Prof. Dr. Andrea Shundi (SHBA), Agr. Rexhep Kryeziu (Zvicër)
(Simpozium shkencor mbarëkombëtar “Ardhmëri dhe vlera të Vrançit”, Rahovec 19-20 qershor 2018)
Në trojet ilire shqiptare, vreshtaria dhe verëtaria janë veprimtari disa mijëravjeçare dhe bëjnë pjesë në vatrën tejet të moçme europiane për prodhimin e rrushit e të verës. Kjo e vërtetë dëshmohet: me gjetjet arkeologjike (venari, pitose, mozaikë etj.) ku spikatin farat e rrushit me moshë tetëmijë vjeçare të zbuluara në shpellën e Konispolit më 1995, me prejardhjen vendëse ose të brumit të shqipes sikurse pohojnë akademikët Eqerem Çabej e Kolec Topalli dhe prof. Bardhyl Demiraj për fjalët bërsi, calik, ereke, gaviç, hardhi, kacë, kade, kizë, lagjin, larushk, pjergull, rrush, uthull, vile, vjel, vëneshtë, vreshtë etj., po ashtu me kultivarët dhe ekotipet e popullatat vendore të vyera e të larmishme të hardhisë, me përhapjen anekënd të vreshtarisë deri në 1400 m lartësi mbidetare.
Gjenoma ilire shqiptare e hardhisë, me rrënjëzim qysh me rrugëtimin e saj nga Kaukazet drejt vendeve të Mesdheut, ka mundësuar përmirësimin dhe larminë, ku shquhen: kultivarët Kallmet e Vranç në Shqipërinë e Epërme dhe në Kosovë, Sheshet dhe Cëruja në Shqipërinë e Mesme, Debinat – Pulsi – Serrinat dhe Vloshi në Shqipërinë e Jugut.
Qysh para erës së re, dijetarë grekë dhe romakë si Herodoti, Kato, Plini, Straboni, Virgjili kanë shkruar për vlerat e vreshtave dhe të verërave ilire. Plini i Riu shkruan “Si për çudë, këtu në Skadrion/Shkodër pijnë verë edhe gratë!”. Ndërsa profesori gjeograf Henri Enjalbert (1910-1983), njohësi më i mirë i gjeologjisë së trevës verëtare Bordo në Francë, shkruan “Trojet shqiptare janë ndër vatrat dhe vendet me histori më të gjatë për vreshtari në Europë”.
Arbëreshët në Itali, arbërorët/arvanitasit në Greqi, shqiptarët në Turqi, arbnorët në Dalmaci, kur mërguan nga Iliria/Arbëria morën me vete traditën vreshtare e verëtare si edhe ekotipa hardhish. Në këto vende të shquara për vreshtari e verëtari, shqiparët e hershëm e gjetën vendin e tyre edhe në këto veprimtari: kanë vreshtat dhe venaritë e tyre, selitin ekotipe hardhie me emërtime shqip sikurse Arb, Asprun, Hardhagjel, Muhtari, Muskarjel, Pasularë, Risait, Ruxh, Sisëlopë, Varruxi, Virdhan, Zagarezë etj., përdorin terma dhe fjalë të urta nga të cilat kemi hulumtuar 600 dhe shumë nga to janë të shqipes së dëlirë si p. sh. biljezë për fidan, çil për syth, kryerinë për bucelë, lisarjel për pjergull, mbroní për vozë, ncëtim për shartim, nxitë për shartesë, pishnesë për dolli, shtrydhore për trokull etj. Po ashtu fjalët e urta shumë shembulluese: “Buk e ver dhe më gjë/kam gjithë të mirat”, “Duhi mir, si buka e vera”, “Si isht biljeza/fidani, vjen hardhia”, “Vilen rrence/të vonë mos e vjel” etj.
X
X X
Në këtë kuvend shkencor jemi tubuar për Vrançin sepse është pjesë e traditës së kahershme vreshtare dhe verëtare mbarëshqiptare, çka dëshmohet me të dhëna dokumentare
1. Në rrafshin dhe vështrimin etnografik e gjuhësor etimologjik, prejardhja/gjeneza e fjalës vranç lidhet me dy burime themelore.
