
Doli në dritë botuese e qarkulluese një libër i munguar, por shumë i domosdoshëm jo vetëm për 5 - breza nxënësish e mësuesish që përfshihen në 400 faqet e librit voluminoz në fjalë, madje dhe masivisht për çdo lexues të çdo moshe e gjinie mbarëkrahinore gollobordas dhe qytetarë shqiptarë. Ky libër surprizë e këndshme me vlera të veçanta, mban titullin po aq befasues “Shkolla shqipe emërmadhe e Trebishtit” dhe ka për autor Hasan M. Shahinaj, kryeredaktorin e gazetës së pavarur “Zëri i Gollobordës”, njëherësh dhe ish - nxënës dhe ish - mësues, studiues e botues, kronikan i asaj shkolle veterane 1 shekullore prej 35 vjetësh në harkun kohor (1956 - 1990), të shkollimit e shërbimit të pandërprerë të këtij autori në atë institucion publik të bashkësisë sonë. Ky libër i bukur, i realizuar me sukses të plotë, origjinal në llojin e vet dhe interesant dhe në brendi, ka tiparet dalluese si vijon: Së pari, është ideuar qysh nga viti shkollor 1956 -1957, kur autori Hasan M. Shahinaj bashkënxënësi im i dalluar, ka nisur klasën e parë në Trebishtin tonë vendlindës dhe kur mbi abetare dhe ai dhe unë, plot emocione e droje kemi qarë për të arritur majat e pritshme të prindërve tanë të mirënjohur, Mustafa e Mehmet, drejtues të shquar të asaj shkolle të përveçme. Ka qenë koha (mos harro, vitet 1956) kur në Evropë endej fantazma e re “hamletiane”, pra përgjakej populli trim çek e ai maxhar (hungarez) nën utërimën e çizmes dhe tankut revanshist sovjetik, pas prognozës shpërbërëse të të famshmit Traktatit të Varshavës poloneze dhe luftës së ftohtë nëpër botë. Së dyti, është ideuar, limizuar e lirizuar, sepse si një përkim i bukur kohor, autori i librit (Nxënësi i dalluar trebishtar Hasan M. Shahinaj në të gjitha vitet e shkollimit 1956-1963 dhe me atë bukurshkrimin e tij të spikatur model kombëtar imitimi); dhe ka banuar familjarisht në harkun kohor 1976-1989 në shtëpinë madhe të Idriz Hajredin Muçinës, kafexhiut dhe berberit në qendër të fshatit. Ajo u bë ish - godina e shkollës së parë shqipe (shih enkas foton kyçe të 18 majit 1925 të asaj ndërtese 2 katëshe, me harkqemerët e saj, ku pozon tërë shkolla nën aparatin e vogël bardhë e zi të mësuesit Ramadan Sefedin Kodra nga Dibra e Madhe). Së treti, është libër monografik memoralistik, pedagogjik, kronikor, në të cilin jepet gjerësisht historia reale dhe e dokumentuar saktë 100 - vjeçare e shkollës shqipe të Trebishtit, qysh nga çelja e saj publike institucionale (15 Prill 1914) e deri në 17 Maj 2014, kur u kremtua shekulli i parë i saj, i veprimtarisë mësimore, edukative. Festë kjo madhështore, mbarëkrahinore dhe me jehonë kombëtare, në të cilën morën pjesë disa ministra, kryesuar nga ajo e arsimit, Znj. Lindita Nikolla, me të shoqin Prof. Dr. Ligor Nikollën, njëherësh ish - nxënës i dalluar i saj në vitet 50-të të shek. XX, shekullit të nxehtë por me ngjarje shumë dhe në lëmin shkencor e arsimor. Së katërti, është libri dimensional me sens të duhur e të parapëlqyer memoenciklopedik, sepse përveç 7 përvjetorëve të shkollës kronizuar qartë e bukur madje me eventet e sesioneve shkencore shkollore përkatëse; por dhe nëpër rubrika të veçanta aty çdo lexues do të gjejë vetëveten që nga emër mbiemri personal që bartin e deri tek burimet etmiologjike të fjalës, tiparet antropologjike të banorëve; rrjedhat arsimore – historike dhe plejadat e ish- nxënësve të dalluar që vërshuan anekënd vendit, duke u ngjitur emri i tyre meritueshëm në shkallë kombëtare, në mjeshtra duarartë e në kuadro të rangut ministror, parlamentar e diplomatik sipas rastit e nevojës. Së pesti, është një libër që zgjeron horizontin historik e kulturologjik të çdo lexuesi, duke e lartësuar me adrenalinën e krenarisë vetiake, sepse shkolla shqipe e Trebishtit daton në 15 Prill të 1914; pra binjake me të qytetit