Siri Sulejmani: Mysafiri i Çuditshëm
- Jun 8
- 6 min read

Siri Sulejmani: Mysafiri i Çuditshëm
Kisha gati një muaj i punësuar në periferi të qytetit bregdetar të jugut. Ishte pasditja e fundit e dhjetorit, pra po afrohej mbrëmja e Vitit të Ri. Jetoja i vetmuar në një dhomë. Tek rrija në ballkon dhe ndiqja lëvizjet e njerëzve, të cilët nxitonin për shpenzimet e fundit për festën e gëzuar, më pushtoi një ndjenjë trishtimi. Shtëpi nuk kisha, prindërit më kishin ikur nga jeta që në moshën 10-vjeçare. Për disa vjet Vitin e Ri e kisha kaluar në konvikte, e më pas në shoqëri punëtore nëpër kantiere dhe në ushtri, prej së cilës isha liruar përpara tre muajsh. Pra, në atë çast m’u duk vetja atje, në fshatin pranë kënetës së Vurgut, si një Robinson Kruzo.
Punë dreqi, gjithë bota gëzon, kurse unë do të rri një natë të tërë vetëm, me shishen e rakisë përpara. Nuk më rrinte brenda. U vesha dhe dola në qytet.
Në atë kohë nuk ishte bërë ende modë kremtimi i festave nëpër lokale. Pra, mbrëmja e vonët i mbyllte mjediset publike. Nëpër rrugët e qytetit po shiteshin gjelat e fundit.
Më shkrep një mendim i çuditshëm! Bleva një gjel, një pako me fruta, një shishe me raki dhe mora tutje gjatë një rrugice me kalldrëm.
Kisha vendosur të shkoja në një familje. “Fundja shqiptarë jemi dhe vetë e kemi nxjerrë në jetë bujarinë tonë: Bukë, kripë e zemër”. Pa të shikoj një herë një zemër, aq më tepër që nuk shkoj për ditë halli dhe as me duar në xhepa, mendova.
Gjeli sikur më dha kurajo. U ngjita në katin e dytë të një godine trekatëshe, shikova një portë. M’u duk e varfër, pa zile. U ngjita më lart përballë një porte të re dhe me buton zileje.
M’u ndrydh një çast mendimi, por dora u ngrit dhe shkeli butonin. U hap dera dhe përballë m’u shfaq një vajzë e re, rreth të tetëmbëdhjetave, e bukur. Flokët e dendur, të zinj, i kishte thurur në gërsheta, e cila i zbriste mbi gjoksin e shtrënguar nga një bluzë e kaltër.
I kërkova të atin dhe ajo iku si e hutuar. Pas pak, përballë m’u shfaq i ati, një burrë rreth të dyzetave, vetullzi e me mëngët e këmishës të shpërveshura. Në sytë e tij kishte ngrohtësi, të paktën kështu m’u duk mua.
- Urdhëroni, kë kërkoni ju lutem? - më pyeti, duke më matur me sy.
Isha i veshur bukur, gjë që binte në sy në qytetin e vogël kufitar (qëkurse kisha filluar punën, ushqimi dhe veshja ishin bërë për mua detyra kryesore e jetës). Shikimi i tij më dha kurajo t’i shprehja dëshirën e çuditshme:
- Poo… mesa duket juve kërkoj.
Ai ngriti supet dhe unë nisa t’i tregoj se nga isha, se nuk kisha njeri të afërt edhe në vendlindje, dhe se punoja në fermën pranë qytetit. M’u duk e vështirë të kaloja vetëm këtë natë kur gjithë bota gëzon, i thashë.
- Po pse pikërisht erdhët tek ne? - më pyeti.
- Nuk e di, kështu më tha zemra, - iu përgjigja.
- Po këtë pse e keni marrë? - më pyeti për gjelin, i cili shikonte që poshtë si të më thoshte: “Ku më shpie, mor qyq?”
- E mora… edhe te një njeri imi të shkoja, me duar bosh nuk mund të shkoja. Në qoftë se ju rëndoj, po iki, - i thashë me gjysmë zëri.
- Jo, unë nuk mund t’ju mbyll derën, urdhëroni, - më tha dhe më hapi krahun të futesha brenda.
Në korridor ia dhashë atij gjelin dhe u futa në dhomën e pritjes, ku u ula në një divan. Përballë meje në mur, nga një fotografi e zmadhuar, e vendosur në një kornizë të bukur, më shikonin i zoti i shtëpisë, e shoqja dhe vajza e bukur në mes tyre.
Nga fytyra dhe qëndrimi i zotit të shtëpisë m’u vërtetua fjala e vjetër turke, të cilën ma pati treguar një plak i mençur fetar: “Çehre den beli”, që do të thotë: “Fytyra pasqyron shpirtin”. Në atë çast shikoja për të kapur shpirtin në sytë e të shoqes, por ndërkohë i zoti i shtëpisë erdhi me një gotë raki, në një tabaka të vogël të punuar me pirografi.
