top of page

Të qeshësh në kohë pandemie



     "Ditari i një"krimineli" nga THOMA GOGA

                     (ese)


Nga  Përparim  Hysi


Miku im,THOMA GOGA, ka mbi 50-vjet që jep kontributin e tij modest me penën e tij.Lëvron sa prozën, por dhe aq poezinë. I pandishëm dhe i padukshëm si ajëri, më tepër modest se sa duhet,megjithatë ka emrin e tij të nderuar në LETRAT SHQIP: shquhet sidomos në gjininë e humorit dhe në publicistikë.  Ajo që ia rritë dhe ca më tepër karizmën letrare, është fakti domethënës: shkruan  dhe për fëmijë. Ka një shpirt të ndieshëm dhe sikur ulet mbi shpirtin e fëmijëve. Ka një biografi të shquar letrare dhe,që në fillimet e tij, ka fituar çmime letrare. Të fitoje çmime letrare në kohë të diktaturës, nuk ishte fare e lehtë. Këto çmime i ka fituar në vitin 1973 dhe në një konkurs kombëtar që zhvillonte gazeta"Zëri i rinisë" së asaj kohe,ka fituar dy çmime të tilla. Nëse,përciptas,shfleton biografinë letrare të THOMA GOGËS,krahas punës si gazetar,redaktor apo kryeredaktor në gazetën lokale"Drapër e çekan",ai bën studime cilësore për  shkrimtarë,si ai studimi për NASI LERËN në vitin 1981;në vitin 1987 bëhet fitues i çmimit të tretë,në KONKURSIN KOMBËTAR "Për artikuj problemorë". Në vitin 1990 fiton çmimin e tretë  në KONKURSIN KOMBËTAR "Për reportazhin artistik".Në vitin 1991 është kryeredaktor i gazetës së pavarur " Fjala jonë" në FIER. Nga viti 2008-2011,kryeredaktor në gazetën "Roskoveci". Ka bashkëpunuar në shumë organe shtypi dhe,kohët e fundit,deri  sa doli në pension (sapo doli) ka qenë përgjegjës i PALLATIT TË KULTURËS në Roskovec. Botimet në gjirin e humorit e  të satirës ta çojnë buzën vesh më vesh dhe,ndërsa tekstet për fëmijë, janë  të  tilla që nuk ka fëmijë mos t'i dijë përmendësh. Është bashkëpunëtor në shumë organe shtypi; në revista apo radio dhe me tekste këngësh edhe  në RTSH. Pse ka një biografi kaq të ngjeshur letrare,THOMA GOGA nga ROSKOVECI, është lauruar me titullin "NDERI I  MYZEQESË".

                                               *     *    * Eseja ime ka titullin e merituar:"Të qeshësh në kohë pandemie". Se për të qeshur të bënë libri i tij,i sapodalë,"Ditari i një"Krimineli". Tek lexoja shkrim pas shkrimi,këtë libër që u shkrua në kohën e karantinës, nuk e mbaja të qeshurit dhe nuk di pse më erdhi në mend,ÇURÇILLI,ai burri i madh dhe i e mençëm që thotë diku: " Më pëlqen ai burrë që buzëqesh,kur përleshet". Analogjitë,natyrshëm, nuk janë gjithmonë të qëlluara, por unë them:" A nuk po përleshemi me një armik si virusi dhe,ndërsa të gjithëve na ngrihet  tensioni a ca më shumë na pushton stresi,THOMA GOGA, këtë trysni të pandemisë e shfryn si tollombace, o me poezinë hyrëse "Eh,kjo fara jonë!" o me skicë-fejtonin"Ditari i një"krimineli". Parodia e këtij shkrimi është se autori i zhvendos"bëmat e qeverisë",brenda shtëpisë" së tij,siç ndodhi me këdo në Shqipëri. E lexon dhe,vetvetiu, të mbinë një buzëqeshje. Ky është dhe qëllimi i autorit. Kur thonë kinezët:"Një buzëqeshje të shton 10-vjet jetë". E lexon dhe harron që je në karantinë. Jo më kot nuk thonë:" Shkrimtarët më të mirë shfaqen në kohën e krizave shoqërore".Kështu ndodh dhe me THOMA GOGËN.Ai jo vetëm nuk hesht,por synon që me shkrimet e tij, ta"shkrijë pjacën që ka ngrirë" nga një armik aluçinant,i padukshëm, por, njëherësh, i rrezikshëm për jetën. Tek e lexon këtë "ditar" që është mbajtur në kohë karantine, nuk ke si mos vësh re se sa i vëmendshëm është autori,për çdo shqetësim që ka për rreth. Kur them,"për rreth", kam parasysh jo hallin e tij vetiak; as atë familjar,por për mbarë vendin.Duhet të lexosh nëpër rreshta që të veçosh apo dallosh atë që ka për qëllim autori: "... ndonjëherë është më mirë,kur nuk dëgjon... dhe unë do shtoja se, po dëgjove,sa vinë e nxihen pendët e korbit. Tek fejtoni tjetër"Karantinllëk",përmjet humorit, me"qesh e ngjesh",përmjet ÇEÇO ÇOBANIT,autori, tregon dhe shkaqet e kësaj  pandemie; njeriu sikur ka marrë sëpatën dhe u ka rënë këmbëve të tij.

