top of page

TË JESH I LIRË NË NJË VEND TË LIRË


ree
Sefulla KATA


Sa herë e kam menduar faktin që jam njeri i lirë dhe jetoj në një vend të lirë, mendja më ka shkuar se si mund ta jetoj këtë liri. Kam vite që e mendoj, kam vite që e pyes veten. Përpiqem ta gjej përgjigjen tek sjellja ime dhe e të tjerëve me lirinë. Shpeshherë i kam thënë vetes se e kam një përgjigje, por kur e kam analizuar me qetësi e gjakftohtësi, kam vënë re se nuk është ajo që kërkoj. Madje në debatet që kam pasur me njerëz që i njoh, por edhe me shumë të tjerë që i kam takuar fare rastësisht duke ecur rrugëve të qytetit tim, në shkollë, në punë, në festa, të gjithë kanë vënë re një prirje të kahershme timen për ta shfrytëzuar fare pak lirinë që më takon si individ i këtij vendi paradoksesh. Gjithsesi unë jam autokton dhe shembujt, të mirë apo të këqij, i marr nga jeta. Ja disa prej mënyrave se si shumë njerëz e shfrytëzojnë lirinë e tyre nga e cila mund “të mësoj” jo vetëm unë por edhe shumë e shumë të tjerë si unë.

Kur dal nga dera e apartamentit tim dhe shtyp butonin e ashensorit, në shumicën e herëve gjej në kafazin e tij të ngushtë, strukur në një qoshe, një qese plastmase të mbushur me mbeturina të gjithfarëllojshme dhe mushkëritë më bllokohen e mezi pres të arrij në katin përdhes duke numëruar katet gjatë zbritjes si të numëroja shekujt. Dhe kur më në fund kam zbritur e mendoj se do të marr frymë lirisht, në korridorin e ngushtë të pallatit, përpara derës së ashensorit, një tjetër individ i lirë, e ka përplasur qesen e plehrave gjithë inat ngaqë nuk mundi ta fshihte në ashensor. Kockat e mishtit, farat e bostanit, thërrimet e bukës të shpërndara gjithandej, i japin një pamje shumë të llahtarshme korridorit dhe ty të vjen ca si për të vjellë ngaqë ke dalë pa ngrënë mëngjes. Në oborrin e pallatit, të tjerë individë të lirë i kanë fshehur mbeturinat poshtë makinave të parkuara, madje disa ua kanë vënë edhe sipër, sikur të ishin tufa me lule që zbukurojnë makinat e nuseve. Tek vendgrumbullimi i plehrave, dy karroca janë parkuar përpara kazanëve dhe dy individë të ngeshëm po gëzojnë lirinë e tyre duke gërmuar brenda tyre, duke nxjerrë prej andej gjithfarë sendesh të cilët i hedhin mbi karroca dhe turren drejt tregut për t’i shitur si individë të lirë të një vendi të lirë.

Në autobusin në të cilin përzihen udhëtarë e hajdutë, mund të hipësh i palarë prej muajsh, sepse kështu i ke dhënë karar si individ i lirë, dhe t’i ngjitesh pas shpine një vajze a zonje intelektuale të lyer me një parfum të lehtë “J’adore”. Përzihen në këtë mënyrë aromat e të gjithë individëve të lirë dhe lirisht çlirohet në autobus parfumi i veçantë, zorrënxjerrës, i cili ende nuk ka një emër marke, sepse një e tillë ende nuk është shpikur. I vetmi që nuk shqetësohet nga ky kutërbim është kontrolluesi i biletave, i cili është mësuar tashmë dhe as që e ndjen fare. Një kolege më thoshte një ditë se ishte ndodhur poshtë krahut të një burri të gjatë e të bëshëm, kapur tek hekuri mbajtës i autobusit, sqetulla e të cilit po i shponte hundën. Futi dorën në çantë të nxirrte deodorantin antidjersë që t’i jepte nja dy-tre spruco, por u kujtua se kjo mund të konsiderohej si shkelje e të drejtës së individit të lirë që ka zgjedhur të jetojë në këtë mënyrë dhe hoqi dorë paçka se sapo u hap dera e autobusit që mbërriti në stacion, i plasi një e vjellë në formë shatërvani.

