SOT DO TË SHKOJ NË KISHË…
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 26, 2019
- 1 min read

SOT DO TË SHKOJ NË KISHË…
Nga Miltiadh Davidhi
…E do të ndez qirinj për të ikurit e mi, të bukurit yje të hershëm, e të rinj, e do të flas, e do të çmallem me të gjithë nji e nga nji.
Pikat e qirinjve që shkrijnë do të jenë lotët e mi, se sado larg të jem në çdo kishë të universit mund të ndez qiri, njësoj si në Lushnje, njësoj si në Shqipëri.
Do të ndez qirinj për të gjithë të ikurit e mi, se paskam një det të tërë malli, ndaj shpirti im do jetë qiri që digjet, do të jetë trupi i tij.
Në flakën e shpirtrave Do digjen lotët e mi.
Sot do shkoj në kishë e do ndez një glob me qirinj, një yllësi plot me yje, fytyrat e erërave që qajnë të ndriçojnë flakët e tyre…
Qirinj për ata që njoh e s’i njoh, qirinj për të mirë e të lig, qirinj për dhimbjen, e qirinj për dashurinë, që kurrë nuk m’u fik!
Do ndez qiri pë kohën e ikur, e do ta kujtoj me nostalgji, për ëndrrat e shpresat, që vdesin çdo ditë, nëpër transhe luftrash, e dete plot dallgë e stuhi.
Në flakën e dritës së tyre Si një lëndinë me yje të pa fikur, do të bëj kryq e do lutem për shpirtrat e tyre të ikur, e për të nesërmen e çdo shpirti të gjallë.
Zot im, mbase jam pak me vonesë, e nuk jam shumë fetarë, por, të lutem, më falë!
Comments