TË GDHENDËSH VJESHTËN
Nga Timo Mërkuri
Leximi i poezisë së Peso Pemzës “mozot e m‘ke harru” publikuar prej saj në fb në datën 15.11.2023 të le mbresa qysh në leximin e parë me atë të verdhën e vjeshtës së tretë nëpër vargje, një të verdhë të theksuar e cila ngjyros me vjeshtërinë e saj jo vetëm fjalët, por edhe imazhin e saj poetik. Melodiciteti i gegnishtes së poetes është një tipar i veçantë sugjestiv që rrjedh në vargjet e poezisë së saj si gjaku i ngrohtë në trupin e një vashe në moshë fejese, ku shspesh mjafton edhe vetëm shikimi i ose timbre i zërit të saj të të ndezë si zjarr parafytyrimin.
I-Poezia "Mozot m'ke harru" mund të interpretohet si psherëtimë dhimbjeje e një vashe, të cilën fati që nuk e ka favorizuar në fejesë,ndërkohë që mosha po kalon: “edhe pak vjeshtë m‘ka mbetë”. Duke e parë nga kjo perspektivë, mund të shprehim aktualitetin e saj me fatin e vajzave, jo vetëm në zonat rurale që mbeten pa martuar pse djemtë kanë ikur në mërgim dhe skanë ndër mend të kthehen. Ne le të vërejmë elementët që shfaqin ankthin apo trishtimin për këtë dëshirë që vonon të realizohet:
Poezia qysh në fillim shfaq një kërkesë për të arritur diçka të vonuar për tu ardhur, ndjenjë që shihet qysh te vargu i parë: "Mozot m'ke harru", i cili në lexim tingëllon edhe si një qortim apo lutje ndaj Zotit: “ Mos o zot, (pse) më ke harruar”. Nëse do ta interpretojmë në këtë sfond, kujtimet e bukura të një ambienti ("çikat ner vade t'dame/t'shejume me pika kane") shtojnë trishtimin në ndjenjën e vonimit të fatit të dëshiruar të heroinës.
Përdorimi i figurave letrare dhe simbolikave, si ngjyra e vjeshtës, përforcojë këtë interpretim, ku vjeshta, si stinë e dasmave, e shfaq në formë ngjyre dhimbjen e trishtimin e heroines. Këtë e përforcon edhe fakti se ngjyrën e verdhë kanë edhe të sëmurët rrëndë.
Në këtë mënyrë, ky interpretim i poezisë shfaq një ndjenjë të thellë të dëshirës së parealizuar, një kërkesë të dhimbshme për të gjetur fatin apo për të realizuar një synim të rëndësishëm, që për ndonjë arsye vajza nuk mund ta realizojë vetë.
Kjo lutje Zotit, mosveprimi i vajzës për të gjetur dashurinë e vetë si dhe tingulli melodioz i gegnishtes na shfaq sfondin tradicional në poezi, të një kohe “të vjeshtëruar” ku fejesa dhe martesa shiheshin si “fat nga Zoti”.
II- Interesante është struktura artistike e poezisë e shprehur me metafora, imazhe dhe simbolika shumëplanëshe, dhe në analizojmë vargun: "Pllambën e dorës e kam ngjy/ me dy gishta vjeshtë." për këtë dukuri jo të shpeshtë në poezinë shqipe:
Metafora "Pllambën e dorës e kam ngjy/ me dy gishta vjeshtë." nuk është përshkrim i drejtpërdrejtë i dorës së heroinës, por është një përshkrim i veçantë që shfaq ndryshime apo përvoja të jetës së saj. Përdorimi i "dy gishta vjeshtë" si elementë që ngjyrojnë pllambën e dorës ka një konotacion të thellë simbolik të përvojave vajzërore apo transformimeve të kaluara.
Pëllëmba e dorës e ngyrosur me “dy gishta vjeshtë” shfaq gjithashtu një imazh të thellë dhe ka mundësi të përshkruajë një kohë të ndryshuar, maturi ose një kthesë në jetën e heroinës. Përdorimi i ngjyrës së gishtave në vjeshtë dhe lidhja me pllambën e dorës paraqet një imazh të pasur dhe të ndjeshëm, që mund të lidhet me një kuptim të brendshëm apo emocional të heroinës.
Gishtat e ngjyrosur me ngjyrën e vjeshtës mund të paraqesin një ndryshim në mënyrën e të menduarit apo të ndjekjes së jetës. Vjeshta si stinë e vitit paraqet një kohë të ndryshimeve dhe përfundimit të një cikli (vajzërisë), ndaj edhe përdorimi i saj si simbol mund të lidhet me kuptim të proceseve të rëndësishme në jetën e heroinës.
