SHPENDI TOPOLLAJ
Më ndodh të vras mendjen e të gjej se çfarë e bashkon dhe çfarë e ndan krijimtarinë e Dante Aligerit nga ajo e Aleksandër Sollzhenjicinit. Thjeshtë se ata ishin njeri italian e tjetri rus, apo se njeri kishte jetuar nja shtatë shekuj më parë e tjetri në kohë moderne.Të dy shkruan për Ferrin; i pari për atë imagjinarin, i dyti për atë të vërtetin. I pari për vuajtje fajtorësh dhe i dyti për vuajtje të pa merituara e të padrejta. I pari askund nuk thotë se bashkë me të dënuarin në Ferr e pësonin edhe të tjerët, miq, shokë dhe të afërm, kurse i dyti përshkruan edhe vuajtjet e bashkëshortëve, fëmijëve e kushërinjve kur e pësonte dikush. I pari nuk bën fjalë askund për shejtanllëkun e ridënimeve, kurse i dyti shpjegon se ato qenë mëse normale, si me të burgosurit ashtu edhe me të internuarit. I pari nuk na jep asnjë rast ku dikush të ishte dënuar vetëm pse kishte shkruar një letër ku aludonte për ndonjë udhëheqës, kurse i dyti e kishte pësuar vetë ngaqë në një letër që i dërgonte një miku, fliste ashtu si shkarazi për atë të madhin fare, Stalinin. I pari në traktatin e tij “Monarkia” kërkonte ndarjen e kishës nga shteti, kurse i dyti e dinte se këtë punë e kishte kryer shteti vetë, madje edhe më dhunshëm, duke e bërë të paqenë atë. I pari përshkruan kundërshtitë që kishin dy partitë, Guelfët e Gibelinët, kurse i dyti, na jep luftën që bëhej brenda të njëjtës parti, asaj bolshevikes… Të dy u përfshinë në luftë; i pari në betejën e Kampaldinos dhe i dyti si kapiten i Ushtrisë së Kuqe, kur ushtria hitleriane sulmoi vendin e tij. Njëri zgjodhi për të na i dhënë ato që donte me vargje e tjetri në prozë. Dhe çfarë i bashkon ata? Së pari vetëdija atdhetare dhe instinkti i drejtësisë. Pastaj stigmata e mos pajtimi me të keqen, vlerësimi për virtytet njerëzore, nderimi për ndershmërinë, guximin, besnikërinë e mos nënshtrimin dhe fati i tyre i njëllojtë. I njëllojtë, pasi edhe Dantja u përzu nga vendi i tij dhe jetoi në disa vende, për të vdekur në Ravena, por edhe Sollzhenjicini në vitin 1974 u përzu nga Bashkimi Sovjetik, për të jetuar për shumë vite, fillimisht në Gjermani, Zvicër e pastaj në Kavendish të Vermontit në SH. B. A. për 18 vjet. Dhe të dy u kurorëzuan; i pari me një kurorë dafinash dhe i dyti me çmimin “Nobel” në vitin 1970. Tani le ta gjejë vetë lexuesi se cili Ferr qe më i tmerrshmi. Por nuk e kisha fjalën këtu; desha të them që shihini si përsëriten historitë, por shihni gjithashtu se si kthehen shkrimtarët e vërtetë në shenjtorë që i duhen çdo kohe. Ai u lind në Kislovodsk më 11 dhjetor 1918, dhe studimet e larta i kreu për matematikë e fizikë në Rostov. Por vazhdoi edhe disa kurse filozofie dhe letërsie. Në rininë e tij jetoi arbitraritetin dhe goditjet që diktatura staliniste u bënte intelektualëve. Por aso kohe, ose nuk i dinte ose nuk donte t`i besonte. Pas 22 qershorit të vitit 1941, kur tinëzisht Hitleri sulmoi Bashkimin Sovjetik, ai u fut në radhët e ushtrisë, ku mori dhe gradën kapiten. Mirëpo pas fitores mbi fashizmin, nisi të ndërgjegjësohej për “lumturinë” që sistemi komunist po i sillte popullit rus. Ndaj dhe ndodhi ajo historia e asaj letrës ku ai tallte “babain e popujve të botës” J. V. Stalinin. Gjyqi nuk deshi t`j dinte për qëndrimin e tij të më parshëm dhe gjatë luftës, dhe e dënoi me tetë vjet burg e më pas me tre vjet internim. Këto qenë vitet e llahtarshme, ku ai jo vetëm vuajti vetë, por pa edhe sesi u ishte shkatërruar jeta një pafundësie njerëzish të pafajshëm. Askush nuk