Sot kur po zgjidhet kush duhet të vdesë
U bëra pikë loti në pendesë
Se pak jemi dashtë
Sa pak jemi dashtë!
Në spitale po zgjidhet kush duhet të vdesë
Vdekja në shumë vende po mbledh me fshesë
Ne bëjmë statistika sa vdesin në ditë nga makinat
Sa nga aeroplanat, sa nga droga e sida
E fshehim ato që vdesin nga mungesa e dashurisë,
Bota ka ra në gjunj me duar nga qielli
E lutet si asnjëherë për një shekull.
Sa pak jemi dashtë…
Sa pak jemi dashtë Zot dhe ti na ke falë
Na ke falë shumë kohë duke besuar se kemi me u dashtë më shumë
Një ditë kemi me fillue me u dashtë më shumë e me urrye më pak
Me shpërfillë më pak, me tallë tjetrin më pak
Me iu gjetë tjetrit më shumë.
Sa pak jemi dashtë,
Sa shumë kohë kemi vra pa dashuri
Sa kohë çuam dëm pa puthje, pa përqafime
Sa miliarda herë nuk i thamë njëri – tjetrit, të dua,
Natën e mirë, mirëmëngjes, a ke nevojë për mua, a je mirë
A të ndihmoj dot, a mund ta fshij lotin, a ke bukë në shtëpi…
Sa herë e shtymë të dobëtin dhe lëpimë të fortin
Sa herë nuk e dëgjuam tjetrin, sa herë duruam ta dëgjojmë deri në fund
Gjithmonë kërkuam pa menduar kurrë çfarë dhamë
Pa dhënë kurrë dashuri
Pa mbuluar netëve prindërit me batanije të ngrohtë
Pa puthë duar nëne, o Zot duar nëne
Pa përqafuar babanë që cilindo në jetë e lë jetim
Sa orë e mijëra orë mbajtëm mëri me vëlla e motër, heshtëm gjatë
Sa mijëra herë nuk u kuptuam e iu shmangëm njëri – tjetrit
Duke ia lëshuar vendin heshtjes e urrejtjes
Duke u endë gjyqeve kundër vëllait a motrës
Që nga krijimi i botës
Sa pak jemi dashtë, o Zot sa pak!
Sot që po zgjidhet kush duhet të vdesë, unë po çmendem
Nga poshtërsia që kemi bërë – që nuk jemi dashtë
Që nuk i thamë çdo orë e çast njëri – tjetrit, të dua
Që nuk i thashë sa duhet e mjaftueshëm asaj, të dua
E as ajo nuk më tha mua
Ndaj sot po zgjidhet kush duhet të vdesë
Natyrisht që më të mirët zgjidhen të vdesin, si gjithmonë…
Sot që po zgjidhet kush duhet të vdesë
Nuk them se nuk kam frikë të vdes zemër
Po përjetoj tmerr që mund të zgjidhem të vdes
Që mund të zgjidhet të vdesë cilido që ka bërë 65 vjeç
Që është i vjetër a i sëmurë
Nuk është zgjedhje e zotit se cili duhet të vdesë
Është zgjedhje e urrejtjes, e shpërfilljes, e mërisë tonë
E mungesës së dashurisë.
Sot që po zgjidhet kush duhet të vdesë
Cili baba, cila nënë, motër, vëlla, duhet të vdesë
Jam ulë në udhë nga shkojnë fatet
Gjunjët me duar kam mbështjellë
Dhe me sy të përlotur kërkoj ndjesë
Ndjesë se ndoshta të kam dashtë pak
Sa pak të kam dashtë…
Comentarios