Fjalën uran – planet që ka pamje disku me degëzim të errët, veçanërisht shumë malësorë shqiptarë - shkronjën e parë u e shqiptojnë v, prandaj fjalën uran e shqiptojnë vran; në këtë mënyrë, Kont Urani quhet edhe Vrana Konti. Burimi i dytë prejardhës i fjalës vranç a vraçe/vrançe apo vranc ose vraninë është vështrimi gjuhësor i mirëfilltë i saj. Në fjalorët etimologjikë të akademikëve Çabej e Topalli, në fjalorin e gjuhës shqipe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe në atë të autorit Mehmet Elezi, por gjithashtu në të folurën e përditëshme, fjala vranç do të thotë at/kal i zi si edhe burrë i fuqishëm e flokëzi i pashëm, ndërsa fjala vrançe = pelë e zezë. Pra në shqip do të thotë kryesisht kalë i zi kurse në gjuhët sllave nënkupton korbin e zi. Këto emërtime I dëshmon gjithashtu shkrimtari çek Isaac Solomon Kapper (1821-1879), i cili ka vizituar fshatrat e mëhallat përreth veriut të liqenit të Shkodrës (Vraninë, Cermnicë, Katun, Kuç, Leshan), shkruan se një lloj rrushi dhe vere, disa njerëz e quanin Vranç = At/Kal i Zi dhe disa të tjerë e quanin Crni Vranac = Korb i Zi.
Fjala vranç vjen nga ajo që nënkupton ‘i vranët/i vrenjtur’ ose ‘i ngrysur/’i vrugët’/’i zymtë’, përdorur edhe nga Buzuku, që perifrazohet me qiellin e veshur me re shiu, me njeriun e ngrysur dhe të zymtë. Në Rahovec përdoret shprehja “Rrushi dhe vera Vranç janë ngjyrëzezë si ati i gjyshit tonë”. Kemi të bëjmë me një fjalë të mbarë gjuhës shqipe. Për më shumë, fjala vranç është njërrokëshe, çka përbën dukuri tipësore për gjuhët e moçme sikurse ilirishtja - shqipja.
Tradita e emërtimit të rrushit duke e krahasuar me ngjyrën e kafshëve dhe të shpendëve është ndërkombëtare: francezët e emërtojnë Merló sepse ngjan me mëllënjën e zezë, në Kaliforni është Shoqata e verërave “Dark horse”/”Kali i errët” etj.
Në përmbyllje të kësaj teze gjuhësore, lashtësia e fjalës vranç mund të dëshmohet edhe me klasikët e moçëm shqiptarë si Gjon Buzuku e Pjetër Budi dhe me kalorësin gjerman Von Harf, të cilët qysh përgjatë shekujve XV-XVII shkruanin fjalët vraç e vranç, vraçe e vrançe.
Emërtimet e vendeve, etnografia, përbëjnë rrafshin tjetër dëshmues për Vrançin. Në këtë drejtim shquhen emërvendet Vrajacë në Kaçavoj afër qytetit Bajram Curri, Vrane – mëhallë dhe emërruge në Tuz, Vraninë emërishull dhe kalaje në liqenin e Shkodrës ku luftoi legjendari Oso Kuka dhe poeti kombëtar Gjergj Fishta e përjetësoi te “Lahuta e Malcis”, po ashtu Vranjë afër Kumanovës. Gjithashtu qyteza Vranje në Serbinë e jugut, me popullsi shqiptare dhe sllave. Vranina ndodhet në cep të anës veri-lindore të liqenit të Shkodrës, rrëzë Alpeve shqiptare prandaj si uji i liqenit në këtë bërryl, është vend që nuk diellzohet sa duhet, vend sadopak i ‘errët’. Të gjithë këto emërtime, nga vrançi deri te vranina, përkojnë me ngjyrën e zezë apo të errët.
Nisur nga këto emërtime, edhe në Austri, Gjermani, Hungari, Zvicër etj., hardhia dhe vera Vranç quhen Vranik, sikurse venaria “Tradita” në Rahovec, që verën e ka emërtuar “Vranina”.
