TË GJITHA UDHËT MË KTHEJNË NË SHTËPI


Prof Dr Resmi Osmani

Udhëpërshkrim


Vijim-6

Greqi, 1999-2003

Në tokën greke kam shkelur tri herë.Të trija herët me dërgata shërbimi.I pari nga Peloponezi në Janinë, i dyti në Athinë, në institutin “Benaki” dhe i treti në Korfus, në Institutin e Ullirit” Mbresat nga këto vizita, do t’i përmbledh në këtë shkrim, të pa ndara në vite, por si impresione tërësore.

* * *

Sekretarja e ministrit më telefonoi të paraqitesha në Kabinet. Aty ishte në pritje edhe drejtori I mardhënieve me jashtë, Sali Metani . Ministri na vuri në dijeni, që pala greke, kishte bërë ftesë për një delegacion bujqësor, me objektiv njohjen dhe funksionimin e Bashkësive Bujqësore. Ishin treguar dorëlëshuar, në dërgatë mund të përfshiheshin 21 persona. Mu dha porosia të bëja gati listën me pjesmarrësit, e cila duhet të ishte gjithpërfshirëse në aspektin gjeografik, në nivel drejtoresh të drejtorive të bujqësisë së rretheve dhe specialist të fushës. Kup[tohet edhe gra. Me përgatitjet protokollare do të merrej kolegu i mardhënieve me jashtë.



Ishte fundi i majit, kur përgatitjet përfunduan dhe ne u nisëm nga Rinasi me aeroplanin e linjës “Olimpik” për në Athinë. Për disa, fluturimi dhe dalja jashtë vendit ishte risi dhe ata e pritën me emocion. Në aeroportin e Athinës,që mban emrin e politikanit Sofokli Venizelos, na priste autobuzi. Athina është 30 km larg, dhe përfaqësuesi i palës mikpritëse,z.Krustalis,që siç e mësuam më von ishte punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtëme, i ngarkuar për mardhëniet me Shqipërinë. Nuk na e tha, por e kuptuam që dinte shqip, por nuk e fliste. Kjo na bëri të jemi të kujdesëshëm në biseda dhe opinione me njeri-tjetrin. Pasi zum vend në hotel, pranë sheshit “Omonia” Pasdite dhe në mbrëmje, patëm kohë për t’i hedhur një sy kalimthi Athinës. Sapo dola nga hoteli, hasa në trotuar një shitës librash e gazetash.Ishte shqiptar.E përshëndeta dhe i thashë që jam shqiptar dhe vij nga Tirana.Më priti ftohtë, ishte nervoz, dhe më dha të kuptoj se s’donte të dinte për mua. Me siguri mendoj se unë isha ndonjë nëpunës i qeverisë. Nuk kishte as gazeta as libra shqip.Sheshi Omonia.Kisha dëgjuar të flitej aq shumë për të sa e mendoja si diçka të veçantë e madhështore, por u çgënjeva,ishte një shesh I vogël, I rrethuar nga ndërtea dhe hyrje-dalje të rrugëve nga qendra në periferi.Një shesh I zakonshëm si ata që jot ë pakët i kemi në lagjet e Tiranës.Përfitojmë nga koha, drejtohemi për në Akropol, që të takohemi me lashtësinë dhe mitet. Para parlamentit, një ndertesë me arkitekturë klasike, mbi të cilën valëvitet flamuri shtetëror, fasada me kollonada, kanë qëndruar turistët. Duket se diçka presin. Qëndrojmë dhe ne.Pas pak një spektakël jo i zakonshëm, ndrrimi i rojave, me veshje evzonësh: fustanella të shkurtëra, kalca të bardha lidhur me gajtan me xhufka të zeza dhe këpucë me majë edhe ato me xhufka të kuqe dhe pushkë të gjata. Hapa disi ceremonial por të pazakonshëm. Është një nga ritet që duhet parë në Athinë si një spektakël. Kalojmë në lagjen Plaka, me emrin shqiptar, lagja e arvanitëve, që së lashti e kanë banuar në shumicë Athinën. Aty ruhet edhe Harku i Adrianit, i kohës romake. Ngjitemi në akropol.Mbi shkëmbin që ngrihet mbi Athinë, në pikën më të lartë kollonat e bardha të Partenonit. Nuk hyjmë dot sepse është në rikonstruksion, por nga lartësia e shkëmbit duket si në pëllëmbë të dorës Athina, sa e vjetër aq edhe e re e bardhë, e ultë, e ndarë në blloqe dhe e përshkuar nga rrugët. Në kthim, sodisim Akademinë, edhe ajo me stil klasik, me kolonada dhe pjesa e sipërme e fasadës trekëndore dhje statuja mermeri. Ca më larg edhe vendi i Akademisë së Aristotelit.

