Z. KRYEMINISTËR: TË GABOSH ËSHTË NJERËZORE --TË
KËRKOSH NDJESË ËSHTË HYJNORE
Nga Frank Shkreli
Absolutisht e pabesueshme! Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama mendon gjithnjë se nuk ka asgjë të keqe nga deklarata e tij para disa muajsh nga foltorja e parlamentit shqiptar se “komunistët dhe komunizmi ishin në anën e duhur të historisë” -- Kryeministri Edi Rama deklaron: Komunistët dhe komunizmi në anën e duhur të historisë!? | Gazeta Telegraf -- as nga deklarata e kohëve të fundit e Luljeta Bozos, kandidate e parë e Partisë Socialiste në Tiranë për parliament në zgjedhjet e 25 prillit, se “komunizmi kishte më shumë të mira se të këqia”. Kjo deklaratë u pasua, para disa ditësh, nga një deklaratë e Damjan Gjiknurit, Ministër i qeverisë Rama, në mbështetje të deklaratës së Zonjës Bozo se komunizmi ka patur më shumë gjëra pozitive. Ndërsa shtatorin që kaloi, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Gramoz Ruçi, kishte deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë: “Jemi ndarë komunistë e ballistë, që në vitin 1944…” dhe se ky “Është shekulli i mendjes dhe jo i forcës, se po të ishte e tillë…”.
Deklarata dhe prirje të tilla me qëllim glorifikimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës nga protagonistët kryesorë të Partisë Socialiste janë venë re për disa vite tani, por po bëhen më të shpeshta kohët e fundit, ndërsa duken si të bashkrenduara për të siguruar në këto zgjedhje mbështetjen e gardës së vjetër enveriste për Partinë Socialiste. Ndërkaq, deklarata e fundit e Ministrit Damjan Gjiknuri në mbështetje të komunizmit, as nuk u përmend fare në median shqiptare – sikur ai t’i kishte ftuar gazetarët për një kafe. Për ta deklarata e Gjiknurit, bashkpuntorit të ngusht të Z. Rama, nuk përbente më ndonjë lajm me rëndësi për gazetarët shqiptarë që të meritonte t’i njoftohej publikut. Vertetë turp për mediat kryesore shqiptare që heshtin ndaj këtyre dukurive!
Po ka edhe më keq. Në një intervistë në programin “Kjo Javë” në ‘News24’, fund javën që kaloi, kur u pyet për deklaratën e Zonjës Bozo për meritat e komunizmit, Zoti Rama u shpreh se kandidatura e saj ka “trembur palën tjetër”, ndaj ajo edhe u “sulmua qëllimisht”, sipas tij. Me fjalë tjera, sipas Kryeministrit shqiptar, janë të tjerët ata që kanë faj për këtë zhurmë, ndërsa mbrojti gjithnjë deklaratën e Zonjës Bozo në mbrojtje të komunizmit enverist: “Unë mendoj që ajo është thënë në një kontekst të caktuar dhe nuk kam asnjë dyshim se nuk ka qenë qëllimi, apo nuk është thënë për të relativizuar të keqen e diktaturës apo për të relativizuar vetë diktaturën”, është shprehur Z. Rama.
Kryeministri Rama duket i irrituar të flasë për këtë çeshtje dhe ngarkon me faj “të tjerët”. E vërteta është se reagimet më të ashpëra ndaj këtyre deklaratave pro-komuniste të kohëve të fundit nga personalitete të larta të Partisë Socialiste në Shqipëri – fatkeqsisht nuk kanë ardhur nga brenda -- por kanë ardhur nga bota e diasporës shqiptare dhe nga disa instanca evropiane, përfshir ditët e fundit, edhe Platformën e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane (PEMC), një ent ky i Bashkimit Evropian (BE) që merret me edukimin e masave për krimet e regjimeve totalitare e ku bejnë pjesë 68 agjenci qeveritare dhe jo-qeveritare të vendeve anëtare dhe jo-anëtare të BE-së, përfshir Shqipërinë.
Me 31 mars, 2021, Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane, në një njoftim për median, shpreh shqetësimin e saj se Partia Socialiste e Shqipërisë nuk u distancua nga këto deklarata të Yonjës Bozo dhe disa prej personaliteteve të saja më të larta duke i cilësuar ato, si “njollosje për kujtesën e mijëra viktimave të diktaturës së Enver Hoxhës”. Ndonëse kjo deklaratë nuk tërhoqi ndonjë vëmendje të madhe në median shqiptare, ia vlen ta sjellim të plotë për publikun reagimin e Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane ndaj deklaratës së Zonjës Bozo, pasi siç duket Platforma nuk është e informuar për deklaratat pro-komuniste, më heret, të Kryemnistrit Rama dhe të tjerëve se, “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”, dhe as për deklaratën e fundit të Ministrit Gjiknuri në mbështetje të kandidatës socialiste, Z. Bozo në zgjedhjet e 25 prillit për parliament, se “komunizmi kishte më shumë të mira se të këqia”, por reagimi i PEMC-it u drejtohet të gjithë atyre që glorifikojnë regjimet totalitare, si diçka që është e papranueshme në jetën publike dhe në kundërshtim me vlerat evropiane:
Pragë- 31 mars- 2021 --“Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane shpreh shqetësim të thellë në lidhje me deklaratën nga kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo, në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, e cila u shpreh se komunizmi ishte një, “diktaturë kushtetuese” që “zhvilloi Shqipërinë”, dhe se diktatori komunist Enver Hoxha kishte “më shumë anë pozitive sesa negative”. Ajo që na shqetëson akoma më shumë është se Partia Socialiste nuk u distancua nga fjalët e kandidates së saj.
