SKËNDER BUÇPAPAJ: POEZIA E JAHO MARGJEKËS
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 3
- 6 min read

POEZIA E JAHO MARGJEKËS-ESTETIKA E PASQYRËS SË TRAZUAR DHE ENËS SË TEJPASHME TË SHPIRTIT
Askurrkund lumi Valbona. E ka pasur në dritaren e kullës lumin sapo ka lindur, me lumin është rritur. Nuk dihet ku fillon klithja e tij e parë e ardhjes në jetë dhe ku mbaron jehona e lumit, nuk dihet ku fillon jehona e lumit dhe ku mbaron klithja e tij e parë e ardhjes në jetë. Të dyja të kaltra. Më të kaltrat.
Lumin më të kaltër të botës- a thua- breglumasi i lindur ua ka falur poetëve, tropojanëve dhe të tjerëve?
"... Jam i të gjithë lumenjve," thotë poeti tek "Brigjeve të lumit" nga cikli "A vdesin stinët". A mund të jetë kjo përgjigja ndaj pyetjes sime?
E pra, libri me poezi të zgjedhura i Jaho Margjekës mban në ballinë titullin "Lutje në kohën e Sizifit", ndërsa mund të ishte "Jehonat e Valbonës" apo "Dënesjet e Valbonës", sepse vërtet nganjëherë, kush e njeh më mirë këtë lum, e di se ai edhe qesh, edhe dënes.
Megjithëse vijmë nga dy fshatra fqinje dhe nga dy familje që gjatë brezave kanë pasur marrëdhënie të ngushta, autorin e kam njohur për herë të parë nëpërmjet një fletoreje me poezi që ma dërgonte.
Ishte fletore e ëndrrave, siç janë gjithmonë fillimet e poetëve, unë zgjodha disa prej tyre dhe e këshillova t'ia dërgonte gazetës "Zëri i rinisë". Iu botuan të gjitha. Ishte cikli i parë poetik dhe, nëpërmjet tij, i hapej rruga për të vazhduar studimet e larta për gjuhë letërsi, i hapej rruga për karrierën e tij krijuese.
Poeti vërtet ua fali lumin e vet kolegëve, por nuk ia fali askujt tjetër pasqyrën e lumit, e mbajti me vete për të parë në pasqyrën e saj pa emër, anonime, të fshehtë, gati asnjëherë të qetë, gati gjithnjë të trazuar, për të parë aty botën që e rrethon, njerëzit bashkëkohës, për të parë aty, fundja, vetë shpirtin e tij poetik, një enë e tejpashme, një enë e kthjellët, gjithsesi e kqyrur në një pasqyrë të trazuar.
Aq i tejpashëm është shpirti i poetit sa tejpamësinë e përcjell edhe tek një trup tjetër, aq i tejpashëm sa mund të shihet edhe brenda një trupi tjetër:
"... Shpirtin tim e pashë në trupin tënd ngujuar
E s'di pse s'desha të jem më i lirë."
(Poezia "Odé", nga cikli "Guri i thinjur")

Kjo është estetika e poezisë së Jaho Margjekës, nga një libër në tjetrin, derisa vjen te kjo përzgjedhje që përfaqëson bukur individualitetin e tij, rrugëtimin e karrierë së tij poetike. Është estetikë e harmonisë së pajtimeve kundërvënëse midis dukjeve të trazuara, të turbullta dhe brendësive të qeta, të kthjellëta tejpamësie të kulluar, estetikë e vetë shpirtit të poetit.
Kjo përcakton edhe ndarjen në tetë cikle, jo sipas tematikave, si ndodh rëndom, por sipas kumteve poetike.
