
-E S E -
Shumë vite më parë kam lexuar një libër që bënte fjalë për artin ushtarak . Nuk më kujtohet titulli i librit, as emri i autorit. Ishte përkthyer nga anglishtja në shqip. Në kthinat e trurit më ka mbetur vetëm një pazazh, të tjerat mbresa paskan "fluturuar"tok me kohën. Po shkruaj këtu me pak fjalë mbresën që më ka mbetur në memorie. Në një betejë të rreptë me forcat armike ishte shpartalluar keq një repart ushtarak i ushtrisë angleze. Ushtarët po tërhiqeshin nga fushbeteja të lodhur të demoralizuar e shumë prej tyre të plagosur. Ndërsa e gjithë trupa ishte "plagosur" moralisht. E mori vesh shpejt gjëmën Oliver Cromuelli( 1599-1658) komandant dhe gjeneral suprem i ushtrisë britanike dhe... hop shaloi kalin që e fshikulloi dhe iku me link për të inspektuar trupën ushtarake të shpartalluar nga armiku. Sa e pa gjëndjen diçka i cimbithi dhe i sëmboi zemrën. Ushtarët po zvarritnin këmbët e po iknin ngadalë, të zymtë, të dërrmuar shpirtërisht. Në krye të repartit në ikje komandantit suprem i zunë sytë një ushtar të plagosur e me rrobat e çarvalitura. Atë po e ndihmonin dy ushtarë të tjerë, edhe këta të rrënuar shpirtërisht e që ecnin çalë çalë. Cromuellit iu përpëlit në zemër keqardhja. Ishte njeri me ndjenja. Por komanti prandaj është komandant. Ta mbledhë veten e të rrezatojë besim e shpresë te vartësit sado të koklavitura të jenë rrethanat. Dha urdhër të ndalonin ushtarët e të dëgjonin atë, komandantin e tyre të famshëm. Cromuelli kishte një veti të çmuar. Përvec oratorisë së zjarrtë ai mbante mënd emrat e ushtarëve. Si Pirroja i Epirit. Cromuelli filloi t'u fliste ushtarëve duke e përshkruar betejën të humbur por jo luftën të humbur. Sepse si mund të humbasin ushtarë të tillë trima me fletë si filan( përmëndi emrin e ushtarit të plagosur më rëndë), si mund të quhet e humbur lufta me ushtarë të tillë sic janë iksi e ypsiloni(përmendi emrat e dy të tjerëve që e mbanin pas krahëve të parin) që e ndihmojnë shokun pranë si ta kenë vëlla? Po si mund të heqim dorë ne nga kauza jonë me ushtarë të tillë si trupa juaj ushtarake që me luftën që do vazhdojmë do t'i sjellim lavdinë Atdheut tonë? Për ne nuk ka humbje, ka vetëm fitore. Sepse unë e shikoj në sytë tuaj besimin dhe këmbënguljen për të përballuar çdo armik...Për ne nuk ka humbje. Ka vetëm fitore.
Ushtarët mbetën të mahnitur nga oratoria e komandantit të tyre. Si? Ai di emrat tanë? Me komandant të tillë ne çajmë malet e dalim fitimtarë në cdo furtunë e tufan sado të fortë që të jenë por jo më të fortë se ne...Kështu mendonin ushtarët në ato momente... U dëgjuan brohoritje e duartrokitje frenetike.Zëmrën e tyre e "shëroi" komandani, moralin, entuziazmin e tyre të rënë për tokë e ngriti peshë gjenerali i tyre legjendar.U bënë me flatra. Ndodhi mrekullia. Pas tri ditëve ishte ky repart ushtarak që bëri namin duke u përleshur në një betej për jetë a vdekje dhe mundi keqas armikun ,e llangosi atë me turpin e humbjes...Në këtë pjesë të tekstit që lexova atëhere nenvizohej dy herë sentenca që morali i lartë qëndron ndaj forcës fizike si treshi ndaj njëshit. Unë që andej e kam huazuar titullin e këtyre shënimeve por idenë dua ta coj pak më tutje duke folur për gjëra të tjera që lidhen me titullin. Mos prisni të nderuar lexues që unë të bëj psikologun apo estetistin. Nuk pretendoj aspak një gjë të tillë por duke qënë përsëri në fushën e gazetarisë kam të drejtë të ndaj me ju impresionet e mia.
