top of page

TË VËRTETAT E PA THËNA NGA ELEFTHERIA MANDA


PJESA IV

TË VËRTETAT E PA THËNA NGA ELEFTHERIA MANDA NË :ÇAMËT MYSLIMANË TË EPIRIT

(1923-2000)(¹)


Konkluzion tjetër që nxjerrim nga leximi i librit të E. Manda, është se vërtet studiuesit tanë duhet të njihen me botimet e ndryshme, pavarësisht nga kornizat e standardeve shkencore të botimeve. Kjo na siguron informime për çështje të ndryshme, na ndihmon në përpunimin e qëndrimeve, na jepet mundësia e përgënjeshtrimeve të shpifjeve, gënjeshtrave, mashtrimeve etj. të cilat e kanë mbushur tregun social, duke bërë propagandë gjoja në emër të shkencës.

Konkluzion tjetër me rëndësi në gjykimin tim, është përgjegjësia dhe kujdesi që kanë përkthyesit, parathëniet qoftë ato që bëhen nga përkthyesit, shtëpitë botuese apo institucioneve përkatëse.

Kam lexuar shrime të shumta për çamët myslimanë të Thesproti/ Çamërisë, prej autorëve të huaj dhe grekë, të cilët e kanë trajtuar çështjen periodikisht por të shkëputur, të njëanshme, të shtjelluar me metodat e njohura, ku e veçanta trajtohet si e përgjithshme. Ajo që më ka lënë mbresa të thella, deri diku edhe keqardhje, janë konkluzionet e nxjerra, të cilat janë thellësisht dhe forcërisht të bazuara tek kriteret fetare, ku rezulton qartë diktati i besimit ortodoks, i cili çvlerëson besimet dhe besimtarët jo-ortodoksë, i quan tradhëtarë të kombit grek dhe si të tillë duhen poshtëruar, vrarë, shpërngulur nga atdheu i tyre. Të infektuar nga kjo ideologji, si taktikë për zbatimin e strategjisë famëkeqe të "Megalloidesë", të gjithë autorët, sidomos ata grekë, në trajtimin e problemit të çamëve myslimanë të Çamërisë, mbeten skllevër të njëri- tjetrit, përsërisin sloganet e vjetra ku fajësohen si shkaktarë të atyre ngjarjeve banorët myslimanë, ndërsa kisha dhe shteti grek paskan bërë "përpjekje maksimale për t'i ndihmuar".

Ngjarjet e vrasjeve të banorëve të Paramithisë të qershorit 1944 dhe vrasjet e kryera në Filat gjatë fundvitit 1944 dhe fillim vitit 1945, autorja do bënte mirë të mos i shkruante, për arsye se trajtimi i atyre masakrave nga historiania, gjoja si veprime të dala jashtë kontrollit të urdhërave, apo se forcat e Zervës na paskan çliruar qytetin, janë qartazi mashtrime dhe të pavërteta. Ato çvlerësojnë tërësisht studimin e saj, kjo sepse në qytetin e Paramithisë nuk u zhvillua luftë (ushtria gjermane ishte larguar nga qyteti kur bandat terroriste greke u vërsulën mbi popullsinë e pa mbrojtur dhe e shqyen atë); gjithashtu dihet fare mirë dinakëria greke e përdorur me parinë dhe banorët e qytetit të cilët u prenë në besë nga kasapi Zerva dhe kriminelët e "pabindur" të tij.

Taktikën e premtimeve u përpoqën ta ushtronin edhe në Pargë, Margëllëç dhe Gumenicë, por nuk arritën dot t'i mashtronin të deleguarit dhe, afati për dorëzimin, u kërkua jo për arsyet që jepen në libër, por për të fituar kohë për të larguar familjet që ti shpëtonin nga masakrat. Krejt ndryshe janë zhvilluar ngjarjet e masakrave të Filatit, edhe ata u mashtruan nga premtimet e marra për tu rikthyer, por u gjendën para masakrave të llahtarshme dhe me dijeni të plotë të qeverisë greke dhe misionarëve anglezë. Gratë dhe fëmijët e Parammëthisë, të internuara në vendqëndrimet e Filatit, të cilat u mbajtën mbi tre muaj, autorja vetëm sa na i përmend, por nuk ndalet tek torturat e ushtruara ndaj tyre, as nuk e nxjerr shkaktarin, po ashtu dhe për gratë dhe vajzat pargaljote që u rrëmbyen dhe nuk dihej se ku i çuan, ata, "të pabindurit" e z. Historiane.