Falë kësaj pasqyre të trazuar pamjet përmbysen, tablotë kthehen kokëposhtë dhe këmbëpërpjetë, anasjellat nuk kanë fund asnjëherë, falë saj antitezat përqasen dhe përplasen mes tyre: "Në sy e kam dashurinë, / E sy në sy nuk vështrohemi, / Zgjatur duart e nuk takohemi, / Afrojmë buzët e s'përqafohemi. /Dashurinë e kam në një OH, / Herë më djeg e herë më ngroh, / Herë zemërohet e herë më falë,/ Herë fëmijë, herë burrë, herë djalë./Lind e vdes në një OH të bardhë." (poezia "Dashurinë e kam në një OH të bardhë" nga cikli i parë: "Bota nën hënë"). Falë saj e mundura bëhet e pamundur, e pamundura bëhet e mundur, aq sa poeti, i njëjtësuar me një Sizif modern, pyet veten, më mirë me thënë, pyet shpirtin e tij: "Shelgu a ëndrra, / Cili jam unë." (poezia "Lutje shpirtit", po aty).
"... pranë luleve.../ kalon një qivur..." na e kujton poeti tek poezia "Orë fikse" nga cikli vijues "Shtëpia në ndërtim" ku "të gjitha dritaret/ nuk mund të shikojnë nga dielli", siç thotë poeti në dialog me vetveten, ku "na mbetën pa vjelë metaforat", siç thotë poeti në dialog me Azem Shkrelin ("Agu ilirik"), apo "diku e ka një fund/ diku e ka një fillim," ("Etja e fjalës") në dialog me Din Mehmetin, apo "një fushë beteje/ e mbytur në heshtje/ pasi janë mbytur të dyja ushtritë, në dialog me të dashurën ("Një dritare"), apo "pse po dridhesh ti shelg i hollë", në dialog me fëmijërinë e tij, që përfundon në dialog me mungesën e vetvetes ("Pranverë-verë")
Më tej në ciklin e tretë të librit ("A vdesin stinët") poeti e lejon veten të zhytet në kujtimet. Aty është malli për kullën e vjetër që si "shiu ia lag tjegullat", aty janë babai, nëna, aty edhe vëllai që iku herët nga jeta, aty janë dashuritë e dikurshme, të dashurat e dikurshme, më të "papërceptueshme,.se ajri" tashmë, aty është edhe plaga e një dashurie të travajshme, e cila lakon gjithçka "Ah;/ Zemrën, / Shpirtin/Jo." (Poezia "Lakimet"), aty është pabesia: "Na preu në besë e marta/... po i lutemi së mërkurës" (Poezia "E marta").
Më vetë e parë, më filozof se kudo tjetër poeti është në ciklin e katërt "Guri i thinjur" ("Besuar se kisha/ se thinjet guri"). Askund tjetër nuk është më e madhe droja se "po na plaket koha", askund tjetër nuk janë më të pranishme ndarjet, kthimet, orët e liga, përjetësia, ku i vetmi mjet shpëtimi është tavolina e punës, i vetmi mjedis ku poeti e ka "shpirtin pa dry". Sa dramatike është ndjesia se koha duke u plakur vetë, duke u zhbërë vetë nuk lë gjë tjetër pa plakur dhe pa zhbërë, e tregojnë më së mirë vargjet:
"Rrëketë ia gërryjnë
truallin e lashtë.
Era e zhvesh prej
gjelbërimit...
Zogjtë cicërojnë e
ikin. Akuareli
hepohet prej kornize,
xhami thyhet, e
pema s'është më."
Kjo është "Pema në kornizë", e cila është jeta që nuk iu mbijeton dot agjentëve të kohës, të cilët nuk lënë gjë pa asgjësuar. Këto janë vargjet e krejt poezisë me të njëjtin titull.
"Katarsis" është cikli i identitetit njerëzor ("në vend të resë së bardhë/ të shoh grafinë e vetvetes"- poezia "Pak qiell dhome"), sa dhe i përplasjes së antitezave ("Prej dashurisë dhe urrejtjes/ jam ai që jam"- poezia "Frikë me ngjyrë"), i ndërthurjes së metamorfozave. "Pa të kundërta nuk ka përparim. Tërheqja dhe zmbrapsja, arsyeja dhe energjia, dashuria dhe urrejtja janë të nevojshme për ekzistencën njerëzore," thotë me të drejtë poeti anglez William Blake. Margjeka i kthen legjendat në jetën e përditshme dhe jetën e përditshme e degdis tek legjendat, i aktualizon të parat dhe e arkivon të dytën. Ai thërret në të sotmen tonë Konstandinët, Doruntinat, Rozafat, besën e dhënë, besën e pambajtur, besëmbajtësit dhe besëshkelësit, murosjet dhe çmurosjet, të murosur e të çmurosur, të vdekur të gjallë dhe të gjallë të vdekur. Tek poezia "Sot" ai vajton thekshëm mikun e tij të dikurshëm duke përsëritur në strukturën e krjimit, kutpmisht duke e zbritur thellë e më thellë atje poshtë, nga ku nuk dilet më: "sot varrosa një njeri" (dy herë), "sot hyri në dhé i gjallë një njeri", "hyri në dhè krejt i gjallë".
