top of page

Sulo Selami nga Shpiragu në Mathuazen

Updated: Aug 23, 2023




Sulo Selami nga Shpiragu në Mathuazen

Konzentracion Lager, Erinerungstrasse 1, 4310, Mathuazen, Österreich NR i Arrestit 735 Me 5 Maj 1945 u liruan ata që shpëtuan dhe u shpërndanë nëpër familje. Sulo Selami ka qëndruar në një familje në Aibling-Munich, deri sa u nis për në atdhe.

Meditim

Nga Xhevair Lleshi

1. Po e dëgjoja me vëmendje Sulo Selamin në rrëfimin e tij të veçantë. U takuam në një lëndinë mbi fshatin Dushnik, në hyrje të Ullinjasit, kur ai kishte ardhur në një pikëtakim miqësor. Po bëja kohë që doja ta takoja. Më në fund! Më interesonte shumë rrëfimi i tij. Doja të vendosja një raport të drejtë të së vërtetës. Sulo Selamin, deri atëherë shteti e njihte, por nuk e trajtonte, si të thuash i zoti do, tellalli s’do. Nuk e njihte njeri për veteran dhe nuk ia jepnin shpërblimin e merituar. Madje ekzistoi një farë kohe midis, kur përfaqësuesit e organizatës së veteranëve po i kërkonte llogari në fshatin Sinjë, natyrisht jo për të ditur të vërtetën. Ti ke qenë partizan? Po, po, e dimë si ke ikur. Po si të kapën gjermanët? Më kapën. Po luftonim në një brinjë, ku s’kishe ku të fshiheshe, pastaj hymë në përrua për të dalë matanë hundës së kodrës. Por... nuk ia dolëm, sepse nazistët sikur ta dinin nga do të dilnim ne dhe na kapën si në çark. Unë kujtova se mbaruam, morëm fund dhe do t’i lanim hallet, por nuk ndodhi, sepse ajo që do të ndodhte ishte një rrugëtim me kamion drejt Selanikut, ku pas një jave do të na nisnin me trenin e mallrave dhe të kafshëve drejt Vjenës. Në të vërtetë kjo ishte një histori e rrallë udhëtimi, por me që ju jini të interesuar për kampin e përqendrimit në Mathuazen, atëherë edhe aty ia vlen të qëndrojmë fort. S’kishte më goditje tradicionale, as thumba dhe mikpritje atdhetare siç po ndodh tani. Ju doni fletën që kam qenë partizan - e kam, doni numrin tim në kamp - e kam, doni datën kur dola nga kampi, - sigurisht që e kam dhe për më tepër ju them se kam dalë i fundit, se... ashtu ishte puna, i fundit duhej të dilja, se të fundit më njoftuan amerikanët dhe francezët që duhej të nisesha me tren të posaçëm drejt Jugosllavisë, ku rrugën për në Shqipëri dhe në vendlindje mund ta bëja me mjete rrethanore. Pata vetëm një frikë, ndoshta mund të mbetesha rob në Jugosllavi... E si mund të mos jem unë pjesë e juaja? Si të mos gëzoj edhe unë atë që gëzoni edhe ju’ (Veteranët shikonin këmbët e tyre.) Po të kisha vdekur unë? Do ta gjenit emrin tim? Por ju s’po mund të duartrokitni tani o shokë të luftës! Hë, a mund t’ju pyes edhe unë? Na pyet, thanë dy-tre zëra të mekur. Ku ke qenë ti në luftë? - pyeta më të riun. Unë, Sulo Selami, e di. I riu qeshi. Po ja, xhaxhai im ka qenë në brigadën e shtatë sulmuese. Xhaxhai? E? Nuk ta mbush syrin ty im ungj? Dekori i mbledhjes u trondit. E kuptuan që mua, Sulo Selamit, isha gati të më hipnin xhindet. Ne në lagjen time, në Selamaj, nën Malin e Bardhë dhe në anë të Sinjës e të Mbolanit nuk kemi kokrrën e grurit e të misrit, thyen kokën miu dhe ju më kërkoni llogari. Bëni detyrën, se edhe gjermani, sido që na mbante në kamp përqendrimi, na ushqente që të punonim, kurse ju të bëni veteran po s’të shikoni me sy. Kjo është kuje!...

