... të kuptosh shkelësit e padukshëm
(Jeta është si një tabaka)
Fatmir Terziu
Ne vërtet jemi si loja e filxhanëve,
fshehim unazën… dhe…
kur s’e gjejmë gjerbim kafenë e llafeve
duke bërë poza fatesh me rrebeshe enigmatike
për hir të kufirit të padukshëm…
…kanë filluar të më pëlqejnë rrebeshet e motit
njësoj si fytyrat bardhë e zi të reve,
në ikjen e tyre honorifike,
tretjen për të shpëtuar etjen e madhe,
pasi të tjerat janë bërë më të vërteta se karnavalet
maskat kanë sytë e kohës
por shikimin e ngutshëm të djeshëm,
duhet t’ua mbash mend fytyrën me nishanet,
rrudhat,
shenjat dhe … lajthitjet e nervave,
të kuptosh shkelësit e padukshëm të kufinjve të urrejtjes,
xhelozisë,
cmirës,
të shtirën e një dite me Diell…
më thoje, … nuk dihet çfarë trukesh thurr mendja, në këtë tabaka,
e kujtoj, e kujtoj … më së shumti tashmë i shtrenjti Baba!
Comments