top of page

Speciale për Çipën e madh


Albert R. Habazaj

Dy elegji të vogla për Lefter Çipën e madh

Nga Albert R. Habazaj

I. Iku Lefter Çipa Vajti në parajsë, Atje e pret drita, Emri drit’ i pastë.

Mua m’u mpi loti, Loti m’u mblodh lëmsh, Lefter Pilurioti Ç’po më merren mëndt.

Poshtë m’u ulën malet Supet dhembjes vënë, Zanat që nga Valet Këngë trimash zënë.

Malet s’ e ngrenë dot Shpirtin e Lefterit, Deti bëhet lot, Lot i lartë nderi.

Ç’po ndodhka me mua? Loti m’u bë gur, Iku si dragua, Se jetoi si burrë.

II. Iku drita që nuk fikej, U pre lisi që nuk pritej, Siç i ka hije një lisi, Ku e priste Kujtim Mici, Nëpër degët me bilbila Ku e priste Maliq Lila, E prit’ pa çel’ lulja e marsit Hamdi Pulo i Tragjasit. Iku në shkurtin e tij, Themi se prapë do na vijë...

Iku, shkoi mbi mal, në re, Detin e thellë na la ne.

Vlorë, 18.02.2021


Vasil Tole dhe Lefter Çipa

U nda nga jeta Lefter Çipa , miku, poeti dhe njeriu që s'kishte frikë nga vdekja, kujtimi i të cilit do të rrojë përjetë, në këngët dhe krijimet e tij magjike e të panumërta! Je mes shokëve Lefter, ashtu siç shkrove vetë tek poema "O shokë vdeksha nga kënga":

Të gjitha këngët e mia, Qofshin ilaç për të gjallët, Se m’i deshi Shqipëria, Kombi im, gjithë shqipëtarët. Vdeksha edhe prapë u ngrefsha, Shokët në këngë i gjetsha!

Sot vaji kthehet në këngë për ty o "Njeri i Dritës"! AMIN!

I O shokë vdeksha nga kënga, Në një ditë prilli a maji, Kur derdhet mbi maja hëna, Në këngë të kthehet vaji. Vdeksha edhe prapë u ngrefsha, Shokët në këngë i gjetsha!

Aty në brigjet, thëllëza, Ligjëroftë mëngjes a darkë, I thëntë këngët të tëra, I thëntë me bilbilat bashkë. Vdeksha edhe prapë u ngrefsha, Shokët në këngë i gjetsha!

Zogjtë e bukur krahëlehtë, Ia thënçin me gjuhë të ëmbël, Shokët e mi, Bilbilenjtë, Mos paçin plagë në zemër.

Midis lisave të gjatë, Kurorë ngritur në qiell, Në çdo festë e në çdo dasmë, Rëntë e më zgjoftë një fyell. Kur të fryjë erë e beharit, Nga deti, a nga Kalbaqi, Do t’i them “hapu pak varrit!” Se do shkoj të rri tek Rrapi.* Vdeksha edhe prapë u ngrefsha, Shokët në këngë i gjetsha!

II

Mbrëma, mbrëma kur del hëna, Kur çdo gjë bie për gjumë, Lehtë e pa u dëgjuar këmba, Do t’i puth të gjithë në buzë. Vdeksha edhe prapë u ngrefsha, Shokët në këngë i gjetsha!

Kur dielli do hapë dritë, Përkarshi Vanovës sime, Edhe unë do të jem ngritë, Të pi ujë në Toçile*, Aty, të më lahet shpirti, Dhe të marr penën të shkruaj, Më ardhtë mbi supe bilbili, Nga gjumi i rëndë të më zgjuaj. Vdeksha edhe prapë u ngrefsha, Shokët në këngë i gjetsha!

Pas zgjimit të ndez cingarë, Duke parë malet përpjetë, Pak nga pak të shuaj mallë, Zjarri im ndezur do të jetë. Të dëgjoj vajzat e këngës, Për ato këngë nga varri dalsha! T’u shpie gjethe të tëndës, Zërin t’u ruaj nga vapa. Vdeksha edhe prapë u ngrefsha, Shokët në këngë i gjetsha!