Jaho Margjeka nuk shkruan poezi të gjata (poema). Asnjëra sosh nuk zgjat më shumë se 34 vargje. Nganjëherë, si ato në ciklin VIII "Një poezi e dëshpëruar dhe njëzet këngë dashurie", poezitë janë pothuaj telegrafike (shkurtima, do t'i quante Xhevahir Spahiu), pothuaj pasthirrma dënesëse shpirti. Një poezi e tërë është, për shembull "Sarkofag": "Njerëzit/ Të kujtojnë të vdekur/ Ti i përbukuri / Jeton." Të tillat kanë edhe natyrë aforizmatike: "S'paska motër/ Ëndrra." Apo "Në majë të majës/ Humnera."
Poezia e Jaho Margjekës ka trajtën e një fjalie të vetme. Përsëritjet e fjalëve në fillim, në mes apo në fund të vargjeve, refrenet nuk e ndërpresin mendimin, i cili fillon me fjalën e parë dhe mbarojnë me fjalën e fundit, por shërbejnë për të organizuar sa më mirë ritmet e brendshme të poezisë. Poeti synon të mos lejojë asnjë fjalë, asnjë fjalëz, mundësisht asnjë tingull të tepërt, synon që çdo fjalë, çdo fjalëz, mundësisht edhe çdo tingull të jetë në vendin e duhur, asnjë shenjë dhe asnjë shenjëz pikësimi të mos jetë e tepërt, çdo shenjë dhe shenjëz pikësimi të jetë në vendin e vet. Sekretin e kësaj estetike e shpalos më mirë vetë poeti tek poezia "Në hapësirën midis fjalëve" (Cikli I): midis "fjalës e fjalës, shkronjës/ syrit e syrit, tingullit e tingullit/... fluturojnë zogj të bardhë..."
Për të përmbushur kërkesat e tij estetike, poeti vë në punë përvojën e bardëve të baladave popullore, nganjëherë këtë përvojë, për hir të frymës epike, e realizon drejtpërdrejt në gegnishte, duke rikthyer, për hir të furisë së fjalëve, edhe pasakajoren e foljeve, si në ciklin VI "Baladë e vjetër". Poeti ua kujton ish të dashurave kodet e dikurshme të fshehura, ndonjërës ia shpreh dashurinë që ia pati mbajtur të pashprehur si tek "Statuja memece", ndonjërës ia përmend edhe emrin, nganjëherë qoftë edhe përkëdhelisht të shkurtuar, siç ndodh më shpesh në ciklin VII "Asgjë nuk zgjat përgjithnjë".
Në 125 poezitë e vëllimit, të bukura dhe shumë të bukura, asnjë lum me emër, por një det me “lutje” poetike. Dhe ky "det" ia jep titullin librit të tij me poezi të zgjedhura. "Lutje në kohën e Sizifit" është kështu dënesje për të gjitha brengat dhe dashuritë që e përbëjnë shpirtin e poetit.
Vëllimi poetik "Lutje në kohën e Sizifit" dëshmon se, edhe pse Jaho Margjeka vjen nga një trevë me individualitete të fuqishme poetike, falë talentit të tij, ka arritur të ketë zërin e vet të veçantë dhe ka ditur të krijojë e të kristalizojë dukshëm individualitetin e tij dhe vendin e tij në poezinë shqipe.
Zvicër, prill 2025
Comentarios