top of page

Snobët dhe grafomanët në ekspansion…


Vangjush Saro


Përsiatje


Snobizmi nga njëra anë dhe grafomania në anën tjetër, në simbiozë, po zënë gjithnjë e më shumë vend në medie e rrjete, duke ngushtuar në mënyrë të frikshme hapësirat për letërsinë e mirë dhe mendimin letrar të kualifikuar. Kështu, në përgojime apo shënime letrare që përgatisin klimën për ndonjë çmim e, sidomos, në ‘dedikimet’ e hartuara me këtë rast, bëhet kujdes që frazat të jenë sa më pompoze, të ‘vështira’, me njëlloj gjuhe që mundësisht të ‘shastiset’ publiku nga kultura e madhe e ‘vlerësuesve’. Në çdo rast, gjenden disa tejet ‘kontemporanë’, që bëjnë si të veçantë, duke përzgjedhur fjalorin gjer në mani, duke luajtur jashtë çdolloj kuptimi me nënkuptimet, duke gërmuar e bërë alkimi me madem që nuk ka lëndë të çmuar, vetëm e vetëm që të krijohet përshtypja se këtu, në këtë vepër, në këtë analizë, në këtë ndalesë, ka diçka ndryshe.

(Më kujtohet, në të gjitha takimet letrare, si dhe në botimet e LSHA të dikurshme, flitej pak a shumë me të njëjtën gjuhë; snobët lexonin njëri-tjetrin, listat e ‘të dalluarve’ në letra ishin po ato, jetë e mot. Pastaj shumica e tyre nuk u dukën më dhe nuk e di ku janë… Një pjesë, edhe pse shkruan e po shkruajnë gjithë jetën e, mbase nuk u kanë munguar çmimet dhe lëvdatat, nuk e krijuan dot një profil artistik, mbetën hije të profesionit.) E megjithatë, të duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar; sepse protagonistë të këtyre episodeve të dëshpëruara, edhe sot, janë personazhe tarafesh të trashëguara nga Realizmi Socialist, që më pas, falë lidhjeve miqësore, u mëkuan edhe nga shoqëria e madhe dhe e dyshimtë Soros apo fondacione të tjera, madje edhe përmes disa lidhjeve të shkurtra me pushtetin, andej nga vijnë paratë.

Klani apo shoqëria e snobëve është zgjeruar ndërkaq edhe me emra të tjerë, që filluan të belbëzojnë aty nga viti 2000 e më pas. Disa kombinacione mes Tiranës e Prishtinës (kur autorë që lexojnë vetëm njëri-tjetrin dhe praktikojnë një solidaritet snobësh që të habit, përpiqen të zgjerojnë terren) nuk sjellin asgjë të re në këtë temë. Snobizmi ndonjëherë vishet me ngjyra krahinarizmi, siç ndodh me një revistë letrare, ku lançohen vetëm (ose kryesisht) autorë nga Veriu dhe Kosova (!) Fjala është denigruar. Ledhatimet ‘trend’, ‘i papërsëritshëm’, ‘gjeni’, ‘princ’, ‘perandor’, ashtu e kështu, janë bërë më shumë se qesharake.

Unë nuk jam keqdashës, nuk paragjykoj. Por këto teprime, emfaza, dasi e përzgjedhje me hile dhe pa pikë profesionalizmi, edhe pse janë të përkohshme, trazojnë pamjen, krijojnë tablo të rreme. Qasja në një rreth të ngushtë të njohurish, loja me terma të tillë aspak realistë, mosvëmendja ndaj pjesës tjetër të botimeve në treg, është një fyerje për ata që shkruajnë, por sidomos për ata që kanë gjetur mbështetjen e publikut dhe të mendimit letrar. Më e pakta, në çdo rast snobët duhet të thonë ‘mendoj’, ‘kam përshtypjen’; përndryshe biem në një autoritarizëm ku të parët do të mbyten dikur protagonistët e këtyre dukurive.

Snobizmi mbështetet në njohuri të cekëta, qasur ngushtësisht me kohën, si dhe në shije që kinse ndjekin rregullin e përjashtimit. (“Ata talleshin me shekullin dhe kjo gjë i shkarkonte nga barra për ta njohur atë më thellë.” Balzak) Në vështrimin tim, sjellja e autorëve dhe shkruesve kësi, është thjesht njëlloj shtirjeje për t’u shfaqur me doemos… ndryshe, i pakuptueshëm, sfidues, për ta veshur veten dhe krijimtarinë disi çuditshëm, në mënyrë që jo kushdo mund ta kuptojë e vlerësojë atë; pak a shumë ‘mbreti lakuriq i Andersenit’, çka në llogari të fundit bëhet për të mbuluar mungesën e talentit dhe, përkitazi, të gjetjes artistike, pamundësinë për të krijuar një histori tërheqëse e bindëse. Duke u fryrë, vetë apo falë miqve të tyre, snobët mendojnë se ngrihen lart, bëjnë ‘elitën’, duke fituar paskëtaj një sërë të drejta: T’u dëgjohet fjala, të jenë vend e pa vend në ekran dhe gazeta, të japin versionin e tyre për çdo ngjarje, artistike apo jo, patjetër edhe për çdo çmim dhe ‘risi’ në letërsi, përveçse po ata apo ato… mund të përcaktojnë kush ka qenë, kush është dhe kush do të jetë e, kështu më tej. (“E unë nuk di, nuk jam mësuar të bëj lajka, s'më ka qëlluar. Unë jam njeri i thjeshtë, pa zbukurime, nuk mundohem të dukem. Nuk jam intrigant, nuk veproj nën rrogoz, por hapur e pa mashtrime.” F. Dostojevski)