Këto këndvështrime të këtij vargu poetik përdoren për të shfaqur ndryshime, përvoja ose kthesa të rëndësishme në jetën e heroinës, duke i dhënë poezisë një thellësi emocionale dhe simbolike dhe një dimension të thellë në interpretimin e poezisë, duke e bërë atë më të pasur në kuptime dhe ndjenja.
III- Le të shohim metaforat, simbolikat dhe imazhet n me të cilat flet poetja.: "Mozot m'ke harru" shprehet poetja me fjalë që janë më shumë një lutje, kërkesë e thellë emocionale, e cila ndjek një lloj metafore. Ajo përfaqëson një mungesë apo një ndjenjë të braktisjes apo harrese dhe duke ju drejtuar Zotit i bën me dije praninë e saj. Kjo është e dukëshme të vargu pasardhës: "Lehtë a me m'gjetë” varg që është një lloj metafore për të ndihmuar në gjetjen e saj nga Zoti.
Në lidhje me imazhin "Pllambën e dorës e kam ngjy/ me dy gishta vjeshtë” folëm më, por strukturalisht dhe artistikisht lidhet organikisht me vargun:"Si dikurë çikat ner vade t'dame/t'shejume me pika kane" imazh që na dëshmon për një kohë të kaluar të lumtur dhe të pasur me një imazh të vajzave të shenjuara (për fejesë) dhe të pikave të kënas (ngjyrës) si një element i veçantë që paraqet këtë kohë të bukur. Mos ka qenë e fejuar vallë, apo ca më tepër e martuar? Ky dimension i ri i hamendësuar shton tragjizmin e poezisë dhe dhimbjen tonë.
Vargu:"Nuk jam veç andërr/qe duhet harru": e shprehur në një lloj metaforë, shfaq dhimbshëm se heroina nuk është thjesht një iluzion, një ëndërr e cila mund të harrohet në mëngjes. Ajo është një vajzë, grua njeri me një oqean dëshire për të jetuar jetën dhe jo të jetë një murranë kujtimesh.
Praktikisht, të gjitha këto përdorime janë në natyrë metaforike, por secila shpreh një ide ose një imazh specifik në mënyrë të ndryshme. Në këtë mënyrë, poetja krijon një peizazh të pasur emocional dhe imagjinativ, duke përdorur figura letrare me densitetin e gjetheve në një pemë, për të shprehur ndjenjat dhe kujtimet e saj në një mënyrë të ngjashme me një film artistik me ngjyra.
IV- Poezia "Mozot m'ke harru" të Peso Pemzës shfaq disa tipare karakteristike të poezisë moderne:
Së pari duhet të themi se poezia ka një tonalitet të ulët, gati si një të folur me vete, si një pëshpërimë apo një lutje në heshtje Zotit në kishë. Ky tonalitet i ulët dëshmon për një botë shpirtërore të trazuar të heroinës, duke shfaqur një aspekt të modernitetit të poezisë.
Poezia nuk ndjek një strukturë të rregullt apo tradicionale në lidhje me rimën, mënyrën e organizimit të vargjeve apo strukturën e strofave. Ajo ka liri të madhe në mënyrën se si përdor gjuhën, ndërtimin e strofave dhe organizimin e mendimeve, madje dhe aspektin tradicional e përdor si një sfond (të bukur) poetik. Duhet të themi se pikërisht sfondi tradicional poetik i kësaj poeteje është një risi më vete në poezinë moderne shqipe, e nevojëshme për tu studiuar më vete.
Poezia përmban një ndjesi të thellë të një harrese apo braktisjeje, bashkë me një kujtesë melankolike për të kaluarën, duke shprehur kështu tiparin modern të poezisë, e cila merret me botën e brendëshme shpirtërore të individit. Këto ndjenja transmetohen nëpërmjet dhimbjeve dhe kujtimeve të shprehura në mënyrë të ndjeshme. Të kuptohemi, poezia moderne reflekton realitetin e jetës moderne, duke përshkruar sfidat, çështjet dhe kontradiktat e kohës sonë. Ajo ka tendencën të shprehë reflektimin e kushteve shoqërore, politike dhe kulturore të kohës së saj.
Pemza përdor figura letrare si metafora, simbolika dhe imazhe për të shfaqur botën e saj shpirtërore: kujtimet, ndjenjat dhe kërkesat e saj. Këto figura i japin poezisë një thellësi të jashtëzakonshme dhe e bëjnë atë të shprehë modernisht emocione të thella dhe komplekse dhe përdoren për të qartësuar mesazhin poetik dhe ndjenjën që transmetohet.
