Resmi Osmani
Fragment nga romani “Mbreteresha Olimpia”
Olimpia, mëngjesin e së nesërmes, u nis për në pallatin e mbretit Filip. Kishte në shpirt shumë zemërim, mëri dhe urrejtje që po i merrte frymën, aq sa nuk mund të duronte dhe ta mbante përbrenda, se i dukej sikur do t’i plaste zemra. Kupën e mbushi kjo martesa e tij e fundit.
Kapërceu me përbuzje rojet që deshën ta ndalin dhe si furtunë hyri në kabinetin e mbretit. Filipi që e njihte natyrën e saj krenare, xheloze, të egër dhe hakmarrëse, u përgatit që pas furtunës të niste rrebeshi i shiut të zemërimit. Ajo ishte në të drejtën e saj ,por edhe ai ishte në të drejtën e tij sovrane. Si për tu mbrojtur, qëndroi pas tryezës së rëndë. Përballonte më mirë një falangë armike sesa zemërimin e kësaj gruaje.
Olimpia: Madhëri, ç’ishte kjo proçkë që bëre? Nuk prisje dot sa të ftohej hiri i të ndjerës Nikesipolida[1], që ti thoshje se e doje aq shumë, pastaj të sillje këtë vajzë fatkeqe në pallat!- I tha ato fjalë me hakërrim dhe zë të lartë.
Filipi: Zonjë, ule zërin se dëgjojnë rojet dhe nuk është mirë, që një mbretëreshë të përgojohet si grindavece. Nuk mund të jetë fatkeqe ajo që martohet me një mbret!
Olimpia: Për veshët e shurdhër duhen fjalë të forta. Mos u dredho fjalëve.
Filipi: Meda është dhuratë që ma bëri ati i saj, mbreti bujar Kotela. Dhurata e një mbreti që ka humbur luftën, nuk mund të mos pranohet se do të ishte fyerje. Po si mund të mos e pranoja një të tillë dhurim që shoqërohej me shumë dhanti të tjera e të pasura, me toka që janë gati sa madhësia e mbretërisë sonë të Maqedonisë? Tekefundit, Meda, siç e pe, është një vajzë njomëzake, një zoçkë, që përtypet me gjithë kocka e që çdo mbret do të donte ta kishte në shtratin e tij.Mua që çdo çast të luftës e ve veten në rreziqe të panumërta, them se do të më japë prehje e kënaqësi, që i kam aq të nevojshme.
Fjalët e fundit i tha me cinizëm dhe u ngërdhesh duke parë përshtypjen që ato i bënë Olimpias.
Olimpia: Perveç se i pashpirt, je i pafytyrë, i paturp, pijetar, qejfli grash i panginjur dhe i pandreqshëm, i pabesë dhe fjalë pa mbajtur!
Filipi: Xhelozia, krenaria, hakmarrja dhe pandehma të paqena, ta kanë errësuar gjykymin moj zonjë e madhe dhe të kanë katandisur në grindavece të handakosur, që ke harruar detyrimet e tua si grua e parë e mbretit.
Olimpia: Në se jam katandisur e tillë, i tërë faji është yti dhe vetëm yti. Kur erdha nuse në Pela, në zemrën time kishte veç dashuri, ëngjëj, gëzim e paqe. Ku është ai Filipi i atëhershëm, djaloshi që nën qiellin e Samotrakës nga goja nxirrte veç fjalë dashurie, të ëmbla si mjaltë? Që unë i bësova si të vërteta.Tani kam para vetes një tjetër, që sa herë flet, vjell veç vrer e helm. Ti me ligësitë e tua i zbove ëngjëjt nga vetja ime. Vendin e tyre e zunë demonët! Nuk i dua, por s’kam çtë bëj, raca e tyre e skëterrshme është më e fortë se mua. Vetëm ti e kishe në dorë t’I zboje, por nuk deshe, nuk e bëre!
Mbreti si të mos kishte dëgjuar, vijoi në të vetën.
Filipi: Por ç’ti bësh, kështu ngjajnë gjërat. Rinia dhe bukuria e një gruaje, nuk janë dhurata të përjetshme. Burimi i dashurisë, tek ty, që më parë më nginjte, ka shterrur. E kanë tharë xhelozia, dyshimet, ligësia dhe urrejtja.Kuptohet që s’ma shuan më dot etjen, por etja nuk durohet dhe jam i detyruar që si lypsar të kërkoj një burim tjetër, të freskët të pa turbulluar, qoftë edhe po të gjendet në të tjera vise!
