top of page

Të njohim sa më mirë vetveten



(Rikthim i nuancuar në një temë me peshë të veçantë)

Cilët jemi? Nga vijmë? Ku shkojmë? Ja, disa pyetje që rëndom na i bëjnë të huajt dhe që lipset të dimë t’u përgjigjemi bindshëm. Këtë herë t’u përgjigjemi jo thjesht me një tekst shkollor, por me një botim enciklopedik të mirëfilltë, në themel të të cilit të qëndrojnë faktet historike dhe virtytet tona. Karakter i fuqishëm, vendosmëri, shpirt luftarak, vetmohim, mbajtje e fjalës së dhënë, zhdërvjelltësi, frymë krijuese, ndjeshmëri e lartë, atdhedashuri, mall... Këto tipare tonat i joshin studiuesit e vendeve të ndryshme të zhbirojnë më në thellësi botën e begatë shqiptare, - këtë enigmë dhe mrekulli, - në përpjekje për të gjetur shpjegimin e dinamizmit e të vitalitetit shqiptar, të pazbehur as nën thundrën e të huajve, as nën trysninë e diktaturës vendëse, ca më shumë në demokraci.

Identiteti na është dhënë nga zëri i shënjtë i historisë: kemi qëndruar si shkëmb graniti dhe, sa më të egra e të parreshtura kanë qënë tallazet, aq më fort na kanë kalitur, “lëmuar” e pastruar.

Ndër idetë e pandryshueshme të historisë sonë bëjnë pjesë ato të Unitetit e të Pavarësisë, të vazhdimësisë e të lirisë. Uniteti, i kuptuar në tërë kompleksitetin e vet, si unitet i kombit, i zanafillës historike të tij, i gjuhës, i territorit, i interesave ekonomike, i organizimit politik, i jetës shpirtërore dhe kulturore, përfton përmbajtjen thelbësore të vetëdijës historike shqiptare, në të gjitha etapat e përshkuara prej saj. Uniteti i kombit dhe i jetës historike të tij gjen pasqyrim në unitetin e historisë së popullit shqiptar.

Duke sintetizuar prirjet themelore të zhvillimit tonë historik, shpaloset një program i gjerë për historiografinë shqiptare të çpolitizuar. Na duket se në këtë kuadër detyrë kryesore është hartimi i historisë së njësuar të shqiptarëve, që duhet të japë me vërtetësi çdo etapë të zhvillimit ekonomik e shoqëror, çdo periudhë historike, luftrat sociale përkatëse, veprimtarinë politike, dhe të shtjellojë, në dritën e argumenteve, fakteve dhe dokumenteve, si rolin e popullit e të klasave e shtresave shoqërore, ashtu edhe të udhëheqësve të ndryshëm të shtetit, të personaliteteve të politikës, të shkencës e të kulturës. Një analizë e tillë e thelluar do të çonte në përcaktimin e vendit në histori, e prejardhjes dhe vijimësisë sonë në trevat eurojuglindore. Aq më tepër kur dihet që kemi një të kaluar lavdiplotë, që përfaqëson trashëgiminë më të çmuar të popullit tonë. Prej këtej del edhe detyra për ta ngritur në një shkallë më të lartë këtë trashëgimi, duke e pasuruar me arritje të reja materiale dhe shpirtërore.

Uniteti i historisë sonë nuk është ideologjik apo propagandistik, siç është orvatur ta paraqitë ndonjë autor nga zona të tjera gjeografike, por është i lidhur me vërtetësinë e fakteve, me faktorë objektivë, me dëshmi të pakundërshtueshme dhe kuptimplota. Ndër këta faktorë rreshtojmë: zanafillën historike të përbashkët të shqiptarëve, gjuhën e përbashkët, njëjtësinë e jetës shpirtërore dhe kulturore, unitetin e territorit e të organizimit politik. Vërtetësia e faktorëve të sapopërmendur është vënë në dukje nga zbulimet e panumurta arkeologjike, nga hulumtimet etnografike, gjuhësore dhe kulturore. Gjithashtu, dijetarët humanistë evropianë, që janë marrë me popullin shqiptar, e kanë pohuar realitetin e unitetit tonë gjithëpërfshirës. Në të njëjtën kohë, duhet mbajtur mirë parasysh që uniteti, njëjtësia e historisë sonë, përshfaqet si tripërmasore. Së pari, ajo është hapësinore, së dyti është njëherazi kohore, - ekziston një lidhje organike mes drejtimeve të zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë shqiptare, - ashtu sikurse është edhe strukturore, falë ndërvarësisë midis fushave të ndryshme të jetës sonë historike. Ky trepërmasim ka mbarështruar një bazë edhe më të qëndrueshme për zhvillimin e vetëdijes historike.

Pra, përfundimi i pamohueshëm në të cilin çojnë objektivisht dëshmitë e të gjithë burimeve të historisë së popullit shqiptar është ekzistenca e një uniteti të fuqishëm dhe e një vazhdimësie të jetës shoqërore në të gjithë rrafshet. Konfiguracioni i territorit të Ilirisë së lashtë ka mundësuar vazhdimësinë dhe unitetin etnik të shqiptarëve të të gjitha krahinave historike të banuara prej tyre, pavarësisht nga sundimi i huaj apo nga marrëdhëniet juridike që ata kanë pasur me shtetet e tjerë.