III

Pastaj avazet e Bejkës, Do t’i rrëmbejë brenda dheu, Çobani nga koha e drekës, Do më thotë:” O Lefter ngrehu!” Kënga e Ninës me zjarre, Kur të ngrihet kulme-kulme, Dhe i tretur të jem fare, Do bëhem bilbil në Lugje*, Vdeksha edhe prapë u ngrefsha, Shokët në këngë i gjetsha!

Ermioni kur t’i derdhë, Elegjitë në grykë të saja, Do marr të pi një gotë verë, Që të më largohet sevdaja. Dhe pastaj kodër më kodër, Do kaloj ditët e gjata, Aty, çdo nënë dhe motër, Do t’i marr me mall nga qafa. Vdeksha edhe prapë u ngrefsha, Shokët në këngë i gjetsha!

Pa përtuar në çdo derë, Do të shkoj e do tund djepe. Fëmijët që kanë bërë, T’i bëj poet e poete. Dhe me ëmbëlsinë e gjuhës, T’u them këngë arbërore. T’u mbijnë përsipër buzës, Si pendë në krahë shqiponje. Vdeksha edhe prapë u ngrefsha, Shokët në këngë i gjetsha!

III

Të gjitha këngët e mia, Qofshin ilaç për të gjallët, Se m’i deshi Shqipëria, Kombi im, gjithë shqipëtarët. Vdeksha edhe prapë u ngrefsha, Shokët në këngë i gjetsha!


Sot mes lotësh përcollëm mikun e shtrenjtë Lefter Çipa. Fjalet mungojne përball dhimbjes, por ashtu si Lefteri donte e përcollëm me vaje labi, me polifoninë e tij të shtrenjtë. Lefteri sigurisht meriton shumë më tepër por këto janë disa fjalë zemre në moment të vështirë, të shoqëruara nga Mjeshtri i Madh Vendim Kapaj me tingujt e tij magjik në fyell.

Lefter Çipa lamtumirë! Nder i bregut, xhevahir, Ike në kohë të vështirë Këtu ku të flasin bir. Në Shën Koll je ormisë Në prehrin e perëndisë Të këndosh bilbil në lis Këtu ku ke pirë sisë. Piluri të ka stolis Princërori poezisë Strateg i polifonisë. I këndove trimërisë, Traditës dhe dashurisë Vulë nderi e historisë E kombit e Shqiptarisë. Fli në krahet e përjetësisë.

Lamtumirë i madhi Lefter Çipa.


Sejmen Gjokoli dhe Lefter Çipa

KE NUR' I BREGUT...


-Elegji për Lefter Çipën, " Nder i Kombit"-


Nata në të shkuar, në të feksur dita, Ike, Lefter Çipa.

Ike mbret i vargut, princ i fosforinës, Ashtu, tinëz - tinëz.

E helmove detin, pikëllove malin, Ike, na le mallin.

Na le mallë e këngë, le vargun e rëndë, Shtigje për të zënë.

Këngën edhe këngën, na le amanete, Se për të u trete.

Për këngën u trete, si qiri u shkrive, Netëve me yje.

Për polifoninë, tënden fosforinë, Nuk e mbylle synë.

Si Naimi ishe, tjetër shokë s'kishe, Vargjeve fildishe.

I këndove Kombit, Shqipërisë që deshe, Në dallgë e rrebeshe.

I këndove baltës, e mbrujtur nga gjaku, Si lule zambaku.

I këndove gjakut, lule partizanit, Me fuqinë e xhanit.

I këndove detit, gurëve të zallit, Me hovet e djalit.

I këndove trimit, kaçakut të malit, Dhe fijes së barit.

I këndove vajzës, bejkës bardhë borë, Nuses me kurorë.

I këndove dhimbjes, plagës së kurbetit, Lotëve të detit.

Gjithë lulet e malit, i derdhe lirika, Thëllëzash me pika.

I këndove hënës, ashtu vetull varë, Mbi Akroqeranë.

Bregut ndeze zjarre, zjarret prushërojnë, Këngëve pikojnë.

Ike nur' i Bregut, nga valët e Jonit, I vajte ballkonit.

Na e le Himarën, dera hapur mbeti, Flamuri dhe deti.

