Nga Timo Mërkuri
I-Në shesh të kishës së Shën Kollit, me një hap të ngadaltë doli një burrë rreth të gjashtëdhjetave, trupngjeshur e pak i kërrusur nga motet, thua se mbante mbi supe peshën e qiellit, veç halleve të tij të shumta. Kjo ditë e shënuar kishte mbledhur gjithë fshatin te i vetmi shesh, por djemtë si djem i kishin sytë te mandilet që feksin tutje e tëhu, vajzat po shikonin e rishikonin fustanet me pala shumë, burrat do dridhnin cigaret e rënda dhe vetëm nja dy pleq e panë Kostë Gërdhuqin kur u ngre në shesh të valles e po nxirrte ngadalë nga xhepi një shami të rudhosur, më shume se të palosur. E morën vesh që do hiqte vallen e rrëndë të pleqve, vallen e kënduar, por nuk dinin në se do këndonte ato këngë të vjetra apo do kërrente ndonjë të re. Se nja dy herë ua kish punuar rengun, qenë ngritur për të kënduar këngë të vjetra, kur ja, ai kish kërrier këngë të reja. Dhe duhej mbajtur mirë hapi me këto këngë, se s’janë si vallet e djemve e të vashave që mjafton të hidhesh hop e hop dhe je në rregull. Janë të rënda këto vallet e pleqve dhe nuk mund t’i heqë kushdo e kurdo. Zëre se heq valle duke mbajtur në shpinë nja njëqind okë peshë. Dhe s’duhet të të dridhet këmba e s’duhet të të shkasë zëri. Ndaj duhet menduar mirë kur ngrihesh në këto valle. Dhe duhet të mendosh dhe këngën që do këndohet, se jo çdo këngë këndohet në këto valle. Duhet ta dish mirë këngën që të ujdisësh dhe hapin me të, në daç kur e hedh para e në daç kur e tërheq prapa, se të qeshin pastaj jo vetëm djemtë, por zënë e qeshin ato “cukulidha vashastë” dhe atëherë të vjen të pëlcasësh.
Ua punoi një herë Kosta kështu me atë këngën e flamurit, atë de që thotë ;
Flamur të mbuloi zia
O flamur more
Për flamur more
Që kur erdhi Italia
Të vu sëpatat e tija
Me gjak do t’i heqë rinia
Kënga qe e mirë po desh u qorollepsën pleqtë e u ngatërruan hapat, se kish një dreq marifeti kjo valle e kënduar me këtë këngë që vetëm te vargu i tretë u shtrua hapi tamam. Ndaj mendonin pleqtë ç’të bënin, të ngriheshin a të prisnin. Por ama që ta linin vetëm Kostën, as që bëhej fjalë.
Ndaj ashtu ngadalë, ngadalë u ngrenë dhe ja ku u krijua grupi i pleqve që u zunë dorë për dorë, duke ndaluar kështu dhe erën që të frynte. Kaq qetësi u bë në shesh. Kosta ngriti dorën ku mbante shaminë, e tundi nja dy tri herë duke tundur dhe trupin, ashtu pak të kërrusur dhe me një zë të qetë, ja nisi;
O Qemal, dhe o Qemal, o Qemal kur të përzunë,
O Qemal kur të përzunë
Se doj të o se doj të, o se doj të të zij Turqia, o ho o
Kënga qe e padëgjuar. Edhe këtë herë Kosta ua bëri me dhjavoli pleqve, por ja që u pëlqeu kënga dhe e haruan fare dhjavolinë e Kostës por ngritën veshët për të dëgjuar më mirë fjalët e këngës, ndërsa shtronin hapin në valle. Nejse, për qejf këndojmë dhe heqim valle, ndaj përplase me inat këmbën në tokë dhe tunde shaminë me qejf që ta dëgjojnë dhe ata atje lart dhe këta këtu poshtë, të vdekurit dhe të pavdekshmit, që pleqtë e Pilurit heqin vallen e rëndë, me këngën që kërren Kostë Gërdhuqi për Ismail Qemalin e që thotë;
Hop dhe hop e pak të zunë