Tani që jam në moshën e tretë rri rri e mundohem të bëj bilancin e jeës sime. Jam i lumtur kur kuptoj që ingranazhet e kujtesës akoma nuk më janë ndryshkur. Është në gjëndje të ndajë
grurin nga egjëra, veprimet e mira nga ato të mbrapështat. Shyqyr që duke gjykuar mbi vetveten, bilanci më del pozitiv. Ha, haaa! Po për ato veprimet e mbrapshta si e ke syrin, c' emër do t'u vesh?-mund të pyesë me të drejtë dikush. Përgjigja ime është: Asgjë. Cila është ajo forcë që të veprojë mbi të kaluarën? Sado të mundohesh, sado të përpiqesh të ndreqësh ndonjë gjë nga ato veprime ahha, e ke kot, nuk pijnë ujë. Të kaluarës në këtë rast i ha m....Njerëzit, të gjithë, gabojnë. Kur ato nuk bëhen me qëllim, quhen gabime njerëzore..Edhe vetë ata kur kalojnë kohë i shikojnë me gjakftohtësi këto gabime dhe çuditen edhe vetë . S'ka gjyq më të drejtë e më të rreptë se sa gjyqi që i bën vetvetes. Dhe këtu hyn në punë morali që unë kam dëshirë ta barazoj me gjëndjen emocionale sepse po ta shikosh hollë hollë i tillë është. Morali është bindje e fortë, është besim, është emocion. Njeriu është i mbushur me emocione të cilët herë flejnë e herë shpërthejnë. Ndoshta këto emocione shpërthyen dhe ngritën lart moralin e ushtarëve në kohën kur fliste Cromvuelli i cili ishte kalitur nëpër furtuna që e kishin bërë të njohur.
Dallgët e emocioneve lundrojnë në ndërgjegjen e njeriut, në vetëdijen e tij. Si njeriu i lumtur ashtu edhe ai i pezmatuar kujton se bota rrotullohet rreth tij në 360 gradë aq sa kocka ka trupi i tij dhe çuditet nga indiferenca e të tjerëve që nuk venë re fare gjëndjen e tij shpirtërore. Edhe në këtë rast me emocion, me nxitje nervore , me gjendje mendore të fuqishme, siç thonë, ndikohet edhe në gjëndjen fiziologjike. Harron tjetri se gjykimi duhet bërë në raport me staturën sociale që ka personi në raport me botën e madhe. Duke gjykuar mbi bazën e këtij raporti kupton se njeriu në raport me gjithësinë është asgjë, grimcë rëre, krrimb toke në univers. Mirëpo njeriu është botë më vete ai i kushton rëndësi gjëndjes së tij pavarësisht staturës sociale. Çmon lumturinë, rrënohet nga fatkeqësia. Me gjëndjen e tij shpirtërore pajtohen njerzit e tij të afërm, për të tjerët ato janë pesë me hiç. Sejcili ka hallet apo lumturinë e tij. Deri diku interesimi i të tjerëve mund të jetë për personat e famshëm publikë.
Le të biem dakord që këtej e tutje në vend të nocionit moral të përdorim nocionin emocion. Besoj fort se si emocioni, si morali kur bashkohen në komunitet bëhen më të fuqishëm. Emocioni është forcë, zor se fishket. Ai bëhet më i fortë kur bashkohet me një, dy, tre apo më shumë njerëz. Te grupi i ushtarëve që dëgjonin Cromuellin morali, alias entuziazmi u shndrruan, le të themi, në ekstazë. Të jesh në ekstazë do të thotë të dalësh nga vetja e të përfshihesh në shkallën më të lartë të entiziazmit që të con në gjëndjen shpirtërore shumë të gëzueshme. U vërtetua edhe në këtë rast sentenca " Bashkimi bën fuqinë" Forca e entuziazmit shtohet dhe përhapet kur janë shumë njerëz. Me sa duket kjo dukuri është "sëmundje" ngjitëse. Njëlloj si gogësima. I hapet goja tjetrit, shënjë kjo që ndjell gjumë dhe sakaq goja u hapet edhe të tjerëve aty pranë. Qesh tjetri me shpirt dhe, hop, e qeshura përhapet si vaji në arme edhe te njerëzit e tjerë aty pranë. Sapo m'u kujtua një rast që ka ndodhur me mua. Ishim në shkollë të mesme në Korcë. Shkova me një shokun tim, Mysretin nga fshati Pirg në kinama për të parë Çarli Çaplinin. Mysreti e kishte parë por "nuk ishte ngopur" Filloi filmi. Sapo doli Çaplini shoku im filloi të qeshte. Uli kokën dhe po mbante me zor gazin. Mirëpo kur mundohesh ta mbash të qeshurën ajo, për dreq,gurgullon më me furi. Ai e dinte si do vepronte Çaplini në sekuencat pasardhëse. Dhe ky nuk ishte vetëm një moment. Ku ta gjesh, xhan o moment. Gjatë gjthë filmit ai vazhdoi duke qeshur. Ma ngjiti edhe mua këtë ves me të vetmin ndryshim se unë nuk qeshja me veprimet e Çaplinit por me të qëshurën e Mysretit. Nëse më pyesni: "Të pëlqeu filmi apo jo?" Përgjigja ime ështe kjo: Duhet të ketë qënë i bukur por unë nuk e pashë. Më mori me vete e
qeshura e shokut tim që gati u shndrrua në gajasje por e mbulova gojën me pëllëmbë se do të linim nam te spaktatorët e tjerë.
