Skënder Milaqi: Poezia e Agim Bajramit
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 19
- 7 min read

Poezia e Agim Bajramit -Një udhëtim etik emocional dhe estetik në shpirtin njerëzor.
Në peisazhin e poezisë shqiptare bashkëkohore Agim Bajrami shfaqet si një zë i veçantë dhe i qëndrueshëm, një poet që ka ditur të ndërtoj një univers poetik ku ndërthuret ndjenja e thellë njerëzore, përkushtimi moral dhe ndjeshmëria e rrallë ndaj fjalës artistike.
Në librat poetik të Agim Bajramit poezia është frymëzim dhe ndjenjë e cila përqaset bukur dhe me thënien e Plutonit të madh:-"Poeti flet jo nga dituria, por nga një frymëzim hyjnor që e kupton shpirtin".
Fjala poetike si akt përgjegjsie.
Një nga tiparet themelore të poezisë së Agim Bajramit është respekti i thellë ndaj fjalës, ku në poezi merr një rëndësi të veçantë.Fjala në vargjet e tij nuk përdoret si ornament, por si peshë kuptimore ashtu siç thonte Virginia Wolf:-"Fjala duhet të ndjekë mendimin ashtu si hija ndjek topin".
Fjala e tij në poezi është e ngarkuar me përvojë jetësore, me dhimbje të heshtura, me shpresë të përmbajtur dhe është burimi i vlerave humane.
Agim Bajrami i përket atij brezi poetik që besojnë se poezia ka ende një mision të pambaruar që të ndriçojë, të dashurojë,të reflektojë dhe të ruaj drejtësisë njerëzore.
Në këtë kuptim poezia e tij qëndron larg eksperimentimit të zbrazët formal dhe ai bëhet me dashje dashnor i thelbit komunikues të artit, që është një qasje sa e vjetër dhe e re në letërsi.
Ai nuk e errëson fjalën për hir të modës dhe nuk e huazon atë.
Për të është thelbësore në poezi, thjeshtësia e mendimit dhe e refleksionit ,që vargun e tij ta kuptojë çdo shtresë shoqërore.
Vëreni sa i bukur ky varg në thellësinë e mendimit dhe refleksionit:
-Unë shpesh të them"të kam si ajër",
Ti ma kthen shpejt"të ndjej si gjak",
Ne na pëlqejnë shumë hiperbolat,
Por këtu nuk e teprojmë aspak.
Agim Bajrami është një poet me vlera kombëtare, autor i shumë librave, sidomos i njohur në fushën e poezisë por ka rrokur me sukses dhe zhanre të tjera si për të rritur dhe për fëmijë.
Është vlerësuar për veprimtarinë e tij të suksesshme letrare me çmime të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, ndaj Agimi sot pas afro gjysmë shekulli aktivitet letrar futet në elitën e lëvruesve të poezisë në vendin tonë.
Disa nga veprat e tij mund të përmendim :
1-"Romancat e muzgut",
2-"Arratisje pulëbardhe",
3-"Mbrëmje të puthura",
4-"Kohë që s'dashuron",
5-"Përshpërimë",
6-"Dritaret e mjergullës",
7-"Ylbere pa lamtumirë",
8-"Sërish",
9-"Vonë",
10-"Balada të pambaruara" etj etj.
Me këtë shkrim synoj të jap një refleksion të zgjeruar, të thelluar dhe domethënës mbi veprën poetike të Agim Bajramit duke e parë atë jo thjeshtë si autor librash,apo duke i cituar ato, por si një ndërgjegje krijuese që ndërton ura midis brezave, midis botës së brendshme të njeriut, realitetit shoqëror e midis imagjinatës fëminore dhe përvojës së pjekur.
Në një varg pikant ku shfaqet pasuria e tij shumëvjeçare poetike thuhet:
-Dhe sot më dalin mangët vitet,
Sa herë i mbledh diçka mungon,
Një pjesë ma vodhën hipokritët,
Një pjesë kjo kohë që s'dashuron.
Njeriu dhe morali në qendër të vargut.
Subjekti kryesor i poezisë së Agim Bajramit është jo njeriu abstrakt por ai real,i përditshmi,i lodhuri,i plagosuri dhe ende i aftë për dashuri, sakrifica dhe entusiazëm për jetën.
Poezitë e tij shpesh ngrihen mbi dilema morale si e mira dhe e keqja,heshtja dhe fjala, qëndresa dhe dorëzimi etj.
Këtu shfaqet një afërsi e natyrshme me poetë si Skënder Rusi ku lirika personale shndërrohet në lirizëm qytetar,pa rënë në patetike apo retorikë të zbrazët.