Erdhi të mori gjemia
Brëna ndë Paris të shpunë
Atje te qe kadimia
Seç u ngre krajli më gjunjë
Mbretëresha dhe e bija:
Cili je ti more burrë
Që na vjen nga Shqipëria
A dale pak, dale. Kjo po qenka këngë. Këngë dhe ç’këngë se! Me demek, Krajli u ngre më gjunjë, me demek sa lëvizi një çikë të trashat nga froni, apo si i thonë, kadimia, thua se kish ardhur një hiç burrë te ai dhe jo Ismail Qemali me derte. Ndaj e pëjet cili je ti? Ashtu ë, ja se ta thotë Kostë Gërdhuqi tani se cili është ai, po dëgjoje mirë e vure vëth në vesh;
Unë jam o unë jam, ohoo,
unë jam Smail Qemali, ooo
Unë jam Smail Qemali,
Prapa më vjen historia, ohoo
Pa e kuptuar pleqtë kishin hedhur duart në supe të njëri tjetrit, thua se ata, ashtu sup më sup, qenë Ismail Qemali vetë dhe s’futej dot në mes të tyre asnjë. Thua se historia do vinte dhe pas tyre e jo vetëm pas Ismail Qemalit. Pleqtë qenë të humbur pas këngës dhe s’kishin nge të shikonin që të tërë fshatarët qenë ngritur në këmbë rreth grupit të tyre, bile e kishin ngushtuar sheshin e kishës aq sa duhej për të hedhur vallen grupi i tyre. Thua se veç atij vendi asnjë tjetër s’kishte vlerë të shihej. Por pleqtë s’kishin nge të shikonin këto. Kostë Gërdhuqi tundi dhe njëherë shaminë e vazhdoi;
Ju lutem vini një vulë
Të më njihetë kufia
Të shtatë vulat ti japë
Po do mos doje Turqia
Do dojë se s’është punë
Ësht’ e jona Shqipëria
Sazan e Karaburunë
Janë vatanet e mia
Vallja mbaroi dhe pleqtë filluan të fshinin ballin e gushën e djersitur, se qe e rëndë kjo valle, vërtet qe e rëndë. Në shesh kishte rënë heshtja, kishte një farë hutimi si para një mrekullie nga ato që bëjnë të shenjtët. Dikujt i dridhej buza dhe ndonjë grua ktheu dhe kokën që të fshinte fshehurazi ca lot. Se qenë vrarë djemtë e burrat e tyre për ata kufij që duhej të njiheshin, që atëherë që u vu kufiri e gjer pas luftës së madhe. Dhe ja tani erdhi puna dhe erdhi koha që t’i heqin në vallen e rëndë të kënduar të pleqve. Duket sikur është aty te sheshi i kishës ku hiqet vallja, Ismail Qemali tek i sokëllin Krajlit për kufijtë e vendit. Dhe eja e ri i qetë pastaj, pas gjithë atij emocioni që krijonte arti i asaj valleje. Po dhe ki Kosta, ku i gjen ato llafe dhe si i qëndis ashtu xhanëm. Dhe sidomos për Ismail Qemalin i qan fare këngët, ta ketë takuar gjëkundi? Si i tha te ajo kënga tjetër që hoqi valle te rrapi;
O shokë më mori malli
Ç’u bë Ismail Qemali
Ndë Paris brëna te Krajli
Thotë vëndin pse ma ndani
Përse ma zapton junani.
Një gjë nuk e mar vesh, Kosta asnjëherë s’qe takuar me Ismail Qemalin. Ku Kosta i Pilurit me dhen e dhi të pakta e ku Ismail Qemali i Vlorajve me mënd e halle shumë. Në fakt Kostë Gërdhuqi ishte mik me Pasho Ramadanin e Vlorës dhe ky i fliste për Ismail Qemalin dhe bëmat e tij, e më pas Kosta kërrente këngët, ato këngë që vetëm me valle të rënda pleqsh mund të këndohen. Cila vajzë e cili djalë mund të këndonte këngën tjetër të Kostës për Ismail Qemalin që thotë;
Vate more shokë vate
Smail Qemali me sharte
Në Paris shkoi, në pallate
Edhe po kërkon hesape
Hesapet e Shqipërisë
Për kombin e Arbërisë.