mund të fliste për gjendjen në ato kampet e punës që zunë t`i quanin Gulakë (Drejtoria shtetërore e kampeve të riedukimit të punës). Kur në 5 mars të vitit 1953, gjeneralisimi Stalin u gjet i lagur në një divan të daçës së tij, dhe pasi ndodhën ato ngjarjet e njohura të luftës për pushtet,që u finalizuar me pushkatimin e kriminelit gjeorgjian Lavrenti Pavloviç Beria, dhe ardhjen në krye të Komitetit Qendror të N.S. Hrushovit, situata nisi të zbutej. Pati një farë ndyshimi, ndaj dhe Sollzhenjicini, si për të demaskuar krimet e Stalinit me shokë, shkruan librin “Një ditë e Ivan Denisoviçit”. Pati reaksion, deri dhe përpjekje për të mos e botuar, nga zyrtarë e partiakë, por u desh ndërhyrja e vetë Hrushovit që në vitin 1962 ai të dilte në dritë, duke u botuar nga “Novij Mir”. Lajmi i botimit të tij mori dhenë; kudo kërkohej ai, dhe perëndimi e priti me ngazëllim. Ishte dëshmia më autentike e llahtareve që hoqën njerëzit në atë vend me propagandë mashtruese, ishte akt akuza më bindëse dhe e vërteta e pakundërshtueshme që do t`i hapte sytë gjithë atij populli të madh. Emri i personazhit, Shuhov, u bë kudo i njohur, ashtu sikurse gjithkush pa gjithësa ai dhe të dënuarit e tjerë, hoqën dhe u përpoqën për të mbijetuar. Luftë me punën e rëndë të detyruar, luftë me të ftohtit e jashtëzakonshëm, luftë me urinë e përherëshme, luftë me çnjerzillëkun e rojave, ndeshjet me kriminelë të çfarëdollojshëm, luftë me ndërgjegjen e tyre… Ja dhe ironia e paharruar në mbyllje të këtij libri: “Kishte kaluar edhe një ditë pa brenga, pothuajse e lumtur. Ditë të tilla gjatë dënimit të tij nga mëngjesi në mëngjes kishte pasur tremijëegjashtëqindepesëdhjetëetri. Për shkak të viteve tëë brishta i rezultuan edhe tri ditë të tepërta…”. Dhe çuditërisht, në asgjë nuk ndryshon shtypja, hakmarrja, shpërfillja e jetës, shkaktimi i dhimbjeve, hapja e plagëve, krijimi i dramave shpirtërore të atij vendi prej nga e morën komunizmin, edhe Enver Hoxha me bandën e tij, dhe na e bënë peshqesh në Shqipëri. Lexoni At Zef Pllumin, Uran Kalakullën, Pjetër Arbnorin, Visar Zhitin etj. etj. dhe do të shihni se sa Shuhova ka pasur këtu te ne. Por kur u pa se bota po e vlerësonte aq lart këtë shkrimtar, aqsa edhe akorduan në vitin 1970 çmimin më të madh “Nobel”, qëndrimi ndaj tij ndryshoi kryekëput. Kishte ardhur në fuqi Brezhnjevi, dhe ai nuk të falte për këto punë, ndaj Aleksandër Sollzhenicinin që e donte bota, e shpallin të padëshiruar në vendin e tij. Kështu i qenë turrur edhe Boris Pasternakut dikur, kur shkroi “Doktor Zhivago”. Por Sollzhenjicini, vazhdon të krijojë dhe boton librin voluminoz “Arkipelagu Gulak”, një libër demaskues dhe i mbushur me fakte rrëqethëse nga dëshmitë e 227 të dënuarve, dhe që shkrimtari ua kushton “të gjithë atyre që nuk u mjaftoi jeta për të rrëfyer dhe të më falin që nuk i pashë, që nuk i përmenda dhe që nuk i mora dot me mend të gjitha”. Dhe sikurse sqaron më tutje ai: “Në këtë libër nuk ka as personazhe të trilluar. Njerëzit dhe vendet përmenden me emrat e tyre të vërtetë. Nëse përmenden me iniciale, kjo bëhet për arsye personale. Nëse nuk përmenden fare, kjo ndodh vetëm për arsye se kujtesa njerëzore nuk i ka ruajtur emrat… Por gjithçka ka ndodhur pikërisht kështu”. Në këtë libër ka perla përshkrimesh nga sa ngjanë në atë vend. Të gjitha nuk të shlyhen nga kujtesa, por dua të theksoj analizën e zgjuar që ky shkrimtari i bën dënimit si tradhtar të atyre djemve të Rusisë që ranë rob në dorën e gjermanëve: “Pra, çfarë rruge duhej të