“Studenti i Panjohur” quhet Çlirim Begolli….


Shefqet Meko


-Me rastin e 75 vjetorit të ditlindjes të këtij intelektuali të provincës korçare, që nuk rresht së shkruari, duke i mbyllur shënimet në “kasafortën” engimatike dhe çdo ditë shkruan për hyjnoren njerëzore që aq rrallë e ka hasur në Tokë. Librat e tij “Kush është profesor Pilika…” “Poema e dhimbjes së paduruar”,rrethi luftës së Bosnjës, “Himn qiellor”-kushtuar Nënë Terëzëa , “O drejtor lule murrizi”,me skica, shënime, portrete dhe humor, ende kanë si autor “Studentin e Panjohur”. Kurrë nuk deshi lavdi dhe emër, por nuk kurseu mund e fjalë drite për mirësinë njerëzore. “Studenti i Panjohur” ky anonimitet në nderim të të gjithë anonimëve të pafund, mbetet si një “pramidë” ku brënda nuk ka faraonë apo mbretër, por shpirt dhe pavdekësi njerëzore, ndaj Çlirim Begolli i palodhur ende jeton në Leminot dhe me fletorka nën jastëk sikur “ i vesh në flori” ata që ikën pa botuar kurrë.-


Prej disa vitesh, një heshtje ndaj një intelektuali të provincës. Është një ndër autorët e hershëm, që kur shumica sulej kufijve dhe ikjes, Çlirim Begolli zhytej në librarinë e vet, gërmonte në shënime, vargje, meditime, “ekuacione letrare”, në idhujt e pedagogjisë dhe shkencës së numurave, për të filluar ligjërimin e vet poetik dhe publicistik Në trurin e tij ishin “arshivuar” sa e sa thënie të mençura, deduksione logjike, aforizma, mençuri njerëzore. Ndaj në librin e parë autori do fillonte me një thënie lapidar, por anonime ,si vetë “Studenti i Panjohur”: “Artin e vërtetë e lind privinca, metropoli ia siguron njohjen dhe tregun…” Kjo mençuri njerëzore provohet nga realiteti i kombit të gllabëruar të Ballakanit, i atij kombi që vetëm shkrimtarët dhe mendimtarët e madhenj kanë mundur ta shpëtojnë…Kjo është arsyeja që njerëzit e letrave bëhen “strumbullarë” të kombeve dhe gjuhëve të tyre si “gurë kilometrikë” të qëndrësës, zhvillimit dhe përparimit….Kryetarët e partive vdesin, harrohen,zverdhen dhe bëhen hiç, por kjo kurrë nuk ndodh me të mençurit e vërtetë të kombit...

Penat shqiptare, gati të gjitha sikur janë ngjyer në “baltën e Devollit” dhe kanë ardhur në Tiranë që të njihen…. Tek kryeqyteti shqiptar, shumica e artistëve të mëdhenj kanë lindur larg saj, diku në provincë, ku monononia është dhimbje e bëhet frymëzim dhe shpërthim.. Midis tyre është dhe “Studenti i Panjohur” që shijoji në Tiranë vetëm 4 vite si student në Fakultetin e Shkencave. I mbushur plot mençuri nga kryeqyteti i asaj kohe, me mbresa të thella e plot ëndrra Çlirim Begolli iu kthye vendlindjes si mësues i matematikës për të mos u larguar kurrë. Atje në Leminot ku u lind, ai gatuan në “magjen” e vet mendimin, krijimtarinë dhe vetë ëdrrën për t’u bërë i madh, i dëgjuar, shkrimtar me emër. Është po ai “purgator” ku kalon mendimi i çdo të riu që guxon të ëndërrojë ndryshe, ndërsa shikon “drejt majave”.Ai nën peshën e viteve, me siguri pret atë moment që librat e tij të zgjojnë interes dhe t’i sjellin prap rininë për të mos e lënë të ikë më kurrë. Në fakt ai ja ka arritur qëllimit, sepse librat janë zhubravitur në duart e “vëllezërve dhe motrave”, siç shpesh i klith figurshëm nga shpirti krijues, duke u ndjerë se flet me një familje, ku dashuria si hyjni, qëndron tek secili, dhe secili me këtë shpirt paqeje dëgjon rrëfimet e “Studentit të Panjohur”, që autori i shtron para lexuesve si një “pjatë me mollë”... Ato libra të hollë, por me shumë shpirt dhe mision të madh, tashmë sikur janë shpërndarë si traktet e dikurshme, në çdo rrugicë të Korçës së tij të dashur, i ka marrë era “xhindërr” tej e tej fushës së Maliqit, deri tutje në Devoll, sikur janë ngjitur lart në Moravë, duke fluturuar drejt Gramozit dhe Malit të Thatë ,duke rënë fletë-fletë e duke “notuar” në valët e liqenit të Poradecit dhe Kutelit…