Ike që të prehesh, në Pilur të këngës, Në gjakun e zemrës.

Ike, Lefter Çipa, penda ndezur çika, Vargjesh të florinjta.

Vargjesh prushëruar, me vesë vesuar, Mëngjeseve zgjuar.

Lamtumirë s'të themi, se në këngë të kemi, O pikë mademi.

Vlorë; 18. 02. 2021



Lefter Çipa dhe Ilir Meta

Dhembje e trishtim nga lajmi, që nuk do donim ta merrnin kurrë, legjenda e poezisë dhe e polifonisë shqiptare, Nderi i Kombit, Lefter Çipa, u nda sot prej nesh.

Krijuesi brilant i Bregut, me frymëzim thellësisht kombëtar, iku në përjetësi, për të na lënë të gjithëve një trashëgimi të vyer artistike e kulturore, ku spikatin perlat e polifonisë shqiptare të krijuara mjeshtërisht prej tij dhe që do këndohen në jetë të jetëve, sa të ketë shqiptarë.

Familjes Çipa, komunitetit të dashur të Pilurit kuqezi, gjithë poetëve dhe polifonëve, ju përcjell ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të pazëvendësueshme, që na lëndoi të gjithëve.

Lefter Çipës i jeton poezia, i jeton kënga, i jeton shpirti kuqezi! I paharruar kujtimi i tij!



