top of page

Sot është e Hënë


Sot është e Hënë

Nga Fatmir Terziu

Sot është e Hënë. (Mos) dilni jashtë.

Blini butësisht

vetminë jeshile nga dyqani.

Ndaloni para ujëvarave të rrahura nga drita

peisazhit që pikturon mendja

dhe merrni një frymë të thellë,

ai ajër i rrahur nga pëllumbat e vetmisë

fluturave u shkon në krahë,

kush të dërgon diellin në nën-strehë?!

Asnjëherë mos kërko,

vetëm në qiellin e përhumbur në mendje,

ku puthen qerret e ngarkuara qiellore

me re të vogla në të ngrënë,

plot pafundësi të bardhë

dhe era shpejt i largon. Sot është e Hënë.

Dhe Zoti prehet pas krijimit të Tokës ...

Njeriu nuk është artikuluar akoma nga argjila.

(Mos) dilni…! Shkoni në dyqanin e ëndërrave ...

Klouni i vetmisë

Nga Fatmir Terziu

Jo gjithmonë vjen në kohë.

Ai vjen gjithmonë vonë ...

jo për të dhënë,

por për të marrë kokrrën e fundit të të qeshurës sate.

Ai heq kapelen.

Ti i hedh një lek nga kursimet e shpirtit

dhe ai ende vjedh

lëkurën e arnuar me sfumimin e dritës

vjen me sqimë,

tek ju,

por ka një thërrime në pëllëmbën tuaj.

Sapo të përpiqeni ta shtini atë,

frika shfaqet në ndjesitë tuaja.

Ai hesht,

fjalët janë zhdukur,

mjalti i rëndë në qiellzë është i hidhur.

Dikush tallet pas shpatullës

dhe kur i drejtoheni sikur të jetë në një qelq,

ai hesht.

Ju shkoni përsëri ngadalë,

në mënyrë të pabarabartë,

me buzëqeshjen tuaj,

shpresën, trishtimin e bërë një hartë ...

ku i panjohuri është i njohur dhe i huaj.

Një korocatë nga shekulli i harbuar,

e ashpër

ju fton në shtratin tuaj të fundit.

Ju lini kohën në (pa)kohën ‘flash’,

por krevati është bosh,

edhe pse keni pikturuar mjaft sy grash.

Vetëm kllouni i vjetëruar nga vetmia po pret

në cepin më të lehtë të errësirës së trashë.

Buzëqesh

Nga Fatmir Terziu

Edhe atëherë kur të vjen loti majë syrit,

buzëqesh,

edhe në të zbrazshin fjalorët më të ndyrë,

buzëqesh,

edhe atëherë kur inati si një gungë të ka mbirë,

buzëqesh,

edhe në i mbeti ‘meraku’ Tjetrit, pakëz cmirë,

buzëqesh!

Është kjo fjalë që i bën sfidë mërzitjes,

faqeve të zverdhura të fjalorëve,

një shenjë e lehtë e përshpirtjes.

Mbi astarin e tistë të vetmisë,

harpon shpirtit,

edhe në sallat më mondane bën kryefjalën,

kthen diellin flori mes dimrit,

mbi suita resh,

gëzon nënën, bën me krahë babën,

gruan, familjen, i jep zemër dashamirit,

ndaj buzëqesh!

Edhe atëherë kur të vjen loti majë syrit,

buzëqesh,

edhe në të zbrazshin fjalorët më të ndyrë,

buzëqesh,

edhe atëherë kur inati si një gungë të ka mbirë,

buzëqesh,

edhe në i mbeti ‘meraku’ Tjetrit, pakëz cmirë,

buzëqesh!

Se një ditë tjetër vjen më e mbarë,

buzëqeshja është vetëm jetë.

Është kjo fjalë që ushqen shpirtin si të duash,

linja më e përsosur e dashurisë,

atë e këmben vetëm me buzët e gruas

është vetë çelësi i lumturisë.

Buzëqeshja të bën njeriun të duash,

i buzëqeshur ti mbetesh peng rinisë.


Një lutje për ta dërguar për propozim …

Nga Fatmir Terziu

Jeta nuk është një pendë e artë

që shkruan fate

mbush shporta me trëndafila.

Në të vërtetë,

jeta është e padukshme,

Judë,

një prozë e shkruar dhe e papërpunuar...

pafund…

Ju jeni duke shfletuar në librin e tij

mbi faqet e njomura të helmit

një murg i vetëm

në pranverën e tij të vonë,

një murg që prek misterin mëkatar.

Çfarë ka mbetur

një qiri për të ndezur.

Një lutje për ta dërguar për propozim ...

mbase, jashtë një dite të vetmuar,

duke u ndezur në perëndimin e diellit,

poshtë dritares së mbyllur,

një rreze e fundit do të sjellë shpëtim.

57 views1 comment

1 Comment


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Apr 14, 2020

Poezi tejet të goditura, interprete të shpirtit të kësaj kohe që po përjetojmë. Rezonojnë emocionalisht me poetikën vetëtitëse e tepër të freskët dhe disa "imtësira", siç është tingëllima e zymtë e tunxhit të mërzisë, qiriri i lutjes, drita e buzëqeshjes…

Pasi i mbaron së lexuari të vjen të thërrasësh: Rroftë Jeta! Rroftë Dashuria!

Falënderime dhe respekt z.Fatmir Terziu!

Kozma Gjergji

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page