top of page

Syri i Kaltër


Syri i Kaltër

Nga Fatmir Terziu

Qerpikët tanë ngjyen

si krahët e dy zogjve në një natë me shi

Ti qesh dhe buzët e tua koloviten

rathëve ku cikli i jetës riciklohet

vetëm në një Sy

etja vegjeton po aty,

njëkohësisht:

“Çfarë syri i qetë qenka ky

pa mburrje, pa drithmë në retinë!”

Dhe heshtja shkon më tutje

me një puthje mek buzët

si një bletë që thith nektar lulesh,

puthja e nxehtë lëshon tangën e rrushit

e vera mushtet në shtëmba

me gojët tona tashmë ka punë Hëna.

Dremis mbi blunë e paqtë

buzët e tua marrin një ngjyrë të re,

dhe sytë … dhe Syri pushon sakaq

ku retinat kanë filluar të zgjedhin me nge

mise nga çatia lart…

… e pastaj sikur nënshkruhet një pakt

të bëj rroje vetëm një Sy në fakt…

Sarandë, Syri i Kaltër, 2019

Pa titull

Nga Fatmir Terziu

Joni dehet

Joni pi sa s’bëhet

ndonjëherë ai godet brigjet

Saranda falet

Saranda falet.

Dallga e tij ka tërhequr zvarë anijen

dallga ka humbur vetëdijen

Saranda bën kryq

Saranda bën kryq.

Stërkala godet guralecët

stërkala tretet … nuk ecën

Lëkurrësi lutet

Lëkurrësi lutet.

Qafa e Gjashtës flet me yjet

Qafa e Gjashtës i zbret në periferi

Deti përmallet

Joni përmallet.

Vurgu lutet për shpirtin që thahet

se Bistrica ka djegur trupin

Deti flet me retë

Retë humbin.

Jam me Shenjtorët dhe jam në gjunjë

pena dhe letra janë pranë meje

dhe ne lutemi

dhe ne shkruajmë.

Dhe ne shënojmë të mbushim Historinë përmes kësaj stuhie

dhe ne lutemi të jemi të mbështjellë në krahët e strukur

dhe ne lutemi

dhe ne lutemi.

E kështu na shfaqet Ali Pashai në vegim të parë

Kisha e Vasiliqisë në Himarë

e shkruara s’ndalet

e shkuara falet…

… falet për atë që kemi humbur një barrë të saj

por të mos harrojmë se ku po shkojmë

oh le të lutemi

oh le të kuptojmë.

Ndërsa Llogaraja na qëndron si shapkë

mbi krye lëvizin retë si çafkë

shpirti ulet tashmë pa frikë

lutjen janë bërë një në Adriatik.

Shiu që na lag

Nga Fatmir Terziu

E gjitha shkon në një pikë

pastaj vetëm pikë

pikë

pikëz…

ndjek retë tinëz e qielli tkurret

tkurret përsëri

në ndjesi

në sy

mbetesh vetëm ti e bardhë borë

derisa më tretesh e tëra në dorë.

Dhe unë

të korrigjoj duke menduar akoma më shumë,

mbrolën që zbret si një alarm,

pastaj vendos një maskë,

të mas forcën e frymës në çdo rast,

meteorë që bien, muskuj zanorë që çirren,

kuajt dhe era,

kaçurrelat e dendura që shpërdridhen,

dhe mjaft ngjyrime që rrethsillen,

në një pikë,

një pikë,

një pikëz…

dhe unë vazhdoj të të shoh tinëz

në një udhë të madhe plot meteor

ku shkuljet zhurmojnë, dhimben, përmallen,

me zërin e tyre njerëzor.

E pastaj me gishta

mas litarë të hollë e të trashë

rënien e ujtë dhe faturat si bisha

pastaj qielli tkurret,

tkurret,

tkurret më shumë,

kur të shoh gëzohem,

bërtas në gjumë,

me sytë hapur

shoh se notojmë si shkumë

mbi dy dete,

mbi një lumë…

…e unë jam në kulmin e dritës

në një pikë,

pikë

pikëz…

mbi një varkë

bulëza solemne të harlisura që shkrihen

me shiun që na lag.

2019-2020

61 views1 comment

1 Comment


Bajame Hoxha


Përshëndetje i nderuar!

Lexova poezitë e juaja dhe më pëlqyen shumë.Urime nga zemra!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page