top of page

Të thëna e të pathëna


Për Zografët mokrarë (Të thëna e të pathëna)

Kohë më parë, miku im i nderuar, intelektuali me horizont të gjerë, Gjenerali Dhori Spirollari, më kërkoi të interesohesha për të gjetur të dhëna shtesë për Vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi. Në një dokument rumun të shekullit XVIII thuhet që këta “piktorë të shquar të artit pasbizantin janë nga Korça” dhe se “tok me David Selenicasin, Kostandin Shpatarkun, Terpo Zografin, Gjon Çetirin e Ndini Çetirin përfaqësojnë Shkollën e Artit të Korçës”. Në Kishën e Shënepremtes, në pjesën jugore të Përmetit, që, më saktë, është bazilikatë (22 m x 16m x 8 m), ndërtuar nga kryemjeshtri Ilia Kristo, gjenden piktura murale që paraqitin skena nga Shkrimet e Shënjta, “të realizuara nga piktori Terpo Zografi, djali i Kostandin Zografit, piktor afreskash dhe ikonash, nga Mokra e Korçës. Punimet në dru u kryen nën drejtimin e Dhimitrit, mjeshtër shqiptar nga Konica”. Ky shpjegim përbën mbishkrimin e gdhendur në një pllakë guri. Siç dihet, në atë periudhë Pogradeci nuk njihej (vetëm kazaja e Starovës), prandaj Mokra cilësohej si pjesë e Korçës. Manastiri i Ardenicës, 8 kilometra në Jugperëndim të Lushnjës, në Mesjetë quhej Hyjlindësja Marie. Mendohet se është ndërtuar në vitin 1282 me nismën e Perandorit Andronik II Paleologu, për nder të fitores që shënoi në Berat kundër Anzhuinëve. Kapela u ngrit mbi themelet e një tempulli të lashtë pagan, kushtuar Perëndisë Artemis, nga ku rrjedh ndoshta edhe emri Ardenicë. Në afërsi kalon edhe rruga romake Egnatia. Rretheqark janë gjetur gjurmë banesash, çka dëshmon se aty ka pasur një vendbanim. Në këtë kishë thuhet se është kurorëzuar Gjegj Kastrioti me Andronika Arianit Muzakën, më 21 prill 1451 nga peshkopi Kanin Feliks, në prani të ambasadorëve të Napolit, Venecjes dhe Raguzës. Më 1743, me nismën e peshkopit të Banatit Metodi, me origjinë nga familja Bubullima (Myzeqe), në manastirin e Ardenicës u bënë riparime, përfshi kishën e Shën Marisë, që ndodhej aty pranë. Vëllezërit Zografi pikturuan edhe kisha në Voskopojë, Vithkuq, Myzeqe dhe në Malin e Shënjtë (Athos). Manastiri i Ardenicës ka pasur bibliotekë të pasur dhe shumë murgj grekë kanë r studimet aty. Në shekujt XVII-XVIII, me ndihmën e Shoqërisë Voskopojare ”Shoqëria e Manastirit të Ardenicës”, në bibliotekë u sollën libra nga Evropa Perëndimore, nga Hungaria dhe nga Polonia. Fondi i bibliotekës numuronte tanimë 32.000 vëllime, që u dogjën ndoshta në vitin 1932 (?). Nga viti 1780 në manastir u çel shkolla në greqisht ku përgatiteshin priftërinj ortodoksë. Më 1817 kjo shkollë u quajt gjimnaz. Një shkrim në altarin e kishës dëshmon se manastiri i Ardenicës u pikturua nga vëllezërit mokrarë Zografi në vitet 1743-1744.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page