                                                  *     *    * Humori është aftësia që ke për të shkaktuar të qeshura dhe për t'i zbavitur njerëzit e tjerë. Dhe është interesant një gjë:ndodh që,me të vërtetë, nuk i vlerësojmë sa duhet ata që na zbavisin. Një ditë pa të qeshura është si e shkretë dhe çuar dëm.Populli e do të qeshurit dhe për njerëz që nuk u qesh buza, i shpotisin:-Pse rri sikur të ka ngrënë gomari bukën? Në do të qeshësh, kërkoje librin e THOMA GOGËS dhe nuk të duhet ilaç në farmaci. E lexon dhe është ilaç që ta heqë stresin si me dorë. Dua të bëj një paralele të largët në kohë. Në këtë gjendje pandemie e karantine qe dhe NAPOLI (qytet italian).Në atë kohë kish vajtur për shfaqje,i madhi i humorit,ÇARLI ÇAPLIN. Por ndodh që  dhe humoristët, si gjithë të gjallët, pushtohen nga stresi. Artisti i madh, kërkoi ndhmën e një psiko-striptismi (merrej me qetësimin e shpirtërave të lënduar).Dëgjo,- i thotë mjeku,- ju nuk kini nevojë për mjekim. Shkoni e shihni një pjesë humoristike,ta zëmë nga ÇARLI ÇAPLINI!!! Ja i tillë është humori,sidomos në këtë kohë karantine. Se,kur thotë ISAK ASIMOV(1920-1992),"Jeta është e këndshme,por tranzicioni është pak i mudimshëm.". Tranzicioni na ka ardhur në majë të hundës,kurse pandemia.po të vjedh një varg nga një dramë shqiptare,"ia ka bërë KALCËS, tetë me di" dhe,pse jetojmë si  një rrethim real dhe jo pontencial, kërkojmë ca mjete për"ta çarë këtë rrethim ogurzi". Një nga mjetet  për të qetësur shpirterat  tanë të rënduar psikologjikisht, është dhe ky libër i THOMA GOGËS. Se e lexon atë dhe arrin në përfundimin e bukur që ky"armik" nuk vritet e mposhtet me zemërim,por me buzëqeshje".Kjo thënie profetike e NIÇES ka gjetur interpretim të plotë,në librin me humor të THOMA GOGËS:"Ditari i një"krimineli".Se ka ardhur deri tek ne sentenca:"Humorin e mirë e bëjnë vetëm atuorët intelegjentë". Kam të drejtë, më duket, që ta mbyllë këtë shkrim për librin e THOMA GOGËS, me atë thënien me aq vlerë nga BUCOVISTA që thotë: "Në këtë botë kemi ardhur për të qeshur,aq sa vdekja do të ketë frikë që të na pushtojë".Dhe këtë frikë në këtë kohë pandemie e ka bërë copë e çikë me humorin e tij,shkrimtari   THOMA GOGA.                                              Tiranë,28 qershor 2020

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page