top of page

Të gjithë kemi hedhur gurë


Të gjithë kemi hedhur gurë

Tregim nga Fatmir Terziu


Doktori psikiatër i tha fund asaj dite. I fundit që u pyet e bëri të dorëzohet. Ndërsa po i mbydhte derën, atij të fundit, pëshpëriti me vete. Pastaj ia ktheu me zë specialistit të thirrur për ndihmë nga instancat.

-Do të ta them në fund. – shtoi profesionisti, që kishte kuruar qindra e qindra të tillë më parë, që nga koha e specializimit në vendin e largët mik të atyre viteve.

I fundit pas asaj dere, ku varej bluza e bardhë e doktorit, ia nguli sytë specialistit. Ky i fundit ia nguli atij. Të dy shiheshin si armiq të pamëshirshëm. Shikimet ishin të shtrira e të tendosura deri në rrethin më të skajshëm të syve. Pastaj e gjitha dukej nga mavijosja spontane e rrethnajave të shikimit. Sidoqoftë të dy bënë hapat andej nga zëri, që u erdhi si urdhër. Pasuan atë godinë dhe u gjendën në kahun tjetër ku hapej dera tjetër. Kësaj radhe i përkiste mjetit të transportit. E kështu me shikime të lodhura zbritën duke ndjekur rrjeshtin e të thirrurve.

Sërrish u nis me radhë. I pari, i dyti e deri tek i fundit. Specialisti kishte shumë punë. Mori të dhënat dhe mbajti shënime. Shënoi atë që dinte nga teoria, e atë që kishte fituar nga praktika. Ishte i prerë e i qartë në pyetjet që bënte.

-Sa i përgatitur që qenka, - gati kishin mendimin e njëjtë të gjithë.

Edhe i fundit i kësaj radhe të madhe kishte po këtë mendim. Por ai kishte një ndryshim. Ai vetëm e shikonte. E shikonte po me atë përqëndrim, edhe pse dukej që ishte i lodhur nga ai përqëndrim i shqisave për një kohë të gjatë në sytë e Tjetrit. Edhe pjesa tjetër e shikimit kundërshtar dukej e lodhur. Specialisti nuk donte ta besonte. Në këtë shpërqëndrim vendosi të bënte veprimin e fundit.

Nxori nga xhepi i kostumit të tij të zi një pecetë. E palosi disa herë. E vuri në tryezë. Pastaj e hapi prapë. E palosi prapë. E kështu veproi deri sa sytë e këtij shikimi provokues shkëmbyen veprimet e duarve të tij. Ai nuk i dha shkas të kuptonte nga kjo lojë. As ai nuk e kuptonte pse ai ndërroi destinacionin e syve. Pastaj kur e pa këtë ndryshim të shikimit iu afrua dhe u prezantua.

-Unë jam Xhavit Sholla. – kam njëzetë e pesë vjet që jam specialist i kësaj fushe.

-Qofsh shëndoshë. Unë jam sikurse e ke lexuar, Mexhit Holla, ia ktheu me një të buzëqeshur të lehtë ai që mbante radhën i fundit.

-Unë nuk i kam emrat tuaj në listë. Kam vetëm numra. Ju jeni i 55-ti. Dhe unë kështu ju njoh me këtë numër, pra me numrin 55, ose i fundit i kësaj radhe.

-Atëherë pak rëndësi ka. Unë jam…, fundja jam ashtu sikurse ju duhet juve.

-Jo mua, por këtyre letrave. – ia ktheu specialisti Xhavit Sholla. Po listat, janë vetëm lista. Numra, vetëm numra, e kështu ju nuk do të ekzpozoheni në publik. Ne, më saktë unë, më qartë ata që e ngritur këtë komision duan të dinë të vërtetën. E vërteta na intereson. E thënë më shkurt a mund të na ndihmosh në këtë proces kaq të gjatë, të dhimbshëm e të paqartë.

-Nuk e kam kuptuar dhe ende nuk e kuptoj se çfarë po kërkoni? Sidomos nga unë.

-Ja pra thjesht atë që ju e dini. Më duket se po kalojmë nga tema.

-A mund të më bëni një pyetje të qartë?

-Në rregull. Në rregull. Kush hodhi me gurë?

-Me gurë? Kush qëlloi?

-Po, pra kaq e thjeshtë. Fare thjesht. Shumë e lehtë. Ja vetëm kaq.

-Gurë nuk pashë, le që unë isha në kafenenë përballë, kur ndodhi ajo zhurmë. E pastaj atje në kafene gurët…, gurët ishin si shiu. Nuk e di të ketë pasur mot aq të egër sa ajo ditë. Binin dhe çanin xhama e mure. Hynin e dilnin në tavan e në dysheme, sikur të ishin plumba. Më keq se plumba. Më shumë se plumbat. U bë shosh vendi. Vetëm ne, vetëm ne që gjerbnim kafenë nuk u prekëm nga gurët. Ne bëmë atë që bënim ato ditë si përditësi. Rutinë fare. Fundja ku kishim kohë të mendonim se do të binte ndonjë gurë dhe mbi ne. Ajo që binte ishte nga Qielli. Qielli ishte mërzitur më në fund, se ne… nuk e kishim besuar ndonjëherë se edhe gurët avullojnë, sikurse uji dhe fap kthehen në shi, ore çfarë shiu, rebesh fare. Ne njerëzit aty poshtë as që e kishim idenë e atyre gurëve. Në atë kohë askush nuk e mendonte një gjë të tillë. Ne të gjithë e kishim trupin plotë me gurë brenda. Eh, sa gurë ishin hedhur mbi ne? Gur, ore të keqen e gurëve. Gur që në klasë të parë. Gurë që në Abetare. Gurë…, e ne i kishim konsumuar gurët në trupat tanë. Nuk mendoj se ne kemi hedhur gurë.

