Sot festohet Shenjtërimi i Nënë Terezës, dhe ende gëzim për të varfërit dhe shqiptarët


Foto nga AFP



"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". Nënë Terezës, me shtat imcak, por me besim shkëmbor, të patundur, iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër. "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin e saj, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme : "Të shuante etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore".


***

Sot, më 5 shtator, kalendari liturgjik i Kishës katolike romake kremton festën e Shenjtёs Nënë Terezë, një jetë në shenjë të dashurisë së Krishtit e të dashurisë në shёrbim e bamirësi ndaj mё tё varfёrve ndёr tё varfёr. Festa kishtare liturgjike përkon me atë mbrëmje të paharrueshme 5 shtatorit 1997, kur në Kalkutë ndërroi jetë Ganxhe Bojaxhiu -Nënë Tereza. Kujtimi i saj është i gjallë në zemrën e secilit nga ne, në mbarë Kishën dhe në mbarë botën. Kjo grua e vogël, e ardhur nga një familje e thjeshtë shqiptare, me forcën e besimit në Zotin, diti të kryejë një vepër të mrekullueshme dashurie për të afërmin, posaçërisht për më të varfrin.

Në të vërtetë Shenjta Nënë Terezё ishte dhuratë e Zotit për të varfrit më të varfër; e njëkohësisht, pikërisht për shkak të dashurisë e shërbimit të saj të jashtëzakonshme për të mjerët, qe dhe mbetet dhuratë e jashtëzakonshme për Kishën e për botën. Ajo ia dhuroi plotësisht vetveten Zotit, gjë që e përsëriste çdo ditë në lutje. Ishte pikërisht kjo dhuratë bërë Zotit, ajo që e çoi në dhurimin e plotë të vetvetes në shërbim të të afërmit e në mënyrë të veçantë të më varfërve ndër të varfër.

***

Derisa ishte gjallë, rregulltarja shqiptare e bamirësisë gëzonte admirimin e mbarë planetit, sepse nderonte gruan, që ia kishte mjekuar plagët, duke shkelur personalisht në të katër skajet e globit, me sandalet e vjetra e të konsumuara dhe me moton fuqinë e dashurisë për Zotin e për njeriun. Kudo shkoi, Nënë Tereza u përpoq të shuante etjen për dashuri te njerëzit më të varfër e të nëpërkëmbur nga shoqëria bashkëkohore.

“Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit në kryq, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.

Në fytyrat e të mjerëve, pa fytyrën e Zotit, pa fytyrën e Jezu Krishtit i cili, nga lartësia e fronit të dashurisë, Kryqit, vijoi të dihasë: “Kam etje!”. E Nënë Tereza iu përgjigj kësaj dihame, që dilte prej buzëve të shkrumbuara nga etja të Zotit, duka ia dhuruar vetveten njerëzve të varfër, të braktisurve, të vuajturve, të vetmuarve, atyre që vdisnin rrugëve.

Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën dhe dinjitetin e të varfërve dhe të mënjanuarve, u dha atyre, që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijen se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e Mëshirë për të gjitha krijesat e veta.

Dëshmoi Ungjillin e dashurisë, që ushqehet me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes – deri në grahmën e fundit. Kështu do ta kujtojmë gjithmonë, duke iu lutur, tash e tutje si Shenjte, që të ndërmjetësojë për ne e njerëzimin mbarë pranë Hyjit Atë Qiellor.

Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore, Misionaret dhe Misionarët e Dashurisë, për popullin e Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin”. Kështu është shprehur Papa Gjon Pali II, edhe ai Shenjt, që e lartoi në nderimet e altarit Nënë Terezën, më 19 tetor 2003, gjatë ceremonisë beatifikimit, në Vatikan. Nga altari, Shën Nënë Tereza na porosit: “duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni...lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse familjet që luten së bashku, qëndrojnë të bashkuara. E nëse njerëzit qëndrojnë bashkë, ata do ta duan njëri-tjetrin, ashtu si Zoti e do secilin prej nesh”.