Tre romane që i bëjnë skaner artistik shpirtit të diktatorëve…
Rrëfim për tre femra, personazhe kryesore në romanet e shkrimtarit Xhevat Mustafa, “Dashuri diktatori”, “Mëkatet e vetmisë”,“Polakja”.
Nga EMI KROSI
1-Kopertina e romanit “Dashuri diktatori“, Botuar në Tiranë, 2021
Romani “Dashuri diktatori”, në fabuln e tij ka emra politikë të njohur tashmë, si personazhe reale dhe subjektive si: Enver Hoxha, Musine Kokalari, Sabiha Kasimati dhe Aurelia Terrusi etj. Nga trajtesa e kësaj fabule romanore, autori tregon për lidhjet që nga adoleshenca të Enver Hoxhës me Sabihanë (Sabin) në Liceun e Korçës dhe me Aurelian, fqinjën e bukur italiane në Gjirokastër. Refuzimi ndaj dashurisë së tij, qe fatale për dy vajzat. Aurelia Pozelli-Terrusi si italiane, pati një fund të dhimbshëm, ( i shoqi Xhuzepe Terrusi, drejtori i bankës Italo-shqiptare në Vlorë në vitet’30-të, vdes në burgun në Burrelit), me thënien e Enverit personazh në roman: …ai bankieri ma mori nga duart Aurelian, se ishte i pasur…, por ajo e kishte refuzuar që më parë ashtu si Sabihaja: “ i kam thënë disa herë që nuk duhet ta ngatërrojë shoqërinë me dashurinë...– u mbrojt Aurelia. Ajo çka sjell autori duket si një kronikë ciklike dhe kohore përmes :
një cikli kronikal të detajuar historik,
rrëfimi objektivo- historik dhe subjektivo- letrar,
lidhja mes historisë si lëndë dhe emrave reale si perzonazhe letraro-historike,
rrëfimi mes reales dhe surreales,
lidhja përmes tërbimit, fatalitelit dhe vdekjes,
elemente biografike-letrare, që vijnë përmes boshtit narrativo-autobiografik.
Fabula shkon herët në kohë. Fillon në vitin 1936 me nxënësit e Liceut francez të Korçës. Më vonë pas viteve 1951, do të fillonte kështu seria e veprave kriminale të Enver Hoxhës, kur Shqipëria të binte totalisht nën sundimin e tij. Fillimisht, në mesvitin 1945 pushkatimi i Bahri Omarit, bashkëshortit të motrës së tij, i Abaz Omarit, djalit të vajzës së xhaxhait të tj, që Enveri e thërriste baba Çemi. Pastaj, vijon burgosja dhe vdekja në burg e Xhuzepe Terrusit, (ish-drejtori i bankës Italo-Shqiptare në Vlorë dhe bashkëshorti i Aurelias), riatdhesimi i bashkëshortes se tij Aurelia dhe njerëzve te tjerë të familjes. Romani ka një pjesë të madhe të raportit Enver -Sabiha (Sabi). Burgosja e Sabiha Kasimatit, Musine Kokalarit, Qemal Kasaruhos, Manush Peshkëpisë e të gjithëve ish-shokëve, miqve dhe familjarëve, vetëm sepse dinin të gjitha poshtërsitë e Enverit, në Paris, Montpelje, Bruksel, Korçë etj. Me pas, ata do të pushkatoheshin, më së shumti, pa gjykime, ose me proçese thjeshtë sa për procedure, të montuara politikisht, pas ekzekutimit të viktimave. Teoricieni i kohës së sotme, (Michel Beaujour), shprehet se “Lejeune-i autobiografinë e definoi si tekst narrativ, i cili përfaqëson historinë e jetës së një individi si përjetim e një “sekuence kronologjike”. Përballë çdo forme të fiksionit, biografia dhe autobiografia, janë tekste referenciale, se ofrojnë informata rreth një “realiteti” të jashtëm ndaj tekstit, që ofron një shkrim të verifikueshëm. Fati i tre femrave që dashuroi diktatori ishte tragjik. Sabihaja pushkatohet, Musineja vdes në internim, ashtu siç edhe fati i eshtrave të pagjetura të italianit Terrusi: eshtrat e 22 viktimave të pushkatuar më 21 shkurt 1951 u gjetën pas 42 vjetësh, në një ditë nëntori të vitit 1993. Ndërsa përpjekjet këmbëngulëse të Aldo Terrusit për të gjetur eshtrat e të jatit, Xhuzepe Terrusi, me të cilin kishte jetuar nën një çati vetëm rreth 2 muaj dhe për t'i futur në një varr në Itali, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Pra, edhe pas 70 vjetësh nga dita e vdekjes dhe pas 28 vjetësh kur nisi odisejada e kërkimit. Disa prej autorëve të arrestimit të Xhuzepe Terrusit, të dënimit të tij me një gjyq – farsë dhe të torturimit nëpër qeli të tmerrshme, jetojnë akoma, ose të pandëshkuar fare ose kanë kryer dënime qesharake. Disa prej tyre mund ta dinë me saktëssi se ku ndodhen eshtrat e Xhuzepe Terrusit. Por...vazhdojnë të heshtin, duke ndëshkuar pafundësisht edhe të vdekurin, edhe njerëzit e tij të afërm, të gjallë.
