top of page

“TË RROÇ , A TË VDEÇ...”


Fejton: Thoma Goga



- “Ndodhi” në natën e Vitit të Ri -

Kjo mesele që do rrëfej tani, është ca reale e ca fantazi.

...Natën e vitit të ri që sapo hyri, në maternitetin e qytetit tonë lindi një fëmijë. Ishte një fëmijë “i rrallë”. Ishte “gjeni”. Do ta njihni hap pas hapi. Po të bëjmë ca llogari, ai që lind natën e vitit të ri, duhet të jetë produkt i dashurisë së dy prindërve natën e 1 prillit…Pikërisht më 31 dhjetor mbushen plot 9 muaj. Edhe kjo dashuri në “festën” e gënjeshtarëve na bënë të mendosh shumë. Thonë se këtë “festë” ua kanë dedikuar politikanëve...Nejse.

Sa hapi sytë, fëmija i “rrallë”, njohu nënën. E përqafoj dhe filloi të flasë. Po, po të flasë...

- Alarm, alarm! – ulëriu ai. Infermieret dhe mamitë u pataksën. Thirrën doktorin, i cili sa u paraqit, dëgjoi urdhërin e parë:

- Atëherë më thirr këtu kryetarin e bashkisë së qytetit.

- Më vjen keq, - tha doktori. – Nuk e urdhëroj dot. Është duke mbjellë pemë. Pastaj ka dalë një vendim që për çdo lindje do ketë shpërblim. Po më thuaj, çfarë halli ke?

- A i jep dot përgjigje pyetjes time: “Të rroj a të mos rroj?”.

- Pa diskutim që do të rrosh mirë. Jetojmë në një vend demokratik, anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE.

- Ore doktor, mos më shit pordhë. Thuaja ndonjë tjetri këto. Sa lekë na duhet që të jetojmë me prindërit e mi si ata të NATO-s apo të BE?

- Nuk merrem me këto llogari. I di qeveria më mirë,- tha doktori.

- Urdhër i prerë! - tha vogëlushi ëngjëll. – Dua të më sjellësh këtu kryministrin.

- Ku ta gjej? Sa priti krerët e Europës, nuk shkoi as në Surel, ja mbathi në Bruksel...

- Tani që dola në jetë, a është jeta ime e sigurt? Më thirr këtu drejtorin e policisë së qytetit.

- Janë të zënë, po korrin hashash.

- Po unë me hashash do jetoj? Prindërit e mi rropaten për të mbjellë grurë, misër, perime dhe nuk po e përballojnë jetën. Kurse ata me vila e makina luksoze. Çdo ditë ulërima. Ç’janë këto krime, aksidente, trafiqe?! - ia ktheu vogëlushi “i rrallë”. Pastaj iu drejtua mamasë.

- Cili është deputeti për të cilin ke votuar?

- Nuk e njoh, o shpirt. Ti je perëndia ime…

- Mos është ai që u arrestua?

- T’u bëftë mamaja, qetësohu e pi pak qumësht. Ta kam bërë hallall.

- Nëna ime dhe ti doktor, më thoni: të rroj a të mos rroj?!

- Pa diskutim, - tha doktori. – Standartet janë rritur. Ritmet e rritjes ekonomike këtë vit arritën 3 për qind. Punësimet kaluan mbi 90 për qind. Sapo u miratua një paketë ndihme për më të vafrërit. Me një klikim kryen të gjitha shërbimet publike.

- E di që jetojmë në kohën e internetit, në kohë dixhitalizimi, - tha vogëlushi. – Po këto që thua zotrote nuk i ha as qënushi im.- Sa lekë do të marrësh ti mamaja ime nga kjo paketë?

- Asnjë kokërr, sepse jam pa pension e pa punë...S’kam numër llogarie. S’jam as patronazhiste, as anëtare partie...Po, pi kap qumësht, zemra ime.

- Sa vjet u bënë, o mama, që nuk e ke marrë tapinë e tokës dhe të shtëpisë?

- Do t’i marrim bir dhe ti do i gëzosh të gjitha.

- Atëherë hapni televizorin të shoh pak lajmet.

Dëshira e vogëlushit u plotësua. Një studio me analistë, deputetë dhe një sallë plot me milet. Debati kishte marrë zjarr për ca inceneratorë, për ca zyrtarë të korruptuar.

- Ç’janë këto skandale?! Ndërroje këtë kanal, - tha vogëlushi. Dhe doktori lëvizi telekomandën.

- ”Një deputete europiane mbush çantat me para...”

- Pa më thoni, kush i “pjell” këto skandale?

- Është një “virus” i ri, - u përgjigj doktori dhe ndërroi gjithë ato kanale.

- Që në bark të nënës e kam dëgjuar se ky “virus” e ka emrin “korrupsion”, - tha vogëlushi. Doktori, për t’i bërë “bisht” muhabetit, ndërroi stacion.

- Pastruesja milionere: Paret e korrupsionit fshihen në hale...

- “Lirohen nga burgu disa të arrestuar, - tha spikerja në tjetër kanal. – Akuzohen për dy vrasje në një lokal. Mungonin dëshmitarët se vetëm vrasësit dhe viktimat ishin në atë lokal…”.

- Mbyllni çdo kanal! – ulëriu fëmija i “rrallë”.- Doktor më thuaj përfundimisht; të rroj a të mos rroj?!

- Motrën ku ta kesh, se na merove! - u nxeh doktori, që u bombardua me pyetje.- Ta thom unë: Do rrosh, po të mos e rruash…”.

Në mbarim të kësaj meseleje edhe unë do imitoj Vangjelin e Tanës tek një film:

- “Të rroç a të vdeç. Kjo është puna. Po unë i dhaç karar; do pi, do dehem”...

Dhe vërtet; është më mirë të dehemi që të harrojmë se rrojmë.



135 views0 comments

コメント


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page