DËSHIROJ QË NGA "NU-të" ÇAME, NË LETËRSI, TË PËRDOREN EMRAT E VËRTETË PËR NGJARJET DHE NJERËZIT
Këto Nu-të tona, nëse është gjallë akoma ndonjë, bëjnë mirë që edhe në poezi të flasin për ngjarjen konkrete, që i është bërë atyre dhe familjeve. Sepse që të thonë se kanë mall, kanë dhimbje, etj. pa i cilësuar, mendoj nuk i shërben qëllimit. Që kanë mall nuk dyshohet, që kanë dhimbje nuk dyshohet, por pse kanë mall duhet të thonë një nga një objektet apo për njerëzit e hunbur që malli i ka marrë, po kështu për shtëpitë, sa kate ishin, me se ishin ndërrtuar, cilin kishin komshi, për kopshtet dhe arat me emrat e tyre konkretë. Për Lumin, përroin apo viruan që lanin rrobat, mbushnin ujë, etj. Në poezitë, në romanet etj, për rastin e masakrave dhe gjenocidit ortodoks grek ndaj çamëve, duhen emrat konkretë, jo në mënyrë të përgjithëshme, sepse ato janë akoma gjallë që i dinë, i kanë thirrur në emër. Kjo që mendoj unë, është e nevojshme për këtë periudhë, më pas Nu-të, nuk do ti kemi më pranë, por bashkë me 'to ikin dhe të vërtetat që i dinë vetëm ato. Ndryshe humbin toponimet, emrat, vrasësit dhe vrasjet, përdhunimet etj. Po mbetën pa emra, humbin vlerën. Çamëria, çamët e vrarë, të dhunuar, të djegur, të varrosur gjallë, të djegur me benzinë etj. nuk kanë qenë krijimtari letrare, sepse ngjarjet në Çamëri janë reale, me emra e mbiemra, me vendbanime të caktuara. Ka emra të të masakruarve dhe masakruesve. Jo vetëm letërsi për letërsi. Çamëria është e sëmurë, lëngon, ajo kërkon t'i dëgjohet dhimbja që ka pësuar dhe që vazhdon të vuajë. Ne duhet të flasim me zë, me shkrim, me dokumente për dhimbjet e asaj krahine, jo vetëm me rimë, apo me romantizëm, por edhe me fakte reale. Të përqëndrohemi tek analiza e dhimbjeve, të bëjmë të njohur shkaktarin e vërtetë dhe të detyrojmë "doktorët" që të japin recetën e duhur për të shëruar sëmundjen, plagën që vazhdon e rrjedh gjak ende në Çamërinë shqiptare.
Këtë këshillë e mendova duke lexuar disa poezi që postohen në fb për Çamërinë, duke iu drejtuar NU-ve Çame, etj.
Besoj në mirëkuptimin tuaj. Respekte
Fahri Dahri. Londër, më 13/12/2022.-
Comments