Lefter Çipi dhe Miho Gjini

LARGOHET NGA JETA BARDI I FUNDIT LEFTER ÇIPA

“O shokë, vdeksha nga kënga../.Vdeksha dhe prapë u ngrefsha,/Shokët në këngë i gjetsha...”. Kështu këndonte i pavdekshmi Lefter Çipa, Bardi ynë i fundit, nga Ballkoni PILUR, që për këdo udhëtarë ngjanë si i "varur në retë e qiellit"! Dhe ikën edhe Ai,trashëgimtari i Neço Mukos në këngët e arta të Polifonisë, duke na brengosur të gjithëve sa jemi, familjen mbi Himarë, me dy poetë trashëguar(të birin , Aleksandrin e nipin), si edhe me blegërimat e "Bejkës së Bardhë" që e la e iku..... 15 vite më parë, mora rrugën enkas që nga Athina, për ti marë një interviste ish studentit tim poet, për revistën e Grigor Jovanit "PEGASI" që e botonim ne Shqiperi, pas një jehone të bujshme të tij nëpër fstvale kombëtare e ndërkombëtare të këngës polifonike,-ku ai njihej si krijues e arkitekt i saj , si shpirti i vet këngës .Qe një takim i përmallshëm, aq më tepër se mbartja në shpirtin e memorjen time edhe dhjetra-qnindra varrgje poetike brilante, pikuar ngaa malli e mjalti i këngës! E do të takohehim aty ku mali puthej me detit, në Himarë, me gotat e rakisë përpara, me njeriun që e kishte në buze edhe fjalën poetike, edhe këngën, edhe lëngun e Dionisit, pa e hequr kurrë kostumin dhe kollaren , edhe kur shtrëngonte vapa! Elegant në këngë e vjersha , elegante edhe ne veshjen e tij , me sqimë. -" Erdha të të gjejë,-i them, me "flatrat" e këngës tënde, i dashur Lefter, që ti i ke ujdisur me kaq merak dhe talent. Je brënda një thesari.." Thesari është në popull, - më ndërpret Lefteri aty për aty, - po “e pikon” artisti. Se rri pa gjumë, i zgjuar. Me penën majëpikuar..."."Po ti, si bir i natyrës,-i them unë, na e rikrijon natyrën, e bën më të bukur. Ti vetë i ke quajtur këngët e tua “Këngët e Akroqeranit”. Ato lindën vetëm këtu, ku Mali i Vetëtimave zbret thikë mbi detin më të thellë e më të bukur që ka bota."- "Kënga, - ma rrëmbeu fillin Lefteri, - është gjithmonë në përgjim. E nuhate, e kape, e bëre. Ndërsa polifonia është këngë e perëndive të lashta. Është krejt e veçantë, si ai kori i tragjedive të antikitetit grek, bile edhe më i hershëm. Një këngë që mbetet përherë e virgjër, që nuk pranon “të martohet”. Mos u habitë i dashuri im!. Sepse nuk pranon as daulle, as klarinetë. Aty treten zërat e shpirtit njerëzor. Vetëm fyelli mund t’i afrohet. Dhe ky shpirt njerëzor duhet të jetë në harmoni me zërat e zogjve. Amanetet, kënga polifonike i përcjell me zogjtë që fluturojnë nga qielli në qiell. Askush më mirë se zogjtë, nuk mund të ndjejnë dhe të përcjellin shpirtin e njeriut."."Sikundër përcollën shpirtin e Neço Mukës,-shtova unë,- dhimbjen e tij... Apo jo?". "Lëre, mos e nga. Neçoja merrej me shpirtin. Kur jetonte ai, në vitet tridhjetë, kishte më shumë dhimbje dhe më pak zogj shtegtarë. Thonë se atëherë “qante dhe deti”. Ndaj u bë vetë zog dhe vajti gjer në Paris, për ta hedhur polifoninë e mrekullueshme të këtyre anëve, “këngën e zogjve”, nëpër pllaka gramofoni “PATHE”. Ja ku e ke Shkëmbin e Thepisur. Aty priste “Vajza e valëve” të dashurin, gruaja burrin dhe nëna djalin. Pikonin lotët mbi det. Po ç’t’i bënte dhimbja dhimbjes? Dhimbjet ishin të njëjta, brenda dhe jashtë detit. Tani “Brigjet në Himarë/ Qajnë me ulërimë” për Neço Mukon, - thotë Lefteri, me patetikën e vet të thjeshtë e të ëmbël.- Dëgjo edhe këtë vjershën time: “Se ti Neço ishe/ Det dhe mal me erë.../ Kthehu ku ti leve,/ Tek shkrove me penë!/ O bilbil pranvere,/ Këngët Bregut mbenë...” Dhe refreni i gjithëkohshëm, që del nga goja e bilbiltë e Lefterit: “O djalosh, bilbil i majit,/ Mos ia fal këngën varrit!”. "Thonë se as varri nuk i gjendet", - e ndërpres unë."Ia gjeta unë varrin, - gati klithi ai. – Pranë një lisi të moçëm, në varrezat e poshtme. S’ka as tre vjet që e kam vërtetuar edhe me ndihmën e fisit të tij, sidomos të tezes. Kjo varrezë e vjetër u braktis më 37-tën dhe poeti mbeti atje, nën krahët e lisit. Më pas, ky lis i madh u pre, nga njerëz të papërgjegjshëm. Kështu mbeti aty “Ëngjëlli i Bregut”. Kur t’i bëhet rivarrimi tek varrezat e reja, do t’i vë këtë epitaf, që e shkrova vetë: “Këtu prehet poeti, FENIKSI I HIMARËS”.-" Mos vallë, Lefter Çipa, si poet e këngëtar mori dritë nga drita e tij?" -" Diku kam shkruar këtë varg: “... seç kam një dritë mbi supe”. Dhe, pak më poshtë: “... rob i këngës u bëra”. Dritën e parë të poezisë e të këngës ma dhanë prindërit e mi, që të dy poetë dhe filozofë popullorë. Nga ata kam lerë dhe prej atyre kam ngjarë edhe në vjershërime. Para tyre ndodh që e humbas edhe kujtesën... Neçoja është ëngjëlli im frymëzues. Por edhe Nase Beni nga Vunoi. Vetëm se këtë zjarrin e shpirtit e kam nga Piluri e nga Mali i Vetëtimave, që e pata mbi kokë tërë jetën. Atje është Tempulli i Zeusit. Prej atij mali të lartë, sipas Homerit, Zeusi lëshonte vetëtima. Homeri që ishte pellazg dhe i dinte më mirë këto punë, si poet i poetëve, na e vërteton një gjë të tillë. Ndaj prej andej rrjedh edhe zjarri, edhe ligjërimi i zogjve, edhe ligjërimi i këngëve. Unë s’jam gjë tjetër, veçse një bir i këngës polifonike". Më duhej të lexoja librat që kishte