ndiqnin robërit rusë të luftës? Ligji ishte vetëm një; të shtriheshe dhe të lejoje të të shkelnin. Çdo fije e hollë bari çan tokën për të jetuar, kurse ti duhej të shtriheshe… të të shkelnin. Ndonëse me vonesë… vdis në këtë moment, përderisa nuk vdiqe në fushën e luftës, sepse vetëm atëherë nuk do të gjykoheshe”. Kurse për të shkruar romanin - epope “Gushti i katërmbëdhjetës - “Rrota e kuqe”, u deshën plot njëzet vjet (1971 - 1991). Ai kishte nisur në fakt, qysh nga viti 1937. M`i solli të dy volumet e këtij romani me mbi 1.200 faqe, njeriu i mirë dhe përkthyesi i talentuar dhe plot kulturë, shoku im historiani Nikolla Sudar. E lexova atë, dhe dashje pa dashje e krahasova me fuqinë e “Lufta e Paqja” e Tolstoit. Një enciklopedi e atyre ngjarjeve që zhvillohen në preludin e një shndërrimi të madh politik, social dhe ekonomik të Rusisë. “Pavioni i kancerozëve” , po ashtu i përkthyer nga Nikolla, me ngjarje të vërteta nga ai spitali i Tashkentit që ai kishte vizituar, mbetet një vepër artistikisht mjaft e arrirë nga ky autor të cilit i është botuar kolana e veprave të tij në tridhjetë volume. Ish rreshteri Oleg Kostogllotov, Aleksei Shulubini, Rusanovi, Vadim Zacirko, Efrem Podujevi, Diomka dhe djali i sëmurë nga këmba, me gjithë qëndrimet shpesh të ndryshme, të dhimbsen aq shumë, sa mezi pret ta mësosh fatin e tyre të mëtejshëm. Sa i mrekullueshëm mbetet rrëfimi i Shulubinit në bisedë me Kostogllotovin, për rastin e Dima Olinckit që kishte abstenuar për pushkatimet, duke shtuar se: “Unë besoj se në vitin e dymbëdhjetë të revolucionit duhet të jemi në gjendje të gjejmë mënyra alternative të luftës së klasave”. Dhe kaq u desh. Pasuan thirrjet: “Maskarai! Agjent i armikut!” Kur shkrimtari i madh më në fund u kthye në atdhe, me rastin e ditëlindjes së tij të tetëdhjetë, reformatori Boris Jelcin e dekoroi me urdhërin “Apostull i shenjtë Andrej Përvoznanij”, por ai dinjitoz siç ishte, madje dhe mjaft kritik ndaj të metave, sikurse kishte qenë edhe atje në Amerikë, e refuzoi atë dekoratë, me arsyetimin: “nuk mund të pranoj urdhrin nga udhëheqja e lartë, e cila e ka shpënë Rusinë në këtë gjendje katastrofike”. Thashë dinjitoze, por si shqiptar nuk mund të mos kem dhe qortimin tim për të; kur bota mbarë pa krimet e përbindshme të kasapit Sllobodan Millosheviç ndaj popullit paqësor kosovar, kur krimet e tij dhe falangave që ai lëshoi ndaj njerëzve të paarmatosur, grave, pleqve e deri fëmijëve, Aleksandër Sollzhenjicini nuk e prezantoi veten aspak mirë. Ai mbajti anën e kriminelëve sllavë, duke gabuar rëndë dhe duke harruar se nuk i takonte atij të merrte anën e kriminelëve, nga çdo anë që ata mund të vinin. Vdiq në Moskë më 3 gusht 2008, në moshën gati nëntëdhjetë vjeçare. Vlen të citohet kritiku D`Orrico i cili duke folur për veprën e tij ka thënë: “Ka qënë ky shkrimtar rus që thuajse i vetëm rrëzoi socializmin real, e madje edhe gjithë filozofinë nga frymëzohej ky sistem. Ishte një ndërmarrje titanike. Ndoshta e keni pyetur ndonjëherë veten se për çfarë na duhet letërsia. Ja ku po u them, letërsia në disa raste mund të shërbejë pikërisht për këtë arsye, të shembë një regjim, një perandori”.
Urime Z. Topollaj per essene e mrekullueshme per shkrimtarin e madh rus Sollzhenjicin. E njoh kryevepren e tij. Nuk dija qendrimin e pafalshem te tij ndaj Kasapit Milloshevic per popullin paqesor kosovar. Kjo me trishtoi shume!... Si u ngrit pro krimineleve qe i vrau ne tere vepren etij? ABSURDITET! Faleminderit, respekt, Myslim Maska, Athine.