Heroina shfaq një dëshirë të fortë për të ruajtur kujtimet e bukura, duke i kthyer ato në një mënyrë të veçantë në kujtesën e saj, kërkesë e cila ka një peshë të veçantë në poezi dhe që shfaq botën e saj të brendëshme.Poetja përdor detajet e vogla të kujtimeve, si ngjyrat, objektet apo imazhet, për të paraqitur një kohë të humbur apo një emocion të veçantë, detaje që rrisin thellësinë dhe intimitetin e poezisë, tipar i modernitetit poetik.
Përdorimi i imazheve të natyrës dhe stinëve si vjeshta përforcon ndjenjën e kohës që kalon dhe ndryshimet që vijnë, ku këto elementë natyrore shërbejnë si simbole për transformimin dhe përvojat në jetën e autorit.
Këto karakteristika e bëjnë poezinë e Peso Pemzës të shkëlqejë për intensitetin e ndjenjave, për ndërtimin e imazheve të forta dhe për qasjen e thellë emocionale në përshkrimin e kujtimeve dhe emocioneve të një periudhe të kaluar.
V- Dhe mbi të gjitha kjo ngjyrë e verdhë vjeshte në poezi, që të lbyr sytë me vjeshtërinë e saj (të stinës apo moshës së heroinës), shfaqur në çdo skaj të vargut që flet shumë koncepte dhe emocione të veçanta sepse:
Vjeshta është një stinë që shënon ndryshime të dukshme në natyrë, nga ngjyrat e gjetheve deri te temperatura. Kjo ngjyrë ka një lidhje të thellë me transformimet dhe ndryshimet në jetën tonë. Në poezinë "Mozot m'ke harru", ajo përfaqëson kohën apo moshën që kalon dhe ndryshimet që vijnë me të, ndërsa heroina përjeton një kthesë (dimërore) në jetën e saj.
Edhe pse vjeshta është një stinë e bukur, ajo ka një ndjenjë melankolie dhe një kuptim të thellë të nostalgjisë për kohën që po kalon dhe për humbjet që mund të vijnë me të. Poetja përdor ngjyrën e verdhë për të shprehur këto emocione të buta, por të thella.
Ngjyra e verdhë frymëzon poetën për të përdorur detajet e vogla të natyrës, të cilat shpesh shfaqen me ngjyrën e vjeshtës, për të shprehur kujtimet dhe ndjenjat në një mënyrë të veçantë dhe të detajuar.
Përdorimi i ngjyrës së verdhë në poezinë "Mozot m'ke harru" përforcon emocionet dhe kuptimet e një stine të veçantë, si dhe lidhjen e tyre me kohën dhe ndryshimet në jetën e heroinës. Kjo ngjyrë shpesh ka një ndjenjë të pastër dhe të thellë të kohës së kaluar dhe të së ardhmes, duke i dhënë poezisë një aspekt të veçantë emocional dhe vizual.
VI- Kjo poezi është shpërthim shpirtëror i një poetëje të talentuar. Kemi thënë shpesh që arti është talent i lindur dhe jo produkt i kultivuar (në shkolla) njësojë si gruri, i cili është produkt i farës së mbjellur dhe jo i punimit të tokës. Punoje tokën në daç qilizëm të thellë e në daç plugim të lehtë, lesoje e plehëroje me të gjithë llojet e plehërave kimike dhe organike bashkë, por po nuk ke hedhur farën e grurit mos prit të mbijë grurë. Çdp gjë mund të mbijë në atë tokë, madje barishtet e egra mund të rriten një bojë njeriu, por grurë nuk do mbijë. Variteti i grurit dhe rendimenti i tij janë arritje shkencore dhe kërkojnë një arsimim të veçantë, por këto, pavarëisht rëndësisë së tyre janë faktorë të jashtëm që ndikojnë te rendimenti dhe cilësia e prodhimit, por jo te llojshmëria e tij. Kështu edhe talenti krijues është fara e artit poetik, prozë, pikturë etj, niveli artistik i tyre është në varësi të nivelit krijues të përfituar në arsimim, lexim etj. Peso Pemza ka një talent original, të cilin e ka ngjitur në shkallën e poezisë modern duke përdorur mjeshtërisht edhe sfondin poetik tradicional, dhe sidomos duke na sjellur thesarin leksikor dhe melodioz të dialektit të bukur gegnisht. Kam shumë dëshirë të lexoj poezi prej saj dhe mendoj se nuk jam i vetmi. Sdi pse te kjo poezi më duket si e gdhendur vjeshta.
Sarandë, më nëntor 2023
mozot e m‘ke harru
lehtë â me m‘gjetë
pllamen e dorës
e kâm ngjy
me dy gishta vjeshtë
si dikurë çikat ner vade t‘dame
t‘shejume me pika kane
kqyrëm
nuk jam veç andërr
qe duhet harru
as zhganërr qe dikuj i ka tepru
n‘ardhsh para bore
edhe pak vjeshtë m‘ka mbetë
mi shuplakë dore
15.11.2023
Comments