Ish S.M.T. e Sarandës
Fatmir Terziu
Eci mes kaçavidave dhe mbetjeve pa trup
pa trup e shoh diellin nën një trung
në hije
prekja tikluese e hijes së gjallë,
e urtisë së kufirit tek thana,
përmes hapësirës ngushtuese të memorjes,
del Zana,
gjë që më udhëheq nga verbëria në dritë,
ndjej këtë sfidë
këtë ikje intriguese,
ndjej si një sfidë, ndaj pyes në të vërtetë,
a është e gjithë kjo memorje në jetë?
Zbres mendimin tim nën kupolën lehonë
në këtë pamje mister të një foleje metalike
prek barkun e çeliktë me barkun imitues
inspektoj trupin me përpikmëri,
si në një sprovë erotike në dashuri,
përqas ndjenjat e mia
zgjohem nga kjo përrallë
jam gjallë.
Fusha e Vurgut
Ende mbaj aromën e fushës,
jam dashnor i pandashëm i thekave të saj,
si një gjelbërim që hyn në zemër të grunjtë
brenda rrobave të veshura të punës,
duarve që shtrëngoj ende
penelin e memorjes.
Vetëm në këtë memorje
udhëtoj bardhë e zi edhe mes muzgut
dhe ngjyrat hyjnë në një kanavac
mbi të cilat pikturoj
fushën e Vurgut.
Vetëm dje
aty kam qenë një arsye më shumë
me gëzimin e moshës për të prekur gjeografi
duke ardhur e shkuar
duke lajmëruar masën rinore në sy
plot dashuri.
Tani jam
si lulja e zbardhur e fushës
ushqimi i së cilës refuzon këputjen,
nën një diell që mbaron së djeguri poshtë kores
hiri i të cilit
shpërndahet nga era e memorjes.
Memorja këtu është një plug
gërmon thellë vetëm në Vurg.
Sinagoga e Sarandës
Brenda mozaikut lexoj ndoshta atë që hesht,
nëse do t’i bëja pyetjet më të rëndësishme
do të më tregonte guri i dalë në dritë
trupi i të cilit flet
kur arkeologu e godëet me çekiç.
Në të vërtetë, një zë i lashtë gjëmon nga shpirti
vetëm ai mund të tregojë
çfarë i fsheh vetes,
ëndrrat më shumë sesa lutjet,
vetëm atëherë do të vinte koha
të gjenim fatin e harruar
dhimbjen që ka ndjerë Bota.
Nëse kërkojmë përkundër dhimbjes,
kujtime, dashuri të flaktë,
që gjendet në Sarandë në të gjitha rrethanat
do ta përshëndesja me këto fjalë:
për shpirtin e tillë bien këmbanat.
Hozzászólások