Peshkopi, çelur veçse një ditë më parë. Trebishti ynë u përzgjodh për shkollë shqipe institucionale si fshati më i madh prefekturor i Dibrës, ish - qendër administrative qysh nga viti 1913; fshat qëndrestar i çetave atdhetare në mbrojtje të tërësisë tokësore, i çetave partizane në radhët e të cilave u inkuadruan nëpër brigadat partizane IV, VI dhe komandën e vendit mbi 200 bij; 121 prej tyre ish- nxënës të shkollës sonë emërmadhe në fjalë. Përpos këtyre, Trebishti i madh ka qenë ish - nënprefekturë, komunë më vete deri në vitin 1930 dhe mbi të gjitha qendër administrative e qëndrestare në shkallën e Krahinarisë së zonës, me të deleguarin patriot Ahmet Bejtaga Kavajën, me zyrat e veta vendimarrëse e vetëmbrojtëse të viteve më të trazuara e kyçe të historisë sonë kombëtare; pra të harkut kohor 1912-1924. Veç të tjerash Trebishti, kjo qytezë e madhe komunare e komunitare dhe me rrënjë të lashta ilirike dhe kontribute luftarake arbërore, është sërish fshati më i madh i Gollobordës sonë prej 37 fshatrash; 7 nga të cilat fare padrejtësisht janë kafshuar nga traktatet hileqare dhe konferencat ndërkombëtare të Londrës e Parisit, saqë sot janë jashtë territorit tokësor të Trebishtit, pra në shtetin fqinj të Maqedonisë: Hotishani, Zhepishti, Lukova, Manastireci, Drenoku, Modriçi, dhe Jabllanica. Së gjashti, libri në fjalë ka rubrika interesante hulumtuese dhe mjaft tërheqëse psh, kujtime, dorëshkrime, kontributet e ish – 11 mësuesve normalistë elbasanas, të ish - 45 mësuesve dibranë që kanë shërbyer në Trebishtin tonë arsimor 1 shekullor, kontributet e nxënësve në sektorin ekonomiko - shoqëror të vendit në tregti, shëndetësi, kulturë, folklor e këngë. Po kështu ka rubrikat e dhjetra zejeve që kanë ushtruar trebishtarët, plus punët e mirëfillta artizanale që nga kostumet e 8 llojeve krahinore dhe deri te qilimendëset e specializuara, stilistet e nusërimit por edhe areduesit famozë Çadri të arkave të pajës së çiftit. Një rubrikë fort mallëngjyese është homazhi i përkujdesur për ish - nxënësit dhe ish - mësuesit e vdekur para kohe etj, etj, të cilët lanë gjurmë në shpirtin dhe nënvetëdijen tonë ndër breza e deri më sot. Së shtati, libri në fjalë nuk le jashtë vëmendjes çdo event e detaj që lidhet me arsimimin e 5 brezave dhe sidomos ato kulturologjike 1 shekullore të Trebishtit të moçëm e të ri duke përshkruar autorët botues të veprave pikturore e skulpturale dhe deri tek poezia më e thjeshtë apo lajmi më i shkurtër gazetaresk. Pra, nga talenti kombëtar Nexhmedin Zajmi, “Piktor i Popullit” dhe Laureat i Çmimit të Parë të Republikës deri tek nxënësi i klasës së parë, valltari virtuoz Çim Çadri e plejada e tij deri tek kryetalentet e spikatura si psh: Fevri Sadiku, Hatixhe e Mendie Sinani, Rifat e Shadie Sinani, motrat Trajanka e Petrana Nikolla dhe Persa Nina; Tona e Sevda Mazniku të fshatit Vërnicë, me prodhimtari e simbol i inteligjencës ndërkrahinore. Së teti, libri është i pajisur sipas rastit me faksimile origjinale arkivore për të ilustruar rubrikat e veta dhe një kapitull po aq domethënës me titull “Një fotografi një histori..” dmth, përmes ca fotove të përzgjedhura nga 1000 copët e grumbulluara dhe të qëmtuara me kujdes për librin e parë. Ju, o lexues të nderuar, do të shihni vetveten nëpër dhjetë dekadat e lavdishme të shkollës veterane të vendlindjes sonë të shtrenjtë e të pamohuar kurrsesi që e ka emrin Trebisht (tri yje, Treanës, ai dhe ky album i blertë i hapur si libër i stërmadh luginor, shtrirë në pellgun po aq të spikatur pllajor në formën e tre lagjeve fshatra më vete të ndara në mes nga lumi malor sinjifikativ me emrin Reka…) Madje, ky Trebishti ynë etnik dhe etnologjik, ka lidhjet e tij shpirtërore të moçme e të reja me emnakun Trebisht të Reka - Radikës prehistorike religjioze nga burojnë rrënjët e