…sikurse vijnë Yjet
(për ditëlindjen e tim biri, Andi Terziu)
E pashë të vinte sikurse vijnë yjet
veç shkëlqimin e kishte ndryshe brenda meje që s'e fsheh dot asnjë çast
mblidhen ditët
java është e gjatë
sikurse muajt, vitet kanë pamjen e strukur në sytë e mi
shikimi im është një qiell i pafund blu
kurse unë jam gjithnjë pranë tij i qeshur
në kulmin e gëzimit nuk ka më gëzim më të madh
kurse shpirti ngre dolli i dehur
jam bërë me djalë
kurse dita vishet si krushqit e një legjende
në kalendar
urimet prodhojnë tinguj të mallueshëm
urimi s'është thjesht një i tillë por kontratë
e geni shkon në udhën e gjatë
bën betimin e duhur në Fjalë
ç'është kjo baladë?
E sotmja nënshkruan në Trungun e Madh
se lindja është një dhuratë
me të ligjërohet e ardhmja,
për hir të së vërtetës
nga rrënjët,
në Pemën e Jetës.
(12 - 11-1991 -- 12 -11 -2020)
