TË IKËSH SI…ISMAIL QEMAL VLORA


Faruk Myrtaj, shkrimtar, publicist, përkthyes

Hera-herës, politikanët e Tiranës së kurtheve të pa-fundme orientale, të lënë pa gojë…

Edhe kur ndokush prej tyre pretendohet i suksesshëm, shumica e shqiptarëve - padyshim ata që kanë jetuar sado pak përtej kufijve të Shqipërisë Londineze-, e dinë: sukses fals, vet-mashtrim.

Ata ngjiten në karrige, bëjnë ca para, u hynë vetja në qejf, ndjehen të fortë e të përhershëm, ndonjëri performon si zot me shumë koka- mos o Zot i Përjetshëm ( si AY që ndaloi Mbretin dhe Zotin!)

Shqiptarët e dinë: Aleatët e Shqipërisë, të Kombit Shqiptar, nuk zgjidhen prej partive, as me Elektorale, kur asnjë zgjedhje s’ka të hapur për këdo shqiptar që dëshiron të votojë e të votohet.

Aleatët e Shqiptarëve ngjizen e mbeten përmes ngjarjesh që i pranon vetiu historia (jo Akademia Politike). Aleatë janë ata që ndjehen e gjenden në interes e histori të pashmangshme me tonën. Aleatët nuk varen nga humoret e politikanëve të Tiranës, ngadhënjyes në kurthet ndaj njeri-tjetrit dhe qytetarëve të zhgënjyer në masë, aq më pak nga ideologjitë.

Aleatët nuk zgjidhen as sipas ushtrive e tankeve, por prej të Vdekurve të Pavdekshëm dhe Poetëve të Dhimbjeve të tyre (që kjo politikë i ka bërë lesh e li trazuar me bardët e Oborreve).

Artikulimet, Ëndërrimet Kombëtare dhe Mbijetesa e Shqiptarëve janë inspiruar gjithnjë nga Perëndimi, nga amerikanët dhe gjermanikët, teksa në Ballkanin e Gjerë mëmëdhetarizmi - si pohim i vlerave të veta, dhe jo urrejtje ndaj të fqinjëve, asnjëherë nuk ka ndodhur prej “komunarëve”.

Avokatia prej tyre, Dikur, Dje dhe as Sot, si invers i verifikuar në histori, na ka kushtuar, shtrenjtë…

Gjithnjë, prijësit e popujve të vegjël, janë të detyruar të zgjedhin atë që ndjejnë nënat pas luftërave…

Ismail Qemalin nuk e përdor dot për sfond askush që nuk ikën siç iku Ai: nëse të dyshon - sado pak, edhe më të pa drejtë- Perëndimi duhet të ikësh. Qoftë edhe për të lënë kohë verifikuese.

Ismail Qemali nuk shëmbëllehet prej Dukjes: “burrë-shteti me mjekër” bëhesh së brendshmi, prej hallesh të mëdha të besimtarëve të kombit, jo prej hilesh e skuthllëqesh ndaj të tuve…

E keqja e bajraktarëve dhe pashallarëve të viseve tona është se kanë ditur si vijnë, por jo si të ikin…

Shqiptarët dinë të falin, ngushëllojnë, madje edhe nderojnë në heshtje, këdo prej atyre Lart që Ikën i detyruar prej rrethanave, lobeve apo fateve...(siç nderoi pa kohë të mundshme Princin Vid…)

Nëse ndodh të humbësh duke shërbyer Atdheun, Ikja nderohet siç secila fitore në emër të tij. Marrëveshjet- jo doemos publike - për të shmangur dhunën, revanshin, ia vlejnë, por veç e vetëm kur përmes tyre hidhen hapa në të njëjtën kahe që do ndodhte në rastin e mos-shmangies së tyre. Në të kundërtën vjen dita të përbuzesh: mashtrues, pjesëmarrës në lojë të ndyrë kundër Të Tuve…që përbëjnë Atdheun.

Ende besohet se Partisë Socialiste i duhet ende kohë të provoj se s’ka ndryshuar thjesht emrin… Mbase shkurtohet kohë, frikë se zgjatet udha, në forma e saj shitet e blihet si “mall”… Një ditë dikush nga shefat e PS-së ia vlen tu kërkoj ndjesë (edhe) anëtareve të thjesht të para-ardhëses, atyre që u predikoheshin 10 virtytet e komunistit si 10 porositë e Librave të Shenjtë, në Zot të privuar!

Partia Demokratike duhet të pranoj më në fund se u dekretua nga sipër. Duhet të pranoj se të shumtët në krye ishin nën “mantelë të bardhë”. Kryesuesve por edhe të përdorurit prej tyre, me dhe pa dosje, do tu duhet tu jenë mirënjohës atyre më poshtë, dhe tu kërkojnë ndjesë vuajtësve e të privuarve të vërtetë, të heshtur mes tyre dhe, pse jo: edhe të dosjuarve me dhunë, që mundën të shpëtonin shpirtin e tyre…

Përpara se t’i hapet dosja një të dosjuari me dhunë, duhet të ndjehet në faj ish-komunisti “i ndryshuar në demokrat”, tërë ata që pas “dekretimit të Pluhur-Alizmit” u vet-shpallën të persekutuar, disidentë dhe që me ndihmën e Shefave “Anti-Komunistë”, e konvertuan këtë shtirje në privilegj klasor të ri, tashmë me efekte ekonomike dhe krijuan një ri-ndarje shtresore: ish-të persekutuarit dhe ish-komunistët e thjesht rezultojnë të humbur bashkërisht.

Shoqëria shqiptare, sa më gjerësisht, më së pari do duhet të kërkoj ndjesë për atë që ndodhi nën izolim e diktaturë, ndjesë ndaj asaj shtrese që u privua nga prona e vet, ideja ndryshe dhe të drejta elementare me pretekste klasore.

Mbase është më e lehtë së pari të pranojmë: nuk i zgjodhëm ne liderët e pluralizmit: në përgjithësi, Perëndimi e la Lindjen të rrëzohej nën peshën e vet.

Ndodhi edhe që Perëndimi e bëri veten të paqartë, edhe ai luajti me “Dosjet Lindore”! Ndaj dhe sot pa sforco mund të themi se realisht: telenovelat midis Shqipërisë dhe USA-s janë artikulime ish-komunistësh. Zhgënjimet e popujve mbase janë të pa-shmangshme, por sidosi ndihin, kur shkojnë në llogarinë e Memories së Humanizmit…

Së fundi meqë kalendari shënon edhe ngjarje të vogla: Lulzim Basha vetëm në një rast do mund të mbetet në krye të kësaj Partie Demokratike që është: vetëm nëse ai dhe administrata e tij provon “masakrën elektorale”.

Nëse jo, nëse nuk e provon (edhe sikur masakra të ketë ndodhur në këtë përmasë, por ai nuk e ndjeu, nuk e parandaloi dhe as nuk e provon dot), është e kot për të zhvilloj zgjedhje farsë në PD.

80 views0 comments

Shkrimet e fundit