lismadhit Migjen; pra po ai emërtim real, origjinal, simbol Reka… Reka (që për ne studiuesit, gjuhëtarët hulumtuesit, shkrimtarët dhe botuesit na përngjason e tingëllon me një “Reka” – “Eureka” dmth sipas greqishtes “E gjeta”. Po, po na e gjeti dhe na e vulosi historia jonë e përbashkët burimore e Drinkollit sfetigradas, kryekështjellar në të gjitha brigjet e Drinit të Zi etnik, tashmë këtej e matanë kufirit (po ama mesëpërmes Shqipërisë etnike); rrethuar nga kështjellat skënderbegiane. Ndaj jo instiktivisht, vërtetohet katërcipërisht ruajtja dhe vashdimësia e dy mbiemrave tona reale: përkatësisht Drinziu në Trebisht - Balanë tonë, lagjen e epërme dhe Drini në Trebisht - Çelebinë lagjen e mesme (të ish - toponimisë Çiflik - Çelebi mahallasi… “adetleri” sipas turqishtes sundimgjate). Së nënti, përpos të tjerash, kjo monografi e realizuar qartë e bukur dhe pas një pune hulumtuese disa vjeçare të autorit Hasan nëpër arkiva, amza, regjistra, kujtime e dorëshkrime e shkresa pa fund e pa anë, ka synuar dhe ka realizuar në masën 100 përqind historinë reale arsimore 100 - vjeçare të shkollës shqipe të Trebishtit dhe në formë objektive legjitime autori i talentuar Hasan M. Shahinaj e ka titulluar “Shkolla shqipe emërmadhe e Trebishtit”, gjetje mjaft e goditur që t’i shërbejë gjuhësish e letrarisht po aq bindshëm lexuesit të çdo moshe e brezi, shkollës së kaluar, të sotme e të nesërme. Nga ana tjetër, kjo monografi e pasur e dokumentuar dhe e faktuar me shembuj të shumtë në 400 faqet e saja është gjthashtu direkt dhe indirekt në oponencë të hapur me çdo autor, botues deri më tash (ish - nxënës, ish - mësues, ish - drejtues apo inspektues e kuroizë kalemxhi) të shkollës së Trebishtit, të cilët nga mosnjohja konkrete e plotë e historikut real të fshatlindjes të të madhit Trebisht dhe veçmas të historisë së shkollës shqipe të saj, kanë bërë hera- herës shkrime publicistike dhe librore në botimet e tyre periodike të rralla, të pasakta për Trebishtin dhe periferitë. Gjthashtu, ata 3-4 botues kopjacë trebishtarë, gjinovevas, steblevas, ostrenas e radoveshas) jo vetëm kanë marrë miell hua nga 7 -të përvjetorët e shkollës sonë dhe sesionet shkencore të tyre të publikuara prej nesh në kohë, por ama kanë nxituar të botojnë kinse të parët, gjoja si “origjinalët” e evenimenteve të rradhës! U bëjmë thirrje të hapur dhe të sinqertë t’i vetëqortojnë gabimet e bëra në librat e tyre; e ritheksojmë të shkruara ndoshta dhe nga mosnjohja dhe veprimi kuturu.! Autori serioz e largpamës Hasan M. Shahinaj nuk i përmend me emra këta plagjarë – kopjativë (i lë në nëntekst të nënkuptuar); me qëllim që mos të prishë klimën gjithëpërfshirëse shumë pozitive, që do të ngjallë plotësisht në ADN- në e gjithësecilit që e quan veten gollobordas/e trebishtar/e, faqe për faqe eventi botues i librit arsimor Trebishti. Kurse ata, fare të pakët që s’ krahasohen kurrsesi me vëllimin vlerashumë të shkrimtarit Hasan, gjithnjë kanë ecur kundra rrymës arsimore e diturore në tërësi (thënë më shkoqur kundra rrymës së Rekës sonë komunitare trebishtoraduçiane…), si ngaherë dalin në breg porsi hedhurinat e shpëlara lumore dalunboje. Nëse guxojnë dhe tentojnë për ndonjë replikë në këtë rubrikë apeluese e kryesisht apologjike të merituar për Trebishtin arsimor, që u drejtohet hapur e ndershmërisht autori Hasan M. Shahinaj; atëhere ai dinjitoz, kulturëgjërë dhe i drejtpërdrejtë si gjithnjë; do t’ua rreshtojë faqe për faqe gabimet e tyre shtrembëruese herë me dashje, herë nga mosnjohja në botimet e tyre sipërfaqsore, të dobta qysh nga injorimi psh. i Haki Sharofit, ish - mësuesit të parë të Peshkopisë (sipas tyre qenka elbasanas dhe jo dibran…) dhe deri te tri brezat arsimorë të Trebishtit, dmth, rreshtuar emra me aq pasaktësi, pa arritur të pasqyrojnë kronologjikisht