Një analogji në këtë roman në disa fragmente, kur Aurelia dhe familja e saj në kushte mjerane presin në Durrës për riatdhesim, ashtu si në „Qytetin e fundit „ të Petro Markos. Nesë Marko e ngriti romanin e tij, mbi një utopi dashurore të bukur, Mustafa e ndërtoj një fabul të fatit tragjik të një dashurie vrasëse, përmes dokumenteve, ku rrëfimi, ka shumë elemente historike sesa „rrëfim“ letrar. Duke e shveshur prej kategorisë kronografike sipas (Barthes), nëpërmjet përshkrimit të kohës, periudhave, moshave të ndryshme, përputhet edhe me tekstin autorial:
“-sepse...lidhja jonë nuk do të kishte të ardhme e fund të lumtur... – ia preu Sabihaja, duke u përpjekur t’i përcillte edhe në fjalë e fytyrë sa më shumë siguri”. Vetë titulli i drejpërdrejtë “Dashuri Diktatori” duket si një “manipulim” i lexuesit nga autori. Por, akoma urrejtja apo edhe falja e viktimave është shumë më humane, sesa një kërkimfalje nga famijarët e të persekutuarve, ku vetë nënvetëdija e tyre gjakatare, nuk ua ka lënë shpirtin rehat, si dënim nga gjyqi Sipërior i Perëndisë. Njeriu lind i lirë dhe duhet të vdesë i lirë.
Vetë romani na rrëfen për karakterin gjakatar të Enverit diktator/personazh:
fobitë e diktatorëve,
frikërat dhe paranojat e nënvlerësimit të inteligjencës së tyre,
vetëdija dhe dhuna si mani për vetëkënaqësi,
tragjizmi dhe psikologjia vrastare e diktatorëve.
***
2- Kopertina e romanit “POLAKJA“, Botuar në Tiranë, 2015
Një tjetër roman, një skanim prej një gazetari dhe psikoanalisti të botës shqiptare të mesviteve ‘50/60 të shek. XX, ka në qendër një tematikë të njohur për historinë tonë politike, kur Shqipëria doli kundër kupolës sovjetike. Fati i shumë personave, sidomos studentëve shqiptarë të kohës të shkolluar në Poloni, Çeki, B.R.Rusi, Hungari etj., vjen përmes një rrëfimi, ku filli i dashurisë rrëfen për kohë dhe njerëz, vende dhe histori, takime dhe ndarje, dashuri dhe mëkate, tragjedi dhe dhunë. Për dy nga krypersonazhet që gjallojnë në roman, ish- studentë shqiptarë në Akademinë e Flotës Detare të Gdnaskut, Andon Jaze dhe Jani Kruja, të gjetur nën dilemat e dashurive të vajzave të bukura pokale, në kthimin drejt atdheut me detyrim, e quajnë një “pabesi”. Ndërthurja e rrëfimit përmes rotrespektivës, e bën edhe më tërheqës romanin për lexuesit. Këtë linjë e trajton edhe romani tjetër “Polakja”. Historia e Andonit/Anna/Liza, janë në një linjë rrëfimi të ndërthurur në dy kohë:
koha e parë: (koha e tashme kur Andoni përmes fotografisë përpiqet të riorganizojë
kujtime për kohën e tij rinore si student në Gdansk, përmes lidhjes së linjës së personazheve Andon/Liza [gruja], Ana [vajza avokate]),
koha e dytë: (koha e shkuar: rrëfimi i vetë peronazhit për kohën studentore dhe
dashurinë për polaken Anna, një grua e martuar por e vetmuar shpirtërisht dhe seksualisht që zë gati tre të katërtat e vëllimit romanor).