2. Unë, mbërritjen në Mathuazen do ta quaja aktin e dytë. Sa kishim arritur të mirëkuptoheshim në vendin e duhur, na zhveshën krejt lakuriq, si na kish bërë nëna, na mbyllën në kapanone, me shtretër dërrasash tejetej, na dhanë rrobat e burgut. Unë nuk shquhesha për ndonjë trup të lartë e të madh. Isha njeri i zakonshëm, si gjithë njerëzit e tjerë, kisha arritur të mirëkuptohesha me Zotin, me një drithërimë jo të zakontë, sidomos për atë që një kohë të gjatë mbetëm lakuriq, me duart përpara mes kofshëve. Urdhri i parë: duart lart! Urdhër jo shaka. Pastaj duart anash dhe pastaj poshtë, anash kofshëve. Anjs, Zvai, Drai. Edhe unë si të gjithë isha lakuriq, me një paturpësi të patrazuar, e sigurt për tmerr. Le të bënin ç’të donin me trupin tim. Turpi mes meshkujsh nuk ekziston. Ose, më mirë s’kishte pse ekzistonte. Loja në mendjen time ishte vetëm për mbulesë të lehtë, ndoshta e tejdukshme, që të ndiheshim më të lirshëm, duke e mbajtur mendjen se ç’rreng do të na punonin. Gjithkush ëndërronte që ashtu lakuriq të ishin burri dhe gruaja, në provat që bënin gjermanët, se ne, fundja, kavje ishim, apo jo? Ndryshe si mund të qëndronin të ngritur mbi këmbët që dridheshin si mbi dy purteka. Ç’burra ishim ne para një shfaqjeje të tillë? Ne, or mik, tundeshin e fërgëllonin si një kundje duke u lëvizur të përmbushur mos-më-keq, gjithnjë të ngacmuar, ku i gjithë trupi dridhet i tmerruar, sepse nga çasti në çast mund të na çonin në furrë, pale pastaj të të shkonte mendja për epshndjellje, as për ndezje të mishit e të gjakut, gjë që mund të na mrekullonte e të na tensiononte teksa me urdhër të prerë na kishin zbuluar hiret, të çliruar nga klithmat dhe thirrjet e ndenjura, të harruara... Por nuk kishte asnjë duartrokitje. Askush nuk qeshte më. Fytyrat e burrave ishin tendosur, si të zgjatura përpara, me hundën e holluar, gojën e ngacmuar e të thatë. Ne për më keq ishim edhe të rinj. Dhe i riu ç’gjen përpara, s’pyet, e bën të tijën, ose të paktën, në pamundësi, e lakmon fort. Aty në kapanon, me drita të forta, edhe pse qe ditë, një erë dukej sikur frynte, ëmbël dhe butë, e ngarkuar me një trazim të fshehtë. Çudi!... Papritmas, na përfshiu një histeri tronditëse e shqetësuese, si një zjarrmi e mishit dhe e gjakut, që sillte jermin e diçkaje të padukshme, me ndezullinë e një frike që pritej si gjithmonë në luftë, nga prapa shpine, por që edhe mund të hapte dyert e një bote të panjohur, të mistereve tronditëse që e shoqërojnë njeriun edhe në Ferr... E megjithatë askush nuk buzëqeshte, madje shpesh edhe po të imagjinohej, ajo do të ishte një buzëqeshje që thithte e gllabëronte vetëm ajrin. Qenie që frymëmerrnin. Kaq. Marsi, se fund marsi ishte dhe fraqi qe jo thjesht i pranishëm, ndërkohë, nxitonte për të na takuar e përkëdhelur edhe përmes shiut që na shponte lëkurën e kokrrizuar nga ngjethja e të ftohtit e acartë, siç bënin vitet dyzet, jo, jo me pendët zbukuruese në kokë por të lënë e të harruar në mes të dy perëndive. Po, megjithatë, shikonim njëri-tjetrin dhe na shoqëronte si thikë e ngulur në trupin lakuriq tallja dhe frika, e ftohta dhe temperatura e ngrirë e trupit, mbetur në pikë të hallit. I pashë (duart gjithnjë lëviznin lart, anash, poshtë - anash shalëve tona kockë e lëkurë, përkëdhelur nga Thana dimërake që donte të bënte edhe një sulm të fundit mbi ndjenjat tona jo ekzistente, sepse askujt nuk i shkonte në mendje lakuriqësia jonë, veç ritualit edhe vetëmbrojtës të nazistëve. Do të ndiheshim ku e ku më mirë po të na zhytnin drejt një fushe tërfili si gomerë të lumtur... Pastaj një trio e madhe mbyllte skenën e aktit.