-Më duket se po më thumboni? Nejse, unë isha shumë i butë dhe i qartë në atë që ju pyeta. Po ju më duket se nuk më keni kuptuar?

-Nuk ju kam kuptuar? Jo. Ju kam kuptuar shumë mirë. Si mund të mos ju kuptoj kur ju jeni specialisti më i dëgjuar i këtij profesioni dhe në fakt më i miri i të gjithë këtyre viteve. I kuptoj, ore i kuptoj shumë mirë gurët, e kisha fjalën gurët që ju duhen juve nuk i kuptoj në fakt.

-Mua nuk më duhen gurët. Gurët, dua të më tregoni ju, se kujt i duheshin. Në fakt a ju duheshin edhe juve?

-Unë kam qenë gjithnjë i rrethuar me gurë. Gurë, sikurse të thashë që në hapat e parë të fëmijërisë sime, gurë edhe në përalla, gurë në mite, legjenda, gurë në fat, e gurë në inat, gurë në filma. Ja përshembull kur mbaruan përrallat e gjyshes sime të shtrenjtë, unë sillja nëpër mend ndonjë film që na shfaqej të dielave, e aty shikoja ndonjë gurë që hidhej nëpër dritare. Por, vetëm kaq, vetëm me mendime spontave. Mendime me gurë, aq sa të më mbylleshin sytë, të flija e jo ti mbyllja që të mos më hapeshin kurë. Që atëherë gurët më kanë ndjekur nga pas e i kam ndjekur vetë nga pas. Por vetëm me fjalë. Unë kurë nuk kam qëlluar me gurë.

-Ne e dimë që ju nuk keni qëlluar. Duam të dimë se kush qëlloi?

-Ju nuk do të më kuptoni. Por të paktën më dëgjoni të mbaroj. Gjyshja ime më thshte se në fisin tonë, çdo ditë që nga sa mbahej mend në katër breza kemi mbledhur gurë e gjithë ata gurë i kemi hedhur në det. Kishte thënë i pari fisit tonë njëherë e një kohë dhe e thëna e tij ishte detyrë, respekt, përkushtim, trashëgimi, traditë. E ne të gjithë, deri tek unë i fundit, ditë për ditë zbatonim atë që kishte thënë ai, i qoftë shpirti në Parajsë, hidhnim nga një gur në det.

-Në det? Nga këtu deti është larg. Si e bënit këtë? E nejse, … më thuaj përgjigjen për pyetjen time, këto përralla nuk më interesojnë.

-E shikon, që nuk je i duruar. Atë po bëj po mundohem të të përgjigjem. Detin asnjëherë nuk e kemi pasur larg. Ne kemi jetuar shekuj të tërë me të. Ai na u ka gjendur dhe i jemi gjendur. Në të mirë e në të keq. Pastaj e di ti se çfarë do të thotë trashëgimi e Fjalës, traditë e fisit? Eh, more specialist, eh. Gurët e fisit ndryshojnë nga gurët e pisit. Kaq kisha unë dhe tani, nuk e di a e kuptove fjalën e përgjigjen time, se ti je dhe me shkollë të madhe?

-Gurët në det, gurët e fisit, gurët e pisit… Natyrisht e kuptoj, se edhe unë këtu kam jetuar dhe këtu jetoj. Por doktori, doktori psikiatër pse dështoi. A thua vallë dhe ai nuk ju kuptoi?

-Ore punërat tuaja i dini vetë ju. Ne gurët i hodhëm në det se po të mos i kishim hedhur e mendoni se çfarë do të na kishte gjetur?

-Çfarë do të ju kishte gjetur?

-Nuk mund të them se më tutje do më duhet të shpjegoj fatin e shkuar. Kaq munda të them, kaq kisha për të të treguar.

-Do të thuash se kishit bërë mirë dhe prandaj shpëtuat?

-Nuk e di nëse shkoni tek lista, numrat në këtë rast, apo tek emri. Por e di që ju kot nuk shkuat tek 55-a? Ky numër ju kujtohet fare mirë.

-Përjashta! Përjashta! – ulëriti i zëmruar specialisti.

Të Tjerët prishën rrjeshtin ndanë asaj godine. Në anën tjetër mjeku psikiatër kishte ngritur jakat e bluzës së bardhë duke bërë më afër derës së hekurt ku qëndronte specialisti. Sa bëri që ti binte derës, dera ishte thuajse gati e gjysëmhapur. Në derë u shfaq specialisti. Doktori psikiatër dhe specialisti u panë sy më sy. Erdha të ta them atë pëshpëritjen time. Nuk u interesonte më rrjeshti i shprishur, për të cilin ishin përkujdesur aq shumë disiplinarisht ato ditë. Pastaj bënë sikur prisnin radhën për të folur.

-Eh, po dështojmë,- tha i pari specialisti.

-Dështim? – ngriti supet doktori psikiatër.

-Po si ta quajmë ndryshe? – ndërhyri menjëherë specialisti.

Unë e di. E di dhe e kuptova nga shikimi i qartë i atyre syve. Pa atë shikim të qartë e të prerë, të saktë e të drejtë, më parë nuk do ta kisha kuptuar kurë, se në të gjithë, edhe ne të dy, duhet të kishin hedhur me dashje, apo padashje disa gurë. Po, po edhe ne duhet të pranojmë se kemi gurë. Pastaj u ripanë më të vendosur sy më sy. E dukeshin ndryshe, krejt ndryshe. Ishin tashmë të mirëkuptuar. Duhej ndryshuar. Fundja të dy kishin studiuar e specializuar dikur në të njëjtin vend mik të huaj.

-Po, pra të gjithë kemi hedhur gurë mbi atë ....?!

37 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page