Narrativa me elemente realiste si:
përshkrimi dhe portretizmi fizik i vajzave,
përshkrimi përmes elementeve socio-kulturore të qytetit-port,
detajet gjeografike dhe historike (Gdansku dhe Durrësi),
elementet mungesore dhe ndalesa intelektuale,
censura gazetareske dhe ajo kulturore,
ndërkallje e reales dhe surreales (frika, përgjimi, dhuna, dënimet),
përdhunimet dhe tmerret e komunistëve, (përdhunimi i Jawigas në burg nga hetues
Qemali dhe vrasja e foshnjës në bark),
dëshmia tronditëse e Katovicës (që fëmijë e ish- vrasësve do të udhëheqin vendet e
ish-bllokut Lindor).
Romani ka dy linja:
linja parësore : (dashuria e fshehtë dhe pendimi për djalin Feliksin dhe Annën), nën
frikën e pushtetit dhe peshës së kujtimeve, e bëjnë rrëfimin më kompleks, më tronditës për lexuesin, që rrethanat politike të kohës e detyrojnë çiftin të ndahet. Kurse Anna, në linjën paralele me Marekun, duke u munduar të fshijë çdo kujtim, çdo gjurmë për 50 vjet, tenton vetëvrasjen. Ajo nuk e dashuronte atë: Mareku i nguli një vështrim të ftohtë studentit shqiptar dhe pa e përshëndetur i tha: - tani, mjaft, e kam unë radhën të kërcej me gruan time! Andoni vështroi më shumë nga Anna se tek i shoqi dhe pa shprehur shqetësim tha: - Patjetër! Vazhdoni! Bëfshi qejf dhe mirupafshim!. Anna është besimtare katolike. Por, ajo para Zotit vë familjen si shenjë shenjtërimi ndaj besimit dhe vetvetes;
linja dytësore: (dashuria dhe martesa e Janit/Jadwika). Një linjë paralele dhe rrëfim, për
historinë e tyre të trishtë, ku Jawika shtatzënë përdhunohet në burg nga Qemali, (njeriu me fytyrënjeriu por vese kafshërore), derisa ajo largohet në Poloni dhe Jani, vdes nga terburkulozi dhe vetmia,
linja e tretë ose linja letraro-artistike: (si nëntekst edhe analogji me romanet e emrave të
botës letrare, ku dashuritë e ndaluara shënuan tragjedi dashurore si: “Romeo e Zhuljeta”, “Ana Karenina” etj.),
linja moderne e rrëfimit: (analogjitë, parantezat, ndërtekstualiteti, përshkrimet etj).
Përsëri një analogji me romanin e (Rudolf Markut “Pritja”) ku linja e çiftit Roza/Martini, përshkruhen përmes atmosferës së Shkodrës së viteve ‘40, apo atmosfera e Gdansit po të viteve ‘50 dhe Durrësi i viteve ‘60 deri në fillimvitet ’90. Ashtu edhe çifti Andon/Anna apo Jani/Jadwika, se sistemet totalitare kanë rrëzuar çdo lloj kulture të huaj, apo çdo gjë e kultivuar më parë duhet shembur, se është e vjetër, madje edhe tradita, edhe dashuria, kur ajo mund të mbisundojë edhe mbi çdo të keqe njerëzore. Dashuritë dhe historitë, janë sa paralele por edhe të ngjashme, që vetëm magjia shkrimore e letërsisë i mban gjallë, duke e edukuar lexuesin me shpirtin e besimit, qëndresës, por edhe vuajtjet, dramat, ndarjet, vdekjet si edhe kujtesën njerëzore shqiptare gjysëmshekullore. Rrëfimi i Andoni për dashurinë e ndalur vajzës së tij për gjysmëvëllain e saj polak, është amaneti që zbut dramacitetin e romanit dhe sjell katarsisin për lexuesit. ***
3-Kopertina e romanit ”Mëkatet e vetmisë“(Botuar në Prishtinë, 2008
Romani tjetër ka një një linjë pak të njohur nga lexuesi shqiptar. Romani “Mëkatet e vetmisë”, ka një linjë krejt tjetër. Një djalë shqiptar Skënderi nga Prishtina, shkon në mërgim në Zvicër. Atje, në kërkim të një pune por edhe lejeqëndrimi , duhet të bashkëjetojë me pronaren Kristinën. Një femër me moral të dyshimtë, por edhe me marrëdhënie të shumta me meshkuj të ndryshëm. Kristina, dashurohet me Skënderin ballkanas dhe shqiptar, i martuar me Besën dhe me dy fëmijë. Koha dhe përkushtimi ndaj punës, e bën Skënderin të “harrojë” famijen, sidomos Besën dhe prindërit e tij, që vetëm pas vdekjes të atit detyrohet të kthehet në Prishtinë: Kristina e Skenderi nuk e pritën me kënaqësi hyrjen në lokal të Janisit. Kristinës i shkaktoi alarm përzier me frikë, Skenderit pakënaqësi dhe mërzi. Ky burrë i shpërfytyruar nga konsumimi i tepruar i drogave te lehta dhe të rënda, i pijeve alkoolike dhe nga abuzimet seksuale në të dy krahët, Skenderit i shkaktonte vetëm përçmim. Ai e fyente edhe hapur, herë me fjalë dhe herë duke ia përplasur gotat apo pjatat në fytyrë. Dhe e gjitha kjo nuk buronte aspak nga ndjenja e xhelozisë, se Janis kishte qenë jo më larg se një vit më parë dashnor i Kristinës.
