
Poezi nga Kozma Gjergji
(Është e botuar para 13 vitesh në Itali në antologjinë "Un momento partikolare")
Të vjen keq
Për barin e zverdhur
Dhe natën pa agim,
Për lumin e shterur
Dhe zjarrin e kthyer në hi.
Të vjen keq
Për folenë e braktisur
Dhe sytë që s'shkrepin më
Xixa të kaltërta,
Për vdekjen e tingujve
Që ngushëlluan trishtimin
Dhe mitin madhështor
Të pëgërur nga llumi.
Të vjen keq
Për talentin e flijuar
Dhe vrullin e ndrydhur,
Për besimin e lartë
Të zhgënjyer tepër hidhur.
Të vjen keq
Për lotët e shenjtë të nënës
Dhe fëmijërinë pa lodra,
Për shansin e humbur
Dhe thinjat e sakrificave të kota.
Të vjen keq
Për naivitetin e bardhë
Të tallur e grabitur,
Për ndjesën e larë në gjak
Dhe sinqeritetin e kapur
Në leqet e intrigës.
Të vjen keq
Për ditën e gëlltitur nga hiçi
Dhe kujtimin e shtrenjtë
Që e varrosi harrimi.
Të vjen keq…