Snobët dhe dishepujt e tyre i shikon gjithnjë në kërkim të favoreve letrare me maniera dhe përdhunë; ndërkohë, realisht ata janë më shumë të përfolur sesa të lexuar. Këta autorë të ‘përkëdhelur’ dhe financuesit e tyre, shpesh edhe ndjekësit e tyre - në lidhje që askush s’i di - mëtojnë të trazojnë trurin e lexuesve dhe kureshtarëve me një lëndë që, për fat të keq, nuk është as jetë, as ëndërr, as zhgjëndër. Krijimtaria e tyre është cerebrale, mbahet me paterica; disave, në mos vetëm autorit dhe ndonjë kanakari të tij, u pëlqen t’i shkëmbejnë ato paterica me termin tjetër për të cilin bien përmbys: ‘moderne’. Në këtë mes, ka diçka apo shumëçka që nuk shkon; mundimi i sforcuar nuk arrin të shkrihet me të tërën, mbetet në sipërfaqe si tragë e dëshirës për ta kamufluar krijimin në mënyrë që të shitet si ‘klas’. (“Jam gati që kravatën më të mirë, t’ia fal kalit që më parë të dalë.” S. Esenin)

Lojën e snobëve e bëjnë edhe disa letrarë që nuk kanë arritur dot të afirmohen dhe që thjesht vegjetojnë nëpër rrjete. Edhe këta parapëlqejnë ‘të mos pëlqejnë çdo gjë’, veç ndonjë të tipit të tyre, gjithaq snob e ‘shijehollë’, anipse kjo pjesa e dytë e pretendimit, kjo ‘e hollë’, rrezikon të këputet, sapo që ata bien në të ‘pathëna’ që janë thënë njëmijë herë… dhe ti ngre kokën për të pyetur “Kush është ky? Çfarë ka shkruar?” pastaj e shtyn me një nënqeshje, që do të thotë pak a shumë “Është një që do të bjerë në sy.” Por në këto punë, nuk është e mjaftueshme ‘të biesh në sy’, se përpara syve janë të gjithë me krijimin a veprën e tyre dhe me jehonën gjithaq. Kështu që asnjë snob nuk na habit dot as me tkurrjen e buzëve, as me thëniet apo të shkruarat e tij ‘origjinale’ dhe aq të rralla, në të gjitha kuptimet e kësaj fjalës së fundit. (“Gjithë ai talent i vajtur dëm...” Mund të thosh me këtë rast G. Grin.)

Përkohshmëria, është zgjedhja më e keqe që bëjnë autoritetet botuese, autorët dhe lavdëronjësit e tyre. Kemi parë mjaft autorë dhe shkrues të cilët - të mbështetur nga botues pa nivel e që bëjnë kryq për paratë dhe jo për artin - krijojnë njëlloj zhurme në prag të ndonjë panairi apo gjatë ditëve të tij, në prag të dhënies së ndonjë çmimi, etj. Dhe pastaj, siç i thonë fjalës, “çudia më e madhe zgjat tre ditë”. Autor e botues humbasin me gjithsej… Ka edhe në përvojën botërore raste kur veprat janë kuptuar e vlerësuar me vonesë, tregu dhe mendimi letrar nuk janë përputhur, por kjo mund të ketë ndodhur për pak kohë; më tutje, qoftë edhe vonë, vepra ka gjetur dimensionin e duhur.

Është koha që për të vënë mbi një krijim ‘notën’ e duhur, duhet të bëhet kujdes të dihet se si e ka ndjekur atë mendimi letrar; duhet t’i hidhet një sy edhe tregut, lipset të ketë një marrëdhënie me lexuesit; duhet të shikohet nëse hapësira inspiruese përqark veprës është diçka që shihet apo është një lajm fals. Përndryshe, snobët do të vazhdojnë si dikur: të lavdërojnë e të lexojnë njëri-tjetrin; dhe vetëm kaq.