Linja e romanit ndërthuret në bazë të këtyre marrëdhënieve:
marrëdhënia Skënder/Kristina, (si vartësi dhe skllavërim i shqiptarit ndaj zvicerjanes,
por edhe rrëfimi për dhunën që ka pësuar, që në adoleshencë Kristina: - më lër në qefin tim! - iu shpreh ai hapur. - Vërtet më ke sjellë ti këtu, por unë nuk jam skllavi apo... qeni yt. Boll t’i kam plotësuar qefet dhe tekat ty),
marrëdhënia Skënder/Besa, (një lidhje në distancë, ku dashuria burrë/grua, ka
humbur çdo ndiesi erotike por edhe bashkëshortore, vetëm ka mbetuar linja e prindërimit përmes fëmijëve: mungesa e burrit i kishte kufizuar së tepërmi edhe levizjet e vetmuara apo bashkë me fëmijët nëpër qytet apo tek shoqe dhe të afërm të saj. Gojët e liga në lagje apo qytet mund të thurnin lloj-lloj thashethemesh po ta shikonin të dilte shpesh nëpër dyqane apo për shëtitje e vizita.),
marrëdhënia e shqiptarëve me emigracionin (një marrëdhënie herë aktive dhe
herë pasive, herë dashuri herë urrejtje dhe herë-herë, në kërkim të identitetit të humbur: - ç’fat i poshtër! - shpërtheu befas plaku... - Deri kur do të lindim fëmijë për botën? Trojet tona janë të bollshme dhe të pasura për me mbajt jo 5 milionë, por... edhe 20 dhe 30 milionë shqiptarë. Si është e mundur që djemve tanë t’u duket ma e mirë bota se sa toka amë?),
marrëdhënia e Unit me Egon: (sidomos skenat ku Besa përmes monologëve,
tregon edhe personalitetin e dyzuar të saj, sidomos mes raportit për besnikërinë dhe tradhëtinë ndaj Skënderit [si grua me mendësinë e turpit dhe tradhëtisë ndaj bashkëshortit.]: edhe forca e krahëve, edhe pesha e trupit të tij. Edhe puthjet e tij drithëruese, edhe puthjet dhe kafshimet epshndezëse në buzë, qafë, supe,gjoks, në kërthizë e me poshtë, në kofshë... Edhe ngrohtësia dhe aroma e kurmit të tij, porsadalë nga dushi, edhe akullsia e këmbëve te tij, netëve të acarta, kur i fuste mes këmbëve të saj për t’i ngrohur. Edhe krahu i tij netëve, nëpër gjumë, hedhur më shumë instinktivisht se qëllimëshëm mbi supin, gjinjtë apo nënbarkun e saj...),
marrëdhënia mes dhimbjes së përdhunimit si krim dhe urrejtja sistematike ndaj
Kosovës: (sidomos përshkrimi i përdhunimit të Besës apo edhe mijëra përdhunimeve të grave dhe femrave të Kosovës , duke shtuar dramacitetin e librit por edhe rrëqethjen e lexuesit). Çdo autor e sendërton botën sipas veçantisë së tij. E shkrueshme dhe e lexueshme [S/Z e Bartes-it], ku secili shkrues lë shenjën e tij individualiste, në një mënyrë të veçantë të vështrimit të gjërave, mënyra e shprehive artistike. Zemërimi ose denoncimi moral individual është e tepërt në një vepër letrare, ku efekti tronditës i së cilës qëndron në forcën objektive të vetë imazheve njerëzore. Autori mendon për rënien si një rënie në ndarje dhe ndarja si e tillë, pranoj edhe parimet e kundërta, që përbëjnë qenien tonë, arsyeja dhe energjia, mashkulli dhe femra, zemërimi dhe keqardhja , ekzistojnë gjithmonë në gjendje të antagonizmit të ndërsjellë ose tjetërsimit të njeriut-rrëfyes dhe njeriut-personazh.
