Thuhet Aleksandri ilirian, Leka i Madh,
la në fund, një amanet mbi amanete:
“Kur të më varrosni, më lini duart jashtë,
të më shohin, nuk mora asgjë për vete!”
Kishte dhurata fitoresh e plaçkë lufte,
por deshi shpirtin ta kishte të pastër,
mos veçohej nga populli, në sofër buke,
të vdiste hero i madh, por njeri i varfër.
Ndaj për të, ushtarët trima linin kokën.
Për shpatën e tij, lutej Ballkani i vjetër,
bujqit kur me parmenda, lëronin tokën,
mbillnin për të dhe dy brazda më tepër.
Trimat e mëdhenj, të korrupsionit, sot,
varrosin miliarda, sarkofagëve të thellë,
nëpër varre bankash, kudo nëpër botë,
që miliardi i fjetur, milionin t’u pjellë.
Djersën dhe gjakun e të mjerëve thithin,
me thumbimin, prej vampirësh të etur.
Dhe fshihen shpesh, duke imituar urithin,
pasi me letra false, shtetin kanë vjedhur.
Ndonëse ato s’janë fituar prej vet shtetit,
po nga shiringat tatimore nëpër damarë,
ku merret gjak dhe nga foshnjat e djepit
paçka se varfëria, rrokullimën ka marrë.
Dikur në varre, do t’u gërmojnë eshtrat,
varfanjaket e vuajtur, të mjerët e uritur,
me shpresë se mund të gjejnë në plehra,
thërrime vjedhjesh, në arkivole kopsitur.
Me eshtrat e Lekës së Madh, ndodhi ndryshe,
populli i Ballkanit, i varrosi në shpirtin e tij,
nuk bëri për të, arkivol me dërrasa pishe,
por një arkëmort të përjetshëm, në histori...
Comments