3. Shfaqja para syve të komandantit të kampit mbaroi. S’kishte më gjak të ndezur, as të ftohtë si zvarranik (mendoj se edhe zvarranikët me ndërgjegje jetonin më mirë!), me gjakun e ndezur nga e keqja, që nganjëherë të vërshonte në fytyrë, duke bërë ca lëvizje të shkurtra impulsive të mjekrës, sikur të kish ndjerë ndonjë pengesë në gurmaz. Ajo që do të vijonte më pas ishte gjithë çka shërbeu për të na mbërthyer mirë për fyti. Asnjëherë më parë s’besoj se do të qe guxuar të përgatitej një skenë e tillë makabre, talljeje çnjerëzore, e nxehtë turpëruese dhe po aq përvëluese. Na shoqëronte një mimikë e tërbuar ndonëse mund të merrej në mënyrë komike, duke ekzagjeruar fytyrën e një luftëtari të tradhtuar nga ajo që ndodhte e që shfaqej në thellësi të shpellës së shpirtit. Ne punonim çdo ditë sa gdhihej e deri sa perëndonte në fushat me patate e me bimë të tjera. Ushtria naziste donte shumë patate! Po njëzetetetë milion rusë të përzier si sallatë ruse në nja njëzet kombe e kombësi matanë, të gjallë dhe po aq të vdekur? Mijëra ton të tjerë me patate. Nëntë milionë ushtarë të gjallë dhe nëntë milionë ushtarë të vdekur. Avionë të aleatëve tanë (të burgosurve me punë përjetësisht të lodhshme!) që bombardonin. Klithma dhe vetëm klithma të tërbuara. Më shumë klithnin ata që jepnin urdhra. Sundonte era shfarosëse e gjakut. Na mbante të mbyllur në kafaz të punës me këmbë prangosur që na lejonim sa për t’i hequr zvarrë nën rrjetën e famshme të hekurit. Shkulnim vetëm patate. Nuk mbaroheshin patatet. Në dukje e lehtë, por ishte skëterrë e vërtetë, edhe pse me patate, që herë-herë i hanim të gjalla, por që na gërbinin dhëmbët e sëmurur nga skorbuti... Në një çast, pas vajtje-ardhjeve të pafundme nga kapanonët në fusha, na veçuan. U tmerrova! Më mirë me patatet e tmerrshme në fushë sesa i veçuar. Por një ‘peshkatar’ që bëhet gati ta hedhë rrjetën e peshkimit, me një ‘përdredhje gjeniale’, na mbërthen në grackën e hekurt, na mbështjell ndryshe, na bllokon lëvizjet dhe na hedh te këmbët, shkalafitur. S’kishte më mërmërima, as psherëtima që fryhen e gufojnë, as goditje vdekjeprurëse. Pse kështu i paketonin për t’i çuar nëpër furrat e vdekjes? Ne, edhe pse nga kombësi të ndryshme, merreshim vesh me njëri-tjetrin me shenja të mimikës e të pantomimikës. Po pas kësaj që ndodhi askush nuk jepte përgjigje. Tanimë, sidoqoftë edhe qemë mësuar me sendet, fushat, ushqimin (po të fshihje një kokërr patate, përfundoje në furrë!). Dhe kapanoni ynë quhej ‘i punës’. Ndërkaq komandanti ynë i kampit ishte dorëzuar, kështu që ne kishim arritur ta bënim për vete kreun dhe tanimë ai qe dorëzuar: ne do të kujdeseshim për kopshtet e oficerëve nazistë. Edhe më e lodhshme, me siguri, por do të ndryshonim mjedis, shkurt do të qe ndryshe.

