POETËT E SOTSHËM NË DITË LIRIE JANË NJËMIJË HERË MË TË AFTË NGA GJOJA TË MËDHENJTË QESHARAKË E VËLLAVRASËS TË DIKTATURËS
Një nga gjërat më të çmendura, në kor universal, që dëgjohet sot në Shqipëri, është kur flasin për poetët më të mëdhenj të Kohës së Realizmit Socialist. I konsiderojnë si poetë të padiskutuar, ndërkohë që mjafton t’i analizosh nën prizmin e Kohës dhe të Pikave të Referimit me karakter të qëndrueshëm, për të kuptuar se për çfarë lloj balte bëhet fjalë, e cila gjatë gjysmë shekulli ra mbi shoqërinë shqiptare duke e ndryshuar në rrënjë. Krijoi Njeriun e Ri Socialist, sot të kudondodhur, duke kthyer Kohën e Shqipërisë shekuj të tërë pas. Këtë vuan shqiptari sot. Bëhet fjalë për një shpellë të vërtetë mendimi, pavarësisht se shpella nuk ka fuqi për të kuptuar vetveten. Kjo është tragjedia e saj. Prandaj quhet shpellë. Të kuptohet se përse Muza poetike e Lasgush Poradecit pushoi në vitin 1944 është një luks i tepruar.
Le ta analizojmë temën në një mënyrë mjaft të përmbledhur dhe me logjikë. Jo me ndjenja dhe me pesë shqisat e njeriut, që në gjendje natyrore-materialiste, janë të njëjta me ato të kafshës. As më shumë dhe as më pak. Në Diktaturën marksiste nuk ndalohej koncepti i Shpirtit dhe i Qiellit? Nuk e paguanin me burg ata që nuk e merrnin parasysh këtë ndarje të madhe, që u mat në Lindjen e Kuqe me mbi 100 milionë të vrarë? Mund të gjendet një poet i madh, i vetëm, jo dy dhe tre, Dante, Shekspir, Gëte apo Hygo, që të ketë thurur poezi pa idenë e Shpirtit, Kohës dhe Qiellit? Mund të lavdërohet poezia vëllavrasëse? Prandaj iu drejtohem poetëve të sotshëm shqiptarë që të mos befasohen nga propaganda që iu bëhet ish poetëve të fantaksur, të paditur, materialistë të së kaluarës. Fjala e tyre e shkruar aty është. Ky është avantazhi i saj. Mbetet, e shkruar e zeza mbi të bardhën. Mjafton të aplikohen njohuritë e duhura filozofike për të kuptuar se sa lakuriq janë pasanikët e varfër të së kaluarës. Ekziston ideja sikur diçka janë, ndërsa të shkruarat për ta thonë se sa modele njëkohësisht qesharakë dhe vëllavrasës ishin.
Prandaj mund të thuhet me plot gojën se poetët e sotshëm në ditë lirie, me konceptin e Shpirtit, Kohës dhe Qiellit janë njëmijë herë më të aftë nga gjoja të mëdhenjtë tragjikë të së diktaturës. Në këta mund të bëjnë pjesë edhe ata poetë me mendje të hapur që, pas rënies së Diktaturës, kuptuan se pa konceptin e Kohës nuk mund të ekzistojë Art. Janë pjesa më e bukur e natyrës njerëzore, sepse njeriu kur largohet nga trutë e ngurtë beton-armé, tregon se në rrugën e gjatë të humanizimit mbarënjerëzor, mund të ndryshojë.
Comments