Olimpia: E di që gjen. Jo një por disa. E ç’nuk flasin, e ç’nuk thonë! Edhe në fushimet e luftës, shatorren e mbush me femra të përdala e lavire që ndjekin pas ushtrinë.
Filipi: Birat e gardhit dhe gojët e liga s’i mbyllim dot. S’më plas fare se çfarë thonë! Gjithmonë e teprojnë. Por, ç’është e vërteta, nëse do që ta dish, midis tyre ndjehem më mirë se në dhomën tënde ku zvarriten gjarpërinjtë[2] e pështirë, shfaqen shpirtrat e të vdekurve dhe bëhen magjitë!
Olimpia: Thonë edhe më.
Filipi: Pa ta dëgjojmë.
Olimpia: Që aventurierët, kumarxhinjtë, pijanecët dhe lapërdharët, kudo që janë, të krimbur nga veset, shpallen “Shokë të Mbretit”, gjejnë strehë në pallatin tënd, zdërhallen, bëjnë orgji, pinë pa hesap dhe si shpërblim të veseve, fitojnë nga bujaria e mbretit grada, ofiqe, toka e pasuri. Thuaj po deshe që s’është e vërtetë!
Filipi:Kush di ta gëzojë jetën dhe derdh djersë e gjak për të fituar dhe shtuar gjënë e mbretërisë, është dhe do të jetë shok I mbretit. Qoftë ky maqedonas, grek, epirot, ilir apo peon.Bota është e burrave dhe e trimave. Kështu janë ndarë gjërat.Gratë kanë gjuhën, burrat shpatën, por mjerisht, gjuha e grave prêt më shumë se shpata!
Olimpia: Por ty dhe cave si ti, të zvetënuar, nuk u mjaftojnë femrat. Rreth vetes more faqezinj, mbani djem të bukur, që s’janë gjë tjetër veçse ca prostituta meshkuj dhe me ta bëni punë të turpshme. Kjo jo vetëm që ma neverit dhe shpif, por më vjen ndot edhe të të kem pranë.
Filipi e mendoi me kujdes përgjigjen.
Filipi: Kur i ri, isha peng në Tebë[3], në ushtri kishin batalionin e famshëm që e quajnë i shenjtë. Ata ishin treqind vetë, njëqindepesëdhjetë çifte dashnorësh. Janë lulja dhe krenaria e ushtrisë tebane. Pastaj, duhet ta kuptosh se shpesh disa burra i kërkojnë gjetkë disa kënaqësi që nuk i gjejnë dot në shtratin bashkshortor!
Olimpia: Si duket ty s’të mjafton një harem me gra!
Filipi: Një kopsht bëhet më i bukur kur në të lulëzojnë sa më shumë lule!
Nga shfajësimi dhe mbrojtja Filipi kaloi në sulm:
Edhe pse ta kam kërkuar që të mos shkosh në festat dionisiake, dy herë në vit ke shkuar dhe ke marrë pjesë në orgjitë e shthurura, ritet dhe misteret dhe dihet se çfarë bëhet atje.Apo jo? Ke thirrur në takim shpirtërat e të vdekurve të tu që s’dihet se ç’kumte të kobshme të përcjellin.Ti, ia ngul vështrimin zbrazëtirës dhe sheh atë që askush nuk mund ta shohë. Në dallditë e tua thua se ke vegime dhe dëgjon zëra. Ke pranuar në shërbimin tënd magjistricat dhe nga ana tjetër ma ke nxirë jetën me xhelozinë tënde. E si mund të jetohet me një grua të tillë? Për mua këto janë të padurueshme dhe më bëjnë të të ndiej si një të huaj!
Olimpia: Në vendet e shenjta, kam shkuar që t’u përkushtohem dhe t’i nderoj zotat dhe jo për të gjuajtur meshkuj, se sa për hamshor, më del e më tepron ti! Nëse kam vegime dhunti spiritiste, ato janë dhuratë e hyjnive, shpërblesa e nderimit që kam për To! Mjerë ti që nuk arrin t’I kuptosh.