Për të kuptuar më qartësisht, që të bëhesh i pranueshëm, për shkak edhe të procesit të komunikimit, përmasa e tjetrit, (i huaji) d.m.th. (unë)/ (ne) në një botë që e përceptojmë jashtë vendlidjes marrëdhënia mes “times” dhe “tjetrit” nëpërmjet kodeve poetike, sidomos kodi i vendlidjes (atdheu) na bën të barabratë, më përtej sindromës së kufirit . Në këtë rrokshmëri planesh, që (Todorovi) e quan si një marrëdhënie me tjetrin, parashtrohet në tre dimensione:
plani aksiologjik: (tjetri është i mirë apo i keq; e dua apo nuk e dua; është i barabartë apo
më poshtë se unë),
plani prakseologjik: (i përqafoj vlerat e tjetrit, identifikohem me të duke imponuar
imazhin tim)
plani epistemologjik: (unë e njoh ose nuk e njoh identitetin e tjetrit).
Duk u futur nëpër labirinthet e romanit, duket se autori ka hulumtuar nëpër dosjes, duke siguruar mjaft lëndë të vyer letrare, por edhe duke depërtuar deri në indet më të imta të krimtit shtetëror gjysmëshekullor ndaj shqiptarëve. Gjyqet e montuara politike, akuzat e fabrikuara, e bëjnë edhe lexuesin e sotëm bashkëfajtor dhe bashkëautor, sepse ata që kanë kryer krime kundër njerëzve të pafajshëm, kurrë nuk u ndëshkuan. Kultura e mosndëshkimit, vazhdon akoma për 30 - vjet. Lexuesit duhet të mësojnë të vërtetën historike të pashkruar akoma dhe të deformuar, pavarësisht se letërsia përmes personazheve reale, çdo ditë shpalos të vërtetën tonë historike të afërt, që brezat duhen të nxjerrin mësim prej tyre. Lëndën historiko-letrare sidomos ajo e dosjeve të sigurimit për ish- të burgosurit politik, pak njihet dhe shkruhet. Mungesa e kritikës profesioniste, apo edhe “fshehja e kokës si struci”, duke trajtuar me “madhështi” vetëm emrat e njohur, si një triumf personal apo edhe “me merita” të ca -ish kritikucëve, njohja e kësaj letërsie që pa frikë mund të quhet letërsi e dosjeve e njohim ose aspak, ose shumë pak. Kjo letërsi përfshin edhe romanet e Marcel Hilës si: “Internimi i kufomës”, “Djalli zbret në ferr”, “Rekrutimi i gjimnazistit” etj. Tashmë, përsëri unë joshem dhe mbushem me dritë, dhimbje, shpresë se drejtësia Hyjnore, nuk do vonojë, si ndëshkim kundër drejtësisë së harruar.
Së fundmi: ridimensionimi i marrëdhënieve njerëzore përmes figurave personazhe femrore si: Anna, Sabiha, Eurelia, Besa, mbartin tipare të femrave të forta, ku dhimbja dhe vetmia nuk i thyen, por i kanë shtuar korpusit të letërsisë shqipe ngjyra dhe ecenca, përmes problematikave , betejave , dilemave shoqërore, sociale dhe politike, por mbi të gjitha në betejë me fatin tragjik jo vetëm e të qenit femër, më përtej dimensionit të tyre femëror, janë gdhendur mjeshtërisht. Janë lexuesit ata që do qëmtojnë më tej këto vlera sa njerëzore aq edhe letrare, me kumte aktuale dhe gjithëkohore dhe për të ardhmen.
Comentarios