Lidhjet e panumurta e të përhershme ekonomike, sociale dhe kulturore, - të paktën qysh nga mesjeta e hershme, - ndërmjet trevave mbarëshqiptare, e fuqizuan bashkësinë e gjuhës dhe ngjizjen psikike të popullit tonë. Kjo ka përcaktuar edhe paprerëshmërinë, pandalshmërinë e luftës së tij për bashkim dhe pavarësi. Bashkimi dhe pavarësia janë sumus-i i ekzistencës sonë historike. Ato nuk kanë ardhur në mënyrë të copëzuar, as si diçka e rënë nga qielli; tradita e tyre nuk ka rreshtur asnjëherë. Si të gjitha tendencat e vërteta, ato kanë qënë përherë të pranishme, duke u gjendur në “hije” vetëm gjatë periudhash kalimtare.

Finalizimi i unitetit kombëtar e shtetëror i luftrave për çlirim shoqëror e për pavarësi më 28 Nëntor 1912, afirmimi i fuqishëm shoqëror e kulturor i Shqipërisë demokratike në ditët tona, përbëjnë kurorëzimin e përpjekjeve shekullore me gjak e me penë, e aspiratave të shqiptarëve të kudondodhur për të pasur një shtet unitar të pavarur, për të jetuar të lirë, në paqe, mirëkuptim e bashkëpunim me fqinjët e me të gjithë popujt.

Një tjetër përbërëse e vetëdijës historike shqiptare përfaqësohet nga themelësia morale-humane e veprimeve tona historike, nga fisnikëria dhe drejtësia e kauzës për të cilën kemi luftuar, nga konseguenca dhe koherenca, nga karakteri unitar i akteve tona historike.

Populli ynë nuk ka zhvilluar luftra grabitqare, pushtuese, nuk ka lakmuar tokat e pasuritë e të tjerëve, dhe nuk ka qëndruar shpërfillës ndaj luftrave të popujve të tjerë, në radhë të parë të fqinjve, për çlirim kombëtar dhe pavarësi.

Ai ka luftuar me vendosmëri për ruajtjen e trashëgimisë stërgjyshore, për mbrojtjen e gjithçkaje që i përket, që është de jure dhe de facto e tija.

Në mbështetje të të dhënave historike mund të pohojmë se populli ynë është ngjizur gjatë mijëvjetshave në hapësirën ballkanike (haemusiane) dhe çdo metër katror tokë, çdo gur, janë spërkatur me djersën e gjakun e të parëve tanë.

Lidhur me problemin që po trajtojmë, më duket domethënës fakti që, si në mitologjinë e popullit tonë, në folklor, ashtu edhe në shkrimet tona historike, paraqitjet triumfaliste, ekzaltuese, nuk kanë pasur vend. Gjithçka është dhënë në masën e duhur, si jehonë e së vërtetës historike, sidomos në momente ngjarjesh të mëdha, të papërsëritshme. Lavdimi i këtyre të fundit dhe i protagonistëve përkatës jo rrallë ka mbushur edhe zbrazëtitë që janë vënë re nga varfëria e dokumenteve, ose nga mungesa e plotë e tyre. Traditat dhe kultura mbarëpopullore kanë nxjerrë në dukje disa tipare shpirtërore dhe vlera morale veçorizuese për mënyrën e perceptimit dhe kremtimit nga masat e gjera të evenimenteve historike.

Në shekullin XIX, kur letërsia e kultivuar zuri të pasqyronte evenimentet historike të kohës, populli ynë e përjetoi si një krijimtari të mirëfilltë të vetën dhe e përfshiu në folklor. Kjo dukuri shpjegohet vetëm e vetëm përmes njëjtësisë së qëndrimit dhe të mënyrës së interpretimit të ngjarjeve themelvënëse të historisë sonë. Mbartja e disa heronjve nga realiteti historik në letërsinë popullore dëshmon se bëmat e tyre u përgjigjeshin disa përmasave morale të psikologjisë kolektive. Si të tilla u shndërruan natyrshëm në shprehje të mitologjisë kombëtare.

Në lidhje të ngushtë me themelësinë morale-humane të akteve tona historike, një dallojë e vetëdijës historike shqiptare është baraspesha e qëndrimit ndaj popujve të tjerë, çka duhet të bashkëshoqërohet me karakterin e theksuar aktiv, progresist të shkrimeve historike.

Natyrisht, në zanafillë të literaturës historike shqiptare qëndron ideja e detyrës dhe e përgjegjësisë ndaj atdheut e kombit. Nga ky këndvështrim, shkrimi i historisë është mision i shënjtë. Në të duhet të gjejë pasqyrim përmasa prometease e vetëdijës historike shqiptare, sidhe përpjekjet e parreshtura krijuese të popullit në organizimin e së sotmes, të qartësuar nga e vërteta e së kaluarës dhe nga perspektiva e së ardhmes.

Në çdo epokë, populli ynë ka ditur t’i jetësojë idealet e veta; suksesi në luftën e ashpër për jetën është varur kryekëput nga përpjekjet, nga serioziteti dhe nga vendosmëria me të cilat i ka ndjekur hap pas hapi pikësynimet e veta.

26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page