Stacioni i autobusit ndodhet dhjetë metra larg vijave të bardha, por individët e lirë nuk ia lejojnë vetes t’i përshkojnë këta metra rrugë e të kalojnë të sigurt në vendin e caktuar për ta, pra tek vijat e bardha. Ata preferojnë të përzihen e të bëhen lëmsh me makinat, duke i rrethuar shoferët e gjorë nga të gjitha anët paçka se semafori është hapur për ta dhe u duhet të kalojnë. E kam zili këtë skenë, sepse është unikale, nuk mund të gjendet në asnjë vend tjetër dhe rri e i sodis njerëzit derisa ata kalojën nga ana tjetër e rrugës nën të sharat e shoferëve, sepse edhe këta të fundit janë individë të lirë e mund ta përdorin gjuhën e nënës si të duan. Tek rri i vetëm përpara vijave të bardha, në pritje të ngjyrës jeshile të semaforit, vetja më duket si idiot. E kam menduar shumë herë të përzihem me të gjithë njerëzit e tjerë të lirë, por në sekondën e fundit kam hequr dorë dhe kam kaluar mendueshëm mbi vijat e bardha. E di që shoferët mund të më shajnë edhe mua, por unë nuk dua t’ia di për ta. Unë kam vendosur ta shfrytëzoj ndryshe lirinë time.

NËSE i lirë do të thotë të hedhësh plehra sa andej këndej por jo në vendin e duhur, të qarkullosh në vende publike i palarë prej javësh ngaqë të bën alergji uji, ta parkosh makinën në stacionin e autobusit ose mbi trotuar ngaqë nuk gjen vend më të përshtatshëm e të sigurt, të pështysh ku të të vijë ngaqë nuk preferon ta rëndosh xhepin me shami apo letër duarsh, të urinosh ku të mundesh ngaqë nuk arrin ta mbash dot apo nuk dëshiron të futesh në ndonjë lokal ku ka banjë pasi je kursimtar i madh, të mos e paguash ujin ngaqë ai buron i lirë në një vend të lirë, të mos e paguash korrentin ngaqë prodhohet nga uji i lirë i vendit tënd të lirë, të mos e japësh faturën tatimore dhe të shesësh ku të mundesh e çfarë të mundesh, ta mbjellësh gjithë malin me hashash ngaqë drurët i ka prerë një tjetër njeri i lirë si ti, të fusësh në burg të dhunuarin e të nxjerrësh prej andej dhunuesin vetëm sepse i pari nuk ka me se të paguaj kurse i dyti ta mbush llogarinë bankare, të vlerësosh me dhjetë një student babai i të cilit të ka dhënë dyqind euro dhe të lësh në klasë të talentuarin ngaqë nuk ka të paguaj, të kujdesesh për shëndetin e të pasurit dhe të lësh në mes të korridorit të spitalit të varfrin, unë nuk dua të jem individ i lirë dhe vendin tim nuk e konsideroj aspak një vend të lirë.

1 Comment


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Jan 22, 2022

I dashur Sefulla,

Më ke shkrirë gazit, ore i bekuar, me këtë tregim të bukur, të stërpikur me mjaft elegancë me një ironi bukur shpotitëse. Pres që tregimet t’i botosh si libër më vete. Tregimet e tua më sollën në kujtesë sprovat me humor e ironi si dhe skicat në prozë të Nonda Bulkës, të botuara në vitet ’30 të shekullit të kaluar me pseudonimin Chri-Chri.

Urime dhe suksese në krijimtarinë artistike.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 21 janar 2022

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page