Shqipëria ishte një nga vendet më të prekura nga komunizmi. Një mohim i tillë historik njollos kujtesën e mijëra viktimave dhe bie ndesh me vlerat themelore demokratike si: e vërteta dhe drejtësia. Glorifikimi i çdo regjimi totalitar nuk duhet të pranohet në jetën publike. Platforma mbështet me gjithë zemër përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët kërkojnë që znj. Bozo të kërkoj falje dhe të jap dorëheqjen.
Platforma mbështet me forcë qëndrimin e Parlamentit Europian, shprehur në rezolutën e 19 Shtatorit 2019 mbi rëndësinë e kujtesës europiane për të ardhmen e Europës, në të cilën parlamenti “dënon të gjitha manifestimet dhe përhapjen e ideologjive totalitare” dhe “shpreh respekt të thellë për secilën viktimë të këtyre regjimeve totalitare dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve dhe aktorëve të BE-së që të bëjnë gjithçka për të siguruar që krimet e tmerrshme totalitare kundër njerëzimit dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut të kujtohen dhe të dalin para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane.
Nëqoftse Z. Rama ka ndër mend që mandatin e tretë ta bazojë në personalitetet dhe idetë e tyre diktatoriale sllavo-aziatiko-komuniste për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet sot Shqipëria, atëhere vaj-medet për atë vend. Është mjaft problematik fakti që një vend anëtar i NATO-s, në parlamenet dhe në deytra të larta qeveritare, ka ende individë që kanë shërbyer në ish-regjimin komunist. Por fakti që Kryeministri i vendit dhe personalitete të larta të Partisë Socialiste në pushtet, publikisht të prononcohen për “meritat” e ish regjimit komunist, është vërtetë një barbarizëm, siç është shprehur në fejsbukun e tij, Profesor Gazmend Kapllani, Drejtori i Katedrës së parë Albanologjike në Amerikë, në Universitetin DePaul të Çikagos: “Shoqja Nexhmije vdiq heret: ndoshta do të ishte tani në krye të listës së PS-së në vend të shoqes Luljeta. Sa për të tjerat: të thuash nga pozita e dikujt që kërkon pushtet politik që regjimi enverist, nga më kriminalët dhe paranojakët e historisë së Shqipërisë dhe të botës, “ka pasur më shumë të mira se të këqija”, është barbarizëm. Nuk është vetëm përligjje e krimit dhe dhunës, por edhe nxitje për krim dhe dhunë. Votoni kundër nekrofilëve në pushtet, votoni kundër PS-së! Që këtej e tutje është detyre morale,” ka theksuar me forcë Profesori shqiptaro-amerikan, Gazmend Kapllani.
Që enverizmi të përdoret sot në vitin 2021 si një vegël fushate politike në një vend anëtar serioz i NATO-s është e turpshme. Për më tepër, e di kjo klasë politike aktuale se pothuaj nuk ka familje shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në Ballkanin Perendimor që të mos jetë prekur keqas nga diktatura komuniste, qoftë ajo enveriste, qoftë ajo serbo-malazezo-jugosllave
Z. Kryeministër, për hir të viktimave të komunizmit, të gjallë e të vdekur si dhe të gjitha familjeve shqiptare kudo në botë që kanë vuajtur tmerre në regjimin totalitar komunist, anë e mbanë trojeve shqiptare – reflektoni! Ish-i përndjekuri i regjimeve fashiste dhe komuniste, miku im i çmuar, Prof Sami Repishti do të këshillonte sot ty dhe bashkapartiakët tu që me deklaratat e juaja pro-komuniste: “Ju lutem mos lendoni plagët tona të hapuna”, SAMI REPISHTI – JU LUTEMI, MOS LËNDONI PLAGËT TONA TË HAPUNA! – Dielli | The Sun (gazetadielli.com)
Z. Kryeministër, në intervistën televizive të fund javës që kaloi me gazetaren Nisida Tufa, ju u shprehët se, “Ndjesa është pjesë e pandashme e një procesi udhëheqjeje kur lidershipi ka karakter.” Z. Kryeministër, shqiptarët pa dallim kanë nevojë për lidership me karakter, kanë nevojë për pajtim kombëtar. Si udhëheqës i qeverisë dhe i Partisë Socialiste, Shqiptarët presin ndjesë prej jush për këto deklarata fyese për shumë shqiptarë të lënduar, gjithnjë me plagë të hapura nga terrorizmi komunist. Bejeni këtë në emër të qeverisë që ju udhëhiqni dhe si shef i Partisë Socialiste në pushtet për deklaratat e fundit nga udhëheqsit më të lartë të partisë Socialiste.
Gabimet janë njerëzore, ndjesa është hyjnore! Demokracia është jetike! Demokracia nuk pret, Z. Kryeministër!
Frank Shkreli
Kommentarer