Edhe përmes frikës shfaqet morali. Frika është reagim emocional i fuqishëm përballë një rreziku real apo imagjinar në formën e paranojës. Zemra rreh shpejt e me forcë. Atëhere njerëzit me "lepurin në bark" ikin nga sytë këmbët. Frika si emocion pushton mjaft njerëz. Atëhere paniku bën të vetën. Dallga emocionale noton në mjegull, pushton zemrën e cila, në rraste të tilla nuk komandohet nga mendja. Është zotësi e madhe të kontrollosh vetveten. Ekulibrin mund ta vendosësh vetë ose me ndihmën e familjarëve e të dashurve të shtrenjë, por sidomos me ndihmën e prindërve. Është e vërtetë si aksiomë që fëmijët nuk jetojnë për prindërit e tyre por ama e sigurtë është që prindërit jetojnë për fëmijët. Është e vërtetë intuitive që duket e ndjehet që atje tutje. Ka njerëz që e zotërojnë frikën, nuk e japin veten. Dhe dalim te një e vërtetë tjetër: Askush nuk është ashtu siç duket.
Morali dhe emocioni perceptohen përmes syrit dhe veshit që e përcjellin në receptiorët e ndjeshmërisë së njeriut. Pastaj fjalën e mer arsyetimi që duket se nuk ka lidhje me moralin apo emocionin por nuk është kështu. Dikush thotë për dikë që nuk e do:"më vriten sytë kur e shikoj" Opa, nga syri u injektua emocioni negative. Por përmes të parit fitohen emocione pozitive edhe kur je përballë ngjyrave. Psikologët thonë se ngjyra e verdhë gjallëron systemin nervor, e kuqja e mbyllur i qetëson këto nerva, bluja ndjell ndjesinë e të ftohtit, e kuqja ngrohtësinë, e gjelbëra gjallëron mendimet e gëzimin shpirtëror. Thonë se lule sapuni është paralajmëruese e parë e pranverës para mimozave. Po rozmarina? Ajo është symbol i kujtimit, meneksheja symbol i mendimit.
Ja ku arritënm në një këndvështrim tjetër ku gjykimi nënvizon faktin se edhe ngjyrat, edhe bimët çojnë ujë në mullirin e emocioneve dhe ndjeshmërisë. Dhe kur këtyre fakteve u shtohet edhe gojtaria e zjarrtë , oratoria e personave të rëndësishëm publikë që ngjallin besim e shpresë atëhere zhiva në shpirtin e njeriut ngjitet lart e ndodh pastaj ajo që thotë titulli i këtyre shënimeve. Fjala e oratorit ngre peshë gjindjen kur ajo, doemos, është e peshuar, e ndjerë, kur është fjalë shpirti e zemre e jo fjalë si tulla parafabrikate. Fjala e dobishme e njeriuit publik dinjitoz lëshohet në kuvend sipas vendit. Dhe kështu ndodh që sado i vogël të jetë fiziku i një njeriu që ka forcë morale të madhe ai ve përpara një tjetër me forcë fizike të madhe .Këtij të fundit I rroftë fiziku sepse ikën me bisht ndër shalë nga frika e moralit të madh që ka ai tjetri me fizik të vogël .Eh, ç'mu'kujtua në këtë cast historia biblike e Davidit dhe Goliatit….
Comments