Specifika e diskursit të lirikës së poetit Hiqmet Mehmetaj
Prof Dr fatmir Terziu
Abstrakt
Lirikat shoqërore, lirikat e peisazhit, lirikat e dashurisë dhe zambakët e dashurisë, të poetit Hiqmet Mehmetaj pasqyrojnë procesin kompleks të të mësuarit për botën lirike të dashurisë dhe shënojnë plotësisht aftësinë e autorit për të krijuar një realitet të veçantë poetik tipologjik lirik. Për analizën e poezive të marra nga vëllimi „Lirika“ (Botimet „Dudaj“: 2014), analiza e këtij vëllimi sugjeron procesin e komunikimit ndërkulturor në komunikimin e përditësisë dhe asaj që vjen nga memorja jetike, zbulimin e tablosë gjuhësore lokale të zonës, diskurset e disponueshme dhe ndërveprimin e tyre. Qasja diskursive i jep lexuesit, po aq dhe të angazhuarit me studimin e thellë të këtyre lirikave, një mundësi për të lundruar në situata kulturore, analizën e duhur letrare dhe gjuhësore dhe të përdorë metodat e kërkimit konjitiv në ngjashmëri tekstore lirike.
Paraqitja
Një tipar i komunikimit ndërzonal, apo edhe ndërkulturor, i cili manifestohet në nivelin e tekstit të një poezie, në disa raste dhe të një vepre arti në tërsinë e saj, sikurse njihet dhe „Monumenti i Drashovicës, nga vjen pena e autorit, kjo mund të përfshijë zhanër dhe krijimtari moderne, është se poezia paraqet pamjen e gjuhës lokale të botës së autorit. Ai jep një ide të procesit krijues, fazat e krijimit dhe tregon praninë e ligjërimeve brenda procesit njohës në shtjellimin dhe paraqitjen e lirikës së tij, qoftë shoqërore, dashurie, apo dhe peisazhi. Metodat e punës me poezinë e tillë, sidomos me lirikat e tilla, supozojnë perceptim të veçantë të një zhanri lirikash, si dhe aftësinë për të zbuluar nuancat në situatën kulturore të tyre, krijimtarinë dhe origjinalitetin e reflektimit artistik të realitetit.
Ky realitet në penën e poetit Mehmetaj, i lindur në vitin 1943 në Drashovicë të Vlorës, natyrisht ka në vetvete udhën që nis në shkollën pedagogjike „Luigj Gurakuqi“ të Elbasanit në vitin 1967 dhe më tej me studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik në vitin 1975, për të shkuar më tej tek punasi mësues dhe drejtues shkolle në zonën e tij. Me këtë udhëtim komunikimi zonal sjell nga pena dhe mendja e tij „Shqipëri pse s'të zë gjumi“ (1996); „Ëndrrat e trëndafilit“ (1999); „As dielli s'më përshëndet“ (2001); „Nata e lofatës“ (2008); „Vajza e ujëvarës“ (2012) dhe „Lirika“ (2014).
Kështu pamja gjuhësore lokale e zonës e paraqitur në lirikat dhe poezitë e tij përbëhet nga elementë individualë, që janë kuptimi zonal i fjalëve, shprehje idiomatike, ose një metaforë komplekse, varg fjalësh, duke formuar një strofë poetike, që shkon tek specifikimi me emrat e duhur, citatet dhe, së fundi, prania e boshllëqeve gjuhësore tek funksioni i harruar dhe që gjen përkushtimin mjeshtëror të poetit, imazheve, e cila është e vështirë për të gjetur një vlerë ekuivalente në gjuhën jashtë tyre. Përveç kësaj, janë mjaft "fjalë të reja", të shpikura nga autori, gjë e cila është e barabartë me prirjet e përgjithshme në gjuhësi (procesi i formimit të fjalëve), në zhvillimin e letërsisë kombëtare, në veçanti, letërsisë për një kuptim më të avancuar nga ai zonal në kuotimin më të gjerë gjuhësor, jo thjesht dialektor. Si shembull, shprehja "Poçja e brengës", e përdorur nga poeti, që ngjiz dhe lirikën me të njëtin titull.
Nga ana tjetër, një studim i tablosë gjuhësore lokale të botës në lirika të tilla të çon në kuptimin dhe identifikimin e lidhjeve të shumta, duke përfshirë motivet e ndryshme sociale, shoqërore, dashurore, piktoreske të ambientit dhe të vetë zonës dhe shoqërisë së autorit, e cila është një fushë diskursive komplekse dhe me shumë nivele që përfshin jo vetëm njësi teksti, por perceptimin tonë kognitiv. Ky perceptim njohës është gjithmonë më i gjerë dhe më i thellë se vetë teksti, pasi ne mësojmë për botën shumë më tepër në procesin e analizës dhe studimit të tekstit të artit poetik „“Poçen e shoh vëngër, por s'më zhduket/poçja pa mëshirë/vjen në shtrat më futet/më merr me të mirë“ (Lirika, 2014; faqe: 16).
Lirikat si shkas
Për të studiuar fushën diskursive në tekstin e poezisë „Me turkeshën e Dritëroit“ janë marrë disa elementë të figurës së gjuhës së gërshetuar për qasjen gjeografike, rreshti i parë dhe i dytë i poezisë „Nga Stambolli- Porta plakë, nga Marmaraja e gjelbër/Turkesha e Dritëroit vjen e më vërshon në zemër.“, një metaforë „Turkesha e Dritëroit“, „Marmaraja e gjelbër“, që është specifikimi, nocioni i duhur përcaktues gjeografik Stambolli, e që na sjellin mendimin e saktë për të dyfishuar mesazhin, nga njëra anë për të lartësuar poezinë e Agollit, dhe nga ana tjetër për të bërë paralelizmin „Varka me nimfën e detit, në zemrën time vozitet,/ndez një zjarr të pashuar dhe brenda shpirtit tim vërtitet“, pra deri tek fraza zonale „Kunallja më rëmben mua“ e ajo theksuese „Turkeshës për uraganet Dritëroi i bën rëfime/për Abdylin dhe Samiun, Naimin me ligjërime“ (faqe: 35).
„Me turkeshën e Dritëroit“ ka një sekuencë të qartë të përbërë të narrativës muzikore dhe poetike - Overture (Hyrje, hyrje), tregim (tekst lirik), tërheqje (shtesë) dhe përfundim (Outro), redaktim i komplikuar teksti. Përveç kësaj, struktura e poezisë na jep akomodim disi vokal në leximin. esaj, plot ndjesi zërash dhe emërtimesh të huaja, qasjesh zonale dhe gjeografike që bashkojnë dhe bashkëmemorizojnë (jo vetëmzërin e autorit, por dhe të poezisë së Dritëro Agollit).
Kjo poezi është si një uverturë më vete. Uvertura e poezisë fillon njëkohësisht me hyrjen e saj që bëhet një muzikalitet më vete, e që tingëllon si valët simfonike të dy detve, atij që rrethin dhe pështjell Stambollin dhe atij që vjen në lidhje me Vlorën tonë, ku janë dhe arsyet për ta bërë më muzikale, ankthi i memorialit të saj, i përmbajtur dhe emocionues, i njëjti ton tingëllon në të gjithë spektrin e sa lirik, me përjashtim të një tërheqjeje të vogël në pjesën e dytë të ku „sulet varka e Orhanit, përplaset tek un' me vale/sjell turkeshën e bekuar me inxhitë palë-palë“.
Hyrja poetike, pas saj mund të konsiderohet veçmas nga nënteksti. Është një cikël i plotë konceptualisht brenda një rreshti të vetëm, dhe nuk është vetëm pikturim emocional i rëndësishëm, por edhe lidhje sensuale në shpjegimin e absurdit në shikim të parë, botës së gjerë poetike të Dritëroit. Teksti i rreshtit të parë tingëllon si një boshta ku vërtitet historia, gjeografia dhe vetë dashuria e sipërrendur në kapjen kulturologjike të emërtesës engjëllore turkeshës. E kështu ndodh të kuptohet se të gjitha janë bashkë, si „fytyra hënëz e larë…“. Rrokjet ritmike dhe të theksuara përcaktojnë qartë masën e duhur të mesazhit, dhe më pas të gjitha vargjet përsërisin besnikërisht këtë ritëm të dhënë.
Më tej në mjaft poezi të tjera, si tek „Vdekja e panjës“; „Pseudomiqtë“; „Bukuri e përlotur“; „Letër inatçore“ e të tjera, autori zbulon hapësirën e kohës përmes sensit të saj karnaval, lojës fantastike, përditësisë, ku të gjithë perceptimet janë në vetvete aktorë në natyrën ku hiqen dhe vihen maskat karakterizuese, roli i të cilave, nuk ëhtë se vetëm kryejnë misionin që u ngarkon poeti, por luajnë emocionin, dashurinë dhe peshën e saj, luajnë misterin, japin shkas për alternimin e imazheve që do të përfshihen në tekstin e shkoqitur të autorit Mehmetaj.
Një aspekt tjetër i këtyre poezive lirike të autorit qëndron në konceptin e lirisë së lirizmit të jetës. Sipas këtij koncepti gjatë gjithë rrugës krijuese poezia lirike e tij shikohet të shoqërohet me imazhe dhe shenja të afërta me atë që i thek zemra dhe mendja krijuesit. Në komentet e veçanta të lirikës së tillë të poetit lexuesi sheh faqen e jetës së vetë, të albumit të veshur me ritmin e jëtës, udhëjetën e tij, magjinë që prodhon e dukshmja dhe e padukshmja e vetë jetës.
Përtej një kafeje
Me poetin Hiqmet Mehmetaj, kafja që pimë në një nga vendet më piktoreske të Londrës, natyrisht na solli në këndin e saj poezinë dhe krijimtarinë gjatë bisedës sonë të lirë. E aty, në shenjë respekti ishte dhe nënshkrimi këtij libri, pra „Lirika“, që në kopertinën e pasme shoqërohet me një shënim nga Dritëri Agolli ku thuhet se „Lirikat e Hiqmet Mehmetajt janë të sinqerta dhe kanë thjeshtësinë e këngës. Ato nuk janë rritur në serrat e librave, por në livallet e natyrës.“ Prandaj kjo shkon edhe në rastin kur analiza e tekstit poetik, i cili është një grup imazhesh me lidhje të dukshme me njëra-tjetrën, shkon për të çimentuar vijën e tillë elokuente mes natyrës dhe librit, e cila sikurse shihet në vite u shndërrua në një kor poetik të stilit të Mehmetajt dhe që përsëritet edhe disa herë nga mjaft tekste të tij, nga thuajse mjaft lirika të krijuar në vite.
Në vetvete, këto lirika janë gjithashtu një lojë dashurore fjalësh, por përveç fragmentimit të përgjithshëm të imazheve në tekst, lindin efektin përforcues të absurditetit të dëgjueshëm. Për më tepër, mjaft prej poezive si „Një ambiciozi“ ato simbolikisht përfaqësojnë interpretimin shumëvariar dhe tekstin e shndërruar në guaskë poetike në një paradoks kulturor, tekst artistik me një strukturë shumështresore. Një vëzhgim tjetër në analizën e poezisë së lartcituar i referohet veçorive të kronotopit të saj, përkatësisht kronotopit të peizazhit, i cili bazohet në aspekte të ndryshme të realitetit urban, të pranishëm në tekst si pole të kundërta. Megjithatë, ato kanë një pikë të vetme filozofike të konvergjencës, pikën e "montimit" të tekstit.
Poezitë dhe lirikat e hapësirës së jashtme ndodhin në një mjedis urban normal, ndoshta në periferi të afërt që nuk ndryshon, megjithatë, pozicioni i shkëputur lirik, jashtë aspektit gjeografik, të cilat përfshijnë përvojat e tij kanë diskursin e tyre. Imazhe të ndjekura që ekspozojnë ndjenjat e përditësisë, shkëputje, hera-herës një ndjenjë zbrazëtie, të apo mall si tek poezia „Nëna“, sillet thlebi i një vlere të lexuar nga Esenini.
Në tërsinë e lirikës së autorit shtrihet dashuria që rreket në kufijtë e botës kronotopike të hapësirës së jashtme, duke lënë të kuptohet se një model i ngjashëm vërehet nga autori në të gjitha sferat e kulturës dhe shkakton ndjenja të tilla.
Konkluzion
Rezultatet tregojnë se sasia e njohurive të marra nga analiza e tablosë gjuhësore zotëruese të poetit Hiqmet Mehmetaj, në lirikat e tij tejkalon seriozisht sfondin e përgjithshëm gjuhësor, ofron një mundësi për të reflektuar mbi natyrën e një procesi krijues të bukur lrik dashurish të ndjeshme. Diskurset gjuhësore dhe letrare të gjetura gjatë tërsisë njohëse priren të shënojnë procesin e komunikimit ndërkulturor.
Kjo lloj krijimtarie duket premtuese në tërsisnë reflektive të botës poetike, lirike, dhe si një derë e hapur e një serie zhanresh artistike në procesin krijues të poetit Mehmetaj, pasi sjell lidhjen e lirikave, duke përfshirë tërsinë e gjithë vlerës së tij krijuese me bashkëkohoren poetike. Autori është në një udhë të bukur, të pjekur krijuese që synon të mbetet i ndjeshëm, duke pasqyruar realitetin kompleks lirik poetik.
Comments