Në krahun tjetër të rrëfimit tonë, në unison me ‘betejën’ e snobëve për supremaci letrare, grafomanët gjithashtu përpiqen të pengojnë dhe të shtyjnë tej letërsinë e mirë. Me termin në fjalë, përveç kuturisjes për të shkruar e publikuar vend e pa vend - sido t’i vijë ‘muza’ krijuesit dhe sido ta kenë ngjyrën paratë për botuesin - unë kuptoj një letërsi boshe, që rrëfen e rrëfen si çdokush në kafene a në hartimet e dikurshme; kuptoj një (po e quaj) letërsi të mbytur në letrarizma; kuptoj të shkruarën me patetizëm e pafuqi artistike. Grafomani përcjell ndonjëherë përshtypje të gabuara, që përforcohen nga shkrues apo simpatizantë (të pakulturuar) të tij; ai bën poza, e cilëson veten shkrimtar të madh, shtrëngohet e shtrëngohet me fjalor copë-copë sikur ç’po rrëfen, të bën ‘për të qarë’, shfaqet si të jetë kinse... i thellë, rrëfen ngjarje të rënda, personazhet vizatohen shumë të ‘ngjyrosur’, përdor vend e pa vend eufemizma, ndonjëherë vjen anës e anës si kau në lëmë, thurr bindje më shumë se sa letërsi; por më në fund, ai thjesht është i lodhshëm dhe i mërzitshëm. (Këtyre u duhet kujtuar thënia perfekte e një personazhi të Dostojevskit: “Për hiç gjë do t’i zgjoja njerëzit!...”)

Grafomania është ngutje, llafazanëri pa redaktim, pamundësi për t’u ngritur mbi të rëndomtën, padurim i sëmurë për të kapur majat e, më në fund, është pandjeshmëri ndaj gabimeve: në sintaksë (formim i fjalive dhe drejtvendosje e gjymtyrëve), në drejtshkrim dhe në pikësim. Për fat të keq, falë situatës teknologjike dhe ‘berihajt’ të rrjeteve, dalëngadalë, lexuesit po lëshojnë terren, po mësohen me të shkruarën dosido e plot gabime. Ndonjëherë, edhe disa që mbahen për shkrues të ‘emancipuar’, japin viston për krijime të tilla shterpë e plot emfazë, duke ofruar një ndihmesë, që s’ka pse, në këtë fushatë banale të tjetërsimit të vlerave letrare. Edhe këta shkrues, një shumicë të librave i falin e pa le a u shiten , ndoca kopje, për besë; por… hunda përpjetë, janë gjithnjë në kërkim të ndonjë epiteti shkëlqyes për veten, japin orë e çast mendime të ‘vyera’, madje gjykojnë e, për më tepër, derdhin vrer ndaj ndokujt të cilit nuk i aviten as gjer te fyelli i këmbës (!) Për shkak të kësaj emfaze - e fatkeqësie njëherësh - hapësira për letërsinë e vërtetë, që gjithnjë ka qenë e kufizuar, tash po rrezikohet edhe më.

Ndërthurrja e çuditshme e këtyre dy dukurive, është parë edhe në fusha të tjera, që e kanë në themel letërsinë. Kujtojmë si u kapërcye nga ‘alterteksti’, kohë kur nuk mbeti ‘alifmatrak’ pa shkruar ndonjë ‘libër’ shkolle, te kopjimi, pa asnjë kriter e droje përshtatjeje, i literaturës mësimore të disa universiteteve të njohura të botës; veprime tipike shqiptare, të yshtura nga ekstremizmi dhe dalldia për t’u dukur dhe për të bërë ‘reforma’, një marrëzi që gjithashtu vjen nga kohëra të largëta. (Të më ndjejë lexuesi, por kujtoj se në arsim, edhe dekada më parë, herë pas here, buisnin ‘ndryshimet’ dhe ‘kërkimet’, ushqim bajat që nuk bëhej asnjëherë i nxënësve e mësuesve, por me të cilin ushqeheshin mirë macet apo maçokët e zyrave të shtetit. Si edhe sot.)

Përtej qortimeve të formuluara në këto radhë, pa u mërzitur aspak, nga një vështrim tjetër, problemi është më tepër shoqëror se sa profesional; dhe që të krijohet një pamje më e pranueshme, do të duhej shumë përkushtim: nga institucionet; nga shkollat dhe universitetet; nga entet botuese; nga mendimi letrar dhe ai estetik; më në fund, edhe nga vetë krijuesit dhe lexuesit, që duhet të mësohen të lexojnë duke kërkuar nga vetja më shumë. (U. Folkner: “Njeriu që do të lëvizë një mal, e fillon duke shtyrë tutje ndonjë gur…”)

……………………………………………………………

*Për emrat e autorëve të huaj, është ndjekur parimi i shqiptimit. Faleminderit për mirëkuptimin.

220 views2 comments

2 Comments


Vangjush Saro

Thani, te falenderoj. Eshte nje perpjekje per te treguar se snobe e grafomane, qe duken te kundert, jane ne 'ujdi' per te pushtuar lexuesin dhe per te zhbere artin e mire. Keshtu mendoj dhe keshtu i shoh zhvillimet... Do te kete shpejt nje pj 2., ku qasem ne dukuri pozitive te letrave shqip sot. Te uroj shendet e frymezim.

Like

Thani Naqo

Shkrim analitik për snobët dhe grafomanët. Shkrim me shumë vlerë, me kulturë letrare, me finesë e intuitë profesionale. UrimeVangjush Saro!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page