Sofokli Thoma: As pushtuesit nuk na e morën dot, sot na e mohon shteti ynë
- 5 days ago
- 3 min read

Nga Sofokli Thoma
Ish-deputet, bir i Nivicë–Bubarit
Nivicë–Bubari është një fshat me mbi një mijë vjet histori. Një fshat që ka mbijetuar pushtime, djegie, internime, varfëri dhe mërgime, por kurrë nuk ka humbur dinjitetin. Një fshat që ka nxjerrë deputetë, profesorë e intelektualë, që ka mbajtur BESËN si ligjin më të shenjtë moral.
Sot, ky fshat ndodhet përballë një padrejtësie që nuk vjen nga pushtues të huaj, por nga vetë shteti i tij.
Territori i Nivicë–Bubarit përfshin 4100 hektarë, prej të cilave 3000 hektarë kullotë në zonën e Heremecit buzë Detit Jon, 700 hektarë tokë bujqësore dhe 400 hektarë pyje. Këto prona nuk janë pretendime gojore. Janë të dokumentuara me 130 tapi osmane — 129 familje dhe një për kishën — të njohura nga Mbretëria dhe të legalizuara nga noteria e kohës. Dokumentet ndodhen në Arkivin e Shtetit. Janë të sakta, të qarta, të pakundërshtueshme.
Me ardhjen e komunizmit u shtetëzuan. Sot, në demokraci, prona është njohur me vendim gjykate, me kufij fizikë, sipërfaqe dhe aksionarë të përcaktuar. Pra, ligji e njeh të drejtën tonë.
Por prona nuk kthehet.
Pse?
Sepse është buzë detit. Sepse është e bukur. Sepse ka interes ekonomik. Sepse aty ku duhet të flasë ligji, po flasin interesat.
Së fundmi, situata ka marrë një kthesë edhe më shqetësuese. Përfaqësues që deklarohen si të afërt me qarqe të fuqishme ekonomike pranë pushtetit, na janë afruar me oferta “ndërmjetësimi”. Na është thënë se prona mund të na kthehet, me kusht që 40% e saj t’u kalojë atyre. Ky propozim është jo vetëm i papranueshëm, por fyes për një komunitet që ka dokumente, vendim gjykate dhe të drejtën ligjore në anën e vet. Kjo tregon qartë se ku kanë arritur gjërat.
Zona e Kakomesë — një nga vendet më të bukura të jugut, me manastirin dhe detin e kristaltë — është trajtuar si mall për t’u ndarë, jo si pronë me zot. Banorëve u ndalohet të hyjnë lirshëm në tokën dhe detin e tyre. Vendosen roje private për të larguar pronarët e ligjshëm. Kjo është një plagë morale për një komunitet që historikisht ka mbrojtur tokën e vet me sakrificë.
Ne nuk kërkojmë favore. Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë vetëm zbatim të ligjit.
Si mund të flasim për shtet të së drejtës, për integrim europian, për standarde demokratike, kur e drejta e pronës — e dokumentuar dhe e fituar në gjykatë — nuk zbatohet? Si mund të shpallet se problemet e pronës janë zgjidhur, kur komunitete të tëra presin ende drejtësi?
Zona e Himarës ka qenë gjithmonë e ndjeshme për çështjen e pronës. Jo sepse kërkon më shumë se të tjerët, por sepse historia e saj është e lidhur me dokumente, me tapitë, me sakrifica dhe me vetëmbrojtje shekullore.
Nivicë–Bubari nuk është një fshat rebel. Është një fshat atdhetar. Ka dhënë kontribut në luftëra, në arsim, në politikë, në emigracion. Ka ndihmuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka mbështetur italianë të braktisur pas kapitullimit dhe ka ndihmuar familje të ardhura nga kriza greke e vitit 1948. Ka treguar civilizim kur shteti ishte i dobët.
Sot kërkon vetëm respekt.
Komuniteti është i lodhur, i zhgënjyer dhe i acaruar, por mbi të gjitha është i vendosur. Do ta ndjekë këtë çështje në çdo instancë ligjore, brenda dhe jashtë vendit, deri në vendosjen e drejtësisë.
Një shtet matet nga mënyra si trajton pronën e qytetarëve të vet. Nëse prona nuk është e sigurt, asgjë tjetër nuk është e sigurt.
Historia e Nivicës ka treguar se ky fshat di të ringrihet nga hiri. Por demokracia nuk duhet ta detyrojë të luftojë përsëri për atë që ligji tashmë e njeh.
Drejtësia për pronën e Nivicë–Bubarit nuk është vetëm çështje lokale. Është provë për vetë shtetin shqiptar.









Comments