4. Në shtëpinë e komandantit do të isha unë. Gruaja (po shikoja grua gati një viti pa to!) ishte jo aq e bukur, por trupmadhe dhe me gjoksin që dukej si samar përpara. (Ne fshatarët edhe krahasimet i bëjmë me kafshët dhe bimët që rritim...) Bashkë me të tjerat edhe emocioni. Kishim një gëzim të brendshëm, të çuditshëm. S’na mbante më vendi. Njeriu ka nuhatje të çuditshme për ta ndier erën e lirisë. Edhe ne po ashtu. Tek e fundit njerëz ishim... Pastaj u bëra kureshtar të vështroja fytyrat. Lodheshim, po edhe na lejohej të pinim ndonjë cigare (ne të shtëpive, se atje në arë, o Zot, ne lodheshim sa nuk merrnim dot frymë. Nuk na lejohej të ngrinim as kokën. Shumë vdiqën nga pafuqia, nga stërlodhja e mundimshme prej Ferrit të punës! Dimri na i bënte veshët flakë të kuq e me spazma nga lodhja e pamendueshme. Pastaj instinkti na bënte të hidhnim një vështrim prapa, dhe mbeteshim pa fjalë nga ato më seriozet, mbeteshim pastaj gojëçapëlyer e syzgurdulluar, një fytyrë njolla-njolla të kuqe; ndërsa, pranë nesh, në hije, sytë e turbullt të njeriut të mbaruar, të shkrehur, që nuk arrinin as të njihnin vetveten, duke u bërë të tejdukshëm. Ne e shihnim tjetrin darkave kur na fusnin në shtrat pa gjë prej gjëje në trup. Kufoma të tejdukshme. Megjithatë luftonim për jetën me shpirt ndër dhëmbë.... Gjithçka ishte bërë mbytëse, flokë njerëzish të ngjitura lart nga djersa e një vuajtjeje të skajshme. Po të mos ishte gjumi i detyrueshëm dhe uji me kripë me pak vaj dhe buka sterrë e zezë me krunde, me frymëmarrjen e rralluar prej mosngopjes me ajër, ngrohur dhe mbushur me një aromë shprese. Në flakërimat e saj, ajo dukej sikur lëkundej, sikur rrëshqiste në një marramendje, e lodhur dhe e shprishur, e kapur në kurth nga dëshirat e përgjumura të frymëmarrjes së trishtuar, që endej megjithatë në shtratin e nxehtë të një shprese përvëluese. Shpresa na mbante gjallë, edhe pse të mekur, tashmë, përballë këtyre njëmijë e pesëqind qenieve të zhytura në një tendosje nervore që ndodh në fundin e një akti torturues, ngrihej me triumf shoqëruar me një dalldi të fuqishme për të shkatërruar aspiratën e adhuruar dhe, për çudi, pa e çarë kokën fare. Tortura po shkonte drejt fundit. Në përgjigje të thirrjeve të shpirtit po shkonim, drejt mahnitjes dhe gëzimit të madh, po qe se kësaj bote i kishte mbetur pak gëzim. A thua do të ulej sipari me një apoteozë? Kori i qenieve njerëzore të tejdukshme bie në gjunjë, duke kënduar një himn mirënjohjeje për Grabovin që kishte ardhur të na ndihte pas nesh, në dukjen e gënjeshtërt shend e verë dhe e lartësuar prej lakuriqësisë shpirtërore e trupore. Ne kishim mbetur bosh në mënyrë të frikshme. Kufoma të pakallura. Kishim mbetur sa një krah me kocka që lëviznin në mënyrë të pavetëdijshme se kishim mbetur me një zemër pas brinjëve, truri i tharë nën kafkë dhe pezhishka e damarëve dhe nervave thurur nën lëkurën e tejdukshme. Tmerr. Këto qenie u krijuan ose mbetën dëshmi se deri në ç’shkallë mund të mbetej gjallë qenia njerëzore... Evropa rreth e qark, ngritur në këmbë, po drejtohej për të dalë nga vetja e ngatërruar mizorisht. Gjëmime avionësh, gjëmime katjushash dhe topash të rëndë, thirrje njerëzish që zvarriteshin nëpër tokë, baltë dhe squfur, të djegur, të vdekur e të kthyer në qenie të llahtarshme. Klithmat e një tmerri që donte vetëm të gjëmonte vazhdimisht, me tërbim, me shpirtin çuditërisht ende pa u boshatisur, por me skuta të errësuara, krejt të fikur e me puls ende të zjarrtë, të zhurmshëm, duke thirrur në ndihmë gjallërimin e pasioneve të fshehura njerëzore. Ndërkohë bëhej edhe më e rëndë një aromë plumbi, myku e pluhuri që fatkeqësisht të mbetet në shpirt e në trup përgjithnjë.

