Surrealizmi në veprën e autorit durrsak Enton Bido






Nga Gladiola Jorbus




Surrealizmi lindi për të mbështetur shprehjen spontane të mendimit dhe për të kapërcyer kufijtë e imagjinatës. Krijuesi i trefishtë (shkrimtar, poet e përkthyes)

Enton Bido, autor i gjashtëmbëdhjetë veprave letrare (10 autoriale e 6 përkthime) rravgon në brigjet e kësaj rryme sa formaliste, aq edhe rinovuese duke u përpjekur të shprehë emocione; kjo vihet re edhe në imazhet që përzgjedh për kopertinat e tij.


Në veprën e Bidos lëvron irracionaliteti i brendshëm dhe absurditeti depërton deri në skajet e ideve politike duke mos iu shmangur hutimit shpërfillës të hulumtimit.

Falë dualitetit të gjuhës poetike dhe konceptimit revolucionar të qenies jetësore, ky ndikim i ka mundësuar autorit privilegjin e lirisë së shprehjes, nxitjen e pazakontë dhe karakterin e përhershëm eksperimental.

Shpirti i personazheve zhvishet në detaje dhe shqetësimi identifikohet në tiparet e sinqerta në dukje, por të komplikuara për t’u kthjelluar.

Imazhi (ai që latinët e quanin përkthim, dhe grekët një trope ose metaforë) mbetet kryefjala mbikqyrëse universale.


E. Bido ndërthur motive urbane me pjerrësitë dhe shtigjet e historisë. Nga vepra në vepër, autori evoluon mbi normat në atmosferë gjysmëëndrrash, përmes imagjinatës që shkrin botët e largëta, dashurisë, dëshirës dhe erotizmit.


Perceptimi i notave të humorit në vizionin surreal shfaqet bashkëkohor. Mbivendosja e dukurive të zakonshme është e pamundur të haset në realitet, ndaj nuk është e vështirë të sodisësh çlirimin nga mbizotërimi që ushtron arsyeja mbi letërsinë. Autori është i përkushtuar për një rinovim të gjuhës letrare dhe sjell prirje të reja që duan të sfidojnë logjikën.

Formësimi i tekstit, pjesëmarrja e përcaktuesve shpirtërorë dhe formalë, zgjimi kompleks i pavetëdijes kolektive që manifestohet në terrina të ngushta, parandjenja, sinkronizime, vizione halucinante, përcjellja e 'një bote tjetër' dhe dimensioni i automatizmit psikik për të sjellë mendimet në letër në një mënyrë të natyrshme dhe të rrjedhshme, marrin një rol pararendës në krijimtarinë e Bidos.

Morali dhe protokollet mbizotëruese sociale kufizojnë lirinë, prandaj vetëm vepra e artit mund të jetë demiurgu që shpërfaq dijen e panjohur estetike, që mbron ndryshimin rrënjësor dhe ekspozon efektet e spikatura befasuese.

21 views0 comments

Shkrimet e fundit