Në Athinë ke çtë shohësh, por ne e kemi kohën të kufizuar. Ecim në një rrugë drejt verilindjes së qytetit për të parë kopshtin botanik. Në një lulishte të vogël bie në sy busti i Napoleon Zervës , gjeneralit të zi, kasapit të Çamërisë, hero i nacionalistëve grekë, shovinistëve dhe sillogjeve vorioepirote. Qarqet politike të fqinjëve tanë, duke nderuar atë person gjakatar, pranojnë genocidin autor i të cilit ai ishte dhe bëjnë deklarimin e dalë boje “Çështja çame nuk ekziston”.Më pas, Në Artë, pashë Monumentin e tij, veshur si ushtar, me dorën drejtuar nga Çamëria.Këto pamje dhe mbajtja në fuqi e ligjit të luftës, bën që të mos ndjehem si në një vend mik dhe të jem i rezervuar në biseda dhe deklarime.


Udhëtojmë me autobus nga Atika drejt jugut, vendmbrritja është qyteti Kyparisia në jugperëndim të Peloponezit në krahinën e Mesinisë. Udha është e gjatë. Na jepet rasti që të sodisim vendet nga kalojmë.Mbi kodrat e buta ngrihen fshatrat e bardha, si buqete lulesh, ne qender te tyre lartohen kambanoret me kryq. Peisazhi mesdhetar, kodra të ulëta me ullinj, të tjera djerrina me bimë të makies, prrenj pa ujë me shtrete të tharë dhe dielli me ndriçim të fortë e qielli i kaltër. Kur kaluam mbi kanalin e Korintit, qëndruam në bregun tjetër për të soditur kanalin që ishte hapur në shkëmbin e çarë dhe që lidhte detin Jon me detin Egje. Një kafe ishte rasti për tu çlodhur.Pronari, burrë në mesmoshë, kur dëgjoi që fjaloseshim shqip, u afrua dhe na përshëndeti shqip.E pam të habitur. Na tha se ishte arvanit, dhe se gjysma e fshatrave në të dy anët e kanalit ishin arvanitas të Moresë.Fliste një shqipe sit ë dialektit të çamërisë, port ë përzier me fjalë të greqishtes, por na kuptonte mirë. Mu kujtua kënga e arbëresheve të italisë “Moj e bukura more”. Ata e quanin morenë si atdhe të tyre, pasi andej u shpërngulën për në brigjet italiane pas pushtimit turk. More quhej nga venecianët Peleponezi, pasi në hartë kishte formën e gjethes së manit. Përshkojmë Peleponezin dhe mbrëmanet sosim në Kiparisia. Qytet i vogël, me 5100 banorë,buzë gjirit me të njëjtin emër të detit Jon dhe rrëzë kodrave, me port dhe dy plazhe të bukur.Mbahet me aktivitete bujqësore. Edhe këtu, vrejmë se shfrytëzohen më së miri kushtet mjedisore,toka bujqësore, klima e butë, pranvera e hershme, ndriçimi i bollshëm diellor që kushtëzon hershmërinë e prodhimeve. Vizituam bashkësitë bujqësore, specialiteti I tyre është kultivimi I shalqirit për eksport, Lulet(trëndafilat) dhe vaji I ullirit. Një bujqësi e industrializuar e vënë kryesisht në shërbim të eksportit. Ishte qershor dhe kishte filluar eksporti i shalqirit, kryesisht në vendet e lindjes. Vizituam një qendër të prodhimit të fidanave të shalqirit nëpërmjet shartimit mbi kungullin e egër, për të shmangur infeksionin nga trakeomikoza, një sëmundje kërpudhore që merret nga toka, bllokon enët përçese dhe than bimën.Në tryezat e punës, punonin gra, të shumtat shqiptare.U përshëndetëm. U gëzuan që na panë.Këtë teknologji e futëm edhe ne në Divjakë. Në ditët në vijim, vizituam një fabrikë të madhe vaji në Koroni,një shpellë në nivelin e detit, me bukuri fantastike me stalagtite,të ndriçuar me llamba elektrike, që e përshkuam me varka.Ditën tjetër shkuam në Kallamata, qyteti fundor I Peleponezit, që nga lart ngjante me Vlorën.Kallamata është e dëgjuar për ullirin e tryezës dhe fiqtë e thatë……