2. Rrafshi dhe vështrimi i dytë i madh dokumentar për Vrançin janë ato historikë dhe shoqërorë për të.
Labeatët, fisi i madh ilir i cili banonte përreth liqenit të Shkodrës, ishin selitësit dhe përzgjedhësit e parë të hardhisë Vranç, ata që prodhonin dhe shijonin këtë lloj vere. Këtë traditë, dardanët e përcollën dhe e përmirësuan më tej. Në trojet ilire shqiptare, vreshtaria e verëtaria, përfshirë Vrançin, janë në shtëpinë e vet qysh disa mijëravjeçarë më parë, ndaj sllavëve të cilët në gadishullin ilirik nisën të dynden nga fundi i shek. të VI dhe fillimi i shek. të VII. Hardhitë Vranç, ata i gjetën të selitura shumë kohë përpara në trojet arbërore. Me qenë se vinin nga vende të ftohta, sllavët nuk e njihnin vreshtarinë dhe nuk sollën kalema hardhie prandaj u morën me mbarështimin e hardhive kur u vendosën në gadishullin ilirik. Pra kemi të bëjmë me një ndryshim kohor shumë të madh dhe aq më tepër përkatësie të ekotipeve të hardhisë midis popullsisë vendëse dhe kolonëve sllavë. Studiues malazez shënojnë se vatra e Vrançit është fshati Cermnicë, shumë pranë liqenit të Shkodrës; por njihet se fshatrat rreth këtij liqeni janë me popullsi shqiptare. Ndërkaq fqinjë të ndërthurur me Cermnicën janë Selca, Gadenja e Krrica, që siç argumenton profesori gjeograf Nail Draga nga Ulqini, janë tri vendbanime me popullsi këlmendase e cila vijon të merret me vreshtari e verëtari.
Në librin “Vreshtaria dhe verëtaria shqiptare”, që më 2004 e kam shkruar me prof. Ahmet Osja, shënojmë: “Familjet e mëdha dhe principatat arbërore të Çinnajve në shek. VII-VIII dhe të Balshajve në shek. XIV, hardhinë dhe verën Vranç e kishin simbol të tyre”.
Vreshtat me Vranç, si shtrirje gjeografike kaptojnë brezin tërthor me shtrirje nga veri-perëndimi në jug-lindje të trojeve shqiptare, pra në kuptimin kryesisht të Shqipërisë së Epërme, me përqendrim më të madh në vreshtarinë e Anadrinit e sidomos të Rahovecit e të Therandës.
3. Rrafshi dokumentar i tretë kryesor për Vrançin ka të bëjë me vështrimin vreshtar e verëtar, veçanërisht me botimet e autorëve të huaj dhe shqiptarë (B. Koronica, R. Kryeziu, L. Susaj, A. Shundi etj.). Në sythet e botimeve tona për Vrançin jepen sinonimet Vraç, Vranc dhe Vraninë. Në “Fjalor ampelografik” të Herman Goethe botuar më 1878, kultivari Vranç quhet Vranik, pra ka emërtim më të afërt me Vraninën tonë. Britanikja Jancis Robinson, kritike botërore për verërat, shkruan se “Vranac ka sinonimet Vranç, Vranec, Vranek, Vranik. Shumëllojshmëria ampelografike dhe e sinonimeve dëshmon për lashtësi të këtij kultivari. Përmes shqyrtimit me ADN janë shpërfaqur marrëdhëniet farëfisnore të tij me kultivarin Primitivo, prandaj në vreshta vërehen përzierje varietore midis këtyre dy kultivarëve”.
Përmbledhtas, po paraqesim veçori spikatëse të Vrançit:
Hardhi shumë e fuqishme, bulëzon herët dhe rrushin e pjek afatmesëm, parapëlqen krasitjen e shkurtër dhe atë të bashkërenduar, duron thatësirën po jo aq shumë ngricat, e ndjeshme ndaj kalbëzimit rrënjor dhe atë të rrushit
Rrush kokërrmadh e me prodhimtari të lartë prandaj përdoret edhe për ngrënie sikurse rrushi Shesh etj., përmban shumë sheqer dhe ka lëvore të hollë.