brezat në vijim të katërt, të pestë etj, edhe pse kanë punuar në Trebisht fiks gjashtë vjet mësues (1957 -1963 e jo tetë vjet!), siç deklarojnë bujshëm nëpër librat e tyre ose kapitujt sipërfaqsorë për arsimin etj etj. Nuk po hyjmë më thellë në dëshmitë reale të dygjuhësisë, toponimisë, patronomisë, onomastikës, psikologjisë, etnografisë, kulturologjisë së Trebishtit e të Gollobordës, dukuri e argumente që janë stërthënë e stërshkruar shpesh dhe janë tepër të njohura kombëtarisht. Së dhjeti, libri voluminoz “Shkolla shqipe emërmadhe e Trebishtit” ka një kapitull mbreslënës me titull “Përveçmëria e zërave të parë”, ku me fakte reale rreshtohen mbi 116 zëra ku dallohet Trebishti ynë gollobordas, dibran e kombëtar me arritjet e tij kulmore. Edhe kjo dukuri ia shton kërshërinë lexuesit dhe e pasuron erudicionin e secilit/ës duke përfituar kënaqësi e krenari e spirale shumëditurore. Së fundi, autori Hasan M. Shahinaj zëplot, besimplot, progresist e optimist pohon krenarisht, pas një stërlodhje disavjeçare, arriti të kulmojë me këtë botim cilësor e të munguar deri më tash, që sipas tij, mbetet i llojit të parë e të veçantë në lëmin historik, pedagogjik, morfologjik për djepvarrin tonë të përbashkët e të patjetërsueshëm (Siç e përsërit sentencën vetiake autori H.Sh) që ka emrin e pavdekshëm burimor e të sotëm Trebishti ynë. Ndaj e përsërisim dhe ne: autori Shahinaj e titulloi punimin e tij të mirëfilltë e të mirëqenë, historiko - pedagogjik dhe letraro - publicistik “Shkolla shqipe emërmadhe e Trebshtit” sepse shkolla, arsimi, dituria sipas tij kanë qenë, janë e do të jenë pas ajrit, ujit e bukës, detyra parësore jetësore, mendore e shpirtërore. Kjo nënvizohet dhe ritheksohet shpesh krahas emëruesit tonë identitar, ku në themelet e Piramidës sonë diturore me bazë të gjerë është një popull numeroz, gjithëkohor trebishtar tejet inteligjent, arsimdashës, psikologjik, zakonor, trashëgimtar, guximtar dhe mental specifik qysh nga etnogjeza e vet e deri në të sotmen konkrete, por dhe të nesërmen e pritshme. Konkludojmë objektivisht pa asnjë tepri fraze se monografia historiko-pedagogjike “Shkolla shqipe emërmadhe e Trebishtit” e autorit të aftë, të sprovuar e të mirënjohur gjerësisht, Hasan M. Shahinaj, përpos vlerave njohëse dhe edukative që na sjell bollshëm, përfshin një tematikë po aq të pasur e të kërkuar si bleta nektarin, gjithnjë në funksion shërbese ndaj historisë arsimore shumë të pasur të Trebishtit tonë duke na bërë të gjithve pa dallim të vetëdijshëm dhe plotësisht krenarë për vendlindjen tonë po aq të madhe, të ditur, mjeshtërore dhe me cilësi zërash e talentesh gati në çdo fushë të jetës ekonomiko – shoqërore, arsimore dhe kulturologjike brenda dhe jashtë vendit. Ky libër monografik, dimensional, vlerashumë pasuron bindshëm dijet e secilit/ës dhe autori me të drejtë na këshillon: një vendlindje e harruar, është zemër e coptuar. Padyshim, libri i Hasanit tonë zë vend të merituar në biblotekat tona personale, shkollore, muzeore e publike duke na shërbyer madje edhe si një referim për botime të reja të këtij modeli. Gjithashtu, libri lexohet këndshëm përmes stilit tashmë të njohur të autorit – botues e publicist ku ai përdor mjeshtërisht fjalor të tabanit të gjerë shqipfolës dhe me përpjekje për fjalor të ri neologjik sipas rastit. Shkurt, libri në fjalë është plotësisht i motivuar dhe realizuar sipas llojit e tematikës së cilës i është përkushtuar tërësisht autori dhe po aq na befason e surprizon nga kapitulli në kapitull, përmes koloritit të gërshetuar të rubrikave dhe eventeve arsimore të shkollës sonë dinjitoze dhe plotësisht emërmadhe të Trebishtit tonë; ashtu siç e ka titulluar e cilësuar me të drejtë autori Hasan M. Shahinaj; të cilin e përshëndes dhe e përgëzoj:
Të lumtë mendja, zemra dhe dora!
Comments