5. Më shumë se te kushdo tjetër aroma e fitores ndihet në vendet ku jetojnë të vdekurit e pakallur. Kushdo që na shihte vinte re largimin e turmës së njerëzve nga dyert e shpirtit. Një gardh njerëzor, me dy bishta pafund të gjatë ushtarësh që zbrisnin rregullisht e të trimëruar. Hutim, ne s’dinin nga t’ia mbanim, por megjithatë nxitonim me hapin e milingonës për të gjetur edhe kot së koti një mjet transporti, me mirësjellje njerëzore të harruar që na ndiqte nga pas. Dukej sikur nuk dërgonte askush ndonjë mesazh, qoftë edhe të dëshpëruar, ose të refuzuar me egërsi, pastaj gjithçka zhdukej drejt një dëshire të parealizuar dhe brenda pafuqishmërisë së tij në sy me një pamje të ngrirë. Erdhi dita e fundit. E përgjakur, e lodhur gjer në skaj, e djersitur, e skuqur, e dehur. Kufoma të qeshura, të inatosura, duke treguar me një lëvizje të vrullshme të mjekrës dhe me buzët e thara, me sytë e ndezur, krejt të përvëluar, duke bërtitur me egërsi... Natën e fundit kishim fjetur me rrobat e punës. As vetë nuk po dinim nga u fsheh lakuriqësia jonë e tmerrshme, duke numëruar brinjët e kufomave të tjera si ne. Një rreze drite rrëshqiste nën perden e rëndë të zemrës, nën lagështirën e tmerrshme të kampit si një Ferr i përgjumur, i trembur e i çuditur që ndihej gjithnjë aty pranë. Dora e zgjatur e fatit, duke kërkuar një për një kufomat e gjalla. Numrat në pllaka metalike na i lanë me vete. Dëshmi. Fytyra të iruna plot me shenja plagësh, me hundë të shtypur, buzë të mëdha dhe sy që lëvizin pa pushim. Po ndodhte një veprim i rregullt regjistrimi për lirim. Vendi tani mbante një erë të çuditshme lirie. E pakrahasueshme me gjë tjetër. Frymë. Lot të hidhur dhe lot gëzimi. Të gjithë i rrethonte një hije dëshpërimi. Qenka e vështirë të ndahesh edhe nga kjo fantazmë e tmerrshme. Mathuazen. Që këtej buron edhe dritë lirie... Berat, qershor 1977 Rishikuar, Tiranë, 2023

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page