top of page

SUEDEZI I DASHURUAR ME SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT


Kadri Tarelli shkruan.


Kam qenë i pranishëm në pritje dhe përcjellje të vizitorëve që vinin dhe vazhdojnë të vinë nga Suedia, ku përfshiheshin drejtues arsimi, drejtor shkollash, mësues shqiptarë e suedezë, kryetar komune, shkrimtarë, gazetarë, prindër dhe grupe nxënësish, etj, etj. Duke nderuar veten, mund t’i përmend me emra, pasi atyre u takon nderi i mikut: Peter Loberg (n/kryetar komune), Gylsen Ozdekan (Drejtoresha e arsimit për rajonin Boras), Per Kittssen, drejtor i shkollës “Fjardingskolan”, Znj. Tuulla Elfstrom, drejtore e shkollës “Sandaredskolan” dhe dy mësueset, Annet Ekelund e Sonja Person. Më pas në kohë, një takim i rrallë me dy shkrimtare suedeze, Anna Mattsson, dhe Britta Stenberg.

Po vazhdoj edhe me personalitete të tjerë, si i palodhuri Sokol Demaku, mërgimtar shqiptar nga Drenica e Dardanisë, mësues, veprimtar, shkrimtar, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë, poet, drejtues i revistës “Dituria”, i radios dhe TV. në gjuhën shqipe në Boras. Më tej Sadulla Zendeli-Daja, leksikograf dhe hartues fjalorësh dy gjuhësh Shqip-suedisht, Hysen Ibrahimi, kryetar i shoqatës letrare artistike “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi, Bajram Muharremi, poet dhe n/kryetar i kësaj shoqate, Hamit Gurguri, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë, Kadrije Meniqi, drejtore e shkollës Vushtri, Kosovë. Më e vonuara nga të gjithë, është stiliste Emine Hoti, çikë dardane, banuese në Norvegji, etj, etj. Unë, tashmë në rolin e gazetarit, të gjitha vizitat dhe takimet i kam përcjellë me shkrime, në shtypin lokal dhe atë qendror.

Foto. Drejtor Per Kettisen në zyrë

Ndjesë nëse kam harruar dikë, por dua të ndalem te miku ynë i përbashkët, Per Kettisen, drejtor i shkollës “Fjardingskolan” në Borras, njeri i këndshëm, vizionar dhe i përkushtuar ndaj shkollës dhe arsimit, sepse për shumë vite, deri sa doli në pension, ishte vizitor i përhershëm i Durrësit tonë, madje shpesh edhe dy herë në vit.

Nuk po analizoj në rrethanat që krijuan atë lidhje shkollash, në viti 2007, më pas vizitat e ndërsjellta mes “Fjardingskolan” në Boras të Suedisë dhe shkollës “Demokracia” në Durrës. Është një lidhje që po vazhdon gjatë, madje edhe në këto kohë të vitit 2021, ndryshe nga shumë lidhje të shkollave të tjera, që u venitën, u ronitën dhe u harruan, disa edhe pa nisur veprimtaritë e përbashkëta. Se cilat janë shkaqet e jetëgjatësisë në marrëdhëniet mes dy shkollave, mund të bëjmë një listë të gjatë, por mendoj se në themel të saj qëndron drejtori e më pas kolektivi i mësuesve që e mbështet, duke qenë të bindur në dëshira që ndërthuren.

Mbaj mend bisedat me kolegun Avdyl Buçpapaj, ish drejtor i shkollës “Demokracia”, tani drejtor i shkollës jopublike “Planetary”, kur thoshte: “Suedezët janë të interesuar të njohin traditën e shkollave tona, sidomos në lëndën e matematikës, pavarësisht se ata ndoqën me kujdes edhe mësime në kopshtin para-shkollor pranë shkollës, më tej edhe mësim në ciklin e ulët. Më pas vizituan shkollën e fëmijëve me probleme autizmi dhe disa shkolla 9-vjeçare të Durrësit.

Në këtë shumatore vizitash, përfshihen biseda dhe takimeve me punonjës të pushtetit vendor dhe drejtues të jetës arsimore në Durrësit, për t’u njohur më në brendësi me sistemin tonë arsimor. Ndërsa ne, veç kënaqësisë për të realizuar një ëndërr, duke vizituar një vend tjetër si Suedia, vend i dalluar me emër në botë, në fushën ekonomike, dhe sidomos të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të marrëdhënieve mësues-nxënës, shkollë-komunitet, pavarësia dhe vartësia e shkollës nga organet drejtuese më lart, etj.