shkruar Lefter Çipa, për ta njohur më mirë poetin, këngëtarin, valltarin, aktorin, dirigjentin, regjisorin dhe njeriun. Se ai i kishte vetiu tërë këto vlera. Si lexova tetë libra të tij me vjersha, balada e legjenda, më duhej të rikthehesha në Himarë përsëri, dy vjet më vonë. Librat e tij kishin shëtitur me mua nëpër Greqi, Shqipëri, në Maqedoni dhe Amerikë, për t’u rikthyer një ditë po në Himarë, nga i kisha marrë, tek krijuesi i tyre. Në këto libra unë pashë dhe ndjeva Lefterin e vërtetë, Lefterin që nuk e kisha njohur, njeriun e këtyre maleve të zhveshura, piluriotin me kërrabë dhe fustanellë, që i shkroi këto këngë me frymëzimin që i sjell natyra e ashpër por e bukur e këtyre anëve dhe njeriu bregdetas, i malit dhe i detit. Sepse rapsodi Lefter Çipa, me harmoninë e zërave që krijoi, me lirizmin e tij të ngrohtë, me tonet e gëzueshme të melodive rrok një horizont të paanë, prek zemra dhe zgjon mendime të thella. Ajo kënga e “Bejkës së Bardhë” qe një këngë e dalë nga shpirti i një poeti të dashuruar, ndaj dhe “ngjiti” gjithandej. Po aq sa i këndoi dashurisë, diti t’i këndojë edhe trimërisë, shpirtit patriotik të bashkëkombësve, vendlindjes dhe mbarë Atdheut. Ai e do dhe e imiton Çajupin, Lasgushin, Ali Asllanin, Dritëronë, por është e mbetet i mëveçëm, origjinal gjer në eshtrat e veta. Burimet folklorike pësojnë tek ai përthyerje estetike e lartësohen në nivele letrare, me vlera artistike. Lefter Çipa është një poet i ndjeshëm e i thellë, që cingris telat e shpirtit të kujtdo njeriu... Dhe kështu, më në fund, arrita të lexoj rreth dy mijë faqe me krijimtari poetike, duke e ndjerë tani veten të gatshëm, për të biseduar përsëri me Lefterin... Para se të zbrisja në Himarë, në vitin 2008, më tha mendja të takoj në Tiranë të birin, Aleksandër Çipën. Kështu bëra. Ishte shumë i sjellshëm dhe me horizont intelektual. Njëkohësisht poet, diç më ndryshe nga i ati, me ekzigjenca ndaj vetes dhe ndaj poezisë së sotme. U krenova para tij, duke i thënë se pata lexuar tetë librat e Lefterit, por mbeta i befasuar, kur ai më shpjegoi se kisha lexuar vetëm çerekun e tyre . Se 28 ishte numri i plotë i librave të tij. I them përsëri se e kam ndjerë veten të zhytur në ujërat e një lumi malor, burimi i të cilit qe Lefter Çipa dhe se, vetë Lefteri, do bënte mirë që “ujërat e tepërta” t’i mënjanonte nga rrjedha e pastër. Aleksandri u rrëfye i ndërgjegjshëm për këtë dhe se e kishte ndjerë domosdoshmërinë e një paraqitjeje të zgjedhur të veprës së atit të tij, së cilës i qe përkushtuar. E, me të vërtetë, përpara kompjuterit ai më lexoi disa poezi të rralla të Lefterit, fryt i një pjekurie të vonë, të cilat po ua lexoja dy miqve të mi (prof. dr. A. Kallullit e Josif Papagjonit). Ata u befasuan nga mençuria e poetit në përdorimin e metaforave, disa prej të cilave po i përmend më tej... Magjia e këngës polifonike të merr me vete dhe të shpie gjer te krijuesi i saj, i cili vërtet e krijoi, por që vetëm një muzikolog i shquar do të mund ta studjonte gjer në rrënjën e saj, me tërë origjinalitetin, gamën, muzikalitetin e arkitekturën e saj, për ta zbërthyer e portretizuar si vepër unikale, të cilën UNESKO e vlerësoi madhërishëm, si një Institucion Kulturor më vete dhe e mori në mbrojtje ekskluzive.Sa më shumë që i afrohesha tani Himarës dhe Lefter Çipës, aq më shumë ndrojë ndjeja përpara arkitektit të isopolifonisë piluriote. Ashtu do të ndodhte. Takimi im më i fundit me BARDIN E FUNDIT ishte mjaft i shkurtër, por tepër i përmallueshëm. “I nëmuri”, sikundër e quan e ëma e tij, qe zhdukur nga vendi i takimit dhe më duhej rishtazi ta kërkoja. Personat “bohemë” si Lefteri kanë trillet e tyre për t’u “zhdukur”. Më e mira e punëve ishte që të ecja, të ecja e t’i zija me radhë lokalet e Bregut. Aty nga fundi është “Bar Neno”, ku dallova Elenin, këngëtaren e grupit polifonik të Himarës. Isha me fat. Pas pak, ajo ma solli aty mikun tim, Lefterin, natyrisht paksa çakërqejf nga “lëngu dionisak”, që kishte shijuar…Me të më parë, ai u var në qafën time e nuk më shqitej. Pastaj porositi nga një raki dhe, krejt papritur, filloi të ligjërojë vargjet e veta:“Vashëzat nëpër ylber/ këndojnë këng’ e pijnë ver’…/ Pije, të shkoj poshtë farmaku,/ të të gjallërohet gjaku”. Nisa ta pyes përsëri dhe ai mori një pamje të menduar, si të ishte një filozof. Dhe harruam të iknim deri sa na përfshiu nata e rranë mbi ne yjet e qiellit... Unë ktheva sytë nga yjet, që mbushnin qiellin. Lefteri e kuptoi dhe recitoi i ekzaltuar: “Do t’i rrëmbej yjet,/ t’i shkoq në pëllëmbë”. M’u var përsëri në qafë, si të ishte një lavjerrës. E shtrëngova fort, me një ndjenjë dashurie të malluar dhe isha unë tani, që i recitova poezinë që i kishte kushtuar i biri, Aleksandër Çipa:“Ati im, bard i sotëm, pagan i fundit,/mos më prit, ende si dhe dje, mos me prit!/ Do të mungoj, se më duhet të vesh/lëkurën e jetës qëndisin ditët./O gjuhëpikuar,/pa kurorë, At i shenjtë!/Thotë nëna: - Burr’ i nëmur!/Dhe unë: - At i shenjtë!”..... I gjallë përjetë e nëpër kënge e vjersha të arta do të mbetesh LEFTER ÇIPA! (Marrë me shkurtime nga Revista “PEGASI”, nr. 6, viti 2009)