Shumë nga shokët tanë, shfrytëzuan ditët e bukura, u rrezitën në diell dhe notuan në plazh. Një pasdite, agronomi vendës që na shoqëronte,Antonis Parasqevopulos, na ftoi për një kafe në belvedern mbi qytet.Mora gratë që ishin pjesë e grupit dhe përkthyesin tonë të greqishtes. Antoni,Kishte marrë edhe zonjën e tij.E re, e hijshme dhe me veshje korrekte. Na e prezantoi me emrin Besa. U habitëm. I tham se ky ishte emër shqiptar. Po tha ai, zonja kishte lindur në një fshat ku kishte edhe arvanitë dhe kumbari i kishte vënë atë emër!Bëm sikur e besuam, por nga zhvillimi i bisedës vura re që Besa kuptonte shqipen, por nuk e tha që ishte arvanite.Ndryshe nga greket zeshkane, ajo ishte bardhoshe bukuroshe. Porositëm akullore. Pas disa dit shoqërimi ishte rasti për një bisedëmë të afërt njohëse. Në fillim biseda nuk po ecte. Zgjodha si temë ato që dija për historinë, artin, filozofinë dhe gjithë sa dija për Greqinë. E nisa me mitologjinë pstaj me Homerin, Iliadën dhe Odisenë, tragjikët Eskilin, Sofokliun,Spartën dhe spartanët, për filozofët Sokratin,Aristotelin, Platonin, Termopilet, heroizmin e Leonidës , për rolin dhe heroizmin e arvanitëve ne luftën për pavarësinë e Greqisë: Marko Boçarin, Miaulin, Kollokotronin, Bubulinën.Thashë se veç lashtësisë, tek ne njiheshin edhe artistët dhe poetët e kohëve tona: nobelistet Seferis dhe Elitis, se janë përkthyer poetë të njohur dhe prozatorë si Kazanzaqis, Ludemis. Aktorja Irena Papas,partnere e bekim Fehmiut në rolin e Penelopës te Ulisi, Melina Merkuri, muzika e Teodorakis etj. Zoti Parasqevopulos, dëgjonte paksa me habi, ka të ngjarë që ca gjëra i dëgjonte për herë të parë prej nesh. Kur unë mbarova bisedën, ai buzëqeshi si i zënë në faj. Më përgëzoi për dijet e mia por më kërkoi falje që ai nuk kishte njohje dhe thuajse nuk dinte asgjë për vendin tonë.Mungesën e njohurive për vendin tonë e vrejta dhe herë të tjera në takimet që patëm në udhëtimin tonë.Megjithse vende fqinj, ata dinin vetëm emrin Alvania për Shqipërinë dhe alvanos,për shqipëtarë dhe kaq! Kjo e bëri atë të mendojë se unë duhet të isha ndonjë nëpunës i Ministrisë së Jashtme,ose të inteligjencës, që isha vënë në krye të grupit dhe që hiqesha si agronom! Këtë dyshim ja shprehu përkthyesit tonë, i cili ja hoqi ato dyshime.


U nisëm nga Kiparisia drejt veriut.Udhës ishte Olimpia e lashtësisë ku zhvilloheshin lojrat olimpike. Qëndruam dhe e soditëm.Stadiumi, statuja, kollona mermeri. Aty fliste lashtësia.I thirra imagjinatës dhe përfytyrimit, e mbusha stadiumin plot me atletë, midis tyre edhe ilirë. Objekti ishte i vizitueshëm nga turistët, gjetëm aty edhe të tjerë. Blem një komplet kartolinash me pamje të Olimpias dhe vijuam udhëtimin për të mbrritur në Kavallë. Udhës, në një pllajë mali binte në sy një shtatore me përmasa të mëdha.Pyetëm z.Krustalis se e kujt ishte ajo shtatore. Ishte e Kollokotronit. I tham se Kollokotroni(Bythëguri) ishte arvanit, shqiptar. Nuk e di, u përgegj ai –dhe pas pak shtoi, ku ta dish edhe ndoshta. Me aq mbeti përgjigja. Nuk u vjen mirë të dëgjojnë që arvanitët janë shqiptarë. Të lodhur nga udha, mbrrijmë në Kavallë qëndër e grumbullimit dhe përpunimit të duhanit. Qëndruam një ditë, vizituam qëndrat e depozitimit të duhanit dhe fabrikat që prodhonin cigaret Karelia, me të cilat ishte i mbytur edhe tregu ynë. Kultivimi i duhanit tek ne u katandis në hiç, kurse fabrikat e cigareve u shkatrruan, dhe tregu mbeti i hapur për prodhimet e huaja, në shumicë greke.