Biseda po bëhej e rrezikshme. Fjalët shkrepëtinin si rrufeja. Filipi e dinte se Olimpia krenare dhe ambicioze, nuk e lejonte ta merrte nëpër këmbë dhe ta poshtëronte. E hodhi bisedën gjetkë.
Filipi: Zonjë, më mërzisin edhe intrigat e tua, ndërhyrjet në punët e qeverisjes dhe mbretërimit.Nuk dua më që të më kërkosh ndere e të mira, gradime në ushtri apo ofiqe në taksat dhe dganat, për ata miqtë dhe tributarët e tu, malokët epirotë të krahinave kufitare, apo për nipërit e atyre lëneshave dhe nënoleve, që vinë e të bëjnë shoqëri. Një grua, qoftë edhe gruaja e ligjshme e mbretit, duhet të dijë kufirin e saj. Ndërhyrjet e tua kundër general Atalit, e kanë zemëruar atë dhe më është ankuar. Mos më detyro të ta vë kufirin te thana! Ato bisedat poshtëruese që bën për mua me ato llapaqenet që mblidhen në oborrin tënd, kanë marrë dheun, m’i kanë thënë edhye mua.
Olpmpia: Sa për Atalin, dihet, rrokulliset tenxherja dhe gjen kapakun, të ngjashmit gjejnë njeri-tjetrin. Ti e ke lejuar që të më përgojojë.
Filipi: Ti nuk je mjaftuar t’I lesh midis nesh mospajtimet por ke përzier edhe fëmijët.Ata më shohin shtrembër sit ë mos isha ati i tyre.
Olimpia: Janë aq të rritur sa dinë të kuptojnë dhe gjykojnë për ato që shohin dhe dëgjojnë.
Filipi: Erdhe si furtunë, zbraze shiun e zemërimit tënd, por nuk më the se çfarë kërkon.
Olimpia: Ah, pa shiko, madhëria bën sikur nuk kupton! Kërkoj respekt.Të më respektosh dhe nderosh, si bijë mbreti, si gruan e ligjshme të mbretit dhe si nënë e fëmijëve të mbretit. Nuk të lejoj as të më poshtërosh, as të më përbuzësh.Këtë kërkoj! Nuk është në natyrën time, që të lutem, por jam përulur kaq herë, pa përfillur krenarinë time dhe të kam kërkuar që të mos e prishësh martesën tonë dhe të mos e shkatërrosh një dashuri që ishte aq e bukur! Të kam dalë borxhit, por ti ke bërë vetëm të kundërtën. Aq sa kam arritur të bindem se një grua e mirë dhe e vyrtytshme, nuk e ndreq dot një burrë të çthurur,kurse një buerrë i tillë, me rrufetë e ligësisë djeg dhe e kthen në gërmadhë shpirtin e një gruaje të mirë!
Do të vijë dita të pendohesh, por do të jetë vonë.
Filipi nënqeshi hidhur.Ja edhe një grindje mbretërore!
Olimpia doli vrullshëm nga kabineti I mbretit, ashtu siç kishte hyrë. E dinte që Filipi ishte I pandreqshëm, por të paktën ajo ndjehej më mirë dhe e lehtësuar, ngaqë ia zbrazi në sy, ia përplasi në fytyrë gjithë ç’kishte për t’i thënë.
Xing.
Lexova me kënaqësi një dialog, që më së paku ngjasonte me një duel ku mungonin shpatat, por jo edhe vrigëllimat e tyre dhe të mendosh se qe midis Mbretëreshës Olimpa dhe bashkëshortit të saj, Mbretit Filip. Ky duel si në dramat e Shekspirit, vihet jo pa qëllim nga autori për kohën kur zhvillohen ngjarjet dhe për stadin e shoqërisë sonë, ku aludohet se i drejtohet. Guximi i Mbretëreshës Olimpia, jo vetëm spikat, por ai bërtet dhe thyen të gjitha parzmoret etike për të thënë pakënaqësitë e një gruaje me veprimet e paturpëshme të . . ., burriit të saj edhe pse ka forcën e një mbreti.
Arti këtu në gjuhën e personazheve është në lartësinë e fronit të tyre.