Ky lirizëm qytetar shprehet në jetën e përditshme ku mbizotëron dashuria njerëzore,e cila në themel ka dashurinë shpirtërore në gjithë dimensionin e saj.
Ja disa fragmente poetike ku njerëzit jetojnë me dashurinë shijojnë dashurinë dhe vdesin për dashurinë:
Kohë dashurish
Ti më buzëqesh nga larg e lumtur,
Dhe çelesh si zambaku në maj,
Mua më kanë thënë që je e bukur,
Por jo kaq shumë,dreqi ta hajë!.
Kohë
Ka ende shumë kohë të më mbushësh me puthje,
Siç ke shumë pak kohë të më shash,
Mjafton të vështrosh sytë e mi,
Të mbushur me lutje.
Melankolike
Mesditë
Atë çast unë doja të t'a thoja,
Por zëri në një skutë mu mbyt,
Se dashuritë lindin nga zemrat,
Dhe asnjëherë s'lindin nga sytë.
Lirika e brendshme dhe peisazhi shpirtëror
Natyra për poetin Agim Bajrami shërben shpesh si pasqyrë e gjendjes shpirtërore.Peisazhi nuk është dekor por simbol.
Vendi,deti,mbrëmja,shiu,mërziaapo buzëqeshja marrin kuptime të brëndshme filozofike dhe kjo e bën poezinë introspektive dhe jo hermetike.
Ashu siç e ka cilësuar herët i madhi Aristoteli:"Poezia është filozofike dhe më e lartë se historia, sepse flet për universalen dhe jo për të veçantën"(Poetika).
Dhe në këtë kontekst fragmente nga disa poezi mbi peisazhin, vendet panoramike, kohën etj.
Paris
Mbretër, perandor hijerëndë,
(Historia e tyre nuk mbaron).
Por unë tek Balzaku i kam mendtë,
Bronxi i Hygoit më mrekullon.
.....
Para nesh gjithë ajri zë të ndrisë,
Vargjet brenda meje shkruhen vetë,
Kjo do të thotë se jemi në Paris,
Ku përralla bëhet e vërtetë.
Flora dhe fauna janë një pasuri e rrallë ndaj dhe duhen ruajtur dhe shtuar në shërbimi të jetës, ndaj kemi një fragment poetik:
Vetmi peme
Isha mësuar me ta,ndaj e ke të vështirë,
Të ndihet njësoj si më parë,
Një pemë e vetmuar është një qenie e brishtë,
E gatshme çdo çast për t'u tharë.
Dimri është i ashpër por nxjerrë metafora që të ngrohin si kjo:
Dimër
S'po më le kohë ky dimër,
Ca rradhë të të shkruaj,
Dhe bën të më dridhet njera dorë,
Në fyt më ngec çdo metaforë.
......
Do desha sot një diell lodër,
T'a tremb këtë ngricë si farmak,
T'a bëjë të qeshë këtë pemë në kodër,
Ti kthej prapë puthjet në çdo prak.
Poet i çdo treve që flet shqip.
I kudondodhur poeti Agim Bajrami gjendet si në Tiranë dhe Prishtinë,si në Durrës dhe në Ohër,Prizren dhe Pejë,si në Lezhë dhe në Sarandë e Berat dhe gjer në Novara e vende të tjera të Italisë apo Greqisë, nga dhe i ka rrënjët e tij të Çamërisë për të marrë pjesë në evente të ndryshme kulturore -artistike, kryesisht të poezisë.
Gjurmët e lëna nga ai hap i qetë dhe i matur, nga njohuritë e tij të fushës dhe nga eksperienca e tij e pasur në poezi bën që fjala dhe zëri i tij kumbues jo vetëm të dëgjohet por dhe të respektohet dhe vlerësohet.
Ja disa fragmente poetike:
Odë dashurie për lumin e fëmijërisë sime.
Pranë tij vija shpesh në kohën e shkuar,
Shoqëria me një lumë është bekim,
Ai zgjaste drejt meje dy valë si dy duar,
Të më fuste në gjoks pa ngurrim.
.....
Ndonjëherë e shihja të mërzitur,
Ndonjëherë gjithë gaz e gjallëri,
Nëse unë shpesh ndryshoj papritur,
Do të thotë se kam diçka prej tij.
Apo dashuria e ngelur në nostalgji për trojet çame:
Baladë e munguar për Janinën
Pranë tij kështjella me bedena,
Që tret vetveten për çdo mot,
Mbështjellë e tëra me një mjergull,
Si mjekra e thinjur e të zot.
.....
Kaluam pranë Janinës dhe su ndalëm,
Nuk ndërrova me vezirin asnjë fjalë,
Tashmë zemërata e tij do më ndjek mbrapa,
Edhe pse i vdekur, s'do më falë.