Të nesërmen, udhëtojmë për në janinë, që do të jetë ndalesa jonë e fundit. Në patra, morëm tragetin që do të na hidhte në bregun tjetër, atëhere s’ishte ndërtuar ende ura që do të lidhte dy brigjet. Po hynim në Epir. Në Mesolongj, hasëm përmendoren e Marko Boçarit, çamit suliot, marko trimit,heroit, emri i të cilit është kthyer në legjendë. Përpara kemi Artën. Ajo çfaqet pas gjelbërimit të baçeve me agrume:portokalle, limona, mandarina.Qyteza është rrëzë kodrës, nën kala. Rruga e përshkon mespërmes dhe e ndan qytetin në dy pjesë.Në kala ngrihett një kullë katrore e lartë. Qyteti ka 27 mijë banorë. Ky qytet ka bërë histori dhe ka hyrë në historinë tonë. Kryeqytet i Pirros së Epirit. Thonë se pushtuesit romakë, morën prej aty dhe i nisën në romë 1000 statuja! Arta , tokë shqiptare kryeqëndër e princit shqiptar Gjin Bua Shpata. U aneksua nga shteti grek në vitin1881. Ky ishte fillimi i zbatimit të megalidesë në veri, drejt tokave shqiptare. Qëndrojmë për një kafe. Në tryeza ulur vendës të moshuar, me kapela dhe mustaqe të plota, që më kujtojnë pleqtë tanë. Kur dëgjojnë bisedat tona shqip, bëhen sy e veshë.Me siguri janë çam ortodoksë, që kuptojnë e flasin shqip ,por që nuk guxojnë. Mbi lumin, që grekët e quajnë Arakthos, ngrihet ura legjendare e Artës, në themelet e së cilës ,legjenda thotë se u muros njera nga nuset e urëndërtuesve dhe se ende dëgjohen rënkimet e saj. E di atë baladë dhe qëndroj e sodis urën. Ajo ruhet por nuk përdoret më, ca më larg saj është ndërtuar ura e re.Këto mbresa mi trubullon pamja e statujës së Napoleon Zervës, me veshje ushtari,kapotë të gjatë, fytyrën mbuluar nga mjekra, me dorën drejtuar nga veriu, për në Çamëri, ku ai bëri atë masakër rrënqethëse që s’ka për tu harruar asnjëherë.

Dita është e bukur, e kthiellët dhe me dritë, më duket si një ndriçim i veçantë i tjetërsojtë, ndjehem mirë dhe i emocionuar, ca më tej janë viset e Çamërisë(Thesprotisë), ku janë rrënjët e mia.Po të shkel në truallin e saj, më duket se do të marr forcë si Anteu. Mbrrijmë në Janinë, dikur kryeqëndër e vilajetit me të njejtin emër.Vendosemi për të bujtur në hotel “Pirro”, në qëndër të qytetit, anës rrugës qëndrore që shërben edhe si boulevard ku janinjotët shëtisin mbrëmjeve, si ne dikur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Janina ra nën pushtimin grek në mars të vitit 1913.Në Bezhan, pesë mijë vullnetarë çam dhe të Lumit të Vlorës,perballuan rrethimin në kushte të vështira pesë muaj.Aty ra dëshmor gjyshi im Osmani. Këto vise janë larë me gjak shqiptar.

Në ditët vijuese, erdhën profesorë të ekonomisë nga Universiteti I Janinës dhe zhvilluan tema mbi ekonominë e tregut dhe rolin e bashkësive kooperuese. Organizuan për ne edhe dy ekskursione, njeri për të parë kanionet e malësisë së Pogonit dhe tjetri në Kacika ku ishte qëndra e përpunimit të qumshtit dhe djathit të bardhë, per të cilin greqia ka marrë të drejtën ekskluzive për ta quajtur “Feta”, por që s’ka gjë të veçantë nga djathi ynë i bardhë.


