
Poezi nga Teuta Kadriu
UNË JAM POEZIA
Rrjedh nga ofshama jote, jam dhe pikëllim,
Kur të dhemb shpirti nga dashuria,
Ndoshta të dridhet dora por ti më hidh në letër
Se unë jam nga ti, jam poezia!
Më shkruaj bukur në një copëz letre…
Kur loti të puth faqen dhe të ftohet gjaku,
Me ca psherëtima dhe gjëma më zbukuro,
Por mos e le pa më shkruar, të hiqet meraku.
Zemra nuk të pyet fare, të del nga gjoksi,
Ritmi hy në maratonë, çmendet nga shpejtësia,
Sytë e tu të shkëlqejnë nga dashuria..
Edhe këtu më hidh në letër, se jam poezia.
Do jem gjithmonë e jotja, shpirti yt,
Do jem shpresë, mall dhe frymëzim,
Do bëhem engjjull edhe në amshim,
Do të jem me ty gjithmonë në të ëmblin përqafim!
TË PATHËNAT E ZEMRËS
Vëje kokën në gjoksin tim,
Merre dhe një laps e flete në dorë,
Do dëgjosh të pathënat e zemrës,
Që do i ndjesh shkronjë më shkronjë!
Në do buzën merre dhe puthe,
Por mos lejo të ndalon fjalën!
Në do dorën merre shtrëngoje,
Mos të dridhet për t’shkruar vargun!
Në do trupin… ledhatoje..
Mos lejo të ftohet kurrë,
Se nga zemra dhe gjoksi im
Do rrjedhin vargjet sikur lumë!
Ah.. këto vargje si tregojnë,
Të pathënat e zemrës time!
Eja! Pra vendos kokën!!!
T’mos dëgjoj bota për dashurinë time.
NUK MË FLISJE
Mbrëmë të takova, dëgjoja fjalët e tua
Më flisje për kohën që mbeti larg në bodrumin e mykur të kujtesës.
Më flisje, ndoshta jo si dikur kur ecnim mbi perlat e lumturisë rinore,por më mjaftonte.
Nuk më flisje për një ditë të ëmbël e njëqind të mëzitura që vuaja si një zog pa fole, mbetur kënga gjysmë e fluturimi ngrirë.
Nuk më flisje për një natë në zjarr të pa shuar që nuk mbaroi kurrë
Nuk më flisje për ledhatimet e ngrohta që më bëje.
Nuk më flisje as për zhurmën e ashensorit që aq shumë e kishim inat
Ku pas çdo zhurme të tij prisnim trokitjet në derë.
Në atë kohë të ftohtë çdo gjë ishte ngrirë e bërë akull vetëm zemrat tona digjeshin nga zjarri.
Sa afër e sa larg…
Mbeti kujtim – peng ajo natë
Kujtimet në bodrumin e mykur te kujtesës.
Komentar