top of page

SOFRA E BUJARISË


ree


Mbani vesh! Nuk janë vegimet e natës, tjetër gjë e ka shtyrë poetin të dehet. Largësia të mbyt me nektarin e mallit. Edhe të gurrës popullore, që pikon fjalë të florinjta. “Moj hyjneshë, pëllumbeshë Labërie/ Dallandyshe me peshqeshe dashurie”. E ç’vlerë do të kishte natyra e virgjër pa elementin njerëzor? Aq më tepër kur flitet për vajzat me hire perëndish. Me zërin e poetit bashkohet edhe kënga e zogjve që mbushin zabelet. Ja pra, ku e ngjyen penën ai që shkruan. Me simfoninë e zileve dhe këmborëve bashkohet edhe Bejka e Beunit me blegërimat e saj, mandej janë valët e lumit që e përcjellin këtë muzikë të pashoqe: “Val’ e lumit e Shushicës qelibare/ Shuan etjen e zjarrminë djaloshare”. Pse mos ta themi, na ka marrë malli për këto fjalë tashmë të harruara, por me peshë të rëndë. Ato na kthejnë te rrënjët tona, te vatrat e braktisura ku pikon pikëllimi. Si mund të harrohet nanurisja e erës që të mbështillet si shall rrethe qafës, oda e mbushur me bujari, sofra e shtruar që të ngop me aromën e nënës, Mos u cuditni, edhe fjalët janë të malluara për njerëzit. “Sharkut m’u fut e më shtroi lule bliri/ Gjithë kurmi kundërmoi vaj ulliri/ Gush’ e vashës erëmoi, shall Kashmiri”.


ree

Të jetë ëndërr, vallë? S’dua ta besoj që poeti Kastriot Muçaj ka mbetur pengu i një dashurie të shkuar. Vendlindja e tij është e mbushur me xhevahire. Shtigjet e gremisura i trokasin në kujtesë, krojet e borës gjithashtu. Edhe balëverdha që del shullërit. Por mbi të gjitha ajo tokë e bekuar me njerëz luftëtarë, me histori të pafundme. E që ato të mos mbeten në humbëtirat e harresës, poeti u ka bërë vend në vargjet e tij. Mos harroni që mërgimtari ndjehet i braktisur nga Atdheu, që s’i afron strehën dhe bukën. As sigurinë për të nesërmen. Në Shqipërinë tonë, as pëllumbat s’gjejnë vend për të ngritur foletë e tyre. Ju e dini që ullinjtë e Vlorës, (dikur strehuan gjithë shqiptarët e jugut) janë përzhitur nga flakët e zjarrit dhe plumbat e bandave. Sepse po jetojme kohën e moskurrit. “Kohë pa vlerë/ Kolerë, skëterrë”. Fillimisht, paqja u dashka mbjellë në shpirtin e njeriut, mandej të thuhet me fjalë. Pikërisht këto mesazhe të buta e tepër dashamirëse ka përcjellë edhe Kastriot Muçaj, të cilin e uroj përzemërsisht.


Tiranë, Gusht 2023.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page