Vetëm katër klasë shkollë kishte bërë në Korfuz, Kostë Gërdhuqi dhe nuk vazhdoi dot më tej se e morën dhe e futën në burg, ashtu fëmijë, se qëlloi me grusht një djalë afendikoi, i cili e shau. Ama dhe nga burgu u arratis me shoke të tjerë dhe me një varkë, varkë i thënçin, se në fakt qe një magje nga ato që lajnë rroba, pra me atë mori detin dhe doli në Sarandë dhe prej andej në Pilur. Kjo nuk e pengoi të dallonte se çfarë ishte realisht kombi i Arbrit dhe të ngrinte këngë për të dhe për figurat e tij. Mund të jetë nga të paktët rapsodë që ngriti këngë, të cilat këndohen vetëm me vallen e rëndë të burrave. Interesant është fakti që vetën nga ky rapsod na kanë ardhur gjer më sot disa këngë për Ismail Qemalin, të cilat hiqen me vallen e rëndë dhe siç tregojnë më të vjetrit, pothuaj në çdo festë që bëhej në Pilur ose në Himarë, Kostë Gërdhuqi do ngrihej të hiqte një valle dhe kryesisht do e hiqte me një këngë për Ismail Qemalin.
Një gjë dihet me siguri, heroi kryesor i këngëve të Kostë Gërdhuqit, por edhe i shumë rapsodëve të tjerë është padyshim Ismail Qemali dhe akti i tij i shpalljes së pavarësisë. Po të grumbullohen këngët e ngritura nga populli për këtë figurë, mbushen vëllime të tëra. Dhe ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se populli e trajton me shumë respekt e dashuri këtë figurë, aq sa të thuash e trajton si të shenjtë dhe kjo e ka shpjegimin e saj. Akti i shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë në nëntor 1912 ishte edhe shprehja sublime e ëndrrave dhe dëshirave të patriotëve tanë.
Pas një dhune pesëshekullore, pas përplasjes me lloj-lloj nëpunësish arrogantë, spahinjsh e bejlerësh e ca më tepër me pashallarët fodullë, madje edhe kur qenë me gjak shqiptari, para popullit u shfaq një burrë shteti krejt ndryshe, plot urtësi e që rrezatonte mirësi e dashuri që nga pamja e gjer te fjala, pa përjashtuar veprën e tij. Kjo s’qe e pakët për popullin e sakatosur e të stërlodhur shqiptar. Atij i qëndroi më së miri aureola e një Plaku zemërmirë, të urtë dhe atdhetar i madh.
Ndoshta me hiperbolizimin e kësaj figure populli do tu tregojë gjithfarë burrave të shtetit se si duhet të jenë ata, që të fitojnë përjetësisht dashurinë e kombit.
Kostë Gërdhuqi ishte një gurrë e pashtershme këngësh, ja ku u ngre prapë, do ketë ndonjë këngë të re, se pleqtë janë mprehur mirë tërë sy e veshë dhe ai ja nisi;
Vate mo, vate mo, vate more shokë vate, oho o
Vate more shokë vate
Ç’u përgjunj palla xhelate
Feste kuqi me mustaqe
Tabori në tabje mbetë
Sos humbi për pakë vjet
Po humbi për tërë jetë.
Nuk habitemi që Kostë Gërdhuqi ngre të tilla këngë patriotike, aq më tepër kur e kemi dëgjuar në shesh të Himarës të heqë vallen e rëndë me këngën;
Himar’e zeza Himarë
vajmedet e zeza Çikë
Përmbi male radhë radhë
Pesëqint vjet të Turqisë
Edhe malet kanë qarrë
Gjithë jetën seqëndisë
Me kordh’ e me jataganë
Të zgjuar e të skolisë.
Kjo këngë e nxiti që më 1912 të përshëndeste ngritjen e flamurit dhe të s’fidonte ca “parësi’’, që me prapësi të tyre se donin pavarësinë, ndaj dhe prapë në shesh të Himarës këndoi;
O flamur i kuq me lule
Derë më derë ç’u ngule
Parësinë e sëmure
Parësin’ e vilajetit.