- Gëzime u dhëntë jeta, këtë çast nuk do ta harroj kurrë, - i thashë.
I vetëdijshëm për befasimin e tij tek porta, si dhe për faktin që ishim në një qytet kufitar me shumë probleme në atë kohë, nxora pasaportën dhe ia tregova. Ai, kur pa vendlindjen, më pyeti për një fshatarin tim, me të cilin kishte qenë shok i ngushtë në ditë halli në ushtri. Fakti që unë bija kushëri i largët me shokun ma lehtësoi disi shpirtin.
Ndërkohë erdhën në dhomë e shoqja me të bijën, të cilat më dhanë dorën.
- Më falni se duket disi e papritur, ndoshta edhe bezdisëse ardhja ime, por ja që jeta i paska të gjitha, - i thashë të zonjës së shtëpisë, kurse ajo, me fytyrën me dritë, m’u përgjigj:
- Jo, nuk ka asgjë të keqe. Ne e kemi pasur gjithmonë të hapur shtëpinë për njerëz të mirë.
Njohja e të zotit të shtëpisë me bashkëfshatarin tim dhe tregimi nga ana ime i disa episodeve të dhimbshme të jetës në familje bënë të largohej disi hija e vizitorit të jashtëzakonshëm.
Aty nga ora dhjetë u ulëm pranë tavolinës së shtruar me gjithë të mirat. Zinxhiri i bisedave, dollitë e ndërsjella e, natyrisht, edhe efekti i pijes që i harlis njeriut shpirtin dhe e bën të harrojë edhe brengat e bota t’i duket me diell, bënë të dilte fare jashtë shtëpisë hija e të panjohurit dhe vendin ta zinte mirësia njerëzore, gazi, madje edhe kënga.
- Në çastin që e pashë tek dera, mendova se ishte ndonjë që shiste gjela deti, po ç’ne, thashë, një shitës gjelash veshur kaq bukur!? - tha plot çiltërsi e naivitet vajza dhe të katër qeshëm.
I zoti i shtëpisë ngriti një dolli për mua dhe më këshilloi t’i harroja kujtimet e hidhura të së kaluarës dhe ta ndërtoja jetën të bukur dhe me mendje të kthjellët. Më pas më tha:
- Në të vërtetë, në fillim ardhja jote m’u duk befasuese, e çuditshme, por ja, tashti më dukesh si i njohur prej kohësh, si njeri i shtëpisë! Interesante është jeta.
- Me thënë të drejtën, kur vendosa t’i bija ziles, më nxiti dhe kujtimi i një të vdekuri, kushdi që kur, - u thashë dhe, duke parë befasimin e tyre, shpjegova:
Dikur në Veri një plak më ka treguar një episod shumë domethënës. Në një principatë, një njeri i ndjekur nga qeverisësit e vendit kishte çarë rrethimin, duke vrarë një xhandar e plagosur një tjetër. Ai jetonte në arrati maleve dhe bëmat e tij kishin marrë dheun për mirë ngaqë ndihmonte të varfrit.
Mirëpo, një ditë e zunë me kurth dhe pashai urdhëroi dënimin e tij me vdekje në litar. Në kohën që i hodhën litarin në qafë, me urdhër të pashait e pyetën nëse e kishte ndjerë veten ndonjëherë më ngushtë se në atë çast.
Komiti ishte përgjigjur:
- Po, e kam ndjerë një natë dimri kur më erdhi në kullë një udhëtar i pangrënë dhe i rraskapitur, por unë nuk kisha as një copë bukë t’ia shuaja urinë. Ajo natë më ka ngritur edhe kundër jush.
Kur ia thanë këto fjalë pashait, ai, për habinë e të gjithëve, urdhëroi ta hiqnin nga litari, e thirri pranë vetes dhe i tha:
- Ta kam falur jetën, por me kusht që brenda njëzet e katër orëve të largohesh përgjithmonë nga ky vend.
Ja, ky njeri m’u duk sikur më tha kur u gjenda para derës suaj: “Bjeri portës, ore bir, fundja ti nuk i gjen të zotët e shtëpisë trok siç më gjeti mua ai njeri në mesnatë”.
Ky episod u bëri shumë përshtypje të treve. I zoti i shtëpisë ngriti gotën me verë dhe më tha:
- Gjatë bisedës kam vënë re se ti, ndonëse i ri në moshë, ke ditur të mbledhësh ngjarje dhe mësime nga jeta. Për këtë të thashë se jetën do ta ndërtosh bukur. Gëzuar.
Tokëm gotat të përfshirë nga drita e mirësisë dhe gëzimit. Kështu e kaluam atë natë të paharruar, që na miqësoi për shumë vite, derisa nisi të zbardhej.
Kur më thanë për të fjetur atje, këmbëngula dhe ika për në dhomën time.
(Fjala e Lirë – Londër 2015) Arkiva








Comments