Verë ngjyrëkuqe në të purport e në të zezë dhe e fuqishme si edhe me ngjyrë si ati/kali i zi. Fenole-glicerinë-tanin e thartorë/acide përmban me mbushullim; ka erëmirim frutash pylli e kumbulle dhe shije hidhërake të ëmbël si vera Primitivo, por ka edhe shije minerare sepse hardhia rrënjëzon shumë thellë. I a vlen të moshohet për 2-3 vjet sepse i përkryhet tufa/buketi me amësime/erëmirime dhe merr shije fundore më të gjatë e të butë.
FOTOT E SHISHEVE TE VERES KETU
Kuptimplotë është fitimi i medaljeve dhe i Çmimeve me verërat Vranç, në konkurse ndërkombëtare të zhvilluara në Francë, Gjermani, Bullgari, Kinë etj. Verëra të prodhuar në venaritë e Rahovecit: tri të tilla të prodhuara nga Bodrumi i Vjetër, një nga Labi Wine, një nga Sefa Wine etj.
Vreshtat me Vranç, në Kosovë arrijnë 500 ha, duke përbërë afro 20 për qind të vreshtave në Rahovec. Po ashtu në Kosovë, hardhia dhe vera Vranç janë të parat për nga prodhimi i rrushit të zi dhe i verërave të kuqe. Në Shqipëri seliten 120 ha dhe në troje shqiptare në Mal të Zi seliten 70 ha vreshta me Vranç. Në Kosovë numërohen 19 venari ku prodhohen 3.4 milion litra verë Vranç, baraz me 34 për qind të prodhimit vjetor të verës. Në Kosovë kemi 1400 vreshtarë pronarë të vreshtave me Vranç dhe 19 venari prodhuese të Vrançit. Rahoveci është jo vetëm kryeqendra e vreshtarisë dhe verëtarisë mbarëkombëtare, por gjithashtu e Vrançit. Tregues tjetër domethënës është shtimi në vijimësi i sipërfaqeve me vreshta dhe përmirësimi i cilësisë së verës Vranç. Në Shqipëri janë të regjistruara 5 venari prodhuese të Vranacit a Vrançit, me seli në Durrës, Gjirokastër, Pogradec dhe Tiranë.
X
X X
Në këtë Simpozium po parashtrohen prurje shkencore për Vrançin shqiptar, për shkak të leverdisë shumëpalëshe, duke mbështetur e nxitur mëtej këtë visar kulturor dhe ekonomik mbarëkombëtar. Po rivlerësojmë verërat e vendit sepse kanë cilësi veçorizuese, aq të pëlqyera edhe nga turistët e tregu i jashtëm, tashma i velur nga verërat ndërkombëtare sikurse Kabërne Sovinjo, Merló, Shardone etj. Por kjo e vërtetë nuk nënkupton mbylljen në vetvete, sepse globalizmi është kudo i pranishëm. Prandaj krahas verërave Kallmet, Debinë, Shesh, Vranç etj. do të vijohet me ato ndërkombëtare, por duke shtuar cilësinë, në mënyrë që të përballohet konkurenca e tregut.
Në përfundim, ndonjë drejtim për ecurinë e Vrançit do të ishte:
- Ndërmarja e një Projekti madhor nga Departamenti i vreshtarisë dhe verëtarisë së Kosovës lidhur me përmirësimin gjenetik të hardhisë vendëse, përfshirë kultivarët Dibrak/Zarçin, Melnik, Prokupë, e sidomos Vranç. Nëpërmjet këtij Projekti njëjtësohet/identifikohet gjermoplazma e tyre, krijohet koleksioni dhe kryhet eksperimentimi krahasues i ekotipeve dhe kultivarëve vendës, prodhohen klonet përkatëse.
- Shumimi cilësor i hardhisë Vranç, duke krijuar vreshtin mëmë nga do të merren kalemat për prodhimin e fidanëve dhe do të fillojë përzgjedhja klonore prej kultivarit Vranç. Në këtë rrjedhë, krijimi në Rahovec i fidanishtes gjithëmbarëshe për prodhimin e fidanëve të hardhisë përfshirë Vrançin dhe subvencionimi i saj, përbën pikënisje themelore për përhapjen më tej të vreshtave me Vranç.
Krahas krijimit të kloneve, synmi tjetër shkencor në ndihmë të verëtarisë është prodhimi i majave të përzgjedhura për verën Vranç, sikurse duhet kryer edhe për Kallmetin, Sheshin, Debinën etj.