Ilir Kadia

Lefter Çipa!

Kur vdiq Agron Çobani zbriti nga Piluri dhe erdh t'a nderojë!Se e kish mik!Ishte ndër të parët!E mora t'i jap një kafe sa të vinte Sandri!Vetëm një gotë, të lutem!Nuk ka qënë mirë!-më porositi ai!

Por unë rashë në thesar muhabeti!Lefteri nxirrte fjalë e unë sikur dëgjoja vargje këngësh të tij!Magji!Raki?!Nuk e mbaj mend sa pimë! Por nuk do t'a harroj përjetë sa më shijoi!Sikur me Dritëroin!

Lamtumirë ilaçi i këngës tonë!



Fatmir Toçi

SHUHET LEFTER ÇIPA, BARDI I FUNDIT I POEZISE POPULLORE TË LABËRISË

Dita nisi me një lajm të trishtë për të gjithë sot: është ndarë nga jeta pas një sëmundje të gjatë e të mundishme Lefter Çipa, legjenda e polifonisë së Jugut, shpirti i këngës labe dhe të Bregut, në veçanti, njeriu që e rikëndoi historinë e lavdishme të trevës në vargje e tinguj dhe e futi në çdo zemër shqiptare.

Përfaqësues tipik i një brezi të artë të poezisë popullore dhe folkut shqiptar në tërësi, vijues i denjë i Neço Mukës, ai bashkë me emra të tillë të njohur si Maliq Lila i grupit të Bënçes, Feti Brahimi i Lapardhasë, Muhamet Tartari i Vranishtit, Teno Loli i Fterrës e shumë të tjerë të brezit të tij, e ringjallën polifoninë labe dhe e ridimensionuan për kohën tonë, duke na e sjellë origjinale, të freskët dhe me vlera të përbotëshme; ata e përcollën këtë pasuri shpirtërore në çdo kënd të Atdheut dhe skenat më të famshme të Evropës.