Ngjitur me këtë kënaqësi dhe interes, ishte edhe të njihnim nga afër jetën dhe shkollimin e fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë (kryesisht nga Kosova), të vendosur në atë vend të largët, por tepër miqësor me shqiptarët. Vajtja jonë atje, ndjekja e mësimit, herë-herë mësuesit tanë dhanë vetë mësim, dhurimi i librave të shkruar në shqip për bibliotekën e shkollës, biseda me ata, si shqiptarë të të njëjtit gjak, ishte një lloj bashkëveprim qetësues për vocërrakët që na shikonin në dritë të syrit”.

Sa për drejtor Perin, si njeri dhe drejtues i aftë, tashmë në pension, drejtor Avdyli i përmbledh të gjitha veçoritë, duhet thënë i skalit me fjalë të shkurtra, por që flasin shumë. Ai thotë: Peri ishte një drejtor profesionist. Në dukje njeri i qetë, vëzhgues i imtësive deri në detaje. Vështirë ta bëje emocional. Ishte fjalëpakë, por dëgjonte me shumë vëmendje. Vlerësues i saktë i situatave të krijuara gjatë punës. Krijues i marrëdhënieve njerëzore me kolegët, mësuesit dhe nxënësit. Në dukje natyrë e ftohtë, mbase kështu janë nordikët. Drejtues që e vlerësonin mësuesit dhe nxënësit, sepse ishte nxitës dhe mbështetës i nismave dhe veprimtarive që i shërbenin edukimit të fëmijëve me norma qytetarie të shoqërisë suedeze. I pasionuar pas gjuetisë me armë gjahu. Kishte një koleksion armësh gjuetie. Çdo vit organizonte “Java e gjuetisë”.

Unë i besoj plotësisht drejtor Avdylit dhe jam në një mendje më të sepse si mësues e drejtues i hershëm. e di mirë se cili është roli i drejtuesit vizionar, siç ishte drejtor Peri. Mjafton të përmend një ftesë dhe takim në Tiranë me shkrimtarin Viron Kona, atëherë drejtues i gazetës “Mësuesi”. Gjatë bisedës, duke pirë kafe, Vironi po tregonte për disa nga librat e tij për fëmijë, në veçanti për librin “Eh… More Bubulino!”, i vlerësuar me çmim nga UNICEF. Drejtor Peri nuk priti përfundimin e fjalës, por u tha mësueseve që e shoqëronin dhe Sokol Demakut, që shërbente edhe si përkthyes: “Ky libër meriton të përkthehet në suedisht. Është me interes për fëmijët tanë”. Kaq mjaftoi që pas pak kohësh, libri u përkthye dhe zuri vend ndër librat e pëlqyer për shkollarët e vegjël suedez.

Në një bisedë me Gëzim Metalia, sot drejtor i shkollë 9-vjeçare “Shaqe Mazreku”, në Durrës, me kënaqësi thotë: Sa mirë që po m’i kujton ato kohë të bukura dhe mikun tim Perin. I njoh të gjithë personat që kanë vizituar shkollat dhe institucionet e Durrësit, veçanërisht ish drejtorin e shkollës “Fjardingskolan” të Borasit, Per Kettisen. Që në vizitën tonë të parë në Suedi u bëmë miq, pasi unë flisja anglisht, kështu që merreshim vesh shumë mirë me njëri-tjetrin. Isha n/drejtor i shkollës “Demokracia” dhe më bënte përshtypje disiplina në punë, përkushtimi dhe thjeshtësia e tij, si njeri dhe drejtues. Vishej shumë thjesht dhe komunikonte thjesht, pa shumë fjalë.

Nuk e teproj kur them se ishte i thjeshtë, pasi pata rastin të shoh nga brenda edhe shtëpinë e tij, që ishte ndërtuar vetëm me dru, pa shumë orendi (vetëm të nevojshmet), edhe ato prej druri. I pëlqente gjuetia dhe zotëronte një koleksion armësh gjuetie. Madje më ka dërguar edhe dy video me pamje nga gjuetia e drerëve. E shijonte alkoolin, por pinte shumë pak, edhe në të ngrënë nuk e tepronte. I pëlqeu rakia shqiptare dhe sidomos gatimi dhe ushqimi shqiptar. Nuk e përmbajti veten dhe u mrekullua nga gatimet e mjeshtrit durrsak Xhep Keçi, në lokalin në Currila. Ishte vizionar dhe njohës i arsimit, mbështeste nismat e mësuesve, qofshin ata suedez apo edhe të kombësive të tjera, siç është rasti i shqiptarëve.