- Organizimi çdo dy vjet i Simpoziumeve për Vrançin dhe kultivarët vendës të tjerë. Botimi i kumtesave të këtij Simpoziumi dhe për veprimtarive e tjera lidhur me kultivarët vendës.
- Vreshtat me Vranç mund të synohet që të mëse dyfishohen, duke arritur 1.000 ha e më shumë në vitin 2030. Krahas Rahovecit, këto mund të shtohen gjithashtu në komunat e tjera të Rrafshit të Dukagjinit, sikurse edhe në Shqipëri e troje të tjera shqiptare në Maqedoni e Mal i Zi.
- Fuqizimi i bashkëpunimit institucionor midis Kosovës e Shqipërisë në lëmin e vreshtarisë dhe të verëtarisë vendëse.
- Mbështetje shtetërore më e madhe për hardhinë dhe verërat vendëse, duke i përqendruar investimet te Projekti i përmirësimit gjenetik, te ngritja e fidanishtes, te mbështetja e venarive prodhuese të verërave vendëse, te organizimi i Shoqatës së verërave vendëse dhe i një shitoreje të posaçme për tregtimin e tyre etj.
Përfundim i përfundimeve të kësaj kumtese: Vrançi është pëlqyer qysh kaherët prej shqiptarëve, e pëlqejnë sllavët por edhe popuj të tjerë. Po ashtu, gjenoma e bimëve është pasuri kombëtare, krahas ndonjë ndërthurje me gjenomat përkatëse të vendeve fqinjë, çka vërehet edhe te kultivarët e hardhisë në Europë etj. Vrançi është kultivar shqiptar, por pa mohuar se Vranaci mund të jetë kultivar sllav. Matjet ampelografike dhe analizat e ADN –së që kemi ndërmarrë me institucionet ndërkombëtare, do të vërtetësojnë afrimet dhe dallimet midis Vrançit e Vranacit. Pikësynimi themelor është rritja e prodhimit dhe sidomos e cilësisë së rrushit e verës Vranç, institucionalizimi i mëtejshëm në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ju faleminderit për vëmendjen!
Botime të përdorura:
Çabej Eqerem: “Studime etimologjike në fushë të shqipes” Tiranë 1976-2006
Draga Nail: “Etnia dhe Hapësira” Ulqin 2017
Elezi Mehmet: “Fjalor i gjuhës shqipe” Tiranë 2006
Henri Enjalbert: “Histoire de la vigne et du vin” Paris 1975
Koronica Bashkim: “Vreshtaria” Prishtinë 1996
Kryeziu Rexhep: “Nga hardhia deri në gotë” Biberstein – Zvicër 2011
Robinson Jancis: “Rebsorten und ihre Weine” 2012
Robinson Jancis, Harding J., Vouillamoz J.: “Wine grapes” Penguin Books 2012
Susaj Lush: “Ampelografia” Tiranë 2010
Topalli Kolec: “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” Tiranë 2017
Thomai Jani dhe grup autorë të tjerë: “Fjalor i gjuhës shqipe” Tiranë 2006
Shundi Andrea dhe Osja Ahmet: “Vreshtaria dhe verëtaria shqiptare” Tiranë 2004
Shundi Andrea: “Encikopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë” Tiranë 2012
Kolegë të nderuar Nesim dhe Ylber
Falë portalit Fjala e Lirë që së pari botoi artikullin për hardhinë-rrushtë-verën shqiptare VRANÇ, unë dhe Rexhepi gjejmë rastin të ju falënderojmë për vlerësimin mëse të plotë lidhur me këtë studim të dokumentuar për VRANÇIN shqiptar.
Institucionet dhe venaritë në Kosovë janë në ballë të veprimtarive nbarëshqiptare për jetësimin e mirëfilltë të këtij visari në vreshtarinë dhe në verëtarinë mbarëkombëtare. Juve dhe me në krye Bekimin - drejtorin e Departamentit të Vreshtarisë e Verëtarisë në Kosovë (lutemi t'i përcillni përshëndetjet tona), si tre specialistë e drejtues kryesorë dhe si thelbi teknik e shkencor i këtij institucioni aq të specializuar e shumë veprues, përbëni kyçin e gjallimit më të plotë të VRANÇIT.
Ky…