Polifonia labe do të jetë më e varfër pa penën e ndritur të Leftër Çipës!...

Kujtimi i jetës aktive të tij dhe i veprës shumëvëllimshme që la pas do të mbeten të paharrueshme dhe një kontribut i vyer i kulturës sonë popullore dhe traditave më të mira të saj.

Brezat që do të vijnë, kurdo që të flitet për bukurinë e fjalës apo zërat e magjishëm të polifonisë labe do të thonë me krenari e përulje: “Si në kohën e Leftër Çipës”.

Të qoftë i lehtë dheu, mik i shtrenjtë Leftër Çipa!

Poetët si ti nuk qahen, ata përcillen me këngë.



Erion Kristo

U largua nga jeta bardi Lefter Çipa. Poet i rrallë dhe i puthur nga muza. 79 vjeç. Rrojti sa deshi me këngë në buzë. Shumë pak kam ndenjur me të, por aq mjaftoi. Portret i skalitur nga dhimbja e poezisë. Atdhetar i rrallë. I ftuar nga

në një nga festivalet e panumërta të organizuara, kalova kohë me të. Njëdizaj, isha me Dodën, poliglotin dhe filologun. Po shpjegonte në disa gjuhë të botës domethëniet e poemave homerike. Ishim te Amfiteatri i Durrësit, brenda, mbi shkallë. Lefteri kaloi poshtë shkallëve. Ngriti kokën, dëgjoi Dodën dhe ia priti me zë të lartë: "Lëre të mençurin në rrugën e vet!" Nuk e kam harruar kurrë atë thënie. As mrekullinë e vargjeve të tij. As Lefterin.


Çlirim Hoxha

Ngjitet në qiell Princi i Këngës Lefter Çipa, Nderi i Kombit Shqiptar!

Shuhet Lefter Çipa Nder i Kombit, por nuk shuhen këngët e tij, nuk shuhet Bejka e Bardhë, nuk shuhet malli i derdhur në vargje për këtë tokë që pikon gjak me okë, sepse janë Këngët e Atdheut tim, janë ilaç, janë shërim. Nuk shuhet Emri që la pas Lefter Çipa, nuk shuhet Naim Shqipëria, nuk shuhet shtiza e flamurit, fosforin labe mbi malet Akrokeraune.

Lefter Çipa sa ishte gjallë jetoi me këngën polifonike duke e ngritur madhështinë e saj në majat më të larta të folklorit shqiptar. Ky bard popullor ishte mbret i festivaleve, Princ i Pilurit që e lindi dhe të cilit i dha famë, i dha ar dhe argjend, i nënshkroi këngën si një pasuri që do trashëgohet nga brezi në brez.

Kohët e fundit Lefter Çipa i Madh vuajti, u sakatos, por dot nuk u mposht, sepse nuk mund të mposhtej kënga, nuk mund të mposhtej vargu, nuk mund të mposhtej shpirti i Princit të Këngës.

Lefter Çipa ndezi zjarre majave të maleve, zjarre që tundonin yjet e qiellit, zjarre që flakërinin mes jehonës së këngëve dhe zbrisnin poshtë në viset e njohura, mbi detin e Himarës dhe përhapeshin mbi hapësirat shqiptare si mesazhe pellazgjike, që dëshmonin kohët e vjetra, kohët kur lindi kënga, në shpirtin dhe gojën e popullit të parë të Europës dhe Mesdheut.

Lefter Çipa i dha hov këngës sepse u mbrujt me këngë që në djepin e lindjes, u mëkua nga shpirti i këngës dhe kalëroi mbi malet e rëndë dhe zbriti në skenat magjike të festivaleve, duke firmosur epitafin e pavdeksisë.

Lefter Çipa kishte shpirtin Naimjan prandaj u lidh aq shumë me dheun e të parëve, prandaj i këndoi aq shumë tokës së shqiptarëve. Ky mjeshtër i polifonisë ngriti në këmbë dhe i dha shkëlqim gjinisë më të dashur të Labërisë, këngës polifonike, e cila jo rastësisht u morë në mbrojtje nga UNESCO, si Trashëgimia Gojore e Njerëzimit.