Patëm kohë për të vizituar qytetin. Shëtitëm buzë liqenit, shkuam në ishullin e Shënpandalejmonit, ku Ali Pashait i prenë kokën dhe ja nisën në Stamboll si thotë ajo këmga e njohur ndër ne:”Koka në stamboll e trupi në Janinë”. Vizituam edhe muzeun kushtuar pashait zulmëmadh,Brenda mureve të kalasë, ku gjenden edhe varret dhe xhamia, por thuajse në një lartësi me minaren, arrin shtiza e flamurit ku valvitet një flamur I madh i shtetit grek, për ti treguar vizitorit se aty është tokë greke!. Kemi durim dhe dëgjojmë spjegimet e folëses, në të cilat dëgjojmë ca të pavërteta. I themi se Ali Pasha ishte shqiptar nga Tepelena dhe se në oborrin e tij u rritën dhe u formuan disa nga drejtuesit e revolucionit grek. Atë si ta kishte pickuar gjarpëri, kundërshtoi dhe tha se ai ishte një pasha turk, që i doli i pabesë sulltanit të tij. Brënda muzeut, ishte një statujë e Vasiliqisë, gruas së pashait që i ngjante më shumë një manekini. Edhe për të i thashë se ishte vajzë çame nga fshati Pleshavicë dhe quhej Vasilikë. Ajo më kundërshtoi: në Thesproti nuk ka patur ortodoks alvanos, por vetëm grekë,sa për myslymanët, dihet, ata ishin turq dhe se Epiri, që kur e njeh historia është tokë greke! Ishte e kotë. Për të fjala Çamëri dhe Shqipëri ishin alergjike. Për këtë qëndrim, patëm edhe raste të tjera: hym në një shitore.Pronari, kur dëgjoi që flisnim shqip, na u afrua dhe me një të folme të pastër të Çamërisë, na ftoi të blinim sepse ai kishte mallra të mira e të lira, mund të na bënte dhe ulje. Je çam kristian, e pyeta. Bah ç’është ajo fjalë, jam grek.Po si e flet kaq mirë shqipen? Po ja e kam mësuar ca nga ti, ca nga një tjetër, ashtu, copa copa, se ma kërkon zanati. Jo, e kundërshtova, kjo që flet ti është gjuhë mëme. Ai u mendua pastaj mu kthye: jam nga fshatrat e Pindit. Në behar vinin vllehët nga Çamëria që flisnin shqip dhe e mësova edhe nga ata. Nuk e zgjata më.Ishte e kotë. Frikësohen të deklarojnë kombësinë dhe u ruhen pasojave që mund të kenë. Dihet, edhe pse i ka, Greqia nuk i njeh minoritetet.

Mbrëmanet, shëtisnim edhe ne në bulevardin qëndror që shkëlqente nga dritat. Anash ishin me dhjetra shitore dhe punishte argjendarie. Stolitë, e argjendta, të vendosura mbi kadife të zezë, rrëzëllenin nën ndriçimin e neonit.Më bëri përshtypje bukuria e vajzave në shëtitore, shtat hedhura,belholla, bardhoshe,qafa si e mjellmave. Para do kohësh, kisha lexuar librin e Kazanzaqisit ”Letër el Grekos”, ku dhjetra faqe i kushtoheshin Helenës spartanes së famshme,që u quajt e Trojës. Shkrimtari, me emfazë dhe frymëzim e trajton jo vetëm si bukuri, por edhe si frymë dashurie, e kudogjendur në femrat e tokës greke. Por të jem i sinqertë, në gjithë atë udhëtim, nuk hasa ndonjë “Helenë”. Në Janinë vashat ndrinin nga bukuria dhe hijeshia. Me takt, ja shpreha këtë z. Krustalis.”Ç’është gjithë kjo bukuri?” Ai buzëqeshi “Janë epirote, është bukuria çame, studente në universitetin e këtushëm”.

Udhëtimit i erdhi fundi. E bukur Greqia, por mua më ushtonin në vetëdije fjalët dhe melodia e këngës së njohur ”O ku ka si ti, o Shqipëria ime”.Në aeroportin “Mbreti Pirro”,(edhe pse ne e kemi tonin mbretin Pirro, nuk i kemi ngritur asnjë përmendore apo ti përkujtojmë emrin,grekët po, që ta bëjnë të tyrin.) Morëm një aeroplan të vogël të linjave të brendshme që na zbriti në aeroportin e Athinës, e një Boeing i Olimpikut do të na çonte në Tiranë.Kur hyri në qiellin shqiptar, aeroplani psoi një difekt, nuk zbriti në Rinas, por mori anëdetin dhe u drejtua për në jugë. U shqetsuam dhe pyetëm çpo ndodhte. Ekuipazhi dhe stjuardesat na thanë se ishte një problem pa rrezik dhe se do të zbrisnim përkohësisht në Korfus. Ashtu u bë. Qëndruam dy orë atje, deri sa u riparua difekti, u bë furnizimi me karburant dhe u nisëm e mbrritëm në Rinas.

Tiranë,më 10 mars të motit 2020.

45 views

Shkrimet e fundit