HARRUE



Poezi e Drita Ademit



Fjolla bore zbresin nga statujat e lashta të dimrit, sheshit, plagosur prej frymës së fundit të perëndimit. Rruga hutohet nga kënga e pemëve të zhveshura ndërsa në rrënojat e muzgut rregëtin flaka e ndrojtur e ditës dhe ecja ime përgjat peizazheve jo të zakonshme të poezisë së poete Drita Ademit.


" T'baj bè".


Andrrat e mia tash

nuk përkunden lehtë,

flejnë - thëngjij n'rrathê të drunit

më mungon ti,

t'baj bè.


Mund të kem mijëra metafora tek enden si fluturat në qiejt e zhurshëm të fjalës dhe asnjëra mos të jetë e duhura të prekë, të rinjohë, të më lejojë të shpreh atë ç'ka vêrtet vargjet duan.

Godasin herë lehtë, herë furishëm gjetjet, por nuk gjen prehje, torturon ky mall, siç drita vdes në sytë e pyllit, apo siç harron era hapat në fushat shtatzanë vjen kjo poezi.

një ditë, lulet kanë me e'pushtue udhën

yjet kanë me i pushtue malet

një dit, si shegë kam me u pjekë

n'zemrën tande



Nuk mban të fshehta poetja, dehur nga hapësirë e paanë e dashurisë. Lutet për atë ditë të largët, në duar mban tek udhës harlisje. Si një degës e sapoçelur tek përulet xhamit të muzgut.

Çfar pafajësie.

Siç vizaton në sytë e së dielës së fundit të vjeshtës qielli kaltërsinë, siç loton shkretëtira në pragun e ëndërrimit.


N'vazon teme ngjyrë ari

asht nji qytet i vizatuem

mbijnë lule të gjalla

sapo çelin ato

kthehen në lule plastike

një ditë do ta marrin

t'verbuem qytetin pa ndjenja

një ditê do të më mbulojnë dhe mue

pa ndjenja,t'vetmueme.


I ftohti akullnajor të mbërthen leximit të parë. Marrëzi enigmatike. Fati grushton.

Lajkatare humbja. Lule te gjalla sapo çelin kthehen në lulê plastike. Liri në mërgim. Mërgim në liri kufizuese. Dritë dhe errësirë

në një hap. Vetmi rraskapitëse. Plagë e vjetër dhe plaga e re djegur në pengun e qytetit të verbër. Thyhet shpirti si duna erës dinake.


Kam me dekë në paqe


me poezi në zemër

me grushtet mbushur me rè

e lule në sy


kam me dekë


veç ti ke me mungue n'varrimin tim

as s'ke me kjajt

as s'ke me qesh.


Shndritje poetike.

Vështron këto rrjeshta, heshtja lakohet në çdo tënde frymëmarrje. Dëgjon njëherësh mijëra këngë. Sheh dhjetëra zjarre. Ndjen oshëtimën e largët të përmallimit. Paqësisht jeton dy gjëndje njëkohësisht si hëna hedh trëndafila në portën e vjetër të sokakut, pastaj zbret në udhën e trishtimit

përjeton atë klithmë që ka lumi kur plaket

se nuk do të shikojë kurrë më rrëkera.


Diferenca


Po shkoj tash

udhën po e lë të zbrazun

kangën e pa kënduar

lodin pa e pjekun


atje te vorri

kam mbledh kockat, kangët, vajin

kam mbledh lulet e zogjt

n' harmoni me nji poezi

se veç vorrin e kam t'përbashket me ju


Nga poezi në poezi shkel hapësira të pamenduara. Shkund pluhurin e gënjeshtër që kërkon hua shpirtin të marrë me " lodin e papjekun ".

Shastisur je prej ulërimës. Asgjë nuk ka mbetur nga ti para leximit. Ke shtuar etjen. Zhytur në dritë e fortë të dhimbjes.


Të kam pa andërr


të kam pa andërr tue të harrue

si vdisnin ne mue ngadalë ata sy me ar

e thaheshin ata lisa e shterrej ai lum

e qanin zanat për atë burrë

që n'kambë s'do çohej mbrenda meje

kurrë


Vetëm i pari rrjesht dhe shpirti pëson shembje, si lugina që mbart borën e fundit

si një liman që prek krahët e lodhur të direkut të thyer të anijes së vjetër, si trëndafilat agut, rënduar nga lot i mjegullës, poetja qëmton andrrën.

Dërmuar. I paanë. I pamatë lëngimi.

Hedhin rrënjë peizazhet në zemër të lisit, në zemër të lumit. Lot i zanave i kuq rrjedh.


Thua je ndanë muzgut të vjetêr kur lexon poezine e Drita Ademit . Përvoja vishet

mes metaforash që stofin e përjetësisë hedhur supeve. Nuk ndalet vetēm për luftën, aty është edhe mërgimi, largësia, atdheu. Vargjet. Ah! Shkruar me atë prekje magjike , si jehona e largët tek bie prehrit të ëndërrimit. Edhe dhimbja me dramën e vuajtjes kaq me fisnikëri ardhur

si e shpatës, rënë fushës së përgjakur, i luftëtarit mbetur vetëm.


Çikrrimë

shikoma , zot, sa largë

kemi mbetur

nji dashuri mes nesh


mos ban lojna tjera

ky zjerm që djeg

je ti


n'shtatë yje

rrin fryma jote

në vena t'mija por nuk shëron


Përtej gjithçkaje kjo lutje.

E lashtë sa vetë bota. Të vështron së brëndshmi. Rrëshqet nëpër dejet e zjarrit.

E pafajshme qetësia . Fërgëllim e frymës trand tokën e largët të mallit. Përtej horizontit valëvitet me flamunj të mëdhenj ndarja ,harresa.


N'dërrim motesh


e shpushi hinin n'oxhak

palë, palë si eshtna t'bluem


papritur e gjeje nji teh thike t'përgjakun


kam shumë shekuj paska kalue n'luftë

ndizet hini

gjaku jem me trëndafila t'kuq


Edhe këto vargje rrëmojnë shpirtin.

Ngarkuar me prekjen e vuajtjes. Vetmi që nuk rresht së foluri. Ikën me zjarrin e përjetshëm të dashurisë ndaj Atdheut. Vetëm qiejt e shohin këtë degëz, lëkundur pikëllimit që prehje nuk gjen. Digjen trëndafilat mbrëmjeve që ndriçojnë shekujt.


Dhimbje bote


s'jam e lirë nga vedja

dhimbja nuk m'lëshon për ty

për ata e për ato

të djeshmen, të sotmen e t'nesermen

çdo ditë vuzatoj kafazë me zogj

dhe ua çel derën

me shërue dhimbje


Çfar plage.

Loton si një shelg në breg të liqenit për fluturimet mbetur në harrimin e dimrave zemër e poetes. E zbrazët si një pyll që endet gjethesh të vdekura. Vetmi me tingullin e shurdhët të këmbanave në tempujt mbuluar nga mjegulla . Ndaj vizaton kafaze me zogj dhe derën u çel. Ditët me dritë ndritin pranë burimit të shpresës.


E mërkurë

25 Janar 2023

Albany. New York

U S A


Eduart Sulollari

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page