Tekste këngësh shumë të shkurtra, por që s’mund t’u shtosh asgjë më tepër pa i denatyruar. Këto janë tekstet e Kostë Gërdhuqit për vallet e rënda. Dhe s’mund të bënte tekste të tjera shoku dhe miku i Nase Benit, Nase Labit e Halim Xhelos, të cilët mbi të gjitha kishin vlerësuar besnikërinë e tij nëpër situata të rënda.
Këngë të tilla i krijojnë vetëm karaktere të forta, ato karaktere, që janë kalitur nëpër betejat e jetës. Dhe jeta s’e ka kursyer fare këtë rapsod, por diti t’i qëndrojë përballë jetës edhe kur e bija, për të mos rënë në dorë të italianëve gjatë luftës italo-greke, bashkë më dy fëmijët e saj ngriu në dëborë në mal të Pilurit. Edhe për këtë kohë këndoi ;
Shokë do ju them nja di
Do ta bëj si histori
Për ca djem nga Piluri
Shkuan në Jugosllavi
Dhe ati mbenë nja di
I treti diq në shtëpi/
Çaçe Çipa s’kish njeri
Nastas Bala djal i ri.
Do t’i mbetej si një cen fakti që reforma do t’i merrte 300 dhen, dhe askush s’do t’ia përmendte meritën e këngëve të tija patriotike dhe atdhetare si dhe pjesmarjen në Luftën e Vlorës. Përgjithësisht ky ishte fati i shumicës së rapsodëve. Por ajo që duam të theksojmë është fakti se gjer më 1971, vitin që vdiq tepër i moshuar, as koha dhe askush nuk i “retushoi” dot këngët e tij. Askush nuk mund t’u heqë atyre ndonjë varg a ndonjë fjalë. Ato këndohen ashtu, vetëm me vallen e rëndë të burrave.
II-Ç’përfaqëson vallja e rëndë e burrave do pyesë ndonjë lexues. Kjo valle rëndom quhet “valle e rëndë”. Ndoshta nga që hiqet ngadalë, pa të hedhura e të spërdredhura, ndoshta nga që pjesëtarët e grupit, pavarësisht nga mosha, por gjithsesi në mosha të shkuara, e mbajnë trupin pak të përkulur dhe e hedhin hapin me qetësi, me ngadalësi.
Quhet dhe valle treshe, jo se hiqet nga tre veta, por se zakonisht hiqet duke hedhur dy hapa para dhe një hap prapa, sikur duan të ripozicionohen në jetë, sikur duan të marrin fuqi për t’u hedhur diku. Në fakt asgjëkund nuk hidhen, hedhin vetëm hapin para dhe këndojnë këngën me kokë pak të ulur. Prijësi dhe mbyllësi i vargut të valltarëve tundin një shami si një përshëndetje, si një sinjal, si një flamur.
Në disa raste quhet edhe valle dyshe, sepse krijohen dy reshta me nga shtatë veta të cilët në fillim ecin në të njëjtin drejtim dhe më pas ecin në drejtime të kundërta, si duke u kryqëzuar. Zakonisht vallja fillon duke u kapur dorë për dorë në formë vargu dhe kur vallja dhe kënga arrin “nxehet”, atëherë ata bashkohen sup më sup, dhe po të jenë valltarë të mirë, e me përvojë, lëvizja e mëtejshme të krijon përshtypjen e lëvizjes së një blloku trupash të bashkuar të tërë në një. Zakonisht kështu përfundon vallja.
Kjo valle kërkon edhe një tekst kënge të rëndë, epik sepse me këto valle nuk mund të këndohet çdo lloj kënge se atëherë s’mund të themi që kemi të bëjmë me valle të rrëndë. Këngët e dashurisë, pra këngët lirike, humoristike etj, këndohen bukur në vallet e grave e të vajzave, bile dhe në vallet e djemve, por vallja e rëndë kërkon një tekst të “rëndë’’ si ato të cituara më sipër. Bile këto tekste kanë veçorinë, se nuk këndohen kollaj si këngë polifonike, ato kanë lindur për t’u kënduar në valle. Këto këngë janë si “djali i vetëm’’, sado i varfër të jesh, nuk e jep për ta birësuar as te yt vëlla edhe në qoftë pa fëmijë fare, le më te të tjerët.