Berat
Nuk di ç'të shoh, ç'të prek më parë,
Se kam vetveten më në duar,
Këtu mund të vish si udhëtar,
Dhe të kthehesh,një i dashuruar.
...
Ndofta kjo ndodh vetëm me mua,
Që gjithçka prek e dashuroj,
Ose magjia e këtij lumi,
Që ngut vetveten,larg të shkoj.
...
Në gjoksin tim si kalë betejë,
Trokon mesjetë dhe lashtësi,
Ka hyrë qyteti brenda meje,
Apo kam hyrë unë, brenda tij.
Ullinjtë në jug
Me njeri tjetrin përqafuar,
Dhe pakëz mjergull pak në majë,
Stuhia e fundit ka kaluar,
Duke lënë pas dhunën e saj.
Askush s'e di se kur janë mbjellë,
Në këtë fshat s'ka më njeri,
Ca zëra thonë se kanë mbirë vetë,
Bashkë me shkëmbinjtë të bëhen një.
Poezia për fëmijë një art serioz për thjeshtësinë e tij
Në këtë zhanër me kohë ai përfaqëson një respekt të plotë artistik, duke mos r nënvlerësuar kurrë inteligjencën dhe ndjeshmërinë e fëmijës.Në librat për fëmijë vargu është i qartë,ritmik, plot figuracion të butë dhe ngjyra imagjinative.
Këto s'janë vetëm poezi argëtuese por formuese dhe edukuese, duke ndërtuar te fëmijët ndjenjën e bukurisë,të së mirës, lidhjen me natyrën
Ja një fragment formues:
"Dielli më mëson alfabetin e dritës,
Zogu më lexon një përrallë në degë".
Ja disa nga botimet e tij për fëmijë:
1-"Aventurat e Salmonit kureshtar"
2-"Pse kanguri paska xhep"
3-"Një lejlek hutaq në plazh"
4-"Ndodhi të Xhulias dhe miqve të tij "etj.
Dhe më poshtë po ju citoj vargje të veçanta të shkëputura nga disa poezi për fëmijë të autorit:
Ersi dhe deti Jon
.....
Gjatë gjithë rrugës kishim ëndërruar,
Të loznin me valët,të preknin me duar,
Kishin marrë me vete edhe kamardare,
Kur je mbi të vala s'të afrohet fare.
Por kur pranë i shkuam, mbeten të pa fjalë,
Deti egërsuar, ngrinte shkumë dhe valë,
Hajde ikim çuna, tha Ersi me frikë,
Ky s'është deti jon, por deti nevrik.
Roi piktori
Thotë mami e gëzuar,Roi djalë i talentuar,
Kjo pikturë ndonjë ditë,do shkëlqejë në ekspozitë,
Gjithë detaje dhe shkëlqim, mund të marrë dhe ndonjë çmim,
......
Porse Roi s'është i gëzuar, rreth pikturës rri menduar,
Pres me ankth dhe me drojë, që të nisë të cicërojë.
Arbani dhe akulloret
Akullorja e xhaxhi Shirit,u zgjodh në e mira e vitit,
Kur e ha të shkrin në gojë,
Lum ai që do e provojë.
Sa e mori vesh Arbani,vrapin mbajti te dyqani,
S'heq dorë nga zakoni i vjetër, mbush një gotë e zbraz një tjetër.
Unë i dua librat
Sa herë dal nga shkolla dhe s'kam më mësime,
Unë se mbush kohën,vetëm me dëftime,
S'rri orë të tëra,vetëm n'celular,
Siç bën Aurora dhe shumë moshatarë.
.....
Ndihem më i bukur dhe më i ndriçuar,
Mund të rri pa gjumë,por jo pa lexuar.
Një poezi e qëndrueshme në kohë.
Në një epokë ku poezia shpesh rrezikon të humbasë funksionin e saj për shkak të sipërfaqsisë dhe fragmentarizmit,poeti Agim Bajrami mbetet besnik ndaj koherencës së brendshme dhe autenticitetit krijues.
Ai nuk ndjek zhurmën e momentit ,por ndërton me durim një vepër të çdo zhanëri qoftë që komunikon me kohën, pa u varur prej saj.
Poezia e tij nuk kërkon të trondisë por të zgjojë,nuk imponon por fton,nuk mbyllet në vetvete por hapet drejt tjetrit.
Përfundimi.
Poezia e tij është një model krijimi,ku fjala poet mbetet e lidhur me jetën dhe me bukurinë e thjeshtë të së vërtetës.
Agim Bajrami nuk i përket vetëm brezit të tij, por dhe lexuesit të mirë dhe të vëmendshëm të sotëm dhe atij që do të vijë.









Comments