Nuk gaboj nëse them që “provinca të varros” së gjalli, pastaj, kur lotët janë tharë, kujet janë fashitur, njerëzit kujtohen se kanë pasur një njeri të mençur, që kurrë nuk e vlerësuan. Është dhe mbetet një ligjësi universale që midis të tuve je përherë një hiç, ndërsa të tjerët ta dallojnë dritën shumë larg. Ndaj Amerika mbetet “djep” i të mëdhenjve e punëpalodhurve që vijnë prej gjithandej...Edhe këtu vendalinjtë u frikën “komshinjve” ndaj ka autorë që kurrë nuk shkruan me emrin e tyre, sepse i frikeshin pikërisht këtij “anatemimi” të shpirtit provincial ku secili thotë “Nuk ka më të zotë se unë…”. Mark Tuin (Samuel Clemens ishte emri vërtetë) është një nga shembujt e shumtë. Jo shpesh njerëzit fillojnë dhe shkurajnë me ndrojtje, me një lloj mëdyshje nëse do pëlqehen ose jo, nëse do shkëlqejnë ose jo, dhe nën pushtetin e kësaj ndroje, duan ta ruajnë të fshehtë emrin e tyre, si për ta shpëtuar nga çdo mëkat apo mossukses dhe kur ndodh e kundërta ata ripagëzohen siç ka ndodhur me Millosh Gjergj Nikollën (Migjeni), Dhimitër Paskon (Mitrush Kuteli) e mjaft të tjerë. Kjo zakonisht ndodh në hapat e para dhe varet “si të merr fati…”,por çdo krijues ka pasur një pseudonim si “fishek rezervë” që e kujton edhe si nostalgji, por djali pasionant nga Leminoti i Korçës, ruan në disa botime anonimitetin e tij misterioz: “Studenti i Panjohur”…

“Studenti i Panjohur”, alias Çlirim Izet Begolli ende jeton në fshat, ende shkruan nën hijen e mollëve dhe manave e pranë blegërimave dhe cicërimave të gjësë së gjallë. Librushkat e tij, i vërtit e shfletoj nëpër duar në këtë shtet në veri të Amerikës, dhe sikur shkundet para syve të mi një degë mani, me fruta të pjekur dhe të lëngëzuar. Është bota e sinqertë e provincës, është shpirti rrëfyes i Çlirim Begollit, këtij matematicieni dhe mësuesi të talentuar, që kurrë nuk dështoi që edhe në moshën përtej gjysëmshekullit, shfaqet në publik edhe si shkrimtar, poet dhe rrëfimtar me atë mbithirrjen shpërthyese nga shpirti kur thotë “Ah more vëllezër dhe motra…” Ai është matematikan, mësues, prind i dy djemve, bashkëshort shembullor, gjysh me plot ledhatime dhe përherë në vorbullën e të shkruarave të veta që i “ripërtyp” në heshtjen e kohës që tashmë e ka me bollëk...

E njoh autorin qysh në moshë të hershme. Është kushëriri im i vetëm nga i cili, kur isha njomëzak, kam huazuar sa e sa libra, që mbeteshin në duar te mia si lapidare dije dhe mendimi.Në çdo libër që do të ma besonte ta lexoja, unë do gjeja nënvizime të radhëve më të spikatura, të përshkrimeve më të bukura dhe filozofimeve pikante të autorëve. Më dukej sikur më jepte leksionet e pedagogut të tij të preferuar Petraq Pilika,(Të cilit i kushton tërë shpirt edhe libërthin e parë) por në fakt ishin libra të Gëtes, Balzakut, Hygoit, Tolstoit e shumë autorëve të tjerë… Ishte i pari në fisin tonë që do shkonte në universitet dhe ne fëmijët e asaj kohe e shikonim si një diell që ndriste mendjet tona. Dhe ashtu mbeti, një “kometë” që ende shkëlqen dhe nuk bie kurrë përtokë. Ai iku në kryeqytet, studjoi me sukses dhe erdhi sërish në fshat për të mbetur aty si shebulli më i madh i intelektualit që i shpëton triumfalisht vetasgjësimit në provincë, sepse shikimin dhe shpirtin krijues e ka të lidhur me hyjnoren dhe përsosmërinë që nuk ka as vendlindje, as vendbanim, por mbetet e tejme e qiellore dhe duke folur për të ai të mban pezull në vargje dhe rrëfime. Po, Çlirim Begolli, ky mësues matematike, mbeti në fshat edhe kur erdhi liria për të ikur kudo, sepse shpirit i tij krijues i kishte varur “çengelat” në qiellin e pakufijshëm ku siç thotë ai “...teoria e bashkësive na shfaqet e na del përpara me shumë e shumë të vërteta, të vërteta absolute, të patundura që dalin jashtë intuitës, përfytyrimeve e mundësive tona...saqë 1+1 bëjnë 1...”

Autori t’i hedh vargjet e tij tërë pasion, thjesht, me gjuhë të qartë, popullorçe dhe jo rallë edhe si “ekuacionet e Ajnshtajnit” dhe ti befasohesh. Begolli nuk kursen kultin për pedagogët e dijes, njerëzit e mençur, që i kanë mbetur në kujtesën e rinisë së hershme si yje drite ndaj si askush me parë ai portertizon në vargje pedagogun e vet Petraq Pilika, si një fenomen të rallë të dijes dhe fuqisë së dritës së mençurisë. Askush nuk ka mundur që të na befasojë me matamatikë dhe vargje, por “Studenti i Panjohur” ja ka dalë me sukses në librin e tij “Kush është profesor Pilika…?!” ku na kujton të gjithëve ekuacionet e para pas memorizimit të tabelës së mbledhje-zbritjeve apo asaj të shumëzimit. Ai vargëzon tërë mall profesor Pilikën që matamaticienëve të rinj do t’u shpjegonte: “...ju djema deri sot keni mësuar aritmatikën e gishtave të dorës/ atë aritmetikën e zakontë, sa të cekët, sa ta zbe