Ka edhe përjashtime specifike, sepse mund të këndohet një këngë vaji, si psh, kur Kozma Mërkuri këndoi në dasmën e djalit për të shoqen e vdekur me fjalët;
Ngreu moj Vitë nga varri
Se sot të martonët djali.
në të cilën derdhi artistikisht një brengë të madhe, sa që mallëngjeu deri në përlotje pjesëmarrësit në atë dasmë. Kjo këngë u vlerësua menjëherë si një “këngë e rëndë” për nga pesha e dhimbjes që mbartëte.
III-Fakti që tekste të tilla elegjiake janë të pranueshme, fakti që kjo valle hiqet (me këtë fjalë nënkuptohet kërcehet, vallëzohet) si duke u “lëkundur’’ valltari, na shtyn të mendojmë për vjetërsinë e kësaj valleje, për lashtësinë e kësaj valleje, si dhe për origjinën e saj nga vajtimet.
Diku kemi thënë që në Himarë vajtimi me ligje i burrave është gjë e zakonshme sot dhe se vjen nga lashtësia e hershme. Por duhet të theksojmë se vajtimi me ligje bëhet duke u tundur trupi i vajtores ose vajtuesit para e mbrapa ose majtas e djathtas. Gjithsesi duke ligjëruar për të ndjerin, mbi të ose në odën ku bëhet ksodhi, apo ku janë mbledhur burrat (dhe këtu s’ka kurrfarë turpi, pasi është tepër e zakonshme) lëkundet trupi me një ritëm gati të rregullt. Kjo na ka shtyrë të mendojmë se vallja e rëndë nuk është gjë tjetër veçse një rit i rëndë, ose më saktë e ardhur dhe e përpunuar në shekuj nga ritet mortore. Edhe fakti i bashkimit sup më sup i valltarëve s’është gjë tjetër veçse mbajtja që i bëjnë të afërmit prindit të të vdekurit, për gjëmën që e gjeti. Burri mbahet me sup dhe në supe, ndryshe nga gratë që mbahen për krahu. Në këtë kontekst ky bashkim interpretohet dhe si bashkim i energjive te familjes, fisit, për të kompensuar humbjen.
Etnografi i shquar Rrok Zojzi në ekspeditat e tij në veri dhe jug të Shqipërisë, ka vërejtur me kujdes ceremonialin mortor. Për zonën e Veriut ai shkruan : . . . burrat qëndrojnë në këmbë gjysmë hapi, vendosin duart në ije me bërrylat hapur anash dhe presin urdhrin e veprimit prej prijësit të gjëmës. Jepet urdhri fillon lëvizja duke u përdredhur djathtas e majtas, duke u përkulur mbi shalë dhe duke u ngritur, duke e shkelur për tokë njërën këmbë e herë këmbën tjetër dhe shpërthejnë të gjithë me sa fuqi kanë ho. . u. . . u Përnjëherë të gjithë i ngrenë kokat lart dhe presin derisa të pushojë jehona. . . . . . përfundojnë përnjëherë, të gjithë marrin qëndrim të drejt me kokën lart. . . . Kur janë dy ose më shumë reshta nuk bëjnë thirrje përnjëherë por veç e veç. Një akord zërash, një disharmoni tingujsh që të mahnitë. ”
Dhe më poshtë studiuesi Zojzi vazhdon : “Pas thirrjes së zakonshme Houuuu. . . ulen me gjunjë në dhe duke vazhduar thirrjen ulen për tokë. . . . ”
Këtë e thekson edhe etnografi Anton Berisha i cili shton “ ky gjest i fundit përkëdhelja e tokës jep përshtypjen që ta ketë në mbrojtje shokun e tyre”.
Etnografi Zojzi sqaron se ky fenomen nuk është i njohur vetëm në pjesën veriore të shqiptarëve, por edhe në jug, “në Kurvelesh, bregdet, në Vlorë ku burrat e bënin gjëmën me vaje apo ligje sikundër edhe shqiptarët e Greqisë”.
A nuk janë figurat koreografike të këtij spektakli, si përplasja e këmbës mbi tokë, ulja në tokë madje jo vetëm e duarve por edhe e shpatullave etj. krejt të ngjashme me vallen e burrave në Labëri dhe atë çame? A nuk është kërcyer vallja e burrave në Labëri në dy rreshta? A nuk janë krejt të përafërta pasthirrmat hou. . . me pasthirrmat në vallen labe, Pa pa pa pa. . . . ?
