Të koregjojmë historinë e shtrembëruar


koregjojmë historinë e shtrembëruar LANÇ

ÇETA E PARË ANTIFASHISTE E DIBRËS

Nga Sakip Cami

Studiues i historisë ushtarake

Çeta e parë antifashiste në Dibër është krijuar në vitin 1940 dhe aksionin e parë luftarak kundër fashistëve italianë e ka kryer në prill të vitit 1941. Në këtë aksion ranë 7 dëshmorë.

(Biseda në Pezë mars vitit 1942 e Haxhi Lleshit me Enver Hoxhën për aktivitetin e kësaj çete)

Që në prill të vitit 1939 me pushtimin fashist Dibra kishte 8 çeta nacionaliste. Sipas Muzeut Historik të Dibrës[1] këto çeta ishin çeta e Ahmet Camit në Viçisht dhe Gollobordë, çeta e Aqif Lleshit, në Maqellarë dhe Dibër të Madhe, çeta e Beqir Sinës në Sinë, çeta e Cen Elezit në Sllovë, çeta e Selim Kaloshit në Kandër, çeta e Taf Kaziut në Selishtë dhe Katër Grykët, çeta e Miftar Kaloshit dhe çeta e Gani Serdarit.

Disa nga këto çeta nga nacionaliste pas pushtimit fashist u kthyen në çeta antifashiste si ajo e Ahmet Camit dhe e Aqif Lleshit. Ahmet Cami pas pushtimit fashist dorzoi kapelen e oficerit Zogist dhe u vu në krye të çetës antifashiste.

Në periudhën 1939 – 1940 nuk kemi aksione të organizuara të këtyre çetave, por riorganizim të tyre. Aksioni i parë kundër fashistëve italianë është bërë në prill të vitit 1941. Në fund të vitit 1941 dhe më pas kemi organizimin e çetave partizane me komandant dhe komisar.

Aksioni luftarak i prillit 1941 kundër fashistëve italianë

Në Fushën e Fshatit Miresh të Qarkut Dibër, sot Bashkia e Bulqizës, është një lapidar i Luftës Antifashiste, që për fatin e mirë nuk është dëmtuar. Dhe nuk ka se si të dëmtohet sepse atë e ruajnë vetë banorët e këtyre fshatrave, të Mireshit, Tërbaçit, Sepetovës, Viçishtit etj.

Këtu është zhvilluar përpjekja e parë me armë e luftëtarëve dibranë kundër fushimit luftarak të fashistëve italianë të Divizionit “Firence” që vepronte në vijën kufitare të Shqipërisë përballë Dibrës së Madhe. Në këtë sulm dibranët i shkaktuan armikut 50 të vrarë dhe shtuan arsenalin e armëve të tyre luftarake.

Në kundërpërgjigje, fashistët italianë të Divizionit “Firence” arrestuan dhe burgosën jo pak, por 20 burra të Fisit Cami të Viçishtit dhe 15 burra të fisit Jashari të Kovashicës. Në Prill të vitit 1941 në këtë fushë janë pushkatuar katër djem të kësaj zone dhe pikërisht Ejup Cami nga Dibra e Madhe, 19 vjeç, gjimnazist në Tiranë, Mexhit Lezi , 20 vjeç, nga fshati Mazhicë, bari në fshatin Golevisht, Viçisht, Musa Cami 40 vjeç, me pesë fëmijë, nga fshati Golevisht, lagje e Viçishtit dhe Sefer Cami 27 vjeç nga fshati Sepetovë.

Katër ditë më parë ishte vrarë Fasli Cami, mësues në Gjoricës, normalist, i pari mësues dëshmor në Shqipëri.

Po në këtë kohë, në këto ditë prilli 1941 në Maqellarë të Dibrës , në sulmet e organizuara ndaj postave të shërbimit italiane u vranë nga fashistët italianë Abdurrahim Lleshi dhe Vehbi Jashari.

Plot 7 dëshmorë në një ditë. Dilaver Cami do të vdiste në burg në mars të vitit 1942. Të tjetrët i përballuan torturat e qelive të burgut të Tiranës dhe të Burrelit. Por të gjithë vdiqën para kohe, pas kthimit në fshat dhe daljes nga burgu..

Sipas kujtimeve të ish luftëtarit të kësaj çete, veteranit të LANÇ, Uke Dullë Cami, librit të tij, „Shpirti ynë liridashës“ faqe 54[2], kjo çetë është formuar me 15 janar 1940 mbi bazën e fisit Cami, me komandant Ahmet Camin, ish ushtarak me akademi ushtarake, por aksioni i parë luftarak i kësaj çete antifashiste ka filluar me 7 prill 1941 me rrëzimin e një aeroplani në Fushën e Gjoricës, aeroplan që mbështeste mësymjen e Divizionit „Firence“. Aksioni vijoi me sulmin ndaj fushimit luftarak të një batalioni të këtij divizioni në Fushën e Mireshit, ku mbetën të vrarë 50 ushtarë italianë.

Pas çlirimit , ata e morën statusin e dëshmorit, u ndërtua edhe lapidari në përkujtim të luftës së tyre, por asnjëherë deri më sot, edhe tani, që kanë kaluar 30 vjet nga fitorja e demokracisë, nuk u tha dhe nuk u shkrua se çfarë ishte kjo betejë, kjo luftë. Para vitit 1990 çdo gjë ishte e lidhur me PKSH. Çdo gjë fillonte pas 8 nëntorit 1941. Që nga 7 prilli 1939 deri më 8 nëntori 1941, dy vjet e gjysmë histori lufte dhe përpjekjesh u shumëzuan me zero, sepse sipas PPSH dhe historianëve komunistë , lëvizja nacional çlirimtare filloi pas formimit të PKSH.

Një nga organizatorët e kësaj lufte , që më vonë do të bëhej anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ dhe komandant i Batalionit të Dibrës, Haxhi Lleshi, do të pranonte të dërguarin e PKSH për komisar çete partizane , Qazim Prishtinën dhe do të formonte të parën çetë partizane në Dibër me 20 qershor të vitit 1942.

Por pas vitit 1990, Haxhi Lleshi ka reflektuar dhe në librin e tij me kujtime:”Vite, njerëz, ngjarje” , botim i vitit 1996, Faqe 27 dhe 77[3], ai shkruan se çeta e parë antifashiste në Dibër u krijua në prill të vitit 1941 dhe për këtë ai më pas kishte vënë në dijeni Enver Hoxhën, i cili në fillim e kishte quajtur gjë të mirë, por që më pas e fshiu këtë periudhë rezistence prej dy vjet e gjysmë.

“Enver Hoxha më ndiqte me shumë kujdes, shkruan H.Lleshi, dhe herë pas here tundte kokën në shenjë miratimi. Kështu kur i fola për luftën kundër pushtuesve italianë në prill të vitit 1941, më pyeti për pjesëmarrësit, për gjetjen e armëve, për qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj nesh.

-Disa nuk e kanë vlerësuar si duhet atë luftë, tha Enveri, prandaj nuk e kanë popullarizuar me qëllim, të tjerë nga mosnjohja. Por të mohosh luftën e popullit për të mbrojtur trojet e veta nga pushtuesit, do të thotë të jesh ose dritëshkurtër ose armik.

-Unë nuk e di ç’thonë ata disa, thashë (H.Lleshi) , por ngado që kemi kaluar, njerëzit na kanë thënë: “Ju lumtë pushka!”