Një tjetër bisedë me Zabit Rexhepin, n/drejtor i shkollës “Demokracia”, që shprehet: Me grupin e shkollës “Demokracia”, kemi vizituar Suedinë, më pas i pranishëm në çdo takim këtu në Durrës. Si n/drejtor, meqenëse mbuloj ciklin e ulët, isha i pranishëm në organizimin e veprimtarive në shkollë, kështu që kam qëndruar gjatë me drejtor Perin dhe mikeshat mësueset suedeze. Miku ynë Peri, ishte njeri që donte të dinte për vendin tonë, në veçanti për arsimin. Interesohej për kulturën, historinë dhe traditat. Shikonte me vëmendje natyrën e qyteteve dhe vendeve që vizituan këtu tek ne. I pëlqente deti, sidomos pasditet dhe perëndimin magjik të diellit në Currila. Grupi suedez çdo herë që vinte në Durrës, rrinte disa dit, kështu që ata u mësuan me jetën e Durrësit dhe me durrsakët. Ai e ndjente dhe e vlerësonte mikpritjen shqiptare kudo që shkonte, si në institucione ashtu edhe në mjediset publike. Ata vizituan disa shkolla të qytetit, por punën me klasën, mësuesit dhe nxënësit, natyrisht e kryen në shkollën tonë. Me qëndrimin e tij, fitoi respektin e këshillit të mësuesve, të nxënësve dhe të atyre prindërve që bashkëpunuan me të. Edhe umb, besoj nuk jam i vetmi, e vlerësuam atë si njeri punëtor, fjalëpakë, i disiplinuar, i kujdesshëm dhe i shoqërueshëm me të gjithë. Per Kettisen përshtatej shpejt në shoqërinë që e rrethonte. Ishte dashamirës dhe korrekt.

Duke menduar se portreti plotësohet më bukur nga miqtë dhe të njohurit, u ndala në një bisedë me shkrimtarin dhe studiuesin Viron Kona, i cili i ka vizituar disa herë Suedinë dhe, që në fillimet e njohjes, vazhdon të presë e përcjellë miq nga Suedia. Ai shprehet:

“…..Sapo u ndava me lexuesit e mi të vegjël dhe pas pak çastesh u ndodha në zyrën e drejtorit Per kettisen. Sytë më shkuan menjëherë te statuja e Gjergj Kastriotit, që ndodhej në tavolinë, në krah të kompjuterit, ashtu siç ma kishin përshkruar nxënësit në takim. Një statujë, e tëra e bardhë, tërheqëse dhe e bukur, madje, teksa e shihja në atë zyrë plot dritë dhe aq larg vendit tim, ajo statujë e vogël, m`u duk nga më të bukura që kisha parë ndonjëherë për Skënderbeun.

Ne shqiptarët që arritëm ta njohim drejtor Perin, nuk e harrojmë kurrë atë njeri fisnik me zemër të madhe e me shpirt të bukur. Ne i jemi mirënjohës, sepse ai na ka qëndruar shumë pranë sa herë kemi shkuar në Suedi, na ka ndihmuar ne, por ka ndihmuar veçanërisht fëmijët shqiptarë, nxënës të shkollës “Fjardingskolan”, të cilin ai e drejtoi vite të tëra me sukses të plotë.

Drejtor Per Kettisen në komunikim me ne, ka shfaqur vazhdimisht vlera të rralla kulturore, karakter të spikatur human, thjeshtësi, dije dhe kulturë, kujdes dhe komunikim të ngrohtë, natyrshmëri. Duket sikur gjithçka e mirë e njerëzore, është derdhur në portretin dhe karakterin e tij. Por ne e duam edhe sepse për ne shqiptarët, ai ka dashuri dhe respekt të veçantë. Sot, Per Kettisen është në pension, por sa herë shkoj në Suedi, më duket se ai do të më dalë përpara buzagaz, i qeshur dhe i veshur me bluzën ku është stamposur shqiponja jonë e flamurit dhe do të më thotë: ”Ti Viron, s`qëndron dot larg Suedisë sonë, ashtu sikurse unë, s`qëndroj dot larg Shqipërisë suaj krenare, që për ne suedezët është një perlë e vërtetë...”.

I urojmë kolegut, drejtor Per Kettisen, të gëzojë shëndet të plotë dhe jetë të qetë e të lumtur.

Nderim për suedezin Per Kettisen, i dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptarët!


Kadri Tarelli

Durrës. Gusht 2021.


Shënim: Fotot e gazetave suedeze, i dërgoi Zabit Rexhepi. n/drejtor i shkollës “Demokracia”. Durrës.



16 views1 comment

1 Comment


kadritarelli
Aug 29, 2021

Pershendetje dhe falenderim "Fjala e lire". Portali qe nuk kursehet te publokoje shkrimet tona, sidomos kur mbajne shije atdhetarie. Pershendetje dhe për Per Kettisen, "heroit" te ketij shkrimi. Mbase e lexon kete shkrim, si mirenjohje per lidhjet qe u krijuan gjate punes se tij me shqiptaret dhe shqiperine. Faleminderit!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page