Vullnet Mato
STRATEGU I PAVDEKSHËM
Thuhet Aleksandri ilirian, Leka i Madh,
la në fund, amanetin mbi amanete:
“Kur të më varrosni, më lini duart jashtë,
të më shohin, nuk mora asgjë për vete!”
Kishte dhurata fitoresh e plaçkë lufte,
por deshi ta kishte shpirtin të pastër,
mos veçohej nga populli, në sofër buke,
të vdiste hero i madh dhe njeri i varfër.
Ndaj ushtarët trima, për të linin kokën,
për shpatën e tij, lutej Ballkani i vjetër,
bujqit kur lëronin me parmenda, tokën,
mbillnin për të dhe dy brazda më tepër.
Trimat e mëdhenj, të korrupsionit, sot,
varrosin miliarda, sarkofagëve të thellë,
nëpër varre bankash, kudo nëpër botë,
që miliardi i fjetur, milionin t’u pjellë.
Djersën dhe gjakun e të mjerëve thithin,
me thumbimin, prej vampirësh të etur.
Dhe fshihen shpesh, duke imituar urithin,
pasi me letra false, shtetin kanë vjedhur.
Ndonëse ato s’janë fituar prej vet shtetit,
po nga shiringat tatimore nëpër damarë,
ku merret gjak dhe nga foshnjat e djepit
paçka se varfëria rrokullimën ka marrë.
Dikur në varre, do t’u gërmojnë eshtrat,
varfanjaket e vuajtur, të mjerët e uritur,
me shpresë se mund të gjejnë në plehra,
thërrime vjedhjesh, në arkivole shkopsitur.
Me eshtrat e Lekës së Madh, ndodhi ndryshe,
populli i Ballkanit, i varrosi në shpirtin e tij,
nuk bëri për të, arkivol me dërrasa pishe,
por një arkëmort të përjetshëm në histori...
Comments