Absurditet qesharak, naiv e tepër mashtrues.

Megjithatë, gjatë leximit të këtij libri, arrihet të kuptohen të vërtetat dhe kjo falë paaftësisë profesionale të autores, e cila në përpjekjet e bëra për ti treguar ngjarjet në favor të palës greke, zbulon mashtrimet, shpifjet dhe egërsinë e ortodoksisë së tyre.

Për marrëdhëniet e shtetit grek me komunitetin e atij rajoni, gjatë periudhës 1913 deri në vitin 1945, për disa arsye kanë munguar shkrimet nga pala e çamëve myslimanë, edhe kur ndonjë autor i zonës (çam ortodoks) bënte përpjekje për tregimin e së vërtetës, izolohej dhe shkrimet e tyre nuk arritën të qarkullonin. Në kushtet e boshllëkut ë krijuar dhe në mungesë të shkrimeve opozitare, përfituan gramatikonjtë grekë dhe në revan me njëri-tjetrin shpifën, mashtruan, gënjyen, duke akuzuar viktimën fajtor, ndërsa ofiqet ishin për fajtorin e viktimës. Në këtë rrugë ka ecur edhe autorja, e cila nuk ka sjellë të reja historike apo shkencore, por shtjellon thëniet e vjetra në një kohë të re.

Çamët myslimanë ishin viktimë e dy realiteteve të rëndësishme:

* Së pari, u bënë viktimë nga mospranimi i besimit ortodoks, gjë e cila po të ndodhte, do të ndërronte etnitetin nga shqiptar në grek, siç ndodhi me ndërrimin e besimit nga banorëtt e dy fshatrave të vegjël të rajonit, që u kthyen nga myslimanë në ortodoksë, apo dhe disa individë, të cilët shpëtuan nga masakrat e dëbimi dhe hapësira territoriale e rajonit do të përjetësohej si tokë greke;

* Së dyti, u viktimizuan pasi ishin etni shqiptare dhe territori i banimit ishte vazhdimi jugor i shtetit shqiptar, gjë që sillte siklet tepër shqetësues për Greqinë dhe ortodoksinë.

Përfundimisht "çamët myslimanë të Çamërisë", në pamundësi për t'u përballur me egërsinë shtetërore dhe kishtare greke, armatë mbi 300 herë më e madhe, me pseudo shkrimtarët, shkencëtarët, historianët dhe strategët ushtarakë (fatëkeqësisht i mungonin krejtësisht palës çame), në përdorim të suksesëshëm të taktikave shpifëse, mashtrimeve, gënjeshtrave, grabitjeve, vrasjeve, përdhunimeve, dëbimeve, të hartuara dhe të urdhëruara nga kisha dhe shteti ortodoksgrek, mbetën "Fajtorë" pa faj. Ndërsa fajtori, si thotë Volteri, mbajti një fjalim prekës. "Në varrimin e së vërtetës, gënjeshtra mbajti një fjalim prekës!"

Me përgjënjeshtrimin e thënieve jo të sakta, të shtrëmbëruara në librin e E. Manda, në fund del qartë se "si ata që i fabrikojnë shipjet, mashtrimet dhe gënjeshtrat, apo ata që i përsërisin, bëjnë sikur i besojnë, por i përdorin për të mashtruar të tjerët, atyre që u pëlqejnë këto vese neveritëse.

Studjues i trevës së Çamërisë Fahri Dahri. më 08/04/2021.-

(Marrë nga libri "Realitete që vuvosin akuzat greke"), botim i vitit 2016.-

Shënim(1): Artikulli postohet për botim për dy arësye:

a) Me rastin e 77 vjetorit të gjenocidit grek ndaj çamëve, me dëshirën për t'ju ardhur në ndihmë gjithë dashamirësve të Atdheut, në njohjen e historisë dhe të banorëve të Çamërisë.

b) Për të plotësuar kërkesën e disa miqve dhe shokëve, të cilët kanë shfaqur interes të veçantë për tu njohur me të vërtetat e "Çështjes Çame" dhe me qendrimet e shtetit grek ndaj pakicave etno-fetare.

Fund



25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page