Sqarojmë se jo çdo vdekje përbën gjëmë, quhet gjëmë dhe qahet me bot. Vajtohet vdekja e pleqve si humbje përvoje jetësore, por kjo s’përbën gjëmë. Gjëmë përbën vdekja e ndonjë të riu në mënyrë të papritur, si psh, aksidentalisht dhe jo kur dihej se do vdiste, pasi kishte vite që lëngonte nga sëmundje e pashërueshme. Gjëmë përbën vdekja e kryefamiljarit në moshë të re, vdekja e nënës në një moshë të re dhe që i lë fëmijët të vegjël jetimë. Nga vdekje të tilla i zoti i shtëpisë e humb toruan, s’mba dot drejtimin dhe duhet afria e miqve, shokëve, vëllezërve. Janë këta, që i afrohen sup më sup, por duke qenë se dhimbjen më të madhe e ka i zoti i shtëpisë, prindi, është ai, që vajton, është ai që ligjëron vaje, të tjerët edhe ata me peshën e dhimbjes në shpirt, gjithsesi më të lehtë se i pari, rënkojnë duke u bërë kështu pjesëtarët e grupit, që në art quhet grupi i valltarëve.
IV-Të goditurit e tokës me këmbë dhe bile shumë fort është një rit shumë i hershëm i ceremonive mortore, sikundër kemi vërtetuar nga hulumtimet tona në zonën e bregdetit. Edhe sot nëpër gjëma, kur shkojnë në varreza ditën e varrimit, në të tretat, në të nëntat, të dielave etj, të afërmit goditin me grushte dheun e vareve, si duke i thënë “Ç’i bën të dashurit tonë të vdekur, pse e mundon” etj, ndryshe nga ditët e mëvonshme kur përkëdhelet dheu si për ta marrë me të mirë që të kujdeset për të dashurin që ka brenda. Ka raste kur këto bëhen me dorë dhe ka të bëjë me disa valle të tjera, dhe këto të rënda ku valltari ulet dhe godet me dorë dheun.
Mendojmë se goditja me këmbë e dheut ka të bëjë me konceptin pagan të botës së poshtme, do të thotë se godet atë botë dhe zotin e asaj bote, që i mori te dashurin, djalin, babain, nënën, motrën etj. Nuk përjashtohet mundësia që të jetë një trokitje në portën e asaj bote, që të zgjojë të fjeturit e saj dhe të dalin e të presin atë që po vjen, dhe ta mbanë mirë, të kujdesen për të. . . .
V-Kemi mendimin se ka lindur pikërisht kjo valle e rëndë në fillim dhe më pas, prej saj kanë lindur valle të tjera duke u interpretuar dhe ekzekutuar prej grave e vajzave e duke u emërtuar valle e vajzave, valle grash apo valle e përzier (gra – burra), por ama burimi është vallja e rëndë e burrave e kënduar ose jo. Është normale që shekuj më vonë prej saj të lindnin valle të tjera me strukturë koreografike më të shpejta, më të zhdërvjellëta, përshtat tematikës që këndohej dhe plastikës që zotëronte korifeu që hiqte vallen.
Fakti që kjo valle nuk u zhduk, nuk u harrua, tregon për forcën dhe vitalitetin e saj. Ajo është si të thuash, mbretëresha në “zgjoin e valleve”, e cila lind e zhvillon familje të tëra vallesh e valltarësh, duke mbetur e përjetshme, sikundër ka mbetur tek ne vallja e rrëndë e burrave falë talentit të madh të përfaqësuesve të këtij populli, që e sollën deri sot tek ne si një xhevahir të rrallë në gjerdanin e artë të kulturës popullore. Sa më shumë dekada kalojnë, aq më shumë i ritet vlera kësaj mbretëreshe. A s’e shihni sa pak veta e heqin këtë lloj valleje sot?
Kjo është një lloj valleje që më shumë se sa mësohet, jetohet.
Vallja, sikundër edhe vetë kënga është e shenjtë.
Sarandë, më 2008 -2021
Kommentare