Polifoni me iso këndon populli më i vjetër i planetit, populli që u dha emër maleve, deteve, lumenjve, liqeneve, specieve prandaj për Nderin e Kombit Lefter Çipa kënga ishte buka dhe uji, ishte ëmbëlsira e dasmave, ishte shpirti i festivaleve.

Sa breza u rritën me këngët e Lefter Çipës dhe sa breza të tjerë do ta trashëgojnë atë gojë më gojë, se kënga nuk vdes kurrë në gojën dhe shpirtin e një populli, ajo është si flladi i pranverës që fëshfërin gëzuar mbi malet e shkruar.

Lefter Çipa nuk është më fizikisht, por Lefter Çipa është në gjirin e këngës që shkroi e krijoi, në shpirtin e popullit që këngën e tij e këndoi.

Qofsh i përjetshëm në shpirtin e popullit që të lindi Princi i Këngës Lefter Çipa, Nderi i Kombit.

Lavdi veprës që le pas!


Aurela Gaçe

Lamtumire e u prehsh ne paqe Lefter Çipa! Çfare krijoi e la mbas, eshte thesar per ne! I paharruar!

Poezi nga Lefter Çipa

Si kalojnë vitet, si gjumi në varre, Fuqia më pritet, gjaku s’më ka zjarre. Shpirti më venitet, se s’pret më behare, Nëpër mall zvarritem, shpresa s’duket fare.

Po më duken ditët, netë me errësirë, Sikur vërtet thikët, zemërën ma grijnë. Çdo gjë është e kriptë, qumështi bëhet hirë, dhembje përmbi brinjë, loti loton sytë.

Koha vërtet ngriu, sytë u mjegulluan Trupi seç më shkriu, m’u prenë këmbë e duar. S’më fryn më veriu, se më ka harruar, Më harrojnë qejflinjtë, me ‘ta kam kënduar.

S’di ç’mu bë guximi, pse më është larguar? Nga meraku shpirti, më rri i trazuar. S’po duket bilbili, ka kohë pa dëgjuar Apo s’vjen më prilli që ish shok me mua?!

Verë e hidhëruar, duhani m’është prerë, Kujtesa mërguar, s’ka më për tu kthen’, Dashuritë u shuan, s’duroj dot më erë, Fjalë e sertësuar, plakë e s’e merr dhenë.

Paska qenë kjo jetë, një erë e shpejtuar, Gjumërehatin humba, gëzim pakësuar. Pa mundime s’ngelem, unë mundim-rënduar Dot tek vetja s’mbeta, lundroj dëshpëruar.

Hapësirë e ngushtë, deti një kazan Errësirë e shumtê, nata veç më plak. Besimi i ngurtë jep e merr me xhan. Filli n’u këputtë, s’më vjen keq aspak. /

Poezi nga Lefter Çipa Shpirti në venitje


Lefter Çipa dhe Bujar Leskaj

U largua Lefter Çipa, princi i polifonisë shqiptare, Nder i Kombit.

KËNGA E LAMTUMIRËS

Lefter Çipa

SHPIRTI IM NË AMANET

Ikinën zogjtë, ika unë,

Lamtumirë o miq e shokë!

Do shkoj atje ku kam punë,

Do shkoj në një tjetër botë.

Ndaj mos pyesni për mua,

Se kështu kanë ardhur kohët,

Do largohem dua s’du,

Dhe lundër do të bëj lptët.

Andej do të jem për vite,

S’dihet sa vite do largohem?!

Veç mos më thoni që vdiqe,

Se një ditë, prapë do kujtohem

Do kujtohem të vi prapë,

Tu takoj me ju të çmallem,

Dhe në mbetsha m’atë anë

Do ngjallem, për ju do ngjallem.

Dhe një mal të kem mbi vete ,

Do të kem një mal me gurë,

Shpirti im me amanete,

Do vi shpejt të puth flamurë.

Të shikoj shtizën e lartë,

Që kanë merak kurbetëllinjtë,

Prandaj